back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Shtëpia e ëndrrës – nga Gentiana Kone

Gazeta

Gentiana Kone
Gentiana Kone

Shtëpia e ëndrrës

nga Gentiana Kone

Ka ditë tashmë që për një tekë fatlume të universit, koha në Flandër ka qenë e mrekullueshme. Agu vjen me atë dritën e kjartë të Veriut që me ta parë një herë të vetme, të magjeps. Gugat një pëllumb në ballkon e kokën lëviz me padurimin e kujt pas pak në fluturim do lëshohet.
Persianet rrinë akoma të uluna në dhomën ku të mëdhenjtë të rënë ndër gji, ëndërrojnë që nata të zgjatet ende dhe pak.
Hapa të lehta këmbësh fëmije prekin drurin e dylltë të parketit. Hojet e mjalta shuajnë çapitjet e përgjumura teksa duart mirëmëngjesin i urojnë një fletë të bardhë bashkë me lapsa shumëngjyrësh që e shoqërojnë si roje nderi.
Syu i kjartë i hapur tashmë si dritare mbi botë, kundron dritën që depërton butë qelqin dhe fletën prek lehtaz. Nën qerpikë dritëhije si zebra të përgjumura pasqyrohen e gugatja thirrse e fluturakut jasht nuk asht aq ndjellse sa për me u nis n’aventurë me të. Akoma jo!
Tre vijave të zeza mbi fletë i shtohet një kapele, çati e kuqe. Nga e djathta e saj mbi nji nga rrafshet e kuq, një gyp i ngushtë i sapo vendos fillon me nxjerrë fjolla të ngrohta.
Pranë oxhakut, një fole lejlekësh merr formë duke u ndërthurur vijë pas vije në pritje të këmbëgjatit bukurosh me zonjushen e tij të zgjedhur.
Fëmija kundron me gishtat shtrëngu rreth lapsit të trashë derisa ato skuqen e dhëmbin, por dhimbja nuk ndihet për hir të krijimit.
Një portë me nji vijë në mes e dy dritare katrore me tylin e bardhë që lakohet bukur si një A e ambël shkumbe mbi tortë.
.
buzëqesh dhe aroma e flokëve të tij përhapet si brymë e tejdukshme lumtunie
...buzëqesh dhe aroma e flokëve të tij
përhapet si brymë e tejdukshme lumtunie…
Në dy anët e shtëpisë një kopsht me pemë që lule nxjerrin kur sapo janë vizatuar e mes barit margarita me zemërza të verdha pëshpërisin me vjollcat fytyrë kurreshtare.
Një udhëzë e kalldrëmtë të çon në portën e shtëpisë e nuk mund të gabosh të marrësh drejtim tjetër.
Heshtja mbretëron akoma mbi çatinë e kuqe dhe asnji za nuk ndigjohet nga kopshti.
Syu i kaltër kundron edhe nji herë krijimin mendushëm.
Po dielli?
Ai tashmë ka hyrë i plotë dhe ka pushtuar çdo gjë duke ngrohur edhe flokët e pupëlta të fëmijës.
Një rreth i verdhë, flokë rreze që shndrisin, sy që qeshin mirësisht.
Me mund zbret nga karrigia e naltë, tashmë i zgjuar plotësisht, me padurim për të fillu ditën, hyn në dhomën e heshtun dhe mes krahëve të përqafuar zen vend ngrohtë.
Shtëpinë e ëndrrës kujton, buzëqesh dhe aroma e flokëve të tij përhapet si brymë e tejdukshme lumtunie në dhomë. Mbyll sytë teksa një puthje e vetme i vjen nga dy palë buzë njëkohësisht.
 
Sy fëmije,
ëngjëj që na kundrojnë.
Shpirti merr formën e tij të hershme, të shenjtë.
.
Marrë nga muri i fb i Gentiana Kones, 3 mars 2019

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.