back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Shpirti i trazuar i Tefta Radit nga Zenepe Luka

Gazeta

Gazetarja Tefta Radi
Gazetarja Tefta Radi

Shpirti i trazuar i Tefta Radit

nga Zenepe Luka

Ikona e TVSH: Po ndahem nga TVSH me kokën pas,

tani përfshihem e tëra në lirinë time.

Folësja e talentuar Tefta Radi

Ka qënë një ditë e pazakontë për mua, dita kur intervistova gazetaren, ikonën e TVSH Tefta Radin. Ndjeva emocione, duke pasur përballë kolegen, që e kemi nisur bashkë udhën e jetës. Unë gazetare në gazetën “Kukësi i Ri”, Tefta mësuese e letërsisë në shkollën e mesme në Fusha-Arrëz. Tërë kohën kemi qënë bashkë, në mos fizikisht, ajo duke lexuar shkrimet dhe unë duke u çmallur në ekran. Ngjarjet e 1997-ës, më kujtonë një skenë gati tragjike. Një grup të rinjsh kishin rrethuar gazetaren, e kishin marrë peng, vetëm se ishte e TVSH. Kur dëgjova zërin e saj, jam sulur mbi ata të rinj të përçudnuar dhe ju kam thënë: Çfarë keni me gazetaren, me Teftën, largohuni se do të lajmëroj policinë”
Tefta ra në krahët e mi dhe më tha: Faleminderit, më shpëtove jetën!!
Ndoshta, janë këto arsyet që Tefta ma besoi mua të vetmen intervistë që dha vetëm pak orë para se ajo të mbushë 60 vjeç, duke shprehur edhe brengën për largimin nga TVSH, ku punoi 35 vjet. Në nderim të saj, më 20 janar u mbajt një konferencë për “Rolin dhe kontributin e gruas gazetare” në sallën e SHQUP.
Faleminderit Tefta, që këtë kënaqësi ia dhe lexuesit të “Telegraf”.

Folësja Tefta Radi gjatë lajmeve
Folësja Tefta Radi gjatë lajmeve

Teksa feston këtë përvjetor, kujtoni ardhjen tuaj në jetë, prindërit, mallin për vendlindjen Tefta Radi? Sigurisht, është e natyrshme për cilindo që jo vetëm në një përvjetor, por shpesh të kujtojë me mall rrugën që ka përshkuar gjatë jetës. Vendlindja nuk shqitet kurrë nga kujtesa e askujt, qofsh i pasur apo i varfër, qofsh i lumtur apo i brengosur. Sidoqë të jenë rrethanat, mendja kurrë nuk e lë në një cep harrese. Pastaj, vendlindja mbetet fillesa e çdo dokumenti identifikimi. Vjen një moment dhe e përmend atë me shumë krenari. Vendlindja ime, është Gjirokastra, qyteti i gurtë, i përhimtë, magjik, me shumë histori dhe arkitekturë interesante, me kështjellën shekullore, qytet turistik, listuar në thesaret e vlerave të spikatura të UNESCO-s.
Në të vërtetë, prindërit e mij ishin jabanxhinj në këtë qytet, ku ishin vendosur që të rinj në punë. Nëna Nezajeti, ishte vetëm 18 vjeçe, sapo kish mbaruar shkollën për infermiere dhe punonte në një çerdhe, ndërsa babai, Çerçizi, ushtarak, ishte vetëm 25 vjec. Si shumë të rinj të tjerë, në vendin e sapodalë nga lufta, im atë nga partizan i Brigadës së Dytë S, që në moshën 15 vjeçare, shkoi në shkollën “Skënderbej”, për të vijuar më tej në të gjitha nivelet arsimin ushtarak, me profilin economist. Unë kam jetuar deri në moshën 5 vjeçare në lagjen “Palorto” dhe në këtë moshë, fëmija fikson gjërat më të veçanta. Unë kam fiksuar rrugët e përpjeta dhe të tatëpjeta dhe më tingëllon ende zëri i ngrohtë i nënës që më thoshte: Mos ma lësho dorën!
Nuk na shpjeguat se nga vinin prindët tuaj, që gjetën dashurinë në Gjirokastër? Babai është nga Leskoviku, treva e patriotëve të mëdhenj si Zylyftar Poda, Jani Vreto, i madhi Faik Konica dhe shumë patriotëve të tjerë, por është edhe vendi i sazeve. Hafize e Selim Leskoviku, këngëtarët që bënë emër, jo vetëm në Ballkan. Disqet me këngët e tyre, janë regjistruar në Amerikën e viteve 1920. Kushërira e parë e babait tim, me banim në Autrali, i ruan ato me shumë kujdes dhe njëherësh çmallet me vendlindjen.

Çerçizi, Tefta e Nezajeti

Gjyshi ishte arsimuar në Turqi dhe punonte në strukturat e pushtetit vendor të kohës, ndërsa gjyshja, rridhte nga një familje ushtarakësh të oborrit mbretëror të Ahmet Zogut, me mbiemër Ajazi. Në kujtesën time, zënë goxha vend, gjyshërit e mij. Nëna ime vinte nga një familje e mesme çifligarësh nga fshati Biranj i Korçës, që kishin argatë në shtëpinë e tyre. Gjyshi im, Ahmeti, ishte ndër emigrantët e parë në Amerikë, dhe me paratë që fitoi, bleu toka. Ndërsa gjyshja, Adilja rrinte në shtëpi për të rritur 5 fëmijët. Si mund të harroj shtëpinë e gjyshërve, ndërtuar në një kodër plot dritë, hajate të mëdha, me dritaret, dyert, tavanin, gdhendur bukur në dru.
Cila ka qënë fëminia e Tefta Radit? Unë kam qenë fëmija e parë e çiftit, madje vajza e rrethuar nga tre vëllezër, kësisoj kam marrë dashuritë dhe përkëdhëlitë e prindërve, e gjyshërve pa hesap.
Jam veshur bukur, por më kanë mësuar edhe me punë! Të bëja mësimet në mënyrë shembullore, të lexoja shumë, por edhe punë shtëpiake bashkë me nënën. Jam shpallur disa herë “Mike e librit” në shkollë dhe epiteti për mua ishte shembullore. Nuk kam qenë vetëm nxënëse e mirë, por edhe një basketbolliste e mirë. Çfarë na ofrohej në shkollë, unë isha e para që bëhesha pjesë e veprimtarisë.
Çfarë punësh mund të bënte një fëmijë në shtëpi? Nuk flas për nga ngarkesa, por kam mësuar të gjitha punët që bënte nëna ime. Kur u rrita pak, nëna ma la mua kujdestarinë për vëllezërit. Ne kishim një shtëpi përdhese, pas gjimnazit Qemal Stafa” në Tiranë dhe fushat sportive të shkollësh, bëheshin “pronë” e fëmijve të lagjes pasditeve. Duke bërë të gjitha lojrat me top.
Nostalgji kam për kohën që kaloja tek gjyshërit në fshat, flas për të mamasë, ku thuajse rrija tërë kohën e pushimeve. Unë jam larë në përroin afër shtëpisë, kam mbledhur dru për të ngrohur saçin, me të cilin piqnim byreçkat, kam punuar edhe në koperativë. Sjell ndërmend buzëmbrëmjet teksa prisnim bagëtinë që vinte nga kullota, me tringëllimën e zileve dhe të këmborëve, që i dëgjonte lagjia. Janë kujtime që më emocionojnë edhe sot dhe më vjen keq që nipi e mbesa ime nuk do t’i njohin këto mrekulli të fshatit.

Tefta Radi Studente
Tefta Radi Studente

Në koperativë? Po, po, shkoja pas dajeshës, vija vargje duhani, bënim liko. Unë kam vjelë qershitë lart në pemë dhe nuk kisha frikë se mund të rrëzohesha, di të bëj edhe liko të mrekullueshme. Kam bërë të gjitha punët. Kam ecur zbathur, kam gjakosur këmbët, kam hypur majë pemëve, pse jo edhe kam vjedhur ndonjë kokërr mollë në plantacionet, që ishin në të dy anët e rrugës kur shkonim në Korcë, që nuk ish më shumë se 15 minuta nga fshati ynë. Qëndrimi në fshat, më bëri një vajzë pastërtore, shikoja gjyshen se si i lante rrobat me finjë dhe kur i paloste ju vendoste nga një sapun me erë që dërgonte gjyshi nga Amerika.
Eh, fëminia, mund të shkruash libra të tërë.
Po për ëndërrat e rinisë, emocionet, vështrimet tinzare të djemve, çfarë kujtoni në këtë ditë jubilare të jetës? Mosha e rinisë, është pjesa më e bukur e jetës, për cilindo. Fillon e të piqesh, bën veprime më të matura, ndjehesh më e pavarur dhe me shumë kurajo.
Unë kam bërë gjimnazin “Naim Frashëri”, shkollë me tradita dhe kam pasur fatin të jem në klasë me shokë e shoqe, që u bënë me emër kur u rritën. Kujtoj me nostalgji mësuese Valin, Liljanën, të ndjerin Rinush Idrizi, mësuesin e mrekullueshëm të letërsisë, kimisë. Në klasë kam qënë me Amali Dhamon, Fatos Nanon, Rexhinën, Virgjil Kulen, Çlirim Poron, etj, etj. Kam qenë vajzë e shkathët, gjithmonë mirë në mësime.
Ndërsa vështrimet tinzare të djemve, erdhën në kohën që ishim studentë. Miqësia e shkollës së mesme, atëherë ishte e pastër, e sinqertë.

Tefta Radi
Tefta Radi

Tefta Radi përfundoi studimet për letërsi, në mos gabohem. Ju keni qenë një vajzë e bukur, e ndjenit xhelozinë e shoqeve? Po, përfundova fakultetin për gjuhë-letërsi dhe ndjehesha komode, pasi, sikurse ju kam thënë, kisha lexuar shumë në fëmini dhe adoleshencë. Sigurisht janë vite të bukura, mbushur me emocione, pse jo edhe zhgënjime. Në kohën tonë, pjesë e jetës studenteske kanë qenë aksionet, zboret ushtarake, që megjithë vështirësitë, nuk mungonin humori dhe batutat mes studentëve.
Mbrëmjet e vallzimit, mezi i prisnim, pasi aty argëtoheshim dhe provonim emocione të tjera. Vajzat prisnin se cili djalë do ta kërkonte të vallzonte, po edhe djemtë kur kishin rradhën vajzat. Pse jo edhe vështrimet vjedhurazi, ishin emocione më vete. Janë të moshës dhe nuk i gjen më në vitet e mëpasme. I kërkoj tani që trokiti shifra 60-të dhe s’i gjej. As jap dhe as marr më.
Në vijim të pyetjes tuaj, them se nuk kam qenë ndonjë vajzë e bukur që të bija në sy. Ishte bukuria e moshës dhe freskia e rinisë. Unë pranoj diçka tjetër, që vishesha mirë, me gusto. Bleja basmat më të shtrenjta dhe i qepja te rrobaqepset më të mira të Tiranës, sikurse ishte kroatja e martuar në Shqipëri, Stefa me duar të arta.
Kështu për të demostruar veshjet, sandalet me porosi, bënim ritualin e zakonshëm xhiron në bulevardin e Tiranës, ku nuk mungonin vështrimet e djemve që shkëmbeheshim duke shetitur mbasditeve.
Ndërsa për xhelozi të shoqeve, asnjëherë nuk ka ndodhur dhe nuk kisha arsye pse. Kemi qenë shoqe, dhe miqsia mes shokëve dhe shoqeve studentë ka qenë mjaft e bukur dhe pa hile, sa e ruajmë edhe sot.
Mbaruat studimet për letërsi, si u gjendët gazetare në RTSH? Kjo erdhi fare rastësisht. Sikurse kam thënë, prindërit e mi donin të më bënin doktoreshë, unë studiova për letërsi dhe rastësia bëri mrekulli.
Unë u emërova mësuese e gjuhë-letërsisë në Pukë, në shkollën e mesme të Fushë-Arrësit, kohë për të cilën kam nostalgji të veçantë. Kam jetuar dhe i kam në mendje ata njerëz të varfër, por që kishin zemër të madhe. Unë gjithë kohën, vazhdoj t’i ruaj miqësitë me ish nxënësit e mij dhe miq që zura në vitet e para të punës në jetën time.
Vërtetë ka qënë rastësia, që më solli në studiot e TVSH. Një kolegu im, që punonte me emisionet e rinisë, vjen në klasën ku po jepja mësim dhe konstatoi se i pëlqente zëri im. Më pas më ftoi në një konkurs, që organizoi Radio-Tirana, ku unë fitova.
Besoj se kjo quhet rastësi, apo jo? Me kalimin e kohës, ky profesion i ri, u shndërrua edhe në pasion, që vazhdoj ta kem edhe sot. Gjatë gjithë karrierës sime, unë nuk e kam ndarë kurrë gazetarinë e terrenit, me gazetarinë e të qenit folëse në studio.

Radio Televizioni Shqiptar
Radio Televizioni Shqiptar

Sipas jush, në cilën periudhë jeni ndjerë më mirë si gazetare? Është e kuptueshme, në sistemin e sotëm, për lirinë që të ofron, për hapësirat që të krijon. Atëherë kishe një media ku ne rezervoheshim shumë në atë që bënim, në zgjedhjen e të intervistuarit, i cili duhet të ishte i qethur i rruar, të mos kishte elementë të shfaqjeve të huaja, siç quhej atëherë.
Por nuk mund të rri pa thënë atë që e ndjejmë të gjithë edhe lexuesi edhe teleshikuesi. Gazetaria edhe sot është shumë e politizuar. Ekranet janë shumë të rënduar nga politika. Mund ta quajmë gazetari të njëanshme djathtas ose majtas. Sot lajmet në përqindjen më të madhe të tyre bëhen brenda unazës. President, Qeveri, Parlament dhe forcat politike. Nëse ka 10 ngjarje politike, nuk ka pse të pasqyrohen të 10-ta. Gazetarët sot nuk lodhen fare, vijnë kasetat gati të filmuara, vijnë sinkronet, vijnë tekstet e shtypura. Ende nuk e kuptoj mirë se ç’lloj gazetarie është kjo. Çdo gazetar profesionist ia bën këtë pyetje vetes dhe a merr ndonjë përgjigje?
Si u ndjetë kur u shkëputët nga ekrani? Pjesërisht u shkëputa vetë, pjesërisht më shkëputën. Sigurisht e kam nostalgji, pasi mund të kisha dhënë akoma. Në botë folësit kanë një moshë për të qenë më të besueshëm, për të qenë më të pranishëm te spektatori, sjellin një përvojë dhe një logjikë të lajmit të fituar në kohë, por Shqipëria kjo është, ku mendohet për çdo gjë, se kur vjen në pushtet, gjithçka duhet të fillojë nga e para, ose mendon se çdo gjë nis atje, ku vijnë ata. Kjo i ka bërë që në shumë media të ketë njerëz, që vërtetë janë shumë të mirë për të bërë këtë punë, por ka dhe nga ata që janë fare të pavlefshëm. Nuk mund të mohoj vlera, nuk mund të mohoj një rini të sotme që ka informacion të shumtë, por nuk mund të japë atje ku ajo dëshiron. Duhen drejtuar atje ku të japin më mirë dhe ku të jenë më të vlefshëm për ekranin, sepse ekrani është një gjë gjigante që të ngre ose të përplas përdhe. Prandaj mendoj dhe të rinjtë duhet të jenë më kërkues ndaj vetes. Është kollaj të dalësh në ekran, po sa i zoti je që ta mbash atë, sa i zoti je të bësh teleshikuesin për vete.

Tefta dhe Françesku

Folëm gjatë për gjithçka që i përket jetës tuaj dhe lamë në hije dashurinë tënde me artistin. Mardhëniet me fëmijët. Çfarë mund të mësojë lexuesi? Për mua është shumë e rëndësishme të takosh në rrugën e jetës, njeriun e dëshiruar, bashkëshortin që të kalosh jetën me mirëkuptim dhe në krah të njëri tjetrit.
Tek Franko kam gjetur atë që kërkoja, sidoqë ai është artist dhe kjo ka bërë që të kemi kohën e kufizuar. Jemi përpjekur që ta mbështesim shumë njëri-tjetrin, në veçanti me fëmijët. Kemi pasur të dy biçikleta, kemi vrapuar njëri në çerdhe tjetri në kopsht me fëmijët mbrapa. Frankos i ka takuar më shumë të merret me fëmijët sidomos në periudhën e shkollës, në fillimet e tyre, të jetë më pranë fëmijëve, për shkak të punës kam qenë më e zënë në orët e pasdites dhe të mbrëmjes. Nuk mund ta mohoj që Franko u është gjendur më shumë fëmijve, duke më mirëkuptuar, njëherësh duke vlerësuar edhe profesionin time si gazetare. Në mardhanie me fëmijët, Franko është më pak i rreptë se unë, është më liberal. Nga natyra unë jam më kërkuese e kam njohur më thellë realitetin dhe jam më e ndjeshme ndaj problemeve.
Ne jemi një çift që mbështesim dhe gëzohemi për kontributet e njëri tjetrit, por edhe mbajmë qëndrim kritik kur nuk shkon diçka.
Cilat janë pengjet e Tefta Radit? Jeta është luftë. Një shpirt i trazuar. Ka suksese, sfida, por edhe brenga. Sa je i ri, nuk vë re asgjë, kur vitet kalojnë, i drejton pyetje vehtes: Si ikën vitet, si iku jeta? Shumëkush e ka krahasuar jetën e njeriut me një dokumentar filmi, që mund të jetë i shkurtër apo i gjatë, por që ka limitin e kohës. Kështu është edhe jeta ime. Në këtë dokumentar janë emocionet e fëminisë, të rinisë, ndjenjat e sinqerta me bashkëshortin tim, ardhja në jetë e fëmijve, por nuk mungon edhe dhimbja.Si humbja e një fëmije, ndarja nga jeta e babait, që ishim shokë, etj.
Ajo që dua të them dhe që e ndjen çdonjeri është fakti se sa më shumë kalojnë vitet, aq më e dhimsur bëhet jeta dhe kërkon me ngulm të gëzosh frytet e saj.
Si ndjeheni që po largoheni nga TVSH, do të dëshironit të punonit ende. Me se do të merret pas kësaj Tefta Radi? Sigurisht ndjehem e prekur, teksa hedh vështrimin në udhën e gjatë që kam përshkuar. Në karierën time si gazetare, e shtyrë nga egoja dhe profesionalizmi, jam përpjekur që të jap maksimumin, për të qënë sa më e vërtetë dhe bindëse. Jam ndjerë me fat, e privelegjuar, që në punën time, kam pasur kolegë të afërt figura të gazetarisë, që më kanë ndihmuar me këshillat e sugjerimet e tyre, duke më mësuar pikësëpari, që të jem dhe mbetem tërë kohën vetvetja. Në tërë këtë sfidë, në rradhë të parë me vehten time, kam ndjerë vlerësimin dhe miqsinë, që më është falur, fillo me qytetarët më të thjeshtë, deri te personalitete e larta të shtetit, kulturës, shkencës, gjë që më ka motivuar edhe më shumë në karrierën time të gjatë.
Në këtë ditë që u jap këtë intervistë, të fundit si gazetare e TVSH, më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata burra e gra, kolegëve dhe kolegëve të mij të nderuar, gazetarë, redaktorë, drejtues, kameramanë, grimierë, shoferë, garderobistë, etj etj, që kanë ndarë sëbashku me mua, orë, ditë, muaj e vite nga jeta e tyre!
Pavarësish sfidave dhe vështirësive që kemi kaluar së bashku, sot, më shumë se kurrë, ndihem krenare që jam pjesë e historisë së Radio Televizionit Shqiptar, i cili ka qenë, është dhe do të mbetet një shkollë e rëndësishme e mas-medias shqiptare.
Vjen një ditë, kur çdokush duhet ta dorëzojë stafetën e tij. Kjo ditë erdhi edhe për mua, ndaj do të doja të citoja fjalët e Abdyl Frashërit, njërit prej njerëzve të mëdhenj të Kombit tonë, i cili thotë: “Do të ndjehesha e lumtur, nëse brezat që do të vijnë, do ta çmonin si të frutshme punën time”.

Këngtari Françesk Radi

Me se to të merreni pas 20 janarit? Do të gëzoj më shumë kohë nga liria ime, për vehten time, do t’ju kushtoj më shumë kohë mbesës dhe nipit, që i duam marrëzisht.
Jam mësuar të bëj jetë aktive në shërbim të komunitetit, jam pjesë e shoqërisë civile, ku tani më shumë se kurrë, kontributi im do të jetë më i madh.
Cila do të ishte këshilla juaj për gazetaret e reja dhe nëse do të filloje punën nga e para, cfarë do të ndryshonte Tefta Radi si gazetare? Këshilla ime do të ishte, që të respektonin profesionalizmin, vërtetësinë e lajmit, larg manipulimit dhe keqinterpretimit, përdorimit nga politika, në këmbim të aferave korruptive, posteve për të bërë një karierë të pamerituar, të respektojnë e përdorin me dinjitet gjuhën tonë të bukur dhe të pasur.
Nëse do të rikthehesha nga fillimi në moshë dhe si gazetare, sigurisht që do të bëja më shumë në fushën e gazetarisë investigative dhe meqë jam këtu, shpreh respektin për gazetarë si Artan Hoxha, Marin Mema, pyetjeve të guximshme të Ilva Tares në studion e saj dhe shumë gazetarëve të tjerë të rinj.
E kujtoni intervistën e parë, po më të dhimbshmet? Intervista ime e parë, ka qënë me një grup studentësh, në sheshin përpara Korpusit qëndror të Universitetit. Më të dhimbshmet ato të ngjarjeve të 1997-ës. 35 vite punë si gazetare, padyshim që unë ruaj kujtime, mbresa, emocione, që lidhen me ndërrimin e sistemeve, tranzicionin e gjatë në vendin tonë, por duhet të nënvizoj edhe hapsirat e lirisë së pluralizmit dhe lirinë e fjalës. Tregu mediatik sot është aq i larmishëm dhe i fuqishëm, sa ndrydhja e fjalës dhe censurimi i lajmit, nuk mund të bëhet më. Diku e vërteta do të rrjedhë…
Duke i hedhur një vështrim karrierës suaj në pregatitjen e dokumentarëve, cilin do të vlerësonit më të mirin? Puna jote gjithmonë të dhimbset, megjithatë me kalimin e viteve, profesionalizmi, përvoja, reflektohen në punën tënde.
Nëse do të mbetem tek dokumentari “Migjeni, ky vigan”, për të cilin punova rreth 8 muaj, për realizimin e të cilit u mbështeta tek dëshmi autentike, do ta konsideroja vërtetë, ndër punët e mia më të mira.
Kjo arritje, falë hapsirës që mu krijua nga TVSH dhe grupit të mrekullueshëm të atyre që bashkëpunuam me mua, kameramanit Agim Kuri, montazhieres Yllka Gjikopulli dhe Ermal Bardhi, si dhe formulueses së muzikës Kozeta Rafti.
Në tërë këtë punë, më ka mbetur peng mesazhi i hulumtuesit Adriatik Kallulli, dërguar nga Viena, ku më shkruante këto rrjeshta dhe që unë i ruaj në celularin tim: “E dashur Tefta. Do të doja të bëhesha edhe unë pjesë e dokumentarit tënd, për njërin nga shkrimtarët tanë më të dashur, për të cilin unë kam hulumtuar e shkruar shumë. Më vjen keq, por ndodhem prej 10 muajsh, tepër i sëmurë në një spital të Vienës. Falenderime dhe suksese. Adriatiku”.
Unë e bëra pjesë të dokumentarit, duke ia dhënë kënaqësinë para ndarjes së tij nga jeta.
http://floripress.blogspot.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.