back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Si ia pimë Biblën e Shenjtë Dom Nikoll Mazrekut – nga Uran Kostreci

Gazeta

Uran Kostreci - në Bar Firence - Tiranë 2016
Uran Kostreci – në Bar Firence – Tiranë 2016

Si ia pimë Biblën e Shenjtë Dom Nikoll Mazrekut

nga Uran Kostreci

Meqë duhani është një nga veset e mia më jetëgjata, midis shumë historive me duhan kam edhe një që është sa e dhimbshme aq e çuditëshme, sa për të qeshur por do të thoja edhe pak skandaloze.
Midis miqve të burgut kam pasur, edhe një mik që ishte shumë fukara, dhe për ato kohë që po rrëfej, ra edhe më shumë, sepse edhe nënën që kishte i vdiq. Edhe ai, si unë në atë kohë pinim shumë duhan me fletë gazete, sepse vetëm me gazetë mund te pinim shumë prej atij duhani të keq, po kishim raste që pinim edhe me letër makaronash nga ajo e verdha, po nuk gjenim lehtë as atë, kështu që porosisnim shokët të mos të na e hidhnin, mbasi ishte një zgjidhje për ne duhanxhinjtë
Marash Nik Pepa, kështu quhej miku im, ishte njeri shumë i ndershëm, që kishte rënë në burg, para disa viteve. Në atë kohë unë i kisha kryer 12 vite, ai kishte ndonjë vit më pak, po për fatin e tij të keq ishte edhe me një këmbë, kështu që mbahej me protezë.
Duke qenë prej Dukagjini, edhe pse me një këmbë, kishte arritur të arratisej jashtë kufirit, në Jugosllavi, edhe ashtu me bastun. Jugosllavët, që dihej se kishin penjë të lidhura me rregjimin komunist, o vërtetë s’e besuan se mund të kishte ardhur vetë dhe jo i futur, o vendosën ta kthenin pse e panë që ishte antikomunist i vërtetë… dhe një ditë të bukur e kthyen… dhe këtu pa asnjë përtesë e dënuan me 25 vite burg.
Pra, Marash Nik Pepa, dhe unë në atë kohë ishim komshij ose fqinjë, në atë jatak e në çimento të Burgut të burrelit.
Një ditë, s’e di se si ia tha mendja Marashit të shkretë, (ndjesë pastë se ka vdekur dhe s’doli dot gjallë prej asaj skëterre), i thotë Dom Nikollë Mazrekut, prift katolik dhe njeri shumë i nderuar e i respektuar, ndërsa ishim aty në dhomë dhe e kishim për karshi.
-O Dom Nikollë, kur kam kenë i vogël, kam ba pak katekizëm, (mësime fillestare të fesë katolike) me priftin e katundit po në latinisht, e nuk di a mbaj mend gjà a jo! A mundesh me ma dhanë hua njat Biblën tande latinishte, e ta shoh njiherë se ku jam me kujtesën?!
Dom Nikolla, e pa drejt e në sy mbasi u gjet pak ngushtë, mbasi me atë bibël nuk ndahej asnjëherë, por Marashin, ashtu ulok e krenar s’donte t’ia kthente bosh fjalën, se i vinte keq.
-Mirë mor Marash, merre, po ma ruej, se s’kam tjetër.
.
Nikoll Mazreku e Zef Pllumi - "Armiqtë e Popullit" nën akuzë
Nikoll Mazreku e Zef Pllumi – “Armiqtë e Popullit” nën akuzë
-Po as mos ki merak fare dom Nikoll, do ta ruej si sytë e ballit! – sepse asnjë qëllim s’kishte për t’ia prishur, paçka se ndodhi ajo që ndodhi, dëshmoi ndryshe…
Dhe u ngrit, e ia solli Dom Nikolla. Zakonisht njerëzit ia kuresenin lodhjen dhe mundimin Marashit, sepse ishte me një këmbë e me protezë. Kështu prifti plak e i respektuar u çue e ia shërbeu Marashit Nik Pepës, Biblën e Shenjtë, me porosinë e përsëritur: “Pash t’madhin Zot, ma ki kujdes Marash!” e ai si malsor i fjalës iu përgjigj që të mos kishte merak!
Unë me diçka po merreshe ato çast, s’e kujtoj po lexoja apo përktheja por bisedën e kisha ndjekur. Marashi, aty bri meje e kishte marrë Biblën dhe po e shfletonte gjithë kurreshtje e fliste me vete me gjysëm zëri:
“Eh… S’mbajtkam mend asgja, kot ia paskam marrë Dom Nikollit!
Kështu, Bibla e Shenjtë na mbeti për nja dy ditë aty, e duke bërë muhabet me Marashin, e duke pirë duhan herë mbas here me gazetë, Marashi se si i shfletoi disa fletë të Biblës me gisht…
-More Uran, po këto fletët e Biblës qenkan shumë të holla.
-Po, vërtet të holla janë! – ia ktheva unë…
Dhe vërtet, duke qenë se Bibla kishte më shumë se njëmijë fletë, ato jo vetëm ishin shumë të holla, po edhe shtypja s’e kishte mbushur shumë mbasi edhe gërmat ishin të holla, e të shtypura në Romë, diku nga vitet ’30. -Po sikur me i shkulë këto fletët e bardha në fund, mbasi nuk më duket se kryejnë ndonji punë?!
Ishin vërtet dy-tri fletë të bardha në fund.
-Unë nuk di gjë! – i thashë prerë, – Nuk përzihem me Biblën! Merru vetë me këtë punë. S’marr përgjegjësi, sepse ti e ke marrë librin, ti përgjigju!
Marashi, as i dëgjoi fare këto fjalë, po i këputi dy fletët e bardha të pashtypura! I bëri ashtu copa-copa të vogla e më ofroi edhe mua nja dy cigare të dredhura me kujdes. Të them të drejtën, i mora! E pashë që ishte letër shumë më e mirë nga ajo e cigareve. Pastaj shkuli dhe nja 2-3 fletë të bardha andej nga fillimi…
Mbas dy ditësh mbaruan tefterët e bardhë të Biblës. Marashi, mbas nji hezitimi në heshtje, pa më rënë në sy, filloi të shkulte nga fundi edhe fletët e shtypura!!
Me kalimin e ditëve, unë po e shoh se ç’po bëhej po heshta! Po i bëhet një dëm i madh Dom Nikollës, po edhe një sakrilegj do të thosha ndaj librit të shenjtë aty në burg, por halli që ajo letër po na bënte derman, se ishte shumë e mirë, e qepa gojën! Mirë Marashi po e pinte për qejf të vet, por edhe unë po pija bashkë me të, dhe as po e vrisnim mendjen fare se ç’po bëhej… e se ku po shkuleshin ato fletë, siç ndodhte zakonisht në vende të vështira siç është burgu.
Nuk kishin kaluar nja tre muaj, dhe Bibla e Shenjtë mbaroi…
.
Dom Nikoll Mazreku (1912-1996)
Dom Nikoll Mazreku (1912-1996)
Në të vërtetë, Dom Nikolla i shqetësuar e kishte pyetur nja dy herë Marashin për Biblën, po ai i përgjigjej se kishte edhe pak dhe do t’ia kthente shpejt… çka duhet nënkuptuar se i kishin mbetur edhe pak fletë, për ta mbaruar Biblën, si tefterë cigaresh.
Mbas tre muajsh, Bibla mbaroi. I mbetën vetëm dy kapakët e trashë, sa një gisht…
-Po tash mor Uran, ç’ka të bajmë?! Si me ia thanë Dom Nikollës, ç’a ka ndodhë!
-Tani o Marash, më në hall të madh se je, nuk ka, po në hall jam edhe unë, sepse e kemi pirë të dy bashkë.
-Po shkoj me i thanë me dorë në zemër dom Nikollit e po i lutem si njeri i Perendisë që asht, e t’i them t’na e falë të keqen që i kena ba! Dhe u ngrit ashtu avash-avash me at këmbën sakate, e duke u mbajtë mbi patericë.
-Lëre, lëre Marash! – i them unë – Po mundohem të vete unë e t’ia sqaroj. As vetë s’e di si çdo t’i them! Po e provoj të dalë ku të dalë!
Edhe pse kisha mjaft muhabet me Dom Nikollën, dhe flisnim shpesh në oborr, në mënyrë të veçantë për letërsinë, pse ishte i zgjuar dhe shumë i kulturuar, s’ia gjeja anën e kësaj bisede për Biblën.
U çova, dhe i dhash kurajo vetes. Kisha një mision më të vështirë nga ç’e parashikoja, pse e dija edhe vetë që e kisha të vështirë e s’dija nga t’ia filloja.
Ishte mëngjes, kur i shkoj afër dhe i them:
-Mirmëngjesi o Dom Nikoll!
-Mirmëngjes Uran! – më tha dhe i hoqi syzet i varfëri, dhe i mbështeti me duart së bashku mbi libër. – Po si gdhive mor djalë.
-Mirë, mirë, po sot kam ardhur për një hall të madh, Dom Nikoll.
-Po hë hajr baftë Zoti, si asht puna?
-Po ja ashtu, unë dhe Marashi, të kemi bërë një zarar shumë të madh o Dom Nikollë!
-Po ç’ka më keni ba mor të uruem?! Më keni thye ndonji qyp me ullinj atje në depon e ushqimeve, a çka tjetër!
-Jooo mor Dom Nikoll, çfarë qypi, po dëm shumë të madh.
-Po hë pra, ma thuej!
-E kam shumë të zorshme ta them Dom Nikoll! Më vjen shumë zor! Prandaj po të lutem si njeri i Perëndisë që je, na e fal…! Na e fal që unë të gjej guxim ta them, sepse s’ta them dot!
-Pa ma thanë çka me keni ba, nuk iu fali!
-Po aman o Dom Nikollë! Po ti je edhe njeri i perëndisë!
-Po leni kto pallavra, po m’kallzo ç’ka me keni bà, që unë ta dij ç’ka të fali.
-Eppoo ja… ne at Biblën e Shenjtë ta pimë o Dom Nikoll! – i thashë duke m’u marrë pak goja!
Ai e vuni buzën në gaz, sepse ishte burrë me shpirt të rrallë humori, dhe as po e konceptonte dot kuptimin e “pirjes së Biblës”, sepse ai vetë duhan nuk pinte e qysh mund të pihej Bibla… Kështu që e mori si një shaka, dhe as e vrau mendjen…
.
Nikollë Mazreku (1912-1996) grafikë F. Radovani
Nikollë Mazreku (1912-1996) grafikë F. Radovani
-Mos qesh Dom Nikoll! Unë me Marashin, si fukarenj që jemi, fletët e Biblës së shenjtë, i kemi përdorë si tefterë dhe e pirë duhan… dhe ti ke mbetur pa Bibël…!!
-Mos! – bërtiti i ziu dhe u hodh përpjetë, duke u zbehur i gjithi, aq sa u tremba edhe unë, të them të drejtë, sepse e pashë që ai u trondit aq shumë… dhe kishte shumë të drejtë.
Marashi i shkretë, fajtori kryesor dhe autori i masakrës, sepse ai ia kish marrë Biblën, e kishte e mbuluar kryet me një jorgan cergë, e përplot me arrna, dhe kishte lënë një vrimë hapur të shihte si do të shkonin negociatat e mia me Dom Nikollë Mazrekun.
Ndërkohë që u bë pak pauzë, po vrisja mendjen se çfarë t’i thoja më tej. Kështu thashë po shfrytëzoja rastin që Dom Nikolla si njeri i humorit, mund ta përcillte më lehtë e të dilja nga situata. Por që në at rast as që bëhej fjalë. I dhashë vetes guxim, s’e di se si më erdhi, po një ton disi patetik po i them:
-O Dom Nikollë! Ti e di që unë jam mysliman dhe bektashi i mirë! Ndërsa i pija ato fletë të shenjta Bible si duhan, seç kam ndjerë ca avuj kristianë që s’i kam ndjerë ndonjëherë më parë!
Kjo qe një gjë kot, fare kot, po që ta trazoja pak atë gjendje pezull. Ai e vuri paksa, po krejt pak buzën në gaz… ndërsa unë u ktheva nga Marashi dhe e vazhdova patetizmin.
-Çohu Marash se na e fali Dom Nikolli… – ndërkohë që ai as na kishte falur hiç… bile për ca kohë na mbajti edhe qëndrim, por që si njeri me zemër të madhe që ishte u përpoq të na kuptonte për varfërinë dhe hallet tona aty në skëterrë të vuajtjeve
Ja kështu ia pimë Biblën e Shenjtë priftit të mirë, njerit të kulturuar dhe me shpirt të thellë poeti Dom Nikoll Mazrekut…
.
(Shkëputur nga libri “Biseda me Uranin” që do të botohet së afërmi)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.