back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Si e rrëzuan monumentin e diktatorit… (Shekulli 2005)

Gazeta

Rrëzimi i diktatorit... 20 shkurt 1991
Rrëzimi i diktatorit… 20 shkurt 1991

Si e rrëzuan monumentin e diktatorit (Shekulli 2005)

Petro Luarasi, dëshmitar okular në ngjarjen e 20 shkurtit 1991, rrëfen se çfarë ndodhi atë ditë, si u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës, si e dha lajmin e rrëzimit të diktatorit në Qytetin Studenti duke brohoritur: “E hodhëm, e hodhëm qelbësirën…” Plagosja e Fatmir Mekoçit i cili kishte hipur në bazamentin e monumentit e guxoi të shpaloste flamurin pa yll dhe të gjitha dyshimet për ato që ndodhën…

B. Budini: Petro Luarasi thotë se… u bashkua me lëvizjen demokratike popullore për shkak të genit të paraardhësve idealistë dhe bindjes personale për të kontribuar me sa mundej për shkatërrimin e diktaturës. Dhe u gjend në zemër të ngjarjeve për të cilat ka vendosur të flasë, pasi është i zhgënjyer nga disa rrëfime të njerëzve e kinse dëshmitarësh që kanë qenë shumë larg ngjarjes dhe që megjithatë guxojnë të flasin për të. Ndërsa ai vetë është gjendur në shesh dhe tregon gjithçka, që nga fillim i protestës e deri tek shembja e monumentit. Historia e rrëzimit të monumentit u parapri nga zhvillime të tjera që nisën me kërkesat ekonomike të studentëve të ILB-Kamzë, protesta e të cilëve u ndihmua edhe nga dorëheqja e rektorit. Më 7 shkurt, filluan një protestë më të organizuar edhe studentët e Universitetit të Tiranës, të cilët krahas të tjerave këmbëngulnin që universitetit t’i hiqej emri i diktatorit. Po ashtu të shfuqizohej dekreti i 30 janarit 1990, “Për mbrojtjen e monumenteve e figurave historike”. Nga dita në ditë, krahas propagandës e represionit të diktaturës, rritej frymëzimi dhe solidariteti popullor me studentët. Ndërkohë që urdhërohej mbyllja e universiteteve dhe policia filloi të zbrazë konviktet, u vendos nga komisioni studentor fillimi i një greve urie. Ajo nisi në mesditën e 18 shkurtit 1991, kur mbi 700 studentë e pedagogë me në krye studentin e anglishtes, Shinasi Rama, puthën flamurin e u futën në kinoklubin “Studenti” për fitore ose vdekje. Ndërsa më 20 shkurt ndodhi akti më domethënës, rrëzimi i monumentit të diktatorit dhe kësisoj i vetë diktaturës, për të cilin rrëfen personazhi ynë, Petro Luarasi, dëshmitar në vendngjarje.



Çfarë kujtoni nga ngjarja e 20 shkurtit të vitit 1991 ku keni marrë pjesë edhe vetë? 
Nuk jam dakord me shumë nga ato që janë thënë nëpër emisione televizive “Opinion: lavazh truri e zemre” ku gëlojnë “kompetentët” me rrëfime për datën e bekuar 20 shkurt 1991, e përmbysjen e simbolit të diktaturës. Një kryetar partie “i djathtë” shpreh me frymë moderatore ngjarjen që e kishte ndjekur “nga shkallët e Pallatit të Kulturës”, një opinionist komenton vëzhgimet e rralla me teleskop nga mali i Dajtit e burgu i Qafë-Barit, një shkrimtar përshkruan me përmallim emocionet mbresëlënëse nga alpet zvicerane, teksa kishte dëgjuar nga mediat ndërkombëtare lajmin e bujshëm. Këto historiçka, pa asnjë personazh për be, m’i ngurtësojnë emocionet e ma shpërfytyrojnë keqas ngjarjen fatlume. Ia vlen që disa vëzhgime personale, “ndryshe”, t’i shpalosen lexuesit të nderuar.
Pikërisht, çfarë kujtoni ju konkretisht nga kjo ngjarje? Cila është e vërteta juaj, ajo që ju patë të ndodhte para syve tuaj?
 Dita e 20 shkurtit zbardhi disi e veçantë. Pas një ndërgjegjësimi të madh, atë ditë filloi një vërshim masiv nga popullsia e Tiranës dhe tërë rrethet e vendit. Një ndihmesë vendimtare dhanë sindikatat e pavarura. Entuziazmi i të pranishmëve arriti kulmin në mesditë kur në godinën e degës mekanike, përballë kinoteatrit, u shfaqën disa drejtues midis tyre edhe aktorja e mirënjohur Rajmonda Bulku e cila iu drejtua “nënave e motrave” që në ballë të popullit të marshonin drejt Presidiumit të Kuvendit Popullor për të kërkuar që emri i diktatorit të mos bëhej objekt kurbani për grevistët e urisë. Njerëzit të entuziazmuar u nisën përmes rrugës së Elbasanit. Konfrontimi i parë u bë me zjarrfikëset tek cepi verior i ambasadës amerikane ku me dhjetëra njerëz u spërkatën me një kimikat të kuq e më pas u krye një përpjekje e vogël në krah të RadioTiranës. Në turmë dallova dy flamuj pa yll që valëviteshin nga Artur Zadrima e Fatmir Merkoçi. Kur turma u afrua në cepin lindor të Kryeministrisë, ndërhynë dhunshëm forcat e rendit. U përdorën edhe qentë, u dëgjuan edhe të shtëna armësh nga gardistët. Protestuesit u tërhoqën prapa, kurse disa dhjetëra syresh, midis tyre edhe unë me disa shokë “polikumsa”, kaluam gardhin e INIMA-s dhe dolëm tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Atje filluam të protestojmë me thirrjet “Policët vëllezërit tanë”, “Për mëmëdhenë, eja mblidhuni këtu-këtu”. Meqë ishte e pamundur të çahej gardhi i policëve pasi edhe numri i protestueve ishte relativisht i vogël, një pjesë u drejtua nga sheshi “Skënderbej” për të bashkuar popullin në protestë. I gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ishte i boshatisur. Vetëm përballë hotel “Dajtit” pranë trotuarit të parkut Rinia, na filmoi një kameraman. (Disa vite më pas e kam parë veten në foton e një ekspozite. Në rreshtin e parë, në qendër, në krah të majtë të të njohurit tim të vjetër dhe shok bange në universitet, dega elektrike, Artur Zadrimës, i cili mbante flamurin pa yll. (E përmend këtë emër, pasi më vjen keq se shumë artikullshkrues të kësaj ngjarje, ndoshta nga padia nuk e përmendin këtë trim). Zbritëm në lulishte e më pas në shesh ku na sulmuan zjarrfikëset e forcat e rendit. A. Zadrima me flamur e dy-tre të tjerë hipi tek monumenti i Skënderbeut, Fatmir Mekoçi me flamur dukej tek banka, ndërsa unë me ndonja njëzet të tjerë u gjendëm tek shkallët e para të monumentit të diktatorit duke brohoritur “Policët vëllezërit tanë!”. Nuk më hiqen nga mendja ato momente tragji-komike të cilat mendoj se ia vlen të tregohen me hollësi.
Pse tragji-komike? Nuk ishim më shumë se 20-30 veta, përballë rreth njëqind forcave policore. Rreth e rrotull trotuareve, tek Muzeu, Pallati i Kulturës, Xhamia e banka, me mijëra njerëz brohorisnin dhe hidhnin gurë mbi “morrat” e policisë që rrotulloheshin me tërsëllimë. Në sulmin e parë të policëve u plagos një bashkëprotestues që nuk e njihja. Ndërsa e ndihmova të vendosej në cep të trotuarit, në të djathtë të monumentit, u ktheva përsëri përballë forcave të policisë që ishin tërhequr, duke u bërë thirrje të bashkoheshin me ne. Më tërhoqi vëmendjen fakti që dy të rinj po i qëllonin pa shkak me copa gurësh e mermeri. Kur i këshillova që të mos qëllonin kot pa shkak, se policët ishin vëllezërit tanë që i kishin sjellë me zor, ata donin të më qëllonin edhe mua, por u ndalën nga disa të tjerë. Ata u distancuan e vazhdonin të qëllonin. (Mos ishin provokatorë?). Ndërkohë filloi sulmi i dytë e më pas edhe i treti që ishte më i fuqishëm dhe policët arritën të na zmbrapsnin deri prapa monumentit. Më i vendosuri ishte një polic që shtinte me pushkë me fishekë manovre. Ai plagosi Fatmir Mekoçin i cili kishte hipur në bazamentin e monumentit e guxoi të shpaloste flamurin pa yll. Policët e tjerë e masakruan. Rrahja e Fatmirit ishte aq barbare sa ai ra në gjendje kome. (Më vonë më tha se kishte shpëtuar në spital vetëm në saj të neurokirurgut të shquar Arjan Xhumari). Të gjithë, popull e policë, menduan se vdiq. Zemërimi i jashtëzakonshëm i turmës i ngurtësoi policët (ndoshta ata kishin urdhër që të mos vrisnin njeri) dhe përcaktoi “paqen”. Tashmë grupit tonë i ishin shtuar me qindra.

Vdekja e Diktatorit
Vdekja e Diktatorit

Si u rrëzua monumenti i diktatorit? 
Pas ndonja çerek ore pashë dy persona që po sillnin një kavo të gjatë dhe u afruan pas monumentit. I çuditur u afrova. Ndërsa dikush po qëllonte me një copë mermer për të prishur lidhjen midis bazamentit prej betoni e fundit të këmbëve(?!) (bazamenti nuk kishte vida siç kanë fantazuar disa) njëri tha që kavon ta lidhnin tek dora prapa shpine e monumentit për ta rrëzuar. Një djalë hipi mbi monument. Më pas dikush solli një litar më të gjatë, i lidhën një kopërton biçiklete e ia hodhën tek koka. Pas disa tërheqjesh, monumenti u lëkund e më pas ra (ishte ora rreth 13.55) Vërtet fat i madh që nuk zuri përfund njeri. Momenti i rënies ishte madhështor. Tek u lëkund dhe ra, nga heshtja e beftë shpërtheu një klithmë fantastike nga ata dhjetëra mijëra frymë që qëndronin anembanë sheshit “Skënderbej”. U mahnita kur ndërkohë pashë edhe disa policë tek përqafoheshin e hidhnin kapelet përpjetë. Kjo ishte pasqyrë madhështore e ndjenjës popullore të amëshimit “apolitik” për liri e demokraci. Ndërsa turma gëlonte rreth kërmës, e i zhvaste copëra për kujtim, e pa shqetësuar as nga uturima e një helikopteri që u vërdallos për disa minuta, ndjeva të më thërriste një zë. Ishte ish-pedagogu im, Niko Qako, me motorin e tij “Vespa”. Ai ishte dhëndër i ministrit të Mbrojtjes Prokop Murra dhe dinte shumë gjëra. “Keni shpëtuar për mrekulli, o Petro”, – tha i gëzuar dhe me bujari ma plotësoi dëshirën që të më çonte me motor tek Qyteti Studenti.
Pra ju jeni “ai anonimi me Vespa” që çuat lajmin e rrëzimit të bustit në Qytetin Studenti? 
Po, kam krenarinë të them se unë jam “ai anonimi me Vespa” që dhashë lajmin e rrëzimit të bustit tek studentët. I thërrita Metin Jarecit: “Tini, Tini! E hodhëm qelbësirën, e hodhëm qelbësirën!” Por pas ca kohe gëzimi u kthye në tmerr, kur pamë që nga përposhtë rrugës së Elbasanit po ngjiteshin disa tanke, por që për fat vazhduan rrugëtimin drejt Varrezave të Dëshmorëve. Më pas mësuam se ishte përhapur lajmi se gjoja do të sulmohej varri i diktatorit. Por gëzimi u bë edhe më i madh kur sollën me kamion kërmën e shpërfytyruar tek studentët. Hareja s’kishte të përshkruar. Koka e diktatorit u var në litar në katin e dytë të kinoteatrit. Atje u takova edhe me Artur Zadrimën me shokë, tek festonin hareshëm. S’ia kisha ngenë të qëndroja, por u nisa me një frymë për në shtëpi, të dëgjoja lajmet. Tek fillimi i ambasadës amerikane takova një shok i cili më tha që të hidhnim një sy andej nga Garda për të parë se ç’bëhej. Tek shatërvani i universitetit e më pas pranë Gardës pamë repartet ushtarake që shkonin drejt objekteve shtetërore. Pamja e tyre na drithëroi: shikime gjakësore, xheste prej të droguarish. Rrotull Bllokut ishin përqëndruar tanke. Ky ishte vizioni tragjik i të nesërmes që për fat nuk përgjaku tërë Tiranën, vetëm në saj të përkushtimit të disa heronjve me në krye Neritan Cekën. Në shtëpi lajmet që dëgjova me shokun na qetësuan disi. Televizioni e radio kishin ngjyrime festive ku fekste vetë Alfons Gurashi, por në darkë u shpërfytyrua gjithçka. Më pas filluan arrestimet.
Pra kush mendoni ju se e përgatiti rrëzimin e monumentit të Hoxhës?
 Natyrshëm dyshoja për mekanizmin e rrëzimit e më lindnin pyetjet: Si ishte i fiksuar bazamenti dhe deri në ç’masë sigurohej monumenti shtatë metrosh që të mos rrëzohej nga ndonjë “tërmet” apo ky fakt dëshmon për punën sabotuese “të armikut” ndaj “udhëheqësit”? Në kushtet kur sapo kishte dalë një ligj i rreptë për ruajtjen e monumenteve, ç’masa u morën për ruajtjen e tij në qendrën e Tiranës? Kush mbante përgjegjësi në rast se ai dëmtohej? Kush e mendoi dhe zbatoi “aksionin” për rrëzimin e tij? Si shpjegohet që gjatë disa orëve që “u përleshën” protestuesit me forcat e policisë (nuk kishte gjëkundi forca të ndërhyrjes së shpejtë) nuk u zbraz as edhe një plumb “prej vërteti”, ndërsa sapo u përhap lajmi se do të shkatërrohej varri i Enver Hoxhës në Varrezat e Dëshmorëve, për atje u nisën disa tanke të Gardës të gatshëm për kasaphanë që do ta bënin me siguri dhe të nesërmen po të sulmohej Blloku? Kaq e parëndësishme ishte ruajtja e monumentit për diktaturën, apo drejtuesve të saj iu fanit fundi tragjik i Çausheskut? Çfarë çështje më madhore se ideali dhe përjetësimi i madhështisë do t’i bashkonte të shoqen dhe ndihmësin më të afërt të diktatorit?
Rrëzimi i monumentit është pasqyruar gjerësisht nga masmedia këtë dekadë, është folur gjerë e gjatë për të mirat e të këqiat e këtij akti. Shumë njerëz e bile forca politike janë përpjekur të përvetësojnë meritat. Por me këtë rast edhe unë vetë do të doja të dija, për hir të së vërtetës e si dëshmitar okular i ngjarjes, pa u nisur nga asnjë motiv politik, thjesht të “zbuloj” rrezen e së vërtetës: Kush e hodhi monumentin?
Duke u bazuar edhe në faktet që kam mësuar më vonë, mbi debatet në Byronë Politike, shprehem se këtë ngjarje e ka parapërgatitur Ramiz Alia me përkrahësit e tij, por ndihmoi edhe rastësia: Plagosja për vdekje e Fatmir Makoçit dhe reagimi popullor i drithëroi strukturat e rendit që nuk qëlluan me plumba “prej vërteti”. Për këtë personalisht u jam mirënjohës se me një plumb “për hir të idealit” mund të kisha shkuar edhe unë për dhjamë qeni.
(Petro Luarasi: Si e rrëzuam monumentin e diktatorit Interv. B. Budini Shekulli. – Nr. 70, 14 mars, 2005, f. 16 – 17)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.