back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

“Si u bëra i padukshëm” – i shkrimtarit fizikan, Kostandin Leka – mbresa nga romani nga Skifter Këlliçi

Gazeta

Kostandin Leka (1932-2013)
Kostandin Leka (1932-2013)

“Si u bëra i padukshëm” – i shkrimtarit fizikan, Kostandin Leka

mbresa nga romani nga Skifter Këlliçi

Poetesha e njohur Zhuliana Jorganxhi, ish-redaktore e letrare në redaksinë e muzikës në Radio Tirana në vitet ’70-’90-të, më dërgoi një -email në të cilin më njoftonte me shumë hidhërim vdekjen e Konstandin Lekës, ish-punonjës shkencor pranë degës elektrike të fakultetit të inxhinierisë në UT, pastaj gazetar shkencor në TVSH, për të qenë përsëri bashkëpunëtor shkencor në UT. Por, Kostantin Leka, i cili që nga viti 1990 ishte vendosur në Trieste të Italisë, së bashku me të shoqen, këngëtaren e njohur klasike, Rozmari Jorganxhi dhe familjen, ishte edhe shkrimtar i talentuar në fushën fantastiko-shkencore. Këtë e dëshmon edhe recensoni që po u afroj lexuesve për romanin e mësipërm, përgatitur para disa kohësh.
Vite më parë, në një bisedë telefonike nga Triestja, më pati thënë se do të më bënte një të papritur. Dhe kështu ndodhi. Para disa ditësh nga posta e North Kuncit, qytet në rrethinat e Bostonit, ku edhe unë jam vendosur prej më shumë se dhjetë vitesh, më arriti një pako. Nga forma e mora me mend se do të ishte një libër, që ndonëse jo shpesh, marr si dhuratë nga shokët dhe miqtë e mi. Por mbeta shumë i habitur dhe madje shumë i gëzuar, kur në mbulesën e librit lexova: Kostandin Leka: “Si u bëra i padukshëm”, roman fantastiko-shkencor.
Atëherë kujtova takimet e mia të para me Kostandinin, në vitin1958, unë djalosh njëzetvjeçar, kurse ai pak më i madh,vit kur nisa të bashkëpunoja me Radio Tiranën, së pari folës dhe pastaj me shkrime për rubrikat kulturore dhe artistike, për t’u bërë pastaj gazetar i saj. Kujtova edhe takimet me Kostandinin, që gjithashtu bashkëpunonte me rubrika fantastiko-shkencore në emisionet për fëmijë, pasionin këmbëngulës me të cilin ai përgatiste skeçe e skenarë me personazhe të tillë, si “Baba Tomori”, “Niku Elektriku”, “Ilir Novatori”, “Korrespondenti Robot”, “Artan Duararti”, “Ilir Formula”….
Që atëherë me Kostandinin u bëmë miq. Kjo miqësi erdhi dhe u forcua edhe më shumë, kur më 1972 nisi të punonte redaktor për emisionet shkencore në Televizionin Shqiptar, (për shkak të origjinës-familje pasur tregtare), pas festivalit të 11-të, e detyruan të largohej). Ai qe i pari që përgatiti disa konkurse në formë shfaqjeje të karakterit artistiko-shkencor, të cilat patën jehonë shumë të madhe në masën e teleshikuesve, të cilat në një mënyrë a një tjetër, të kujtonin shfaqjet televizive të RAI-t, që asokohe shiheshin edhe në Shqipëri. Kujtova bisedat e këndshme me të, këmbimin e mendimeve dhe të përvojës së njeri-tjetrit, në mënyrë që unë të përgatitja sa më mirë “Rubrikën Sportive” dhe emisionet e tjera artistike që mbuloja, dhe ai emisionet dhe konkurset në fjalë. Krahas tregimeve në revistën “Fatosi”, kujtova edhe novelën fantastiko-shkencore të tij, të botuar më 1982, me titull “Në zemër të hidrocentralit”, si artikujt tij të shumtë, me karakter shkencor-popullor, të botuar në shtypin e kohës.
Dhe ja, tani, miku im nga Triestja e Italisë, pas një heshtjeje të gjatë midis nesh, më dërgon tashmë një roman, gjithnjë të këtij karakteri. S’ke ç’thua: një titull me të vërtetë intrigues, që më solli ndërmend një nga librat e verdhë që, besoj tërë bashkëmoshatarët e mi e kanë lexuar në vegjëli, me titull “I padukshmi”, ku personazh kryesor është një farë Ralf Klifordi, por sidomos, romanin serioz “Njeriu i padukshëm”, (1985), përkthyer edhe në shqip, i shkrimtarit anglez, Herbert Uells, i njohur po aq sa edhe Zhyl Verni për romane fantastiko-shkencore. Mbi motivet e tij, që më 1933 është realizuar me sukses edhe një film me të njëjtin titull. Së fundi, kujtova një tjetër roman, edhe ai me titullin “Njeriu i padukshëm, të shkruar më 1953 nga shkrimtari amerikan, Ralf Ellison, (1953).
.
“Si u bëra i padukshëm” - roman nga Kostandin Leka
“Si u bëra i padukshëm” – roman nga Kostandin Leka
Kështu, krahas këtyre veprave botërisht të dëgjuara, befas një roman i mikut tim, Kostandin Leka. Nuk dua të bëj krahasime, se këto shënime, nuk janë veçse mbresa rreth romanit të tij, por, sidoqoftë, them me bindje të plotë se ai është shkruar me nivel të mirë artistik, po të marrim parasysh se është i pari i këtij autori dhe se ka një përmbajtje me tingëllim shumë domethënës dhe aktual, aq më tepër që ngjarjet e tij vendosen në një vend të quajtur Albas, që nënkupton Shqipërinë e periudhës së fundit të diktaturës dhe fillimit të proceseve demokratike…
Pa dashur të shtjelloj, qoftë në vija të trasha, përmbajtjen e romanit “Si u bëra i padukshme”, e shoh të arsyeshme të ndalem shkurtimisht në disa linja të tij: Personazhi kryesor është Liriani, djalosh i dhënë shumë pas kërkimesh shkencore. Ai po merret me rritjen artificiale të kristalit të kripës së gjellës (NaCl), që e njeh çdo lexues që ka mbaruar qoftë shkollën tetëvjeçare.
Gjatë kërkimeve ai sheh se kur rrezet e dritës së bardhë, depërtojnë dhe dalin nga ky kristal, ndryshe nga kristalet e mëparshme, zbërthehen me ngjyra të ylberit, ndaj ai e quan atë “kristali me ngjyra”. Me punimet e Lirianit njihet shkencëtari rus, Smirnov, e shoqja e tij, Eva, asokohe miq tanë, të cilët interesohen shumë për to.
Ndërkohë, Iliriani arrin të zbuloje se shkaku i prodhimit të kristalit më ngjyra është harku elektrik dhe se shkaku i formimit të shkarkesës së tij është mungesa e tokëzimit, sepse, sapo vendosej ky tokëzim, këto kristale ktheheshin me ngjyra bardhë e zi. Këto arritje të tij vlerësohen nga Smirnovi dhe eprorët e vet në Moskë si shumë të rëndësishme.
Dhe ja, pritur, Liriani caktohet të shkojë në Paris për blerjen e disa aparaturave të reja për laboratorin e Institutit ku punon. Këtu nisin të papriturat. Në aeroportin e Romës, në vend që ta shohë veten në një avioni të tipit francez, “Karavel”, me të cilin do ta fluturonte për në Paris, e sheh në një avion rus, “Tupolev”. Ja, pra sepse interesohej Smirnovi, me gruan e tij, Evën, në grackën e të cilëve ka rënë Liriani. E gjitha kjo ndodh në periudhën, kur në Albas do të bëhen më së fundi zgjedhjet e lira, nga të cilat do të dalë një qeveri me të vërtetë demokratike.
Shkencëtarët rusë të Institutit KGU e këshillojë të bëjë një seri eksperimentesh në fushën e rritjes së kristaleve nën ndikim e fushës elektromagnetike, pa mundur të zbulojnë se shkaku i formimit të ngjyrave të kristaleve, është tokëzimi, të cilin Liriani vazhdon ta mbajë të fshehtë ndaj kujtdo.
Por befasitë nuk kanë të sosur. Kur Liriani e sheh veten përsëri në Romë e që andej në Paris, që të vazhdojë misionin e tij për blerjen e aparaturave, bie në kthetrat e një shoqate tjetër, por, këtë radhë amerikane cila, edhe ajo, është e interesuar për zbulimin e tij. Kështu, në vend që ta nisë për në Paris, ajo e dërgon në Nju Jork.
Atje shkencëtarë amerikanë kërkojnë të dinë nga Liriani të gjitha veprimet që ai kryer për rritjen e kristalit në laboratorin e tij. Por as atyre nuk u shkon ndërmend se sekreti qëndron te tokëzimi, shkak banal, që mund të shkaktohet vetëm në laboratorët e vjetër te Albas, “ku përdoren pllaka dhe bulona të ndryshkur që nga periudha e para Luftës”, siç thekson autori.
Të gjitha këto peripeci heroi ynë i kalon, pa i ditur përfaqësia tregtare e Albas në Paris. Gjatë ditëve të qëndrimit në kryeqytetin francez, Liriani gjen rast të takohet me shkencëtarin e njohur, Segre. Kërkon ndihëm e tij, por nuk i zbulon sekretin që tashmë dimë.
.
Konstandin Leka - Rrezatimi zhbllokues i ndergjegjes
Konstandin Leka – Rrezatimi zhbllokues i ndergjegjes
“Unë mendoj dhe shpresoj, – i thotë Segreja Lirianit, – se puna jote do të të shpjerë në prodhimin e matmateries… Duhet të arrish në rritjen e kristaleve që në mikroskop ngjyrat të mos zbërthehen nga të gjitha drejtimet me boshtet e kristalit. Vetëm atëherë do të jesh afër matmateries”.
Me gjuhë të zhdërvjellët e situata, herë dramatike, por edhe humoristike, që të detyrojnë t’i ndjekësh faqet e romanit plot kërshëri dhe ankth, Konstandin Leka na përshkruan ngjarje të reja që kanë gjithnjë protagonist shkencëtarin e ri, Lirian: Kthimi në atdhe, takimi i papritur ne aeroport me një oficer policie, ish-shok i fëmijërisë, i cili e di që Liriani ka origjinë tregtari të pasur, fakt të cilën ai e ka fshehur në dokumentet vetjake të jetëshkrimit, (ashtu siç i ka ndodhur dhe vetë autorit), mbajta e tij nën vëzhgim të fshehtë nga ata aq i hiqen si shokë, por që e raportojnë. E, megjithatë, Liriani, ndonëse i shtrënguar nën këtë trysni, vazhdon të punojë. Vërtet zbulimi i tij është arritur krejt rastësisht, (tokëzimi), por a nuk kishte “raste të tjera “gabimesh” që kanë dhënë zbulime të mëdha?-pohon autori. – Rëntgeni si i zbuloi rrezet “X”. Po Fermi që nuk kuptoi se kishte zbuluar reaksionin zinxhir të materies… bombën atomike?”
Kur ndjen se trysnia ndaj tij po rritet edhe më shumë pas botimit të një artikulli në gazetën “E vërteta”, në të cilin kritikohet puna tij kushtuar kristaleve të kripës, ai vendos t’i shkojë deri në fund zbulimi të tij. Me anë eksperimentesh arrin të bëjë të padukshëm një gisht. te pastaj me anë të një pelerine të bëhet vetë i padukshëm, vetëm falë…mikrokristaleve të materies.
Për të mos shuar kureshtjen e lexuesve, nuk po zgjatem më shumë me përmbajtjen e këtij romani. Por e përsëris se ngjarjet e tij rrokullisen me një ritëm gjithnjë në rritje, me situata nga më të çuditshmet, ku nuk mungojnë ndjekjet, kërcënimet, rreziqet e rrëmbimit të Lirianit nga banda pseudoshkencore, për të shtënë dorë sekretin e tij shkencor, pasi arrin me avion të largohet nga Albasi, për të shkuar përsëri në Paris. Dhe të gjitha këtyre rreziqeve ai arrin t’u shmanget, falë pelerinës që e bën të padukshëm.
Pastaj vjen takimi i dytë me profesorin francez, Segre, i cili propozon që atij nga një juri ndërkombëtare t’i jepet çmimi “Nobel, “për shpikjen e mantelit që e bën njeriun të padukshëm”, kthimi në atdhe, kur kanë fituar forcat demokratike dhe atë nuk e kërcënon më asnjë rrezik, tashmë i lumtur që kjo shpikje i takon atdheut të tij, Albasit.
Siç shihet, në roman përfshihen ngjarje të cilat ngërthejnë një periudhë prej disa dekadash, po të kemi parasysh, siç thashë më lart, se autori me Albasin nënkupton Shqipërinë dhe zhvillimet e saj historike në këtë hark kohor kaq të gjatë, të cilat janë ngjeshur në një kohë shumë të shkurtër, vetëm prej disa muajsh. Gjithashtu, kuptojmë se bëhet fjalë për një zbulim që ende nuk është arritur e nuk dihet a do të arrihet nga shkenca… Por këto elemente, të cilat Konstandin Leka i ka ngritur bukur fort në art, janë krejtësisht të pranueshme, përderisa kemi të bëjmë me një vepër fantastiko-shkencore.
Rëndësi ka domethënia e romanit, që, në fund të fundit, e ka bazën te një e vërtetë: Liriani përmend se, kur ndodhej në Paris vuri re se sa me respekt përmendej një shkrimtar dhe një këngëtare e re, të dy nga Albasi. A nuk është e vërtetë që Kadereja është shkrimtar i madh, jo vetëm në Francë, por në tërë botën dhe çdo vit kandidat për çmimin “Nobel”? Po ashtu, nuk është e madhe këngëtarja Inva Mula, ose kërcimtari dhe koreografi i baletit klasik, Angjelin Prelocaj? Në fund të fundit, a nuk është shkencëtari Ferid Muradi, me origjinë shqiptare, nga Gostivari, fitues i “Nobelit” në fushën e mjekësisë dhe, mbi të gjitha, nobeliste Nënë Tereza?
Pra, vërtet kemi në dorë një roman fantastiko-shkencor, por që i bën jehonë një vendi të vogël, Albasit, ose Shqipërisë. Duke qenë i armatosur me një përvojë të gjatë shkencore në fushën e fizikës, (veç të tjerash, ai është diplomuar me tezën “Rritja artificiale e kristaleve” që trajtohet në këtë vepër, ndaj ajo mbështetet edhe në disa motive autobiografike), Kostandin Leka ka arritur që këtë përvojë ta derdhë në faqet e romanit të tij “Si u bëra i padukshëm”, i cili besoj të pritet mirë nga lexuesit, veçanërisht të kësaj fushe të krijimtarisë letrare.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.