back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Shqiptari i Madh i Michigan-it nga Eugjen Merlika

Gazeta

Genc Kortsha (Korça) (1924-2016)
Genc Kortsha (Korça) (1924-2016)

Shqiptari i Madh i Michigan-it

nga Eugjen Merlika

Shpirt i njeriut sa i ngjan ujit!
Fat i njeriut sa i ngjan erës”
Johann Wolgang Goethe

Autori Eugjen Merlika 2008
Autori Eugjen Merlika 2008

Ka vetëm pak ditë që u nda nga familja, rrethi shoqëror e miqësor, por edhe nga bota shqiptare, Genc Xhevat Kortsha (Korça). Keqardhja është e madhe tek familjarët e tek miqtë e shumtë, të shpërndarë në të gjithë globin, të një jete, lavdi Zotit, të gjatë e në lëvizje. Por keqardhja dhe dhimbja janë të përmbajtura, sepse respektojnë një rend gjërash që është thelbi i filozofisë së të qënit tonë në këtë botë, atë të ardhjes dhe ikjes prej saj pa vullnetin tonë.
Genci, mbas furtunave të kaluara në Vendin e lindjes, prej të cilit u largua pa mbushur tridhjetë vitet, e në të cilin la prindërit dhe vëllanë më të vogël, gjeti në “tokën e premtuar”, në SHBA-s sendërtimin e personalitetit të tij profesional e njerëzor në të gjithë përbërësit e tij. Ai mori me vete qetësinë dhe prehjen shpirtërore që burojnë nga ndërgjegja pa hije në gjykimin e fundit dhe besimi se shkon në amëshim, në një tjetër botë ku rrezaton ngado drita e Krijuesit, një bindje që mbeti e palëkundur në gjithë rrjedhën e jetës së Tij.
Duke hedhur e zezë mbi të bardhë këto pak fjalë të thjeshta, kam para meje një tufë letrash që, fatmirësisht, kam shkëmbyer me Të në këto vite të një jete të zakonshme, por pa prangat e padukëshme që ndrydhën mendimin dhe qenien tonë për gati gjysëm shekulli… “Ky letërkëmbimi ynë është si biseda midis dy brezavet me përvojë të ndryshme, un pjesë e brezit që u formua para dhe gjatë luftës së dytë botërore, ti brez i pasluftës. Të përbashkët kemi përvojën komuniste, tëndja shumë më e thellë se e imja, e pastaj kemi të përbashkët përvojën dhe vitet në mërgim. Kemi mjaft për t’i thënë njëri tjetrit dhe letrat e tua i pres dhe i lexoj me gëzim…” Kështu më shkruante miku i familjes më 28 tetor 2001.
Në vitet e fundit nuk shkruanim më letra të gjata, por mbaheshim gjithmonë në kontakt telefonik, apo nëpërmjet njoftimesh të shkurtëra elektronike. Sot që dij se nuk do t’a dëgjoj më zërin e Tij, ndjej një zbrazësirë të madhe në zemër e në mendje. Do të më mungojë një njeri i dashur me të cilin ndaja dertet, jo vetëm familjare. Ai ishte bërë një bashkudhëtar i shqetësimeve të mija, një bashkëbisedues i urtë për Vendin tonë, problemet e tij, rrugën e tij, të shkuarën ku përfshiheshin edhe fatet e veprat e të parëve tonë, për të cilët ndjenim dhimbjen e thellë por edhe krenarinë e ligjëshme. Do të më mungojnë komentet e Tij mbi shkrimet e mij, gjykimi i thellë dhe analiza e hollë lidhur me çdo temë të bisedës, inkurajimi atëror, fjala e Tij e ngrohtë si një fllad përkëdhelës…
Sikur t’ishte vetëm për t’afërmit e familjes apo për miq si unë e të tjerë zbrazësira që la i ndjeri, nuk do t’i shkruaja këta rreshta. Genc Kortsha ishte një pasuri shqiptare, jo në mall e gjë, por në mendje, atdhedashuri e karakter. Ishte një nga ata, për të cilët kombi ynë mund të krenohet me aftësitë dhe sukseset në rrugën e tij.
I ardhur në SHBA-s kur i kishte kaluar tridhjetë vitet, si shumë bashkatdhetarë të Tij, i u vu punës me ngulm e zell për të vazhduar studimet e ndërprera më se dhjetë vite të shkuara. Studjoi duke punuar. Nuk vazhdoi mjekësinë, që ishte pasioni i Tij i rinisë, mbasi afatet e diplomimit ishin të gjata, por zgjodhi Kiminë industriale, që do t’i hapte rrugën e karrierës administrative në Vendin në të cilin askush nuk ndihet i huaj e, në të cilin, aftësitë të bashkuara me fuqinë e karakterit, gjejnë shpejt a vonë fushë veprimi e rrugë të hapura. Kështu edhe Genc Kortsha, në sajë të studimeve serioze të kryera në ëayne State University, u diplomua me përfundime maksimale, aq sa të meritonte “Çelësin e Artë”, një vlerësim epror ndërmjet 10.000 të diplomuarve amerikanë t’atij viti. Në sajë të punës së Tij cilësore e të ndershme mundi të përparojë në karrierë, deri sa të zerë vendin e njërit nga Drejtorët ekzekutivë, atë të të Higjenës Industriale në General Motors, një gjigand botëror i industrisë së automobilëve dhe segmentëve të tjerë si mbrojtja ushtarake, telekomunikacionet, satelitët ekonomikë etj. Për 13 vjet mbajti këtë funksion e roli i Tij spikati edhe përtej Shteteve të Bashkuara, mbasi ndihma e Tij qe shumë e rëndësishme në funksionimin e institucioneve të tilla simotra në Vende si Britania e Madhe, Italia etj. Madje në këtë ndihmesë zyrtare që Ai i dha Italisë, lindi edhe miqësia vetiake me Vittorio Prodin, Drejtorin e Higjenës Industriale për Vendin e tij, e cila u ruajt përgjatë gjithë kohës.
Me vullnetin, përkushtimin e fuqinë e mendjes arriti të jetë titullar i një istitucioni të rëndësishëm të Vendit me ekonominë më të përparuar të planetit, President i Akademisë së SH.B.A-s të Higjenës Industriale. Pak shqiptarë, ndoshta asnjëri, kanë arritur në lartësi të tilla në jetën e tyre profesionale. Por jeta e Tij intelektuale është e pasuruar me librin autobiografik “Shtegëtimet e një njeriu drejtë Lirisë”, me studimin e thellë historik “Histori apo ideologji”, me shkrime e artikuj të ndryshëm, kryesisht të profilit historik.
Duke folur për shkollimin e sukseset në punë e karrierë të Genc Kortshës, më kujtohet një fragment i një letre të Tij të qershorit 2001: “…Më pat thirrur Tonin Jakova, kur ishte sekretar i parë i partisë në Shkodër, për të më përgëzuar se munda të zhduknja tifon e morrit brenda tre muajvet. Kur i thanë që të më jepte bursë për të shkuar në universitet, të kryeja mjekësinë, u zgërdhí (si thotë Shkodra) dhe tha se mua do të më vinte rradha të shkonja për mjekësi kur të ndërtohej universiteti në Trush!”
Zoti desh që ndihmës mjeku i talentuar të mos priste “Universitetin e Trushit”, por të diplomohej në një universitet amerikan, duke i lënë sekretarit të parë dhe kastës së kuqe të kolegëve të tij në Shqipërinë komuniste turpin e një epoke të qelbur, e cila flijoi në altarin e marrëzisë ideologjike, që njihej me dyfjalëshin “luftë e klasës”, mijëra talente shqiptare në gjysëm shekullin e saj të kataklizmës njerëzore.
Do të ndalem në pak çaste të jetës së Tij, të rrëfyera nëpërmjet letrave vetiake që janë, për mendimin tim, matësi më i saktë i vërtetësisë dhe sinqeritetit të njeriut, sepse shkruhen jo për konsum publik, por për një shok të zemrës apo mendimevet. Ja si kujton mbas 65 vitesh, një jetë njeriu, një nga periudhat më të rëndësishme, më vendimtare e më mallndjellëse të jetës së Tij Genci, në një letër të datës 24 janar 2007:
“Në Fiume isha i huaj. Megjithatë në shkollë shkoja mirë dhe, megjithëse na rrethonte një konflikt global, ne të rinjtë jetonim në një flluskë sapuni fosforeshente që na jepte ndjenjën e paprekshmërisë. Mesatarja 8 më siguronte bursën universitare dhe prisja nga vetvetja të merrnja nota të mira e pra, në fund të 6 vjetëve të dilja mjek. Fortuna e jetës desh ndryshe. Nuk e vijova dot mjekësinë, dhe m’u desh të arratisesha nga Shqipëria që Babai më kishte mësuar t’a doja me gjithë zemër…”

Xhevat Korça (1893-1949)
Xhevat Korça (1893-1949)

Ai ishte pjestar i atij brezi, mes dy luftërave botërore, që provoi rrënimin e ëndrrave dhe të projekteve për jetën, si pasojë e luftës së dytë. Por nëse shokët e shoqet e liceut të Fiumes vazhduan një jetë deri diku normale, në tërësinë e vështirësive të mëdha të pasluftës, Ai u kthye në Shqipëri, ku e përfshiu vorbulla e luftës civile. Babai, Xhevat Kortsha, që 17 vjeçar luftëtar me armë në dorë në çetën e Themistokli Gërmenjit e Spiro Bellkamenit, ish studenti i shkëlqyer i Universitetit të Vjenës, më pas Drejtori i parë i Gjimnazit shtetëror të Shkodrës, ishte një pjestar i rëndësishëm i Mërgatës antizogiste të viteve 1924-1939. Në mërgimin e gjatë kreu falas përkthimet e rreth 5000 faqesh të dokumentave të arkivave të Ministrisë së Jashtëme Austro-Hungareze, që lidheshin me Shqipërinë, duke i bërë një shërbim të paçmuar historiografisë dhe diplomacisë shqiptare. Vetëm ajo punë kolosale do t’i mjaftonte për të patur një vend nderi në Panteonin shqiptar, por Ai u burgos sepse kishte marrë pjesë në Qeverinë e mikut të Tij të zemrës, Mustafa Krujës, në rolin e Ministrit t’Arsimit, për të përhapur shkollën shqipe në “Tokat e lirueme” e për të hequr italishten, si gjuhë e detyruar, në shkollat fillore shqiptare, kusht ky i vënë për të pranuar postin e Ministrit.
I kthyer në Shqipëri, Genc Kortsha, studenti i liceut klasik të Fiumes në dy vitet e fundit të tij, mbasi kishte filluar shkollën në Gratz të Austrisë, mori pjesë me rininë e Ballit Kombëtar në veprimtarinë politike. Ja një episod, i përshkruar prej Tij, në një letër të datës 1 mars 1999:
“Kur u vra në Tiranë Aziz Çami, luftëtar i Luftës së Vlorës, atentator kundër Zogut në Austrí dhe udhëheqës i Ballit, ne, një grup të rinjsh, shkuam në Komitetin Qendror të Ballit. Aty gjetëm Hasan Dostin. I paraqitëm një listë komunistësh dhe kërkuam lejë që t’i vrisnim. Na foli me insistim dhe ashpërsi, duke na treguar se si një akt i tillë do të na kthente ne, t’ardhmen e Shqipërisë, në kriminelë, kur Shteti kish polici, gjyqe dhe ligje, të cilëve u takonte t’i zinin e t’i dënonin vrasësit e Aziz Çamit. Atëherë kërkuam që këta emra t’i a jepshim policisë. Kësaj rradhe na foli edhe më ashpër. Si kish mundësi që ne të bëheshim spiunë, ne ajka e rinisë? Dualëm të bindur se, po të vriteshim nga komunistët, kërkush nuk do të na e merrte hakun. Hasan Dosti, jurist i dalluar, njeri me ndërgjegje e me nder, por në krye të një organizate që po luftonte për vdekje kundër komunistëvet?”
Është dëshmia e një episodi, domethënës për të kuptuar dinamikat e ngjarjeve të luftës civile në Shqipëri dhe pasojat e tyre mbi zhvillimet e mëvonëshme që njihen. Nuk dua të bëj këtu interpretimin e episodit, që mund të jetë i ndryshëm e i varur nga këndvështrimi i përceptimit, por më duket se pyetja, që bën autori i letrës, është kuptimplote për të gjithë. Do të vazhdojë veprimtarinë e Tij me armë, këtë herë në një tjetër front, n’atë të qëndresës së Kosovës së bashkuar me Shqipërinë. Ja çfarë më shkruan në një letër të datës 12 maj 2011:
“Nuk e di nëse e din ti se një batalion vullnetarësh ballistë (Batalioni Besnik Çano) luftoi në Morinë të Kosovës gjatë verës 1944. Edhe un bëja pjesë në këtë njësi. Isha ndihmës mitralier dhe përgjegjës për çështjet shëndetësore… Pak muaj më vonë, erdhi në Tiranë në burg një fis i familjes Dani (Mynir Tirana) dhe më mori në hetuesi. Më pyeti nëse do të kisha vajtur vullnetar në Kosovë, po t’i kisha ditur lidhjet e ngushta dhe të ngrohta që na lidhnin me shokun Tito dhe me popullin jugosllav. U mendova. T’i thosha se nuk do të kisha vajtur, do të ishte gënjeshtër dhe përulje nga ana ime. T’i thosha se “po”, sigurisht, do të m’a zgjaste qëndrimin në burg. I thashë “po” dhe bëra edhe pesë muaj të tjerë…”
Rreth nëntë vite më mbrapa, i arratisur nga Shqipëria, mbasi kishte ndenjur në malësitë e Pukës, i ndjekur nga forcat e mbrojtjes, mbas peripecish të mëdha, Genc Kortsha kalon në Jugosllavi e, prej andej, kapërcen kufirin me Austrinë, gjithmonë si i arratisur. “Mua kur u arratisa nga Jugosllavia e dola n’Austri më muarën në pyetje anglezët. Një toger më tha se isha tradhëtar me që, gjatë luftës kisha luftuar kundër komunistëve që ishin aleatë me Perëndimin. I thashë t’i ruante ato fjalë për ndonjë ushtar anglez se detyra ime ishte t’i ndiqja interesat e Vendit tim e jo t’Anglisë. Nëse ai e bëri se donte të më trondiste nuk e di, por edhe sot e kësaj dite jam i bindur se e meritonte përgjigjen.”
Kështu e përshkruan, në një letër të datës 1 mars 1999, përballimin e Tij me një tjetër hetuesi, jo me atë të Sigurimit të Enver Hoxhës, të Koçi Xoxes e të Mehmet Shehut, por me atë të “aleatëve” të tyre të kohës së luftës. Të gjitha këto ndodhí, përtej kontekstit të çastit politik në të cilin zhvillohen, dëshmojnë një karakter të fortë, i cili përbën bazën kryesore, mbi të cilën ngrihet godina e personalitetit të individit, që ndikon më pas edhe në qëndrimet e familjeve, të rrethit miqësor e familjar, të vetë shoqërisë.
Në një fragment të një tjetër letre të Tij përshkruhet një episod kujtese migjeniane, që hedh dritë mbi formimin e brendshëm të personazhit, por edhe mbi të vërtetën e “parajsës socialiste”, që ende sot kujtohet me “mall” në disa nga shkruesit e shumtë dhe pa emër të rrjeteve sociale.

Fari i akullt i st. Joseph - Michigan
Fari i akullt i St. Joseph – Michigan

“Kam edhe disa kujtime që më janë rrënjosur në mendje. Isha në punë të detyruar. Bukën e ndaja me nënën që s’kish triska e kur më zinte urija hanja pak bukë që mbanja në xhep. Një ditë një grua që punonte në gropën e gëlqeres kish sjellur tre fëmijtë me vete. Dy çupat loznin me guraleca, ndërsa djali trevjeçar i shikonte me sy bosh, pa shprehje. Atë ditë un punonja me karrocë dore. I lypa leje s’ëmës dhe e vura djalin e vogël në karrocë dhe e shëtita disa herë rreth oborrit. Nuk buzëqeshi. Atëherë i dhashë bukën rezervë nga xhepi. E mori dhe e shikoi nënën, gjene pa shprehje. Për t’a fshehur sa isha prekur nga kjo foshnje që s’kish më forcë as të gëzohet, i thashë s’ëmës: “Po ky djalë a s’di të buzëqeshë?” “Duhet të jesh beqar” m’u gjegj. “Fëmijtë e uritur nuk qeshin. Akoma s’e ke kuptuar?”
Shpirtmadhësia e bujaria ishin tipare thelbësore të karakterit të Genc Kortshës, ndoshta edhe shtysa të fuqishme, për të përqafuar fenë e Krishtit, së cilës i qëndroi besnik deri në minutën e fundit të jetës tokësore.
“Karakteri i jep shkëlqim rinisë dhe përnderim lëkurës së vyshkur dhe flokëve të bardha.” Këto fjalë të filozofit e poetit të madh amerikan Ralph Waldo Emerson i shkojnë për shtat edhe Genc Kortshës, që fitoi respektin dhe vlerësimin më të madh në të gjitha mjediset, ku studjoi, jetoi, vuajti, punoi e kaloi vitet e Tij, në Vende të ndryshme të botës, gjithnjë duke ruajtur në zemër dashurinë për Vendin e lindjes dhe shqetësimin për fatet e tij. Në këtë drejtim, n’atë të konsideratës së mirë që gëzonte, madje deri në sferat e larta të Shtetit amerikan, besoj se vlen të vihet në dukje fakti i pranisë së tij në një delegacion të nivelit të lartë të Ministrisë së Punës, i cili më 1992 erdhi në Shqipëri me urdhër të Sekretarit të Shtetit, Xhejms Baker.
N’Itali kthehej herë pas here për të takuar shokë e shoqe të shkollës e të njohur të vjetër, mbasi “Vjetët kalojnë, distancat janë të mëdha dhe miqtë bëhen gjithnjë e më të dashur…”, – më shkruante në gushtin e vitit 2002. Në këtë Vend të thesareve kulturore e të viteve të rinisë kish krijuar një lidhje pune e më pas një miqësi të sinqertë me familjen Prodi e Bolonja, vendbanimi i saj, përbënte pothuaj se gjithmonë një ndalesë të itinerarit të Tij, siç qe edhe Latina, vendbanimi i familjes Merlika. Me Romano Prodin, ish Kryeministër i Italisë dhe ish Kryetar i Komisionit Evropian, Genc Kortsha ka shkuar në një takim vetiak edhe te Papa Gjon Pali II, edhe ky një tregues i prestigjit të madh që gëzonte shqiptari i njohur i Michigan-it në botë.
Nga mezi i tetorit 2001, Ai u ftua në St. Petersbourgh (Florida), në një miting të Akademisë Amerikane të Higjenës Industriale, për të tërhequr Çmimin Henry Smith 2001, për merita si ish President i asaj Akademie. Fjala e Tij u prit me shumë interesim dhe një profesor i Universitetit të Michiganit e mori tekstin në fjalë për t’a përdorur si tekst leximi për studentët e tij. Përkonte ky veprim me përvojën e Tij të gjatë si profesor në General Motors Institute, në Wayne State University, në University of Michigan, madje edhe deri në të famëshmin Universitet të Harwardit.
Me pak penelata ky qe portreti i Genc Kortshës, Shqiptarit të madh të Michiganit, që plotësoi rrethin e Tij tokësor më 18 shkurt 2016, sapo mbushur moshën e respektueshme të 92 viteve. Duke perifrazuar Plutarkun e madh, po i mbyll këto shënime me shprehjen:
“Anija e Tij mbërriti në port…”.
Marrë http://www.albanovaonline.info

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.