back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Si i trajtojnë gjermanët ata që lavdërojnë Hitlerin – nga Aleksander Meksi

Gazeta

Studiuesi dhe historiani Aleksandër Meksi
Studiuesi dhe historiani Aleksandër Meksi

Si i trajtojnë gjermanët ata që lavdërojnë Hitlerin

nga Aleksander Meksi

“Gjermania jep leksione si duhet të sillemi me diktatorët”

Edhe pse kishte një karrierë të gjatë dhe të suksesshme pune në kanalin e parë të televizionit publik gjerman ARD (mbi 18 vite), gazetarja Eva Herman u pushua nga puna menjëherë, theksojmë menjëherë, gjatë një emisioni promovimi të një libri të saj, për shprehje të një gjykimi personal për familjen naziste.
Të martën që shkoi (9 Tetor), zonja Herman në një emision të Kanalit të dytë publik gjerman ZDF, ku po paraqiste librin e saj “Parimi i Arkës së Noes: pse duhet të shpëtojmë familjen”, u pyet nga drejtuesi i emisionit për arsyen e pushimit, megjithëse publiku gjerman e dinte se ajo u pushua një muaj më parë (9 Shtator) sepse kishte thënë : “…nazizmi ishte një periudhë e tmerrshme, me një lider të marrë e të rrezikshëm, i cili e çoi vendin e gjermanëve në shkatërrim, por në të njëjtën kohë kishte pasur dhe diçka të mirë, në vlerat e familjes, në të jetuarit së bashku…”.
Në transmetimin e së martës që shkoi gazetarja u ankua se ndaj saj po bëhet “gjueti shtrigash”. Ajo tha në publik: “…se nëse nuk na lejohet të flasim për vlerat e familjes naziste, atëherë nuk duhet të flasim dhe për autostradat mbi të cilat ngasim makinat sot…”.
Të pranishmit reaguan rreptë ndaj fjalëve të saj dhe drejtuesi i emisionit e quajti të mbyllur bisedën, për çka 48 vjeçarja Eva Herman, u detyrua të largohej nga salla. Ajo edhe herë të tjera kishte hapur debate publike për opinionet e saja, por këtë radhë përfaqësuesit e botës kulturore, politike dhe mediave, të pranishëm në sallë, protestuan me forcë, ndryshe nga ne, ku bëmat e diktaturës, dhe sidomos të eksponentëve më të urryer të saj, mbajnë gjallë shumicën e mediave. Në Gjermani për periudhën e nazizmit nuk tolerohet të flasësh, veç të bësh autokritikë dhe ta dënosh.
.
Diktatura e Bindjes së Hekurt
Diktatura e Bindjes së Hekurt
Por, ndryshe nga Gjermania, ku tema e nazizmit shkakton menjëherë reagime kundërshtuese të forta, edhe pse mund të ketë nostalgjikë, tek ne periudha dhe liderët e diktaturës së egër komuniste, madje dhe epoka, përmenden haptazi, mbrohen dhe ju mbahen portretet në manifestime në vende publike, nën pretekstin qesharak se janë pjesë e historisë sonë. Është e vërtetë se janë pjesë e historisë, veçse e faqeve të turpshme, kriminale e të dhimbshme të saj, për t’u shkruar e analizuar mbështetur në fakte dhe dokumente autentike, të cilat nuk mungojnë, dhe rishkruar pas fakteve të reja, për të njohur të kaluarën tonë, për ta dënuar dhe nxjerrë mësime, që dukuri të tilla antihistorike apo regresive të mos përsëriten, por gjithnjë duke dënuar ideatorët, urdhëruesit dhe autorët e krimeve ndaj individëve, grupeve shoqërore dhe Kombit. Pa këtë dënim e refuzim të kaluarës së hidhur të mos pres kush përparim të Shqipërisë dhe shqiptarëve, zgjidhje të çështjes kombëtare dhe integrim real në Evropë.
Ja vlen të kujtojmë këtu se në vitin 1992 me nismën e Partisë Demokratike u hartua dhe miratua një ligj i veçantë kundër komunizmit dhe propagandës komuniste, po kështu dhe apologjisë ndaj saj dhe njerëzve të diktaturës. Por, fatkeqësisht, me rikthimin në pushtet të neokomunistëve, ata që u dënuan për krime komuniste jo vetëm dolën nga burgjet (nën pretekstin e amnistisë që kërkuan të huajt), por dhe u “dëmshpërblyen”. Tashti ata janë heronjtë e shumicës së gazetave dhe të televizioneve, ku proceset gjakatare e politike të montuara dhe dëshmitë e turpshme të spiunëve paraqiten si të vërteta, “tablotë sinoptike” si zbulime komplotesh e të tjera, prralla si këto, dhe kriminelët komunistë si njerëz të zot.
Është jashtë çdo dyshimi se sot në Shqipëri faktori politik dhe mediat përfaqësohen, më tepër se çdo herë gjatë viteve të tranzicionit, nga individ me të kaluar komuniste (denoncimet “për armikun” i bënin në mbledhjet e partisë) dhe në organet e diktaturës, me lidhje jo të vogla me to apo që i kanë shërbyer si bashkëpunëtorë sigurimit për të dhunuar kundërshtarët e regjimit apo ata që mendonin ndryshe deri dhe krejtësisht të kundërtën (A kanë lidhje? A marrin urdhra?) Vetëm kjo “frymë” ende komuniste mund të shpjegojë propozimin nga ana e të vetëshpallurve të djathtë, për shpërblim të njëjtë të spiunëve dhe të sigurimsave e komunistëve me viktimat e tyre, për qëndrimin ndaj pronës publike dhe asaj private etj., apo retorika fals për “dosjet” (sidomos të spiunëve), kur ka një përvojë evropiane dhe shqiptare që injorohet, dhe bëhet dallim për ideatorët e kësaj politike dhe urdhëruesit ndaj atyre që ju shërbyen, në shumicën e rasteve me metoda “shtrënguese”.
Ky episod nga Gjermania na shtyn të kujtojmë disa shqiptarë të politikës dhe të mediave, të cilët kohët e fundit në vend që të dënojnë diktaturën më të egër komuniste dhe ideatorin e autorin kryesor të saj Enver Hoxhën, mundohen të gjejnë realizime e të flasin për hidrocentralet, hekurudhat apo rrugët e ndërtuara me gjakun djersën dhe mundin e shqiptarëve, mbi vuajtjet e mijëra viktimave, të dhjetëra mijëra të burgosurve dhe të internuarve, nga kampe pune e tj., apo që bën shtet, kur në fakt “qetësia” ishte rezultat i terrorit shtetëror më ië madh që njohu bota komuniste pas luftës. Në këtë mënyrë ata e fshehin të vërtetat duke mohuar dhe nevojën e rishkrimit të historisë mbi fakte e dokumente autentike. Dihet mirë se të gjitha qeveritë apo sundimtarët ndërtojnë me djersën apo dhe gjakun e popullit vepra që mbeten, por nuk gjykohen për to e as se janë ideatorët e tyre, kur mburren për këtë, por çfarë bënë të dobishme për vendin e tyre dhe njerëzit, sa e çuan përpara atë dhe a ndërtuan një shoqëri të drejtë e humane për kohën, dhe ky gjykim rezulton përherë negativ, kur janë ngritur mbi krimin dhe vdekjen.
Aleksandër Meksi, Tiranë 25.10.2007
www.aleksandermeksi.com
.

Botuar në “Tema” datë 26.10.2007

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.