back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Si një udhëtim drite drejt së panjohurës – “Përtej Harrimit” i Ermira Xhomaqit – Parathënia nga Jozef Radi

Gazeta

Ermira Xhomaqi - Përtej Harrimit - Abdulla Rami
Ermira Xhomaqi – Përtej Harrimit – Abdulla Rami

Si një udhëtim drite drejt së panjohurës –

“Përtej Harrimit” i Ermira Xhomaqit 

Parathënie nga Jozef Radi

Mesazhet e pëcjella në rrëfimet e këtyre dramave dhe jehona e tyre
dalin nga kujtesa individuale dhe 
kërkojnë një hapësirë më të gjerë vlerësuesish, lexuesish dhe studiuesish…
Ato mbeten një përpjekje për të treguar një realitet
përtej jetës së një individi të cilësuar
duke zbardhur kështu copëza të munguara të historisë e
duke i dhënë një tjetër përmasë
konceptit tonë të vlerave, të vetëdijësimit dhe të përkatësisë. 
Ermira Xhomaqi
.
Abdulla Rami-Francë-Montpellier - Viti 1938
Abdulla Rami, Francë-Montpellier – Viti 1938

Leximi i një dorëshkrimi është aq shumë i ngjashëm me një udhëtim drejt së panjohurës… Ndjehesh një shpirt Kolombi që çan me guxim paksa të çmendur drejt botësh të largëta, zhytur në harresë.

Në fund të këtij udhëtimi, kupton se je përballë një arritjeje të lëvdueshme, kështu që rrëfimi i perceptimeve të tua dhe gjithçkaje të fituar prej këtij rrugëtimi, të shtyn domosdoshmërisht ta përshkruash me dritën e fituar këtë rikthim të një personaliteti: fillimisht vërtet paksa i panjohur, por në mbyllje figurë vërtet shumëdimensionale.
Leximi i kësaj vepre, ku ndërthurja e botës së dokumenteve, kohërave, personazheve, dëshmive, ndjeshmërisë po edhe frymës letrare të përfshirë në të, krijon mjaft hapësirë reflektuese te lexuesi.
Në krejt ecurinë e librit, autorja ka këmbëngulur, së pari, ta shkulë “personazhin e saj” prej harrimit; më pas ta shpluhurosë e ta lartojë atje ku Ai meriton (duke na dhënë një shembull si mund të ringrihet në këmbë e vërteta e një personazhi); dhe, së fundi, ta vendosë në kontekst të historisë, që Ai, (e shumë të tjerë si Ai), të mund të jetojnë “Përtej harrimit”.
Ky mision i vështirë, ky rrugëtim fillimisht i pabusullt, kjo punë e nisur nga kuota zero, bëhen dëshmi e një guximi të epërm nga autorja, e cila përmes ndërthurjesh të shumta, shpesh me elementë jo fort të lehtë për të bashkëjetuar mes tyre, ka arritur te kjo vepër e parë e saj të meritojë vlerësime e përgëzime të sinqerta, që në hyrje të këtij shkrimi.
Trajtimi strukturor i autores, e cila, faqe mbas faqeje, ka gdhendur figurën e një personaliteti si Abdulla Rami, i ofrojnë lexuesit një realitet pak ose aspak të njohur duke e bërë atë vëzhgues, përjetues e kritik të ngjarjeve e historive të përshkruara. Kjo të lejon ta vlerësosh guximin e saj, dhe këta pak rreshta të ngjeshur, janë një përpjekje për të përvijuar disa mendime për veprën në fjalë, për personalitetin e trajtuar po edhe për vetë autoren… Trajtim ky i mprehur në vazhdimësi edhe me frymë kritike prej bashkëpunëtorëve të kësaj vepre, në mënyrë që gjykimi i saj të mos përmblidhej në shumësinë e dokumenteve të lidhura me një garniturë ndjenjësore dhe as të mos mbetej thjesht në lartësinë e përkushtimit, me të cilin autorja e ka realizuar këtë libër, por shumë e shumë më gjerë e më thellë.
Kjo e ka bërë këtë vepër të zhdërvjellët në kompozim, të pasur në informacion, të lakmueshme me bibliografi po edhe mjaft të hollësishme në shpjegime për lëndën që ka trajtuar.
E vërtetë është se të dy personazhet: Autorja edhe Protagonisti ishin relativisht të panjohur. Këtë fatkeqësi të mosnjohjes (po e quajmë kështu) ata duhej ta përligjnin me tërheqjen e vëmendjes në leximin e këtij libri. Kështu sa më në thellësi udhëtohet nëpër kalvarin e intelektualit Abdulla Rami, aq më shumë duhen mbajtur parasysh mundimet dhe sakrificat e autores në këtë mision të saj sublim: nxjerrja nga heshtja dhe ringritja e një personaliteti!
Në këtë udhëtim drejt së panjohurës, mjafton leximi i pjesës së parë të saj (vepra ka pesë pjesë) dhe ti ndjehesh në brendësi të një bote që e njeh mirë… si të thuash në këtë udhëtim ku lexuesi kërkon të takojë të vërtetën, ndodh të ritakojë vetveten po edhe shumë vetvete të asaj bote të zymtë, misteret e së cilës ende s’janë zbardhur si dhe sa duhet.
Kuptohet qartë që s’ka mjaftuar dhuna e pashëmbullt e një regjimi, as pluhuri i kohës së ikur, por duhej edhe heshtja e sotme edhe harresa institucionale, që në vazhdimësi jep shenja të qarta gatishmërie ta pranojë shlyerjen e kujtesës, ta ndihmojë mjegullën dhe gjithçka të zhytet e të harrohet në kalendat greke!
Prandaj, vlera e këtij udhëtimi (libri) bëhet e pakufi sa më thellë futesh e zhytesh brenda tij.
E panjohur s’është më jeta e një njeriu, po e shumë njerëzve bashkë; në lojë s’është më fati i një intelektuali, por i shumë syresh, i krejt frymës së tyre; s’bëhet fjalë më për një kohë të shkurtër, por për krejt një epokë tragjike. Nëse ti s’e ke njohur më parë personazhin, për të cilin flitet në libër, pak rëndësi ka. Ai të shfaqet i gdhendur, i gjallë e i plotë. Aq sa ti beson se hijen e tij diku e ke ndeshur, se frymën e tij diku e ke ndjerë, se klithmat e tij të nënzëshme birucave, janë diku edhe në jetën tënde, se gulshet e dhimbjeve për atë plojë që nuk zgjati pak, por një gjysmë shekulli, të shfaqen tashmë si në një ekran filmi!
Dhe vazhdon e futesh thellë e më thellë në botën e këtij libri që ka jetuar gjatë me ëndrrën të bëhej një libër i vërtetë.
Dhe ashtu, hap mbas hapi, ti e kupton se ky shkrim ka diçka të rrallë, të përrallshme e pothuaj të pandodhur… Një mbesë i ka ngarkuar vetes detyrën të nxjerrë nga pluhuri i harresës gjyshin e saj… një gjysh fisnik e i dhimbshëm, që dikur, në lindje të saj, i ka dhuruar emrin nëpër pusulla letre… dhe ka ikur në pakthim lamtumire! Pa pritur që ajo ta falenderonte.
Askush s’e di nëse ai emër i dhuruar i një gjyshi të vuajtur, mbesës së tij të mbrame, ishte lamtumirë apo amanet?! Dihet vetëm që Ai iku pa e gëzuar mbesën e vet, po edhe Ajo mbeti vetëm në një botë të pangjyrë me jehonën e atij gjyshi të dashur e të shumëvuajtur…
.
Në krahët e një gjyshi të rigjetur - Viti 1972
Në krahët e një gjyshi të rigjetur – Viti 1972
Ëndrra që t’i shërbente me përkushtim vendit të vet, një ditë u bë tragjedia e tij, dhe “fati i keq” i një kohe s’e lejoi t’i gëzonte as energjitë e veta, as familjen e tij, as tri vajzat, as atë mbesën e vogël, e cila një ditë solemnisht i premtoi vetvetes:
“Do ta sjell unë gjyshin tim, ashtu siç nuk e ka njohur askush…!”
…dhe ajo iu nis kësaj rruge si në përralla, duke lënë mbas vetes si guralecë, gjurmët e tij!
Në këtë lexim përjetues, ti s’ecën më nëpër një libër, por nëpër fate njerëzore të një epoke përmbysjesh. E kupton se ajo frymë iluministe e dijeve, e librave dhe idealeve të sjella nga Franca e Revolucioneve, prej Abdulla Ramit dhe shokëve të tij, do t’u nënshtrohej barbarive në “emër të fitimtarëve”; sheh se gjykimi i “armiqve të klasës” shndërrohet në një refren gjysmëshekullor që s’njeh të ndalur; dhe kupton se e keqja e ideologjisë i ka ngulur kthetrat e saj në krejt jetën e një shoqërie, tashmë e pazonja të reagojë si duhet!
.

***

Figura e Abdulla Ramit është ende e panjohur, e pavlerësuar dhe e patrajtuar si duhet. Arsyet mund të jenë të shumta, por një prej tyre mendoj të jetë më bindësja: Koha e gjatë e vuajtjes! Rami jetoi për gati njëzet vite në burgjet e tmerrit: Burgun e Tiranës, Burgun e Shtatë Penxhereve dhe Burgun e Burrelit, pra pothuaj një të tretën e jetës së tij. Më pas, koha jashtë burgjeve, por brenda internimeve e dëbimeve ishte një tjetër burg dhe izolim. Pra Avokati, (siç thirrej nga shokët në burg) e jetoi pothuaj krejt “periudhën e çlirimit” brenda kafazesh të mbyllura. Veç kësaj, për fatin e keq, Rami iu largua edhe shpejt kësaj botë, pa mundur t’i avitet kohës së Rrëzimit të Mureve.
E megjithatë, kontributi i tij edhe pse modest, s’është aspak larg në vlerë nga niveli i Arshi Pipës, Musine Kokalarit, Pashko Gjeçit, Qemal Draçinit, Vedat Kokonës, Guljelm Dedës, Sabiha Kasimatit, Isuf Luzajt, Mit’hat Aranitit, Nedin Kokonës, Isuf Vrionit, Vasfi Samimit, Lazër Radit, Jakov Milajt, Hamit Kokalarit e plot të rinjve intelektualë shqiptarë, pjekuria e të cilëve nisi të marrë formë në vitet ’30, dhe të jepte frutet e veta në vitet e mëpasme.
Ndërkohë erdhi humnera e tyre, pa asnjë shteg drite. Ajo do të niste nga mesi i viteve ’40, për të zgjatur jo pak, deri në vitet ’90! Kohë kur Shqipëria u fut në konfliktin më të madh e më tragjik të sajin: Konfliktin me vetveten!
Intelektualë të nivelit të Ramit do të ishin viktimat e para të ndritura të këtij konflikti absurd, përzgjedhur për të qenë objekte goditjesh të pandërprera, të cilat janë paraqitur qartësisht në libër…
Abdulla Rami mbetet figurë shumplanëshe. Mbi të gjitha Ai mbetet intelektuali vizionar, i cili vështronte gjithnji përtej! Me një vizion të qartë për drejtësinë, ngjizur në auditoret franceze, ai e trajtoi atë si qëllimin më të madh të jetës së tij duke i shërbyer Shqipërisë, jo në përmasën e ngushtë të saj, po shumë më gjerë;
.
Pak muaj para arrestimit Nga e majta në të djathtë : Hamit Rami, Abdulla Rami, Fejzo Hoxha, Hasan Rami - Tiranë 1943
Pak muaj para arrestimit Nga e majta në të djathtë :
Hamit Rami, Abdulla Rami, Fejzo Hoxha, Hasan Rami – Tiranë 1943
Ai ishte nacionalisti i kthjellët dhe aktiv në krejt harkun e qenies së tij, i qartë në bindjet e veta deri në fund të jetës;
Ai ishte politikani modern, i cili, kur e ndjeu se fati i atdheut ishte në udhëkryq, nuk u step para asnjë rrethane, përkundrazi sa herë ia lypi detyra u përball frontalisht me ata që vepronin nën rrogoz e vrisnin mbas shpine;
Ai ishte luftëtar sa i guximshëm, aq edhe njeri shpirtmadh;
Ai ishte poligloti përzgjedhës. Ajo që ka mbërritur prej përkthimeve të tij, na lejon të besojmë, që nëse rrethanat do të kishin qenë sado pak dashamire, ne do të kishim sot shumë vepra me talentin e tij, në bibliotekat tona;
Ai ishte poet i qëndresës. E nëse ndokush mund të mrrudhet me vargjet e pakta të mbërritura prej tij, s’duhet harruar fakti se ai i sjell të gjalla klithmat nga skëterra e Burgut të Burrelit, (ndër të paktat dëshmi letrare shkruar si përkushtime heroike në burgje);
Ai ishte Njeri në kuptimin më të lartë të fjalës, pse dëshmoi me bindje të qenit i pafajshëm, dhe s’u largua nga vendi kur shumë prej miqve të tij u larguan. Si idealist ai nuk mendoi kurrë se ngjarjet në Shqipëri do të merrnin rrapëllimën që morën;
Ai ishte orator “par excellance”, jo vetëm në marrëdhëniet me njerëzit dhe institucionet po edhe në gjyqin komunist. Rami ka lënë një nga apologjitë më të denja të mbrojtjes përpara gjyqeve komuniste (dëshmi e marrë nga dokumentet arkivore);
…dhe, së fundi, Ai mbeti model i qëndrestarit të paepur në burgje, shembull i Njeriut që edhe në kushte çnjerëzore edukoi me kulturën, vlerat dhe qëndrimet e veta, duke mos pranuar asnjë kompromis me të keqen e përbashkët.
Të gjitha këto cilësi të konverguara në figurën e Abdulla Ramit, e rikthejnë atë në piedestal, qoftë edhe me lavdinë e një ëndrre të mbetur përgjysmë…
Prandaj takimi me këtë Figurë, përmes këtij libri, është si të thuash, takim me krejt gjeneratën e artë të rinisë së viteve ’30, me ata djem e vajza që mund t’ia kishin ndërruar faqen këtij vendi, e mund të kishin edukuar breza shqiptarësh me dritën e Iluminizmit dhe jashtë ideologjisë pansllave. Prandaj në vlerat e tij ky libër mbetet një pasuri me frymën dhe karakteret e Njeriut dhe Intelektualit shqiptar, të shfaqura qoftë edhe si sfidë e mbijetesës sonë kolektive!
“Përtej Harrimit” i Ermira Xhomaqit, është një libër model në pikëpamjen e ndërtimit si në përmbajtje edhe në formë. Akset e tij janë shkruar me skrupolozitet studiuesi, me thellësi shpirtërore artisti dhe me korrektesë të ftohtë historiani. Pikërisht kjo frymë trajtimi, na e paraqet figurën e Abdulla Ramit sa të besueshme aq edhe të prekshme, sa të dashur aq edhe të respektueshme.
Duke ndjekur krejt rrugëtimin jetësor të këtij personaliteti, autorja i ka shkelur vetë gjithë vendëndrrat, vendngjarjet dhe vendvuajtjet ku është ngjizur, strukturuar, pjekur e kalitur; po njëherësh edhe ku ka rezistuar, luftuar e kontribuar Abdulla Rami…
Edhe pse e shkruar me mjaft përkushtim, vepra mbetet një studim tejet shkencor, një punim që fare mirë mund të kishte qenë një temë e spikatur doktorature. Edhe për këtë fakt, ajo meriton të lexohet, të kuptohet, të përhapet dhe të merret si model për të tjera vepra.
Prandaj leximi i këtij libri i ngjan aq shumë një udhëtimi drejt së panjohurës… ku një shpirt Kolombi ecën me guxim të çmendur drejt botëve të zhytura në harresë, me mesazhin e madh të dritës…
 .
Jozef Radi, mars 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.