Si e kujtoj Trifon Xhagjikën dhe nji poezi te tij – nga Kostandin Koliqi

Trifon Xhagjika (1932-1963)

Trifon Xhagjika (1932-1963)

Si e kujtoj Trifon Xhagjikën dhe nji poezi te tij

nga Kostandin Koliqi

Kam patur fatin ta njoh edhe pse në distancë poetin Trifon Xhagjika. Unë isha i vogël, në ato vite kur ai shkruante këto perla të poezisë, armike për diktaturën. Atëhere nuk njihej termi disident dhe disa nga këto i kam lexuar, ende të shkruara me laps, sepse shpërndaheshin shumë fshehtas, së bashku me disa leksione të një mjekeje ruse në fjetoret e shkollës.
Kujtoj se këto poezi, i pëlqenim shumë por ne, një grup i vogël shokësh klase, e kemi kaluar në heshtje varri dënimin e këtij njeriu të mrekullueshëm, këtij oficeri të aftë dhe shumë të kulturuar, ndofta nga me trimat e shumë prej atyre që u dënuan nga diktatura. Në veçanti për fjalën e fundit të tij në gjyq, por edhe për qëndrimin e vëllait të Trifonit…
Kur është vrarë Trifoni, unë kam qenë në vitin e tretë në shkollën skënderbegas… Si atëhere edhe tani… kujtimi i Trifon Xhagjikës me mbush me lotë…
Po paraqes këtu një nga poezitë e Trifon Xhagjikës, simbolit të disidencës shqiptare…
.
Trifon Xhagjika (1932-1963)

Trifon Xhagjika (1932-1963)

* * *

Kënga e verbër

nga Trifon Xhagjika

E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr
e natën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër
e duart t’i presin;
në burim të çojnë
e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
o gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
Sa do të doja
që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të m’i zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
O Republikë e pabesë!
T’u fala
si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’dua di kush je!
Tek ty jam
i lirë pa liri,
i gjallë i pajetuar,
i vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimit i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti, o Republikë,
o e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më?
Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha m’u zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
o lavire e zotërve gjakprishur!”
(Prill 1962)

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook