back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Shtëpia e Pëllumbave – Cikël poetik nga Lutfi Alia

Gazeta

Profesor Lutfi Alia
Profesor Lutfi Alia

Shtëpia e Pëllumbave

-Cikël poetik nga Lutfi Alia

Nuk e dua parajsën

Nuk më pëlqen parajsa,
atje ka shumë rregull e vetmi,
heshtja është hapsirë provokatore,
e mbushur me shkëlqim të rremë,
qetësia i shurdhon mendimet,
gjithçka rrjedh në heshtje.
Edeni është tepër i trishtë,
hapsira s’ka horizont,
atje ndalohet të bëhet dashuri,
të lodh mërzia,
andaj e përmbysa parajsën,
u riktheva përsëri në botën e marrëzisë,
do të qёndroj në anën e zhurmëshme,
të rend në këtë jetë të rrëmujëshme,
të përplasem me rreziqet,
të shetis në rrugët plot potere,
fati im i zgjedhur je ti e dashur.
kur dua qesh e të thёrras me gëzim,
shpesh të ftoj në darkat tona plot alegri,
ti të pish venë e unë zjarrin raki.
.

Ti nuk je vetëm një poezi

Pasi ti u largove
mbeta i vetëm në hije,
mbyllur mes mureve të dhomës time,
duke u vërtitur si një shtjellë ere konfuze
dhe shpirti i im
si një fantazëm,
përpëlitur në melankoni,
shpërtheu e
fluturoj mbi Sienё
e së fundi erdhi te ti,
të rrethoj me dashuri
të shtërngoj me krahët e padukshëm,
u mbush me bukurinë tënde,
të çliroj nga mendimet e ndryme brenda mureve,
të rrëmbeu e të solli pranë meje,
e ti mbetesh ende e imja,
tërësisht e dashuruar,
të fsheh mes vargjeve
dhe librave që kam shkruar,
por brenda teje ka më shumë dashuri
se sa në të gjitha poezitë e mia.
.

Sa herë

Sa herë
kam ndjekur hapat e mi të lodhur
në vetminë time
nëpër rrugicat e ngushta senese
mbuluar nga errësira e thellë,
duke shmangur vështrimet e fantazmave,
pa hequr dorë nga spiralja e jonë
për t’u ankoruar nё parajsën e vogël
ku bashkohen dashuritë tona
e ku përsërisim ëndërrat deri në agim.
.

Vetmi... e kaltert
Vetmi… e kaltert

Dielli që lindi me vonesë

Sot dielli lindi me vonesë,
kishte mbetur i fshehur tej në agimin e bardhë
i penguar në kreshtat e bjeshkëve
atje larg në atdheun tim
e kishin rrëmbyer malet,
e mbajtën peng malli përvëlimtar
dhe pasi e lanë të lirë
dielli nisi vrapin vezullimtar,
me vrull respiroj reflekse të ngrohtë,
i qeshur rendi me nxitim rrezor,
e më solli përshёndetje nga larg
nga vendlindja ime
që më mbush me shumë mall.
.

Era dhe hëna

Ti moj era çapkëne
që bredh lirshëm nëpër botë
i shtyn retë kundёr qiellit
shpupurit flokët e vajzave të bukura
trazon gjethet e verdha
ngjitesh lart
e përkëdhel malet,
trazon detin
e grabit klithmat e pulëbardhave,
bëhu dhe ortakja ime e mirë
e kur rend me vrull drejt lindjes
merr pak nga shpirti im
i mbushur me lot malli
së bashku kapërceni mbi tallazet e detit
shoqëroje deri në agimin e largët
e kur të arrini në vendlindjen time
mbështete lehtë mbi shpatet e maleve
ule në livadhet me lule aromatike
lëre të pushojë gjatë gjithë ditës
të shuaj etjen në krojet e fshatit
e vonë në mbrëmje
këtu në Siena
ma sjellë hëna.
.

Pëllumba nën strehë
Pëllumba nën strehë

Shtëpia e pëllumbave

Një ditë u riktheva në Valin tim tё largёt
shetita në rrugët me kalldrëm të bardhë
kalova nëpër shtigje të lulëzuara
me hapat e mi të gjatë e të shkujdesur
eca i mbështetur në shpatet e maleve
i shoqëruar nga meloditë e laureshave
e nga fluturimi i trazuar i pëllumbave të egër,
ngado shihja shtëpitë e braktisura
të ngritura në rradhë e krah njera tjetrës
të fshehura nën pemët e përkulura
si barka të mbytura.
Në atë ditë të bukur shtatori
shtëpia ime u zgjuar nga vetmia,
era i përziente retë në qiellin e kaltër,
i shkundëte arrat mbi çati,
përplaste një teneqe mbi portën e mbyllur,
përmes xhamave të thyer
hynte drita e zbehtë e çjerrë,
ndërsa brenda dhomave boshe
pëllumbat kishin ndërtuar foletë e dashurisё.
.

Vena shqiptare

(Londra – 1993)
 
Vështrimi i im
i befasuar u ndal
në një shishe mbi banak,
etiketa:
venë shqiptare
venë e kuqe
si gjaku i atdheut tim,
venë e ngrohtë
si malli për vendin tim.
Me etje piva venën time,
të bukurën, të kuqen hyjnore,
shijova ёmbëlsinë si dashuria
thartësinë si kurbeti.
Në të kuqen mitike
gjeta të shkrirë bukurinë shqiptare
lulet e kopështeve aromatike,
erën e maleve epike,
piva venë me etje
nga gota e kristalit të ftohët,
piva në heshtje dhimbjen time
piva venë të thartë si braktisja
të ëmbёl si dashuria për mëmëdheun.
.

Çdo çast jam vetëm, me vetminë...
Çdo çast jam vetëm, me vetminë…

Dritë

Ngadalë zbret dielli në perëndim,
errësira tinëzisht e mbylli ditën,
shtriva duart e pritjes e grisa terrin
nuk e lejova të më kafshojë dhimbja e natës
kërkova dritën e ditës e i ndeza yjet,
në qiellin e errët nisën vezullimin,
me rradhë i lidha në vargje poezie,
i ngrita në valle xxixëllime,
e nё valle drite,
nga ylli Polar deri te i fundit,
së bashku i mblodha e ndeza qiellin,
dhe prita në kohën e mbetur pezull,
që dita të shpalosi vrullshëm shkëlqimin.
.

Vetmia

Në dhimbjen e braktisjes,
mbeta si lisi pa rrënjë,
gur i rrokullisur tatpjetë,
brenda meje lumi i hidhërimit.
Përsëri në vetmi,
i mbyllur në burgun e natës seneze,
pa mure e pa kangjella,
gardian shishja e venës,
të dy pёrballë njëri tjetrit,
zbrazim vetveten,
e ndajmë dhimbjen e vetmisë,
në ditët pa mbarim të braktisjes.
Nga dëshprimi
piva venë dhe ëndrra,
aq shumë sa u deha u bëra tapë,
bota mё sillej vërdallë,
por jam i sigurt,
nuk u rrëzova për tokë,
renda në errësirën e dendur,
i rilindur në vetminë time,
nga toka deri në qiell,
përsëri u ngrita në këmbë
i lëviza yjet nga universi
i zbrita një e nga një në tokë,
e i thirra botës:
kush thotë se është larg qielli?
kush thotë se e prek vetëm dielli?
dhe tokën e ngrita në qiell
e qiellin e zbrita në tokë
shkela mbi shfrenimet shtazarake
e në këtë marramendje
i injorova të pabesët
piva venë për çdo blasfemim,
e në ekon e tedeum-it
prita të nesërmen që më rrinte pranë,
renda dhe unë në rrugën time,
i vetëm e gjithmon në paqe.
.

Koha e mbetur pezull

I vetëm
në kohën e mbetur pezull,
endem nëpër rrugët e botës,
në çdo kohë
e pa kohë,
e zgjova jetën time,
që ishte pak e përgjumur,
i dëgjova të gjithë e në të gjitha menyrat,
e vendosa të jetoj lirinë time,
në të njëjtën kohë të jem ai që jam.
Udhëtoj i vetëm,
por nuk jam asket,
nuk jam as Robinson Kruso,
nuk mbaj shpatë samurai,
dhe as harkun e Robin Hood,
jam Odise shtegëtar,
nё ikje ditën,
jetoj brenda ditës,
dhe natën në metamorfozë,
në hapsirën pa kohë,
udhëtar pa ndalim,
gjithmonë në kërkim,
nuk pretendoj parajsën,
veç dua të bëj katarsis-in
e mëkateve të mia,
pa “mea culpa”
në jetën time të trazuar,
të gjallërisë së heshtur,
në botën plot me mistere.
Jam shtegëtar vetmitar
i harruar nga armiqtё
i kujtuar me mall nga miqtё
pelegrin i vetmuar nëpër rrugët e botës,
jam dhe aty
ku gjithmonë kam qenë i pranishëm,
jam afër dhe larg
i munguar ditën
i pranishëm natën.
.

Në burg të mendjeve tona...
Në burg të mendjeve tona…

Fjala ime e burgosur

I braktisur në dhimbjen time,
i mbetur vetëm,
e di që më kanë blasfemuar,
mendimet m’i kanë vënë në pranga,
ma lidhen zërin tim,
e lidhen në pikën time me të dobët
në vetminë munduese,
në kohën e mbetur pezull.
Rend e rend
në rrugët e shkreta,
i ndjekur nga hija ime,
dorë për dore me shpirtin tim,
që me dhimbjen time grindet,
ndërsa kuptoj se jam i humbur,
por ndjehem i qetë,
në ndërgjegjien time
“mea culpa” një sarkazëm e pavlerë.
Sa forcë dhe sa paqartësi,
në rrugën time pa pushim,
shtjellat e jetës shkojnë e vijnë,
i fshijnë njollat që lënë pas hijet,
çlirojnë fjalët që luajnё me diellin,
e në fundin e ditës shpallin vërtetësinë.
Nuk prita në heshtje,
ndryshimin e kohës
në sytë e mi drita e shpresës,
me shtyn të flas kurajo burri,
paçka se zëri më del i mekur,
e nga shpirti im i plagossur,
fjala ime shpërthen e lodhur,
jehonë e saj midis meje e botës,
nuk mbeti pezull ne eterin e ftohët,
e lirë shpërtheu fjala,
u ngrit në agimet e freskëta
e shkallmoj terrin e thellë,
doli e rilindur në ditën indiferente,
e përzier me rreze dielli,
kapërceu ferishtet e dhunueme,
hyri në çdo zemër të hapur,
dhe nё pjesën e poshtër të botës,
askush s’mund ta fashisë vrullin e saj..
Fjala ime e rilindur,
sot është tingull këmbane,
e dёgjojnë të gjithë dhe të shurdhët,
e në jehonën e saj
është rrufe qielli
është tallaz deti.
.

Në pjesën e zgjuar të natës

Errësira e pabesë e pushtoj ditën dimërore
terri mbuloj gjithçka me vellon e misterit
ngjitet nata e ngrirë nga i ftohti
kacavirret nëpër yje me etje drite
Nata e ftohët ma vodhi gjumin
në pagjumësi rrinte brenda terri
shpirti im ndriçonte errësirën
dhe shpresën
që nuk shuhet me perëndimin.
I zgjuar në pjesën e përgjumur të natës
me ngulm kërkoj agimin e ditës së re
nё duart e mia mbaj copa drite
duke pritur të ndizet dielli në qiell
si një fjalë që lind çdo mëngjez
për t’u ngritur me flatra në ditët e ardhëshme…

***

Prof. Lutfi Alia
Prof. Lutfi Alia

Me 5 mars 2012, në programin shqip të Rudina Xhungës, ishte ftuar një profesor italian letёrsie, Ennio Grassi, senator dhe shkrimtar, i cili foli pёr kontributin e emigrantёve shqiptar nё Itali, natyrisht duke i u referuar shkrimtarёve dhe poetёve shqiptarë që shkruajnë në italisht.

Në diskutimin e tij veçoj 28 shkrimtarë shqiptarë emigrantë, të cilët i quajti “nuovi italiani” që kanë dhënë kontribut letrar me botimet e tyre.
Rudina dhe një tjetër i bënë një pyetje: -A ka ndonjë nga këta që shkruan shumë mirë në italisht?
Prof Grassi theksoj se: “Janë dy-tre që dallohen për nivelin e lartë, që shkruajnë në italisht si italianët,- tha ai dhe pёrmendi Ron Kubati si tregimtar, në veçanti Lutfi Alia si poet shumë i rafinuar dhe Amik Kasaruho si poet e tregimtar.
Me thënë të drejtën na gëzoi shumë ky vlerësim, pasi është vlerësim nga një njeri kompetent, një profesor letërsie. Ndёrkohë, nuk mund të rri pa pёrmendur që, atje në Atdheun tonë, këta njerez, gati mund t’i quaj të harruar e ndoshta-ndoshta edhe me keq: – Të braktisur!
Këtë bisedë televizive të këtyre ditëve, mund ta nxirrni nga youtube, por unë sot, si redaktor i ZSh-së dhe si mik i poetit, prof. dr. Lufti Alia, që ky lajm sinqerisht më ka gëzuar shumë, desha që këtë gëzim ta ndaj dhe me ju, kolegë të redaksisë dhe me ju lexues të nderuar.
Urime për Ju, shumë i nderuar Lutfi Alia, o Plaku i Sienёs, siç unë, në koinfindencë miqёsore të thërras.
.
Shënim: -Lutfi Alia, është mjek në Centro Prevenzione Oncologica të qytetit Siena-Itali
(Për Zemra Shqiptare – nga redaktori ynë në USA, Zeqir Lushaj, -13 maj 2012)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.