back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Si e dënoi regjimi komunist Vexhi Buharanë?! – nga Namir Lapardhaja

Gazeta

Vexhi Buharaja (1920-1987)
Vexhi Buharaja (1920-1987)

Si e dënoi regjimi komunist Vexhi Buharanë?!

nga Namir Lapardhaja

Ishte vetëm 28 vjeç, i martuar, me një fëmijë. Zotëronte 7 gjuhë të huaja. Nuk kishte kryer asnjë veprimtari armiqësore. Kishte mbaruar Medresenë e Lartë të Tiranës, ishte fetar, biri i një hoxhe, familje me tradita qytetare. Poet, përkthyes, publicist, gjuhëtar, studiues… I paangazhuar politikisht. Siç janë zakonisht njerëzit e kulturuar të kategorisë së tij, aq më tepër në një kohë të turbullt dhe të vështirë, ku e tashmja është e pasigurt, e nesërmja e panjohur. Vexhi Buharaja, një ndër intelektualët e rrallë të Beratit, arrestohet nga regjimi komunist më 7 shtator 1947.
Vexhi Buharaja - Urdher Ndalimi
Vexhi Buharaja – Urdher Ndalimi
Akuzat janë absurde. Të pavërteta, të stisura. Merret në hetuesi, shtrëngohet, dhunohet nga injorantë që nuk dinë shkrim e këndim. Xhahilë pa din dhe iman shkruajnë në procesverbal se “i pandehuri e heq veten si fetar dhe qan përpara prokurorit”. Në një fushatë të gjerë arrestimesh, pasi kishin përfunduar eleminimet e para me gjyqe të shpejta, është radha e tij. Çfarë kishte bërë i riu Buharaja për t’u arrestuar dhe për t’u gjykuar? Sipas akuzës, “gjatë pushtimit i pandehuri Vexhi Buharaja ka qenë pjesë e organizatës tradhëtare Balli Kombëtar, ka shkruar artikuj propagandistik në mbështetje të kësaj organizate, ka pasur miqësi me Namik Mehqemenë dhe Resul Tozharin”. Pas çlirimit ka pasur marrëdhënie miqësore me armiqtë Kostaq Stefa, Fatmir Shehu, Hekuran Zhiti, etj. Jo vetëm kaq, por, ashtu siç thuhet në akuzë, ka shkuar për ngushëllim në familjen e Namik Mehqemesë, kur ky është pushkatuar nga komunistët. Vexhiu është i ri. I shkolluar, i kulturuar. Ai e di se me përbindshat që kishin ardhur në pushtet nuk mund të luhej. Pranon që nuk ka pasur simpati për komunistët, që ka folur individualisht kundër tyre, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi apo organizate. Pranon miqësinë me Namik Mehqemenë, ku tregon se e ka njohur nëpërmjet arsmitarit Jani Dodi (të dy të pushkatuar nga regjimi).
“Me Namikun, – deklaron Vexhiu, – kisha lidhje kulturore. Ai ishte poet, shkruante vjersha, dhe m’i tregonte për t’i lexuar dhe korrigjuar. Edhe unë bëja të njëjtën gjë me të.”
Kaq mjafton për akuzën, mbyllin hetimet dhe, së bashku me shumë intelektualë të tjerë beratas, dënohet. 8 vjet burg, humbje e të drejtës politike për 3 vjet. Vendimi jepet më 10 janar 1948. Në një farë kuptimi, Vexhiu brenda vetes me kaq është i kënaqur. Miqtë e tij u pushkatuan, disa u burgosën me dënime të rënda dhe të gjata. Të gjithë të pafajshëm, me akuza të fabrikuara. Regjimi po godiste thellë dhe rëndë… pikërisht tek inteligjencia. Më pas do ta kishte më të lehtë të vijonte të sundonte. Nën dhunën dhe terrorin e viteve të para, do të marshonin të patrazuar, duke mbjell kulturën e dhunës dhe të frikës në popull. Fati e donte që Vexhiu të mos e kryente të plotë dënimin. Ashtu si të tjerë, nëpërmjet një amnistie doli përpara se ta përfundonte atë. Mirëpo, e ardhmja e këtij njeriu u shënjua që në vitet e para të regjimit. Koha e tregoi që, pavarësisht gjenialitetit të tij, do të jetonte i pavlerësuar dhe i shfrytëzuar maksimalisht, ndërsa nëpërmjet punës së tij do të përfitonin të tjerët, njerëzit e pushtetit dhe të partisë, kurse destini i tij e donte që ai të priste biletat në berberanën e qytetit.
.
Proces Verbali kundra Vexhi Buharasë
Proces Verbali kundra Vexhi Buharasë
Akt-Akuza kundra Vexhi Buharasë
Akt-Akuza kundra Vexhi Buharasë

P.S. Më sipër, po botojme për herë të parë pjesë nga dosja hetimore e të pandehurit Vexhi Buharaja.

.
Marrë nga muri i Fb i Namir Lapardhaja, 18 Prill 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.