back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Shqiptari” i 1912-s e Shqiptarizma në Qarkun e Durrsit – nga Mustafa Kruja

Gazeta

Mustafa Merlika - Kruja (a. Morina)
Mustafa Merlika – Kruja (a. Morina)
Ky asht një shkrim pak i gjatë.
Por kur ta lexoni ka me u dukë se ka qenë tepër i shkurtë.
Mustafa Kruja shkrun kujtimet e veta, për rrethanat e kohës së vitit 1912,
në rrethin e Durrësit. Mendoj se asht shkrimi ma i mirë
që kisha mujtë me jua dhuru për këtë ditë feste.
Shqiptarë e shqiptarka, kudo qofshi, gëzofshi Ditën e Flamurit!
Agim Morina, 28 nëntor 2021
Mustafa Merlika - Kruja (1887-1958)
Mustafa Merlika – Kruja (1887-1958)

“Shqiptari” i 1912-s e Shqiptarizma në Qarkun e Durrsit

nga Mustafa Kruja

Po them shqiptari i 1912-s për me shënue nji datë qi na intereson mâ fort këtu në kët artikull; por e vërteta âsht se kjo fjala shqiptar, me kuptimin qi do të diftoj këtu, ka pasë fillue me u përhapun nja katër vjet para asaj date dhe ka rrue edhe katër tjera mâ vonë me shëndet e fuqí të plotë. Masandej ka nisun të zbehet e të venitet dalkadalë, derisa na ka thânë “lamtumirë” për jetë për me shkue e me mbarue në parrijzin e lumnueshëm të kujtimevet kombtare mâ të shênjta e të shtrênjta. S’prish punë pse sod s’e përmênd mâ kush. Historija e Përlindjes s’onë kombtare ka për t’u a kujtue brezave t’ardhshëm me evarí, edhe në qoftë se fjalori i gjuhës shqipe s’ka për ta quejtun të nevojshëm shënimin e nji kuptimi aqë jetë-shkurtën.
Ata qi e kanë zakon me i zmadhue punët, kur u ep dorë, s’kishin me ngurrue aspak me e quejtun shqiptarin e atyne kohnave të bekueme nji fatos, simbas modës së ré. Por shqiptarët, mjerisht n’atë paksín e tyne, prap se prap kanë qênë aqë shumë, qi sikur të kishin qênë për njimend fatosa, edhe jo të gjithë, por nji e dhetëta, more nji e qindëta vetëm, sod do të kishim për Atdhé nji tjetër Shqipní. Jo! Shqiptarët e 1912-s, të gjallë apo të vdekun qofshin, s’kanë pasun kurrë aso pretendimesh. Ata kanë qênë vetëm Shqiptarë të mirë. Shqiptarë qi s’kanë mendue e dëshirue tjetër veçse të mirën e kombit të vet, lirín e këtij, shpëtimin e këtij prej zgiedhe të huej. Edhe këta mbandej duhen damë në dý kategorí të ndryshme: ata qi vetëm kanë mendue e dëshirue dhe ata qi kanë veprue, qi kanë luftue për kët ideal të shênjtë.
E çëfarë lufte! Luftë thjesht enthusizën, luftë idealizme të kulluet, pa zhigla, pa kurrfarë lakmije vetijake. Rreziqet, flít nuk peshoheshin, s’i a tutshin sýnin kuj. Oficeri tyrk i a numronte dajakët shqiptarit mbë kurriz: nji… dy… tre… dhetë. Mbasandej prânte pak e me nji të zgërdhime satanike e pyette flín: – Ç’je ti? – Jam shqiptar! Dajakët vijojshin, deri sa t’u lodhte oficeri i pashpirt e i padênjë, i cili, i tërbuem prej qëndresës së shqiptarit, kthehej e e pyette me furí: – Ç’thue tash, qafir (s’ka gjâ pse i rrahuni ka qëllue me qênë edhe mysliman i mirë e bile hoxhë, me dy pash çallëm mbë krye!), a të merr mâ malli me këndue shqip? – Do të këndoj, po, e do të shkruej, edhe do të mësoj shqip sa të kemë frymën në trup; jam shqiptar! – Gjidi qafir qafirit… Tash ta kallxon Idarie-Urfija tý shqipen e shqiptarizmën!
Idarie-Urfija e dënon shqiptarin. S’ka si me e çue në konop për nji “faj” qi ligja themelore e Mbretnís e ka njohun për nji “të drejtë”. Por e burgos, e mërgon. Shqiptari s’ka dert. Sikur të rrahunat, as mundimet tjera s’i a hjekin nji ashkël nga ndiesít kombtare qi ka me rrânjë, me bindje të patunshme. Bile ia forcojnë, i shtojnë edhe ndiesín e shpagimit. Ai i ka pranue me gjak të ftohtë, me mênde të kulluet e me zêmër të kthiellt të gjitha mundimet e flít e i quen për nderë.
Shqiptari mysliman vuen edhe nga vllaznit e vet qi janë helmatisun shpirtnisht prej sunduesit të huej e veglave të tija, qi janë fanatanizue deri në palcë, u janë errtue sýt, zêmra u âsht bâmë gur. S’e ndiejnë zânin e gjakut, nuk shohin rretherrotull veçse turk e kaurr. E kaurri mâ i keqi, mâ i egri për ta âsht shqyptari mysliman, ai qi don shqipen e Shqipnín. Ky i ka shitun Nemces ase Itales, po sidomos Nemces, mish e shpírt e Atdhé! Ketê s’ka për ta lânë toka mbrênda, ka për të dalë lugat. Ky âsht bâmë kaurr me fé e me zakone. Mos të kishte frikë kishte me ndërrue fesin e qeleshen me kapelë e kishte me zblue gruen e me dalë me tê alla braca rrugve të qytetit. Shqiptar veç! Ah, ky qafir i vulosun me vulën e Nemces si kualt e fushës për do pare të shkreta, ky tradhtuer i Baba-Dauletit, qi s’ka as fé as nderë, qi me e lânë kush, ruejna o Zot, s’kishte me i a përtue m’u martue bash me të motrën!…
E shqiptari qeshet idhët. Mâ fort se për të shamet e të përbuzmet përvneret për këtë gjèndje, shpirtnore e mendore kaqë t’ultë të vllazënve të vet. E din se ata s’kanë faj. Fajin e ka paditunija e tyne, e ka regjimi barbar qi i ka lánë kështu e qi tashti përfiton prej asaj paditunije për me i bâmë anmiq të vetvetes. Por a thue do t’u vijë méndja në krye nji ditë atyne fatzezve? A thue do t’u çilen sýt? Ah, po! S’ka dyshim. Ndryshe si ka m’u bâ Shqipnija? Shqiptari duron dhe punon me besimin e nji apostulli.
Pisk e ka punën me të vetët edhe Shqiptari orthodoks. Edhe atij i duhet me luftue me shumë vllazën feje e gjaku. Patrikana ka pasun shesh të lirë, krejt të lirë për me e shtrimë helenizmën edhe ndër besnikët e saj shqiptarë, sa me anë të kishës aq’ edhe me atê të shkollës. Jo vetëm shesh të lirë, por edhe të voliçëm. Orthodoksi i ynë ka qénë rajë i shtruem, e beu ase agai apo bandidhi mysliman qi i ka ndodhun afër e ka mbajtun veten për zot mbi tè, âsht bâmë vlla me të huejin kundra vllait të vet të vërtetë, të cilin e ka mundue e shfrytue me shekuj. Ky mundim e ky shfrytim brez mbas brezi kanë krijue në zêmrën e të munduemit e të shfrytuemit mënín. E kjo mëní e ushqyeme e e forcueme me systemë prej Fanarit e Athinës e kishte bindun nji pjesë të madhe të popullit orthodoks shqiptar se e vetmia rrugë shpëtimi e lumnije për tê ishte helenizma.
Për shqiptarin mysliman e për shqiptarin orthodhoks, pra, lufta kombtare ka qênë dy ballnash, e prandej tepër e vështirë e aqë mâ fort e lavdueshme. Ajo ka pasun për shesh zhvillimi jo veç rrugën, pazarin, klubin. shkollën, fushën, malin e llogorin; por shumë herë deri votrën familjare!
Ky ishte Shqiptari i 1912-s qi sod s’përmêndet mâ. Sod ka nacjonalista, patrijotën, atdhetarë e, në dash edhe fatosa. Shqiptarë asi rodi të 1912-s s’ka mâ. Se po shqiptarë shyqyr Zotit, sod jemi të gjithë.
Shqiptarizma, kudo në Shqipní, ka qênë kryesisht nji fenomen intelektual. Populli i padijshëm, përgjithsisht, ase ndiqte shqiptarët intelektualë ase anmiqt e shqiptarizmës e ishte kundra të parvet, apo, mâ në fund, nuk çante krye aspak, nuk ndiente as me njânin vesh as me tjetrin.
Të shohim tashti se si qëndronte puna në prefekturën e Durrsit, e cila përshînte pesë ndënprefektura: Durrsin vetë me pak katunde, Kavajën, Tiranën e Krún.
Intelektualët i ka pasun teper të pakë Shqipnija aso kohe e prashtu edhe shqiptarët, në krahasim me popullin. Në qytetin e Durrsit, qêndër prefekture e tregtije, nuk gjêjmë nji shqiptarizëm mjaft të zhvillueme e veprimtare. Nga elementat kombtarë mâ të nxetë qi ka pasun ai qytet shumica s’ishin bash durrsakë, por të përjashtëm, qi banojshin atje për shkaqe të ndryshme, pra durrsakë adoptivë ase të përkohshëm. Mu në ballë të shqiptarvet të Durrsit, zjarm, e flakë per idealin kombtar, shohim Dom Nikoll Kaçorrin. Përfaqsonte atje Kryepeshkopin e kryedjoqezit të Durrsit, qi e kishte qêndrën e vet në Delblinishtin e Kurbinit.
.
Dom Nikoll Kacorri (Arben Morina)
Dom Nikoll Kacorri (Arben Morina)
D. Nikolli ishte prej origjine malsore; prej Lurës pitoreske atje nalt ndërmjet Matës, Dibrës e Mirditës. Kishte lemë në nji familje myslimane, mandej rritun e mësuem në seminarin e Shkodrës. Shkonte e i shihte shpesh të vetët, e i donte shumë. Edhe ate e dojshin.
Vllazní e dame ndër myslimanë e katolikë s’âsht e vetmja në Lurë ajo e Kaçorrvet. E Ky ndryshim feje s’e cënon aspak dashunín ndërmjet miseve të nji vllaznije. Këtë dashuní ndërmjet myslimanve e të krishtenve, D. Nikolli, prej familjes e kishte shtrimë për vete në të gjithë popullin shqiptar. E adhuronte kombin e vet e i donte të gjithë Shqiptarët, të njohun e të panjohun. Gjithashtu s’kishte njeri qi ta kishte njohun e mos ta donte D. Nikoll Kaçorrin, natyrisht veç anmiqve të shqiptarizmës. Qela e tij në Durrës ishte nji klub, qêndra e atyne pak shqiptarve qi numroheshin n’atë qytet dhe vênd vizitash, për të gjithë tjerët qi u tokonte m’u përshkue andej, ishte nji votër kombtare rreth së cilës çdo zêmër shqiptari mbushej me afsh atdhetarije e mund të shfrente lirisht.
Në Luftën Ballkanike, kur mâ e madhja pjesë e Rumelís kishte ramë në dorë të beslidhunve e ushtrít serbe kishin pushtue Shkupin e Prishtinën, Z. Midat Frashëri qi ndodhej n’ato anë kishte ik’ e ardhun në Tiranë bashkë me tre intelektualë kosovarë: zz. Salih Gjukën, Rexhep Mitrovicën e Bedri Pejanin. Atje mblidhen te Avdi Be’Toptani për me mendue se si mund t’i dilej para rrezikut të vdekës qi po kërcnohej aqë mëndershëm Atdheut e Kombit t’onë. Barrë tepër e rándë për supet e pesë shqiptarve, sado të forta qi t’ishin. Dajnë me e zgjânue pak qarkun. Pak, pse regjimi tyrk ishte edhe mjaft i fuqishëm për né Shqiptarët për me na kapun e dënue si tradhtorë të Mbretnís, po ta merrte vesht se po veprojshim për nji Shqipní të lirë. Ngrihen e vijnë të pesët në Durrës ke D. Nikolli. Më thërrasin edhe mue. Mblidhemi të shtatë, dhe mbas shum bisedimesh nuk gjêjmë shteg mâ të mirë për fuqít t’ona se me hartue memorandum për Mbretin e Austro-Hungarís Frano Zefin për me i lypun projën e shtetit të tij të fuqishëm për Shqipnín t’onë. Për çfarë Shqipnije? A ishte pjekun vallë populli shqiptar për nji shtet krejt mbë vete pa ndihmën e projen e kurrkuj të jashtëm? Këtë pyetje piklluese ia hiedh mbledhjes i ndjemi Salih Gjuka, qi nuk besonte në nji pjekuní t’atillë e donte qi të kërkohej nji autonomi nën projën austro-hungare. E kush qe mâ i forti kundërshtar i ksaj ideje n’atë mbledhje? – Pasha bukën, or’ shok’ e vllazën, thotë D. Nikoll Kaçorri, po qe puna për nji autonomi me proje të dikuj e jo për indipendencë të plotë, un kishem me pëlqye mâ parë vetë Tyrqín, e cila, edhe në qoftë se ka për të shpëtue disi ksi shtegu, nji ditë a nji tjetër, heret a vonë âsht e dënueme m’u shporrun këtyne viseve t’Evropës e me na lânë krejt të lirë; mâ parë këtê pra se nji Shtet evropjan qi, qe besa, s’na lëshon fort lehtë mâ prej kthetrash të veta. E mbandej na ka mâ hije né Shqiptarvet me lypun autonomin ndën nji Shtet qi na ka sundue deri sod, si nji hap kahë pavarsija e plotë, se me i thânë nji tjetri: “Eja e na sundo ti, qi jé zotni mâ i mirë se ai qi kemi, mbasi na s’jemi të zotët me sundue veten!!” E ashtu si tha ai, vêndoi edhe mbledhja. U kërkue prej Mbretit t’Austro-Hungarís qi Shqipnija, me katër vilajetet Shkodër, Kosovë, Monastir e Janinë, “e papërkame e e pavoglueme, të ketë nji autonomi të plotë ndën mbretni othomane. Por në qoftë se për fat të zi qëllon qi kjo mbretni nuk ka me mujtë mâ mbas luftës së soçme me sundue në kurrfarë mënyre Shqipnin, na nga thelbi i zêmrës i lutena Madhnis s’Ate qi Shqipnija prej katër vilajeteve përmêndun sipri me tre miljon e sa Shqyptarë të bâhet nji mbretni në vete sikurse tjerat Shtete të Ballkanit…” e po t’ishte e mundun m’u marrë para sýsh krejt deshiri i ynë, të bâhej “nji mbretni e pa anë sikurse Belgji e Zvicra”
D. Nikoll Kaçorri ka qênë mik i sinqertë i Austris sa askush tjetër. Për asnji Shtet në botë s’kishte aqë sympathi sa për Austro-Hungarin. Por Shqipnija për tê ishte Atdheu, lirija e saj ishte ideali i tij, kurse Austrija ishte nji Shtet i huei. Nji Shtet katholik par excellence, nji Shtet qi kishte nji politikë balkanike nga mâ të përshtaçmet për interesat e idealet e kombit shqiptar. Por nji Shtet i huej. E D. Nikoll Kaçorri ishte Shqiptar plot gojën.
N’u zgjata pak veçant përmbi kët idealist të madh, e bâna veç pse deri sod s’më ka ramë me këndue kund ndonji rresht qi ta përmendë sado për zgrip emnin e tij, me gjithë qi ka qênë, përkrah Ismail Kemal Vlorës, edhe ndënkryetar i denjë i së parës qeverí shqiptare, i zgjedhun prei nj’atij Kuvêndi Kombtar qi shpalli pavarsín e Atdheut e qi mund të krahashohet, për randsín e tij historike, vetëm me Kuvêndin e Leshës të kryesuem prej Fatosit të kombit këtu e gadi nja pesë shekuj përpara.
Durresi i Viteve '40
Durresi i Viteve ’40
Shqiptarë tjerë për t’u përmêndun në qytetin e Durrsit kanë qênë: Salih Nivica, nga Nivica e Kurveleshit, mësues në gjymnazin tyrk të Durrsit; Dr. Neki Libohova, mjek i ngulun n’atë qytet; Stefan Kaçulini, nji tregtár modest prei Shkodre e propagandist i palodhshëm i idésë kombtare; Mahmud Beshiri e Osmani i Mustës s’Ali-Brahimit, të dy me origjinë prej Tirane. Afër këtyne veteranave të shqiptarizmës durrsake, me të cilët ndoshta Durrsi vetë nuk mund të mburret, qén edhe tri fytyra shqiptarësh të kulluet, tre bij të vërtetë t’atij qyteti: Kasem Durrsi, i vdekun tash vonë në mërgim; Abaz Çelkupa dhe Sulejman Kadiu. Kur plasi kryengritja e 1912-s në Krú, katër Shqiptarë të Durrsit, me Kasemin mbë krye, më shkruejshin ndër tjera: “…Këtu jemi nji grup 10 vetësh qi presim vetëm nji fjalë prej teje. Veçse duhet ta dijsh qi armë t’onat na s’kemi…”
Dhetë shqiptarë, në gjithë qytetin e Durrsit, të gaçëm me rrokun armët për të drejtat kombtare, duken pak. Por duhet marrë para sýsh se Durrsaku âsht i butë, mâ i buti në gjithë Shqipnin e mesme. Âsht tregtár, i dhanë mbas fitimit, s’i pëlqejnë trazimet. Âsht nëpunës, s’i pëlqen me vûmë në rrezik karrjerën e vet. Âsht hallexhi, do t’i bjerë mbrapa kafshatës së gojës për vete e për familjen. Mandej shumica e madhe e popullit mohamedan qi përbân gadi dý të tretat e banorvet t’atij qyteti, e fanatizueme prej auktoriteteve tyrke edhe mâ tepër se ç’ishte vetiu asokohe, me mênd e me shpirt donte Baba-Dauletin. Orthodhoksit gjindeshin ndën influencën e Dhespotit grek, t’Imz. Jakovit, qi punonte me mish e me shpirt e me të tanë dinakín e hollë të tij kundra çëdo ideje shqiptare.
Kështu qyteti i Durrsit. Sa për katundet, këto i ka fare të paka Durrsi, e s’kanë ndonji rândsi në vetvete, veçse si nji vazhdim i krahinës së Shjakut.
Në gjithë ndënprefekturën e Shjakut, qi shtrihet ndërmjet asaj së Durrsit e së Krús deri ke lumi i Ishmit, në 1912 un s’kam njohun tjetër shqiptar veç Deliallisvet. Shjaku vetë s’âsht veçse nji katund, qi asokohe s’njihte tjetër intelektualë, pos pak nëpunësve të ndënprefekturës. E pra kështû, pa qytet e pa intelektualë, s’kishte as shqiptarë. Jo vetëm kaqë, por mjerisht gadi në të tânë atë krahinë mbretnonte nji frymë antishqiptare, qi kishte për shkak paditunin e fanatizmën.
Po me këtë fytyrë na shfaqet për atë kohë edhe ndënprefektura e Kavajës. Veçse këtu, sado rrallë e për mallë, ka pasun edhe shqiptarë idealista luftarë qi i a ndërrojshin pak faqen s’paku qytetit. Cili shqiptar i Shqipnis së mesme s’e ka njohun Ndre Konomin, qi mund ta quejmë, pa enfazi, nji apostull të shqiptarizmës kavajote? Vijnë mbas tij Mustafa Cara e dy vllaznit Qazim e Ali Furtuzi, këta dy të fundit origjinarë prej Tirane.
Fort pak e ndiej nevojën të flas mbi shqiptarizmën e Tiranës. H. I. Dalliu, Tiranas ai vetë e nga shqiptarët e orës së parë, ka shkrue plot nji libër 100 faqesh përmbi këtë themë. Libri titullohet “Patriotizma më Tiranë” (sa keq më vjen qi s’i âsht dhânë me përdorun fjalën shqiptarizëm. Patrijotën ka shumë Shqipnija, i dashun Hafiz; shqiptarët kanë qênë të pakë). Àsht botue në 1930 në shtypshkrojen “Tirana” Hafiz I. Dalliu në këtë vepër të çëmueshme na jep listën e nja 150 shqiptarve tiranas, ndër të cilët 16 kanë qênë hoxhallarë. Të gjithë a gadi të gjithë shqiptarë me vepra, qi janë përpjekun në nji mënyrë a në nji tjetër për realizimin e idealit të tyne, qi kanë vuejtun e kanë bâmë sakrifica. E Auktori kujton se, në përpjestim me numrin e banorvet numri i shqiptarvet të Tiranës âsht nji numër rekord në mes të gjithë qytetevet të Shqipnis. Në ça un nuk mund të bashkohem me tê. Veçse, me gjithë këtê, për nji qytet gadi krejt mysliman e për nji kohë kur shumica e Shqiptarvet, për fat të keq, s’kishte formue as hijen e nji ndërgjegjeje kombtare të vërtetë e kur shumica e myslimanve, kudo në Shqipni, e ndiente veten mâ fort të lidhun me sunduesin e huej bashkëfetar se me gjakun qi i vlonte ndër dej, në rrethana të këtilla 150 shqiptarë veprues me 15 hoxhallarë mbrenda s’ka pikë dyshimi qi ia zbardhin faqen shqiptarizmës tiraneshë. Dhe aqë mâ tepër meritojnë lavd shqiptarët e Tiranës po të merret para sýsh se kurrkund në Shqipni s’ka qênë mâ i fortë reakcjoni kundra idés kombtare se n’atë qytet. Pjesa mâ e madhe e mâ e fuqishme e burgezis tregtare kapitaliste ka qênë kundrështare. Katundsija, e lidhun me interesa dhe mbytun në borxh ke tregtarët e fajdexhijt e mëdhaj të Tiranës e në përpjekje të dêndun me ta, s’kishte si mos t’u rrëmbente prej propagandës antikombtare fanatike e tyrkofile të tyne. Vetëm në Tiranë âsht pamë qi të gjuhen me gurë shqiptarët prej fëmijve të shkollës, të mësuem e të nxitun prej elementash reakjonarë qi kishin me vete të tanë fuqin qeverritare. E shqiptarët e Tiranës u kanë qëndrue burrnisht gjithë sulmeve qi u janë bâmë, gjithë kërcnimevet e gjithë dënimevet, derisa, bashkë me Krutanët, rrokën armët e duelën në mal për të drejtat e Kombit.
I vetmi qytet në Shqipni të mesme qi, veç pak vetve pa pikë rândsije, ka qênë shqiptar rëndom, âsht Kruja. Kjo e ka fillue kryengritjen në 1912 në Shqipni të mesme n’emën të giithë vilajetit të Shkodrës tue qênë e lidhun me Mirditë e me Malsorët ndënshkodrakë. Prej këndej âsht qitun kushtrimi e u janë shfaqun popullit e qeverris arsyet e kryengritjes me nji shpallje solemne në 3 Korrik 1912. Âsht e vërtetë se Malsorët e Bregut të Matës, të shtýmë nga nji anë prej krenije e padishipline dhe nga tjetra prej nji rase qi kujtojshin se s’u bie mâ në dorë, âsht e vërtetë se ata e nisën luftën me nji veprim të shkëlqyeshëm nja 10 dit para. Por historikisht këtê nuk mund ta quejmë veçse nji episudhë t’asaj kryengritjeje t’organizueme e të përgatitun shumë mâ para prej Kruje e deri n’Orosh. Àsht gjithashtu e vërtetë se në krye të kësaj kryengritje ká qênë Avdi Be Toptani pa të cilin sigurisht nuk do ta kishte pasun gjith atë gjânsi e rândsi. Por pa Krún nuk do të kishte kërsitun asnji pushkë në qarkun e prefekturës së Durrsit e nuk dij a do të kishte ndodhun edhe episudha e Bregut të Matës sikur mos të kishin qênë Malsorët të futun me kohë në suazën e asaj kryengritjeje mâ të gjânë e të siguruem dy krahësh nga ana e Krús e e Mirditës.
Shqiptarizma krutane s’ka lemë nga intelektualizma. Por kjo e ka forcue e konkretizue. Në krahasim me Durrsin e Tiranën intelektualët e Krús kanë qênë fare të pakë për numër. Àsht e vertetë se ata të pakë qi kanë qênë kanë punue me mish e me shpirt; por e kanë gjetun edhe trollin të voliçëm e puna u ka pasun grat. Faktori kryesuer i shqiptarizmës në Krú ka qénë begtashizma, qi ka dëbue e shue fanatizmen synite tue e pajue atë popull me nji shpirt liberal. Kruetani s’ka bâmë aspak ndryshim ndërmjet vetes e të krishtenit të Kurbînit, të fushës e të Durrsit. Ka bâmë me ta kumbari e birazerni, kanë hýmë e dalë ke shoqi-shoqi si në shtëpi të vet. Grueja kruetane ka pritun e përsjellë mikun e familjes me lirin e bujarin e malsores burrneshë edhe kur s’ka qëllue i shoqi në shtëpi. Thashë se faktori kryesuer i liberalismës e pra edhe i shqiptarizmës krutane ka qênë begtashizma. Àsht pun’e vështirë me shfaqun mendime të preme për shkaqet e larga psyhologjike të fenomenave shoqnorë. Por mund të thuhet me siguri se as begtashizma s’ka gjetun te Kruetani nji shpirt të padepërtueshëm. Kruetanët s’janë të gjithë begtashij; bile, në krahasim me gjithë popullin e qytetit, s’âsht e këtillë veçsé nji pakicë e zgjedhun. Ndër katunde nuk gjindet veçse ndonji kokërr e rrallë në këtë rrugë. Kështu nemose ka qênë në 1912. Sod s’e dij mirë. Me gjithë këtë asnji antagonizëm e vërtetë s’âsht pamë ndërmjet begtashizmës e synitizmës n’atë vênd. Muharrem Pengili ka qênë jo vetëm synit, por edhe hoxhë. Falej pesë herë në ditë e agjinote tridhetë dit ramazan. E me gjithë këtê e me gjithë mjekrën e bardhë të tij, në 1912 qe betue bashkë me parsin tjetër të Krús, shumica begtashij, për me bâmë kryengritjen kundra Osmanlliut, atij Osmanlliu qi e kishte mbajtun nja dyzet vjet me rrogë, për të drejtat shqiptare. Edhe betue ku? Në nji teqe begtashijsh, me dorë mbi kuran të pështetun mbi nji vorr shênjti begtashí! Po ky plakarush shtatëdhetvjeçar a mâ tepër, bashkë me tjerë, s’përtoi në 1914 me i hypun kalit e me u prîmë vullnetarvet të Krús për me i çue në luftë kundra andartvet grekë kah Korça. Ndër vorret e teqes së Ballefendiut në Krú gjindet nji me gur të shkruem shqip te kryet. Âsht i pari gur vorri i shkruem shqip n’atë qytet. Àsht vorri i Selim Pengilit. Kështu kish dashun i ati. “Nji shqiptar qi ka luftue për Shqipni, kishte thânë, do të jetë shqiptar edhe në vorr!”
Major Ali-Fehmi Kosturi (ishte në 1912 Kumandar i gjindarmeris së vilajetit të Shkodrës me gradë majori) i kishte thye kryengritësit e Krús qi i kishin zânë pritë ndën kumandën e Refik Be Toptanit në rrâzë të Krastës te Kroi i Fokës, dhe kishte fillue me i u rrasun qyteti. Por edhe këtu i kërset pushka e shtrëngohet me bombardue qytetin e me shêmbun disa shtëpi. Mâ në fund hýn edhe në qytet e bashkohet me fuqin tjeter ushtarake qi kishte mbetun e ndrýme në kalá. Shpall shtetin e rrethimit e mbledh parsin qi kishte mbetun pa dalë në mal, pse pleq e të pazotët me ecë e me luftue. U kumton shpalljen e rrethimit e u ftillon shqip e me gjuhë t’ushtarit ngadhnjyes kuptimin kërcnues të ksaj mase. Krutanët ndëgjojnë me kujdes e pa zâ.
-E tashti, vijon Majori, diftomni emnat e atyne qi kanë dalë në mal e kanë guxue me i vûmë pushkën ushtris mbretnore. Kam për t’u dhânë nji afat për me ramë në dorë e po s’u dorzuen kam për të veprue kundra sish me ushtrin t’eme e simbas ligjës ushtarake.
Gjindja ka shtângun për nji ças. Elbete, edhe âsht tutun. Idarei Urfí i thonë ksaj. Për kryengritësin s’ka dënim mâ të vogël se litarin në fyt. Por, mendon Idriz Aga, e pat mâ kjo! Nji jevg ka vdekun prej friget, e burri s’i trathton shokët e besës. Idriz Aga i Bejte Kuqit ka qênë nji ndër 4-5 agallarë të Krús qi edhe veshën e ka pasë ruejtun ashtu si heret: tanuz me koxha tufë të hjedhun mbi supet, jelek e fistana të bardhë si bora. Kështu po flet Idriz Aga:
-Zotni Kumandar, e dij e po e shoh se s’âsht pun’e lehtë me folë me kê ka në dorë pushk’ e shpatë e top e litar. Por Zotnija e Jote je Shqiptar vetë e do t’i dijsh dertet e Shqiptarit. Mbandej na ke zgjedh’ e thirrun këtu për burra të mirë, e burri i mirë nuk do të rrêjë. Po na pyet se kush janë ata qi kanë dalë në mal? Kruja mbarë, Z. Kumandar! Të tânë jemi në nji besë, por pak kanë dalë në mal, sa për me çue zânin deri ke Mbreti për të gjithë. Jemi të lidhun për të drejtat t’ona me të tânë Shqipnín. Mbreti e ka dorën e gjatë, mundet me na farue me të madh e me të vogël, por zêmrat s’na fiton pa na i njohun të drejtat t’ona. Zotnia e Jote s’ke nevojë me lidh’e dâmtue ushtrín mbas shokve t’anë t’arratisun. Fillo mâ para me e zbatue ligjën ushtarake në né qi ké këtu përpara, mbasandej merri mbarë burrat e Krús. Kush të thotë se s’âsht kumitë ka zhburrnue veten e të ka rrêjtë, z. Kumandar. Folni, or shokë, e mos më lêni me marrë mbë qafë vêndin n’e dijshi ndryshe ju punën!
Shokët ia kanë vërtetue nji për nji Idriz Agës, e Majori shqiptar ka ngrîmë, âsht magjepsun prej tingullit të këtyne fjalve. I dukej n’ândërr, si m’u ndodhun në ndonji kuvênd të kohës së Skanderbegut. Por shpejt kujtohet se gjindej në Krú, i përshkohet si vetima nëpër mênd historija e atyne shkrepave qi e rrethojshin, e asaj kalaje zâmadhe ku kishte ngulun qêndrën, edhe mendon, bindshëm, se nuk qênka shue krejt fara e gjaku i burrave të hershëm n’atë vênd!
Ali-Fehmi Kosturi nëpër gojën e Idriz Kuqit kishte ndie zânin urdhnues të gjakut qi i vlonte ndër dej të vet. Q’atë ças ishte betue me veten e tij jo vetëm mos me i bâ keq asnji shqiptari, por edhe me e pruejtun këtê deri ku t’i mbërrînte fuqija prej së këqijash të tjerve. Shteti i rrethimit vdiq, gjyqi ushtarak s’u formue aspak. As në Krú as kurrkund gjetì në të tanë qarkun e Durrsit s’i shkoi kuj as gjak hundësh. Por për me krye këtë detyrë qi i kishte ngarkue ndërgjegja e burrnija e tij, i a din shpirti i vet Ali-Fehmiut se çka ka vuejtun e dokumentat zyrtarë të korrespondencës së tij me eprorët e vet. I âsht dashun të luftojë jo veç kundra intrigave e padinave të disa oficerave e kumandarve tyrq, anmiq të kombit t’onë, qi s’i zênte vêndi në vend për me ngrehun trikâmbshet në Krú, Tiranë e Durrës për trathtorë shqiptarë («hain arnautllar»), por deri kundra helmit të nji lamshi të tërbuem gjarpîjsh me gjak Shqiptari, qi e kishin çerdhen në Tiranë, me të famshmin Musa efendi Myftínë mbë krye. Ishte i fortë, veçse kishte për të parë nji Burrë të Madh si Hasan-Rizán, i cili i besonte si vetës së tij e e donte si vlla.
.
(Nxjerrë nga “Hylli i Dritës” Shkodër, vj. 1938, faqe 469-72 e 609-616. Ribotu në “Shêjzat”, 1972, nr. 9-12. Përgatiti për publikim Agim Morina)
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.