back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Shqipja e shkruar dhe shkruesit – nga Entela Tabaku – Sorman

Gazeta

Entela Tabaku - Sorman
Entela Tabaku – Sorman

Shqipja e shkruar dhe shkruesit

nga Entela Tabaku – Sorman

1.

Gati çdo ditë lexoj këtu në facebook protesta me “shkrim” të lartë dhe tallje për ngatërrimin e “ç” me “q”. Ooo ç’u kënaqëm, me lot! Tallja ka sigurisht motive sociolinguistike, gabimet në shqiptim të transferuara në shkrim na kujtojnë të folura të caktuara, që për një arsye a një tjetër, i nënçmojmë. Shkodrani shkruan “u bafsh 100 vjeq tamarrsha!”, pejani “qika e babës”. Ka edhe tallje të tjera, kuptohet, ky forum nuk është modeli i drejtshkrimit të shqipes. Dhe njerëzit, si gjithmonë, kanë nevojë të distancohen nga disa grupe: unë tallem me të tjerët për të treguar se unë jam më i mirë se ata.
Por njerëzit e thjeshtë shkruajnë siç shqiptojnë këtu, një regjistër i ri: e folura e shkruar, shqipja popullore. Alarmante bëhet gjendja nëse nuk lexojmë tjetër përveç këtij forumi. Sepse atëherë na zhduket vetëdija e rregullave të gjuhës së shkruar. E folura e shkruar nuk e shkatërron gjuhën e shkruar, leximi pamjaftueshëm i të shkolluarve e shkatërron atë. Gabimet dialektore nuk e shkatërrojnë gjuhën e shkruar, leximi pamjaftueshëm i të shkolluarve e shkatërron atë.
A e dini ku e dalloj unë leximin e pamjaftueshëm? Në përdorimin e trajtave të bashkuara, sepse ato janë një fenomen tipik i gjuhës së shkruar. Kur gazetarët, shkrimtarët, shkencëtarët, politikanët, përkthyesit, i shkruajnë format e përbëra me apostrof dhe format e përngjitura bashkë! Ooo ç’u kënaqëm, me lot nga halli. “ta” shkruhet pa apostrof, sepse është formë e përbërë e krijuar nga bashkimi i të+e: ta marrsha të keqen! “t’i” dhe “t’u” shkruhen me apostrof sepse janë forma të përngjitura, të krijuara nga rënia e ë-së në bashkimin të+i dhe të+u: t’i hangsha sytë… t’u bëftë nëna kurban! (e di, e di, këto shembuj çalojnë, sepse tek “t’i” kemi një trajtë të shkurtër të bashkuar dhe tek “t’u” kemi të+u bëfsha, por sa për të qeshur).
Ti nuk e rrezikon shqipen e shkruar nëse shkruan “gjysh, t’u preftë shpirti në paqe!” edhe pse shkakton qeshje në sallë. Të gjithë e kuptojmë se po transferon shqiptimin e fjalës në shkrim. Ti e rrezikon shqipen e shkruar kur shkruan “tu prehtë shpirti në paqe”, sepse shkruhet “t’u” dhe, nëse je e/i shkolluar, njerëzit e thjeshtë do të ndjekin shembullin tënd. Ti ndoshta tani thua, hë se nuk u bë nami, më problem e kemi përdorimin e trajtave dialektore. Jo pra, dialektet nuk e rrezikojnë gjuhën e shkruar. Çdo gjuhë e shkruar e ka ose e ka pasur burimin në një gjuhë të folur. Por çdo gjuhë e shkruar mbahet për rregulla drejtshkrimi që mësohen në shkollë dhe kultivohen duke lexuar gjatë gjithë jetës. Prandaj shkrimi i së folurës nga njerëzit e thjeshtë nuk e rrezikon gjuhën e shkruar, mosmësimi i rregullave nga shkruesit e shkolluar e rrezikon atë.
.

2.

“Innovazione” është një fjalë italiane, që vjen nga latinishtja innovatio-onis. A e di si i thonë në shqip?
-Inovacion.
-Aaa, tash po dukesh se je emigrante! Se edhe pak mbushen plazhet tona me le mamme shqiptare që u flasin italisht fëmijëve një fjalë po dhe një fjalë jo. Lëre postimet që bëjnë në facebook! Nuk u vjen turp! Do të protestoj gjithë verën në të gjitha forumet e mundshme! E shkatërruan gjuhën tonë të pastër, që ne këndej e ruajmë si sytë e ballit. Edhe kush flet një fjalë shqip një fjalë italisht se??!! Ato, që gjyshet ende i kanë me tesha katundare!!!
-Jo more, i thonë “inovacion” edhe në shqip. Jo për le mamme emigrante nelle spiagge shqiptare… Por sipas Akademisë së Studimeve Albanologjike. Po kush e di më mirë se ata? Sapo organizuan një konferencë “Kërkimi Shkencor dhe Inovacioni në Arsimin e Lartë Universitar”. E lexova në faqen e tyre zyrtare në facebook. Është e vërtetë se është e njëjta faqe që shkruante “konferenca do ti fillojë punimet”, duke ngatërruar kështu trajtat e përngjitura me të përbëra (për të cilat po të flisja qëparë), por megjithatë është faqja zyrtare e institucionit më të rëndësishëm të studimeve albanologjike dhe ky ishte titulli i konferencës.
-Aaa, tash po dukesh se je puritane! E kanë si term. Dihet se disa fjalë nuk mund t’i përkthesh në shqip, sepse u humbet kuptimi terminologjik. Shqipja a i ka apo nuk i ka 100 fjalë autoktone, në shqip veç bukë e djathë hahet.
-E vërtetë. Por ne kemi fjalën “risi”. Rrallë gjen fjalë më terminologjike se kjo: risi gjuhësore, risi shkencore, risi arsimore. Duket si togfjalësh që po del drejtpërdrejt nga një konferencë me pantallona të hekurosura me vizë. Mendoje se edhe google e përkthen “innovazione” me “risi”!!! Mandej është fjalë e bukur, e ka rrënjën në “ri”. I ri, e re, i përdor edhe Buzuku. E huazuar ndoshta dikur edhe kjo fjalë, por shumë shumë shumë kohë më përpara se inovacioni. Për më tepër neve që e kemi smaltin e dhëmbëve të ngrënë nga propaganda komuniste, këto fjalët që na kujtojnë tabelat e emulacionit me “punëtorët inovatorë” na bëjnë xhixh si ujë i ftohtë.
-Mirë, nëse e shkruajnë ata, atëherë tërhiqem. Unë u besoj akademikëve. Në punën e tyre, siç shkruajnë vetë, merr rëndësi të posaçme “hulumtimi, vlerësimi, konservimi dhe promovimi i trashëgimisë materiale e shpirtërore të kulturës së lashtë e të re shqiptare, si një ndër dëshmitë e qenësishme e më shprehëse të identitetit shqiptar”.
-Hm, prit pak! Konservimi? Kanë hapur fabrikën e konservave në Akademi???
-Aaaa, tash po dukesh se je injorante! Po “conservare” nuk ka të bëjë vetëm me konservat. Duket se e keni pasur në Shkodër fabrikën e konservave. Po hape moj vajzë një fjalor, një Treccani a diçka para se të flasësh. Shih aty si fjala “conservare” ka edhe kuptime të tjera që i përshtaten trashëgimisë materiale. Si e thonë italianët “Questi sono documenti che vanno conservati gelosamente”. Mos kujton se italianët i mbulojnë letrat në vaj? Po si na mbyti injoranca kështu!
-Por shqipja ka huazuar vetëm kuptimin e parë të kësaj fjale. Fjalori ynë thotë: “Konservoj: Bëj konservë një ushqim (mish, pemë, perime etj.), duke e përpunuar në mënyrë të veçantë dhe duke e vënë në një enë të mbyllur mirë që të mos prishet; ruaj ushqime a lëndë të tjera për një kohë të gjatë, duke u kujdesur që të mos prishen”. Domethënë se unë mund të konservoj specat në shqip, por nuk mund të konservoj letra apo mozaikë a veshje të vjetra. Ato i ruaj. “Ruaj: Mbaj në gjendje të mirë diçka të vlefshme që të mos dëmtohet; Vazhdoj të kem a të mbaj në gjendjen e mëparshme diçka pa e ndryshuar, nuk e lë të prishet, të hiqet, të zhduket, të humbasë”. Domethënë në këtë rast duhet të them “ruajtjen e trashëgimisë materiale dhe shpirtërore”. Këtë fjalë e gjejmë që nga Buzuku. A nuk është gjuha e Buzukut trashëgimi? Apo duhet ta konservojmë edhe atë?
-Aaa, tash e kuptova problemin tënd. Ti je turkofile! Në vend që të gëzohesh që po huazojmë nga kahu i duhur, rri e ankohesh këtu, jo inovacioni, jo konservimi. Jo po pse shkruajnë “prezencë” ata të Akademisë, kur kemi fjalën “prani”, “kompetencë” kur kemi “aftësi” dhe “zotësi”. Pfff! Ka hierarki sociolinguistike edhe në huazime, helbete!
Çfarë mësuam sot? Në këto ditë të nxehta vere mos i bëj kot fresk bishtit të peshkut!
.
Gjuha Shqipe - Gjergj Fishta
Gjuha Shqipe – Gjergj Fishta

3.

Tri fenomene gjuhësore e shqetësojnë forumin e facebook-ut. Ditët e kaluara kam cekur gabimet në drejtshkrim dhe përzierjen e gjuhës së huaj me shqipen nga emigrantët. Gabimet gramatikore përbëjnë fenomenin e tretë. Gabimi më i diskutuar më duket zgjedhimi… i gabuar i foljes në të kryerën e thjeshtë, veta e tretë. Ky është në fakt një transferim i gabuar i shqiptimit geg në shkrim, por megjithatë është i dukshëm. Dhe meqë ra fjala, mësoje tashti se nuk shkruhet “ai shkoj” me -j, por “ai shkoi”, me -i. ”Ajo filloi”, “mësimi mbaroi” me I, me I, me I. Kështu duhet të shkruhet edhe në gegnisht. Shkruaje dhjetë herë me I dhe mos gabo më! Gabim tjetër irritues duket se është shumësi me -a, kur duhet -ë, si tek “oficerat”. Dhe përemrat pronorë. Gegnishtja e ka shumësin të njësuar në gjini (vajza jonë, djali jonë), por jo standardi (vajza jonë, djali ynë).
Mirë, ku dua të dal me këtë? Gabime janë, pa diskutim. Por ajo që kam dashur të ju them këto ditë është se shqetësimi që shprehim për gjuhën këtu në fb nuk më duket i lidhur me shqetësimin e sinqertë për mbarëvajtjen e shqipes. Kur na ngrihen qimet e kokës përpjetë pse dikush dikush shkruan “vjeq” në vend të “vjeç”, por nuk na bën përshtypje për shembull se “qëndra” dhe “paqë” po shihen si drejtshkrim standard edhe pse i gabuar, tregojmë se shqetësimi ynë ka motive sociolinguistike. Kahu gjeografik i gabimit të parë është i gabuar, por jo i dyti. E njëjta gjë me shqetësimin e bjerrjes së shqipes përkundruall gjuhëve të huaja. Kur na vlon gjaku pse emigrantët shkruajnë gjysma-gjysma shqip dhe italisht, por nuk na bën përshtypje që Akademia e Studimeve Albanologjike, që ka për detyrë ta ruajë gjuhën shqipe, përdor me okë fjalë të huaja të panevojshme, tregojmë se na shqetëson vetëm fakti se na duket se emigrantët po hapen dhe shesin mend.
A vlen kjo edhe për gabimet gramatikore? Lexoje fjalinë e mëposhtme, të lutem!
“E pasur me një ekip kërkuesish shkencorë e specialistësh të konfirmuar në fushat e studimeve albanologjike, si dhe me fonde e materiale arkivore të një rëndësie të veçantë, ASA pozicionohet si një ndër institucionet më të rëndësishëm kërkimorë-shkencorë të botës shqiptare.”
Emri “institucion” është mashkullor në njëjës: ASA pozicionohet si institucioni më i rëndësishëm kërkimor-shkencor. Por në shumës ndërron gjini (ashtu si “mal”, “livadh”, “studim”, etj). Prandaj të gjithë përcaktorët e tij duhet të lakohen në femërore: ASA pozicionohet si një ndër institucionet më të rëndësishme kërkimore-shkencore të botës shqiptare.
A të shtyn të bësh një postim të revoltuar në fb ky gabim? Nuk t’u duk fundi i shqipes, apo jo? Nuk është. Po ashtu si nuk është fundi i shqipes, kur dikush shkruan “djali jonë filloj shkollën kur mbushi gjashtë vjeq”. Por është fundi i shqipes së shkruar kur këtë e shkruajnë njerëzit me shkollë. A e di ku e gjeta fjalinë e mësipërme? Në tekstin hyrës në faqen në internet të Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA).
Të shkolluarit po shkruajnë me gabime dhe këtu qëndron dilema. Gjuha e shkruar është e të shkolluarve. Në qoftë se këta të fundit heqin dorë dhe nuk ia mësojnë rregullat, atëherë po shkojmë drejt një situate ku gjuha e shkruar siç e njohim sot humbet rëndësinë e saj. Për shqipen situata është edhe më e ndërlikuar, sepse paralel shkon edhe nevoja e një rilindjeje të një gegnishteje të shkruar dhe ka të shkolluar që më përpara zgjedhin të shkruajnë në gegnishte të folur se sa në standard të shkruar. Në sfond të të gjithave është kërcënimi i humbjes së gjuhës së njësuar, që do të ishte një goditje e njësimit tonë kombëtar. Por ky është diskutim tjetër. Shpresoj që ASA e ka në qendër të vëmendjes.
Çfarë mund të bësh ti? Mos hidh vajguri në zjarr duke ia drejtuar gishtin çdo shkodrani që ngatërron “ll” me “dh” apo pejani që ngatërron “q” me “ç”. Hidh vajguri në llampat e të shkolluarve që t’u bëhet nata ditë mbi libra. Tek të shkolluarit e ka shpëtimin shqipja.
E njëjta gjë vlen edhe për përzierjen e shqipes me gjuhët e huaja. Shqipja është gjuhë e vogël dhe ka nevojë për secilin folës të saj, për secilën fjalë të saj. Por kjo nuk do të thotë se diaspora ka ndonjë përgjegjësi për mbarëvajtjen e saj. Kjo nuk është as koha e arbëreshëve, kur Shqipërinë e mori turku. As koha e emigrimit të kosovarëve kur Kosovën e kishte marrë serbi. Tashti kemi trojet tona me dy shtete dhe dy akademi. Shqipja nuk e ka parë veten kurrë më mirë, për sa i përket kushteve të zhvillimit. E megjithatë, shqipen e merr lumi çdo ditë sa herë zgjedhim një fjalë të huaj në vend të një fjale që kemi trashëguar nga të parët tanë.
Çfarë mund të bësh ti? Mos i hidh në det emigrantët dhe fëmijët e tyre sa herë të duket se bëjnë gabime. Bëhu far në vendin tënd dhe ndriçoje rrugën për tek shqipja! Në trojet e veta e ka shpëtimin shqipja.
 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Ilirjana Stankaj
    Bravo autores për analizën mjaft serioze!
    Ky asht nji fenomen realisht shqetësues, sidomos për ne që punojmë me të rinjtë e të rejat, të cilët shpesh gabojnë në detyrat me shkrim (a esetë), mandej duhet rishpjegim me detaje, sepse të thonë: “Kështu e kam lexù tek X a Y gazetar, shkrimtar… etj.”
    Autorja e ka shpjegu shumë mirë (e përgëzoj dhe falenderoj, sepse ka shprehë pothuajse gjithçka ua them shpesh atyne që duhet me pranu se shkrimi, ndonëse n’dialekt, nuk e dëmton gjuhën (përkundrazi, dialektet janë pasuni kombtare që duhet vlerësu). Ajo që e dëmton nji gjuhë t’shkrueme, asht përdorimi pa kriter i saj.
    Nji vërejtje t’vogël e miqësore autores: “Pashë se diku keni shkrù: “…të ju bëj (a “…të ju them”, se nuk m’kujtohet fiks)…etj, kur trajta e rregullt e kësaj shprehjeje asht me apostrof, pra “…t’ju bëj, t’ju them etj…”
    (Mundet edhe t’jetë gabim i pavetëdijshëm, gjithsesi.)
    Edhe diçka tjetër (m’besoni se nuk e them për me kundërshtu, por me mbrojtë atë që shpjegoj në profesionin tem)
    Të (pjesëz e lidhores)+i;+u (trajta të shkurtra), shkruhet gjithmonë me apostrof, jo pse janë forma të përngjitura (siç thoni ju), por pse n’raste të tilla, trajtat e shkurtra të përemrit vetor, të rasës dhanore [kujt? – atij (i)/ atyre (u)], ruhen gjatë bashkimit me pjesëzën “të” të lidhores, ndërkohë që tek kjo pjesëz bie “ë”, e cila automatikisht shënohet me apostrof, kurse “ta” shkruhet gjithmonë pa apostrof, sepse këtu kemi shkrirje të “të+e”(pjesëz+trajtë e shkurtër), ku “e” dhe “ë” janë shkrirë në “a”, pra nuk kemi rënie të zanores, ku do zëvendësonte apostrofi…
    Edhe diçka tjetër që asht shqetësim në media; mbaresa e foljeve të zgjedhimit të parë, që në trajtën e tyne përfaqësuese (pra; veta e parë, nr. njëjës, koha e tashme, mënyra dëftore, forma veprore), duhet me u shkru patjetër me mbaresën -j, sepse pothuajse çdo autor i fb, e shkruan me -i (p.sh: “unë punoj”, s’ka pse të shkruhet: “unë punoi”, sepse kështu asht vetë e tretë e së kryerës së thjeshtë, jo e tashme…)
    U ndala me sqaru, jo me kundërshtu (sepse, sinqerisht ka bâ nji analizë shumë t’mirë, që duhet duartrokitë), por pse parapëlqej me mbrojtë shpjegimin që kam dhanë unë për këtë fenomen, disa herë, kujtdo që m’ka pyet.
    Suksese shkrimit! Mendoj se duhet botu në çdo gazetë! Respekt për seriozitetin e kujtdo përpiqet për gjuhën tonë, për me na e lehtësu punën edhe ne tjerëve!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.