back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shqiptari i Çamërisë, Mihail Artioti, hapi siparin e Rilindjes Evropiane në Rusi – nga Pertefe Leka

Gazeta

Mihal Artioti - Shen Maximus Greku
Mihal Artioti – Shen Maximus Greku

Shqiptari i Çamërisë, Mihail Artioti,

hapi siparin e Rilindjes Evropiane në Rusi

nga Pertefe Leka

Nga një intervistë, vite më parë, e ambasadorit rus, Abramov në Tiranë, në emisionin “Shqip” mësuam se Caresha Katerina e Dytë, themeloi katedrën e gjuhës shqipe në Rusi në vitin 1777. Por në fakt, ne do të merrnim shumë kënaqësi, nëse do të përmendej në ate studio, se 200 vjet para Careshës Katerina e Dytë, një kontribut të madh kulturor ka dhënë në Rusi, rreth viteve 1516-1556, edhe shqiptari nga Arta e Çamërisë, Mihal Artioti. Nuk doja të bëja krahasime midis këtyre dy personaliteteve, por gjeta disa pika të përbashkëta të cilat ia vlen të përmendeshin. Caresha nuk ishte me origjinë ruse, ajo ishte gjermane, e lindur Princeshë me emrin Sophia. Ajo shkoi në Rusi në moshën 16-vjeçare dhe u konvertua në fenë ortodokse me emrin Katerina. Lidhja e saj martesore në familjen mbretërore Romanov, u bë për të forcuar pozitat Rusi-Prusi. Edhe Mihal Artioti nuk ishte rus. Ai rridhte nga një familje e edukuar shqiptare, nga Arta e Çamërisë. Ai shkoi në Rusi i ftuar nga Knjazi, si i përzgjedhur për dituritë e tij të thella. Katerina e Dytë e mori edukatën e parë nga guvernante franceze. E pasionuar pas atij shkollimi, solli në Rusi kulturën e Evropës perëndimore, Volterin, Dideroin Monteskjene. Ajo shkoi deri aty sa frengjishtja u bë gjuhë e aristokracisë ruse, kështu Ajo inspiroi iluministët rusë, Derzhavin, Pushkin etj.
Mihal Artioti studioi në Venedik, në Universitetin e Padovës, prej ku solli në Rusi, Rilindjen Evropiane dhe kohën e lavdishme të Skënderbeut. Figura e heroit tonë kombëtar pas shumë shekujsh inspiroi artistin e famshëm rus, Akaki Khorava, të luajë rolin e Skënderbeut, në filmin me këtë emër. Katerina e Dytë e modernizoi Rusinë me reformat, ajo krijoi një komision që të studiohej sistemi i edukimit në vende të ndryshme, duke i dhënë kështu prioritet edukimit shkollor për të dalë nga prapambetja. Ajo themeloi “Smolni Institut”, e para shkollë për vajzat në Europë, financuar nga shteti. Mihal Artioti hapi në Moskë të parën shkollë humaniste, sipas modeleve të shkollave italiane,dhe të parën shtypshkronjë të rregullt në kohën e Ivanit të Tmerrshëm. Mihal Artioti nuk e kishte forcën e pushtetit por kishte mbretërinë e Fjalës së Vërtetë, që nuk duhej ndikuar nga feja. Ai përkrahte shkencën, idetë materialiste e për këtë e mbyllën në një kështjellë deri sa vdiq. Ithtarët e tij e quajtën “Martir i Qytetërimit”. Qëllimi për këtë shkrim ishte të evidentoheshin vlerat e shqiptarit nga Arta e Çamërisë dhe të mos lihet në harresë Mihal Artioti, kjo figurë e madhe kombëtare.
.
Pamje nga Arta
Pamje nga Arta
Kush ishte Mihal Artioti?
Krahas Marin Barletit, Dhimitër Frëngut, Gjon Gazullit, Leonik Tomeut, Onufrit, etj. njihet edhe shqiptari nga Çameria, Mihal Artioti, i mbiquajtur Maksim Greku, i cili i dha një kontribut të vyer humanizmit evropian. Ai konsiderohet humanisti i parë në Rusi, si përçuesi i ideve të Rilindjes Evropiane në atë vend. Ai u lind ne Artë, rreth viteve 1480 dhe ishte edukuar në një mjedis të kulturuar shqiptar. Arta e Gjirit të Ambrakisë, ku mendohet të ketë lindur Mihali, ishte në mesjetë një qytet i zhvilluar, këtu e kanë pasur qendrën e vet princat shqiptarë të familjes Losha dhe Shpataj në shek. XIV-XV. Për familjen e tij ka mjaft burime që flasin, se prindërit e tij ishin njerëz të ditur dhe që kishin lidhje me personalitete shkencore të Italisë, me të cilët theksohej, përpjekja e tyre për të shkolluar djalin në shkollat humaniste Italiane dhe që në të vërtetë qe e suksesshme. Kur Ai studionte në Universitetin e Padovës, katedrën e filozofisë e drejtonte bashkatdhetari i tij epirotas, Leonik Tomeu, mësues i Kopernikut (Koperniku vuri bazat shkencore në astronominë moderne). Kur Mihali studionte në Venedik ai gjeti një mjedis të ngrohtë shqiptar si dhe u njoh me veprat letrare dhe historike të Barletit, të Becikemit,si dhe veprat e artit të Viktor Karpaçit, të cilat ia rriten krenarinë kombëtare. Rreth vitit 1516, ai u kthye në Artë, në Atdhe, por u zhgënjye shpejt nga rënia e gjithanshme dhe kthimi prapa si rrjedhim i masave të marra nga pushtuesit osmanë. Kështu, në këto rrethana Mihali pranoi kërkesën e Knjazit të Moskës, Vasilit III, i cili donte “një letrar të shquar dhe studiues të ditur” për përkthimin e librave që kishte marrë nga Bizanti. Pas një udhëtimi që zgjati më shumë se një vit për në Krime, ku ai mësoi rusishten, shkoi në Moskë, ku u prit me nderime nga Knjazi, që e kishte ftuar me shpenzimet e veta. Atje ai u habit kur pa bibliotekën e tij dhe pasuritë e mëdha që ai zotëronte. Moska trashëgonte pasuri të mëdha bibliotekare nga Bizanti, të cilat i kishte bërë pronë të saj. Me erudicionin e tij të fituar në shkollat humaniste të Evropës, Ai ndikoi pozitivisht në shoqërinë moskovite dhe mori pjesë gjallërisht në diskutime për probleme politike, arsimore, ekonomike dhe fetare. Në vitet e para të qëndrimit të tij në Moskë, hapi të parën shkollë humaniste në Rusi nën ndikimin e shkollave humaniste të Italisë. Qëllimi i këtij misioni fisnik ishte “për të ndiçuar popullin rus dhe për ngritjen arsimore të udhëheqësve”. Në botimet e publicistikës ruse dhe në enciklopedinë italiane, ruse, greke është e njohur shqiptarësia e Mihal Artiotit ndërsa nga autorët tanë si Milto Sotir Gurra, e bënë të njohur si humanist shqiptar. Trashëgimia letrare e shkencore e Mihal Atriotit përfshinë më se 150 tituj veprash dhe punimesh mbi tema filozofike, pedagogjike, etike, artikuj polemikë, publicistikë, përkthime,etj. Plus veprimtaria e tij e gjerë teorike e praktike si humanist.
Ai përktheu dorëshkrimet e vjetra të Bizantit, materiale me vlerë për të zgjeruar dijen njerëzore e për të hapur horizonte të reja në rrugën e zhvillimit të shoqërisë dhe të shkencës. Veprat i shkroi në gjuhët klasike, greke e latine, gjuhë këto të kultivuara dhe të preferuara për të gjithë rilindësit. Ai shkroi edhe në gjuhën ruse, të cilën e njihte mirë. Ai hapi në Moskë, në kohën e Ivanit të Tmerrshëm, të parën shtypshkronjë të rregulltë. Ai shkruante: “Rusia në rrugën e përparimit të sigurt duhej të mbështetej tek dituria e thellë dhe kjo dituri nuk duhet të jetë e bazuar në shkrimin e shenjtë”. Ky guxim dhe mendim kurajoz në shprehje, bëri të internohej si heretik me 1525. Interpretimi qe u bëri fenomeneve shoqërore dhe të natyrës të bazuara në ide materialiste. Dhe kritika që i bëri shoqërisë feudale për njerëzit e administratës që spekulonin e sundonin me arbitraritet, ia shtuan vuajtjet. Për të gjitha këto atë e mbyllën në kështjellën e Volokolamskut, por idetë e tij i mbrojti pa u tërhequr asnjëherë. Kështu e kaloi jetën në Rusi: ndjekje, gjyqe, censura, sa e quajtën “shkrimtar rebel” pse mbronte idetë shkencore për njohjen e Botës. Në vitet e pleqërisë iu drejtua Knjazit që ta lejonte të kthehej ne Atdhe, në Artën e Artë, në Shqipëri. Knjazi iu përgjegj: “Je njeri i ditur dhe i zgjuar. Ti di këtu çdo gjë të mirë dhe të keqe, po të dalësh nga Rusia, ti do ta përhapësh në të gjithë botën”. Nuk shkoi shumë pas kësaj dhe Ai mbylli sytë në internim, me 1556. Gjithë veprat dhe artikujt e mbetur në dorëshkrim, vetëm pas 300 vjetësh, ia botoi Akademia e Kazanit. Në burimet ruse të shek. 16-17, për Shqipërinë dhe epokën e Skënderbeut përmenden edhe shkrimet e Mihalit nga Arta. Në vepren “Koha, fjalë e shkrimtarëve” për ngjarjet e gjithë botës të marra nga shkrime të përhapura, Mihali i Artës ka një fletore ku flet për Atdheun e tij dhe epokën lavdimadhe të Skënderbeut. “Në faqen përfaqësuese në internet të Ambasadës Amerikane në Moskë “US Rusian Relation – time like, shkruhet “I pari që e ka bërë të njohur publikisht zbulimin e Amerikës tek rusët ka qenë Maksim Greku (Mihail Artioti)
Mendimtarë, humanistë, bashkëkohës të Mihalit, si Pal Jovi, Palmeri, etj, për të pohuar origjinën e tij shqiptare e kanë quajtur Maksim Shqiptari. Ai njihet botërisht si Humanisti i Parë në Rusi që me anë të shkrimeve u dha popullaritet zbulimeve të reja gjeografike të Epokës. Ai njihet si ndërlidhësi më i mirë i kulturës Evropiane të Rilindjes me kulturën e vjetër ruse. Ai është cilësuar nga studiues të njohur si njeri më kulturë të gjerë humaniste që ngrihet shumë lart në krahasim me bashkëkohësit e kulturës ruse. Ndërsa për vuajtjet që hoqi në Rusi nga idetë përparimtare e quajtën “Martir i Qytetërimit” sepse shkruajti: “Rusia në rrugën e përparimit të sigurt duhej të mbështetej tek dituria e thellë dhe kjo dituri nuk duhet të jetë e bazuar në shkrimin e shejtë”. Edhe pse e internuan si heretik në vitin 1525, pse bazohej në progresin shkencor, pas katër shekujsh, në vitin 1988 u shpall Shenjëtori i Ortodoksisë Ruse. Ky shenjëtor ishte Shqiptari Ortodoks i Çamërisë, Mihail Artioti.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.