Shpend Sollaku – Noè Për ata që e njohin pak ose aspak…

Shpend Sollaku - Noe - 1977

Shpend Sollaku – Noe – 1977

Në jetën tonë kemi miq, shokë e bashkvëllezër mendimesh,
me të cilët na mungon prej kohësh e përditshmja e dikurshme,
na mungojnë ditët kur shkujdesshëm nën kthetra të së Keqes,
krijonim iluzionet efimere të lirisë,
ndërtonim kështjella të brishta besimi,
dhe bënim përpjekje të mos e shihnim botën si soditës,
e të mos ndjeheshim jashtë saj prej presionit ideollogjik,
por edhe të mbroheshim prej çdo kërcënimi
të asaj kohe egërshane e lubi e pashoqe.
Tashmë koha ka rrjedhur pamëshirë,
më pamëshirë ka rrjedhur lufta kundra atyre idealizmave të dikurshme,
atyre “ideve të çmendura” për t’i ikur së Keqes së përbashkët
e për lartuar mbi urrejtjen e klasave një botë më të paqme,
më të pranueshme, më të dashur e më të përvuajtur.
Gjë e cila, për dhimbjen e thellë të shumë prej nesh s’ka ndodhur!
Kjo t’i bën këta shokë, këta miq, këta bashkëvëllezër mendimesh dhe betejash
edhe të shenjtë në mungesën e një kafeje të përbashkët,
të një debati të ndezur. të një projekti që mund të funksiononte
po edhe më solitar atë shtegëtimin të secilit prej nesh nëpër botë,
më të thellë dhimbjen për çka ndodh, për çka na ndodh e për çka s’duhej të ndodhte,
dhe ne as kemi qeshur, as kemi heshtur e as kemi rreshtur
së thëni me guxim atë çka sot duhej të qe një kor i madh konsensusi
kundra “përtëritjes së të Keqes”
kundra metastazave të saj, që po e gërryejnë shoqërinë shqiptare
Shpend Sollaku – Noè, është një shok, një mik, një bashkvëlla i paepur dhe i pashoq
jo vetëm në mendime, por në beteja e sakrifica prej gati një gjysëm shekulli…
Edhe 100 vite “frangar, non flectar”* fort i dashuri miku im, Shpend!
Jozef Radi, 2 prill 2017

Shpend Sollaku - Noé - 2017

Shpend Sollaku – Noé – 2017

Shpend Sollaku – Noè

Për ata që e njohin pak ose aspak…

Shpend Sollaku – Noé, lindi më 3 prill të vitit 1957, në Lushnje nga një familje beratase, transferuar në Myzeqe për arsye politike.
Është diplomuar në gjuhë e letërsi. Ka punuar si arsimtar në Çermë dhe gjimnazet e Lushnjes dhe më pas si themelues, drejtues dhe gazetar i gazetave të opozitës “Ora e fjalës” dhe “Republika”.
Ai ka qenë ndër pionierët e lëvizjes demokratike në Shqipëri, ndër themeleuesit e Partisë Demokratike e asaj Republikane. Që nga viti 1992 jeton si azilant politik në Itali, ku ka punuar për gazeta e televizione të ndryshme italiane e amerikane. Ka shtetësi të dyfishtë shqiptaro-italiane.
Shpend Sollaku Noé ka qenë aktiv edhe si përkthyes, veçanërisht nga shqipja, italishtja dhe rusishtja. Mban gjithashtu lidhje bashkëpunimi me shumë revista letrare ndërkombëtare. Veprat e tij deri tani janë përkthyer në 21 gjuhë kryesore dhe janë shitur në rreth njëqind vende të botës. Për t’u shënuar veprimtaria në mbrojtje të të drejtave të njeriut, sidomos të emigrantëve dhe në veçanti të të burgosurve dhe të azilantëve politikë. Librat e tij të fundit: Abysses-Voragini, Barcodes-Codici a Barre, si dhe Antologitë në shqip, italisht, frëngjisht, spanjisht e anglisht, të botuar në SHBA, kanë arritur të kenë një prestigj ndërkombëtar.
Ka botuar me sukses në Itali (Romë) romanin Il confine della nebbia, (Kufiri i mjegullës), ambientuar në Beratin e viteve ’80 e ’90.
Shpend Sollaku – Noé, ka nisur të shkruajë që në fëmijëri e të botojë që në moshën 14 vjeçare, në gazetat Shkëndia, Drita dhe Zëri i rinisë si dhe në revistën Nëntori.

Shpend Sollaku - Mëzat e kaltërt 1987

Shpend Sollaku – Mëzat e kaltërt 1987

Midis librave kryesore të tij përmenden:

Mëzat e kaltër – poezi, Shtëpia botuese Naim Frashëri, Tiranë 1987;
Il regno del proibito – poezi, italisht e shqip, Itali 1995;
Applaudire Caligola – poemë deherioke, italisht, Firence, Itali 1997;
Un posto a piedi per Galilea – poemë, italisht, Raguza, Itali 1999-2000;
La Colombia dei Balcani – prozë investigative, Itali 1994;
Il secolo breve – prozë investigative, Itali 1994;
Abysses – Voragini – poemë, italisht e anglisht, SHBA 2009;
Barcodes – Codici a Barre – poemë, italisht e anglisht, SHBA 2010;
Piramidi in frantumi – antologji, italisht, SHBA 2011;
Es hora de andar Sócrates – antologji, spanjisht, SHBA 2011;
Se réveiller au fond du précipice – antologji, frëgjisht, SHBA 2011;
Pantheon in Blackout – antologji, anglisht, SHBA 2012;
Atdheu i tjetrit – shqip, antologji, SHBA 2011;
Il confine della nebbia – roman, italisht, Romë, Itali 2012.
Eros murmuridhesh – poemë, shqip, libër i përbashkët me Skënder Rusin, shqip, Itali, 2014.

Sollaku, Greca, Hajdari - Romë 1992

Sollaku, Greca, Hajdari – Romë 1992

Ka bashkëpunuar ndër të tjera me këto organe shqiptare e të huaja:

“Loog”, “Das Boot”, “Journal of Contemporary Anglo-Scandinavian poetry”, “Rustic Rub”, “Parnasus of World Poets”, “Dismisura testi”, “Poeteka”, “Haemus”, “Drita”, “Bashkimi”, “Republika”, “Ora e fjalës”, “Rilindja Demokratike”, “News Letter”, “Alto Adige”, “Milosao”, “Ciociaria Oggi”, “Il messaggero”, “La nazione” , “Gazetta di Parma”, “Il tempo”, “RAI”, “RTTR”, “Italia Uno”, “Gazeta shqiptare”, “Tirana Observer”, “Dielli – The Sun”, “Fenix”, “Elite”, “VOA – Zëri i Amerikës”, “Standart”, “Shqiptarja.com”, “Espresso”etj.

Citime rreth veprës së Shpend Sollaku Noè-së:

“Vepra e Sh.S. Noè-së mund të përfshihet e gjitha në fillin e zi të traditës europiane që shkon nga Marionettetheater i Kleistit tek Teatro della crudeltà të Artaudit e më tej. Kjo vepër mund të radhitet, madje në mënyrë të ndryshme, me krijimtarinë e një brezi të tërë poetësh (Brodskij, Milosz, Herbert, Kancev), të cilët, ashtu si Noè u shtërnguan të braktisin atdhetë që nuk mund të shuanin etjen e tyre për liri!”
C. Cottardi, C. Diddi, Presidentë Kombëtarë të Amnesty International, Romë, prill 1995.

“Një pëzierje eksplozive akuzash, sarkazmash e sulmesh ndaj atij që ai (Noè) e quan komunizëm i maskuar… Mund të duket subjekti i një romani të Kunderas o Grossmanit, por ankthi i realitetit kthehet në dramë njerëzore me fjalët e këtij autori…”
Gazzeta di Parma, qershor 1992.
 
“Një intelektual i huaj i trapiantuar me sukses në Itali.”
Il Messaggero, janar 1996.
 
“Një penë therëse që shkruan në një italishte perfekte.”
“Alto Adige”, shkurt 1996.
 
“I aftë të shkrijë formulat e ndërtuara nga tradita, i aftë të revizionojë botën e domethënieve.”
Firenze Libri, 1997.
 
“Një shkrimtar që ka brenda vullkanin; një art për të cilin do të flitet gjatë.”
Attilio Bertolucci, poet, 1999.
 
“Shpend Sollaku Noé është një intelektual i madh poliedrik.”
Floriana Gavazzi, gazetare RAI, Radio Due, 2002.
 
Shpend Sollaku - Noe

Shpend Sollaku – Noe

“Shpend Sollaku Noé është një poet i madh që ka pasur si qëllim daljen e poezisë nga akademitë, nga aristokracitë letrare, nga ambientet mondane. Poet nga nevoja, gazetar për domosdoshmëri historike, profesor e njeri i letrave rritur në underground, politikan i lindur, martir i lirisë të shtypur. I paisur me një përgatitje solide kulturale, letrare, filologjike e muzikale, po aq sa edhe shkencore në sensin enciklopedik, poliglot, karaktert i guximshëm, kurioz nga instikti, inteligjencë akute, mendje shumë të kujdesshme për të ardhmen qoftë letrare, filozofike o qoftë politiko-sociale, Shpend Sollaku – Noé, është personalitet shumë kompleks dhe është i paisur me një ngarkesë të ngjeshur humane. Lirika e tij është aktuale, kafshuese, mallëngjyese, e vuajtur, gërvishtëse, magjepsëse.

Stelvio Mestrovich Wotninsky, shkrimtar, poet e kritik, 2010; nga parathënia e librit “Abysses-Voragini”.
 
“Mare Nostrum: një poemë thellësisht njerëzore, e regjur në dhimbje, ankth, rebelim.”
Paolo Chiozzi, Universiteti i Firences.
 
“Kurrë sʼkam lexuar një poemë kaq të bukur, por ngjethëse; kaq të ngjeshur me lirizëm, por të hidhur dhe plot helm; kaq të vërtetë, sa që të vjen të rilexosh, menjëherë pas kësaj, Shkrimet e Shejnta; kaq të përditshme, saqë të vjen të kesh nostalgji për të kaluarën; kaq shpuese e therëse saqë të vjen të veshësh dorashka para se ta shfletosh.”
Stelvio Mestrovich Wotninsky, 2010, nga parathënia e librit “Barcodë”.
 
“…Nuk rrodhi kurrë gjak i mirë midis meje e sovranëve… Autori i këtyre vargjeve, Shpend Sollaku Noé, shkruan një poezi civile, me retrospektiva në histori e mitologji, por për tʼu kthyer gjithmonë në bashkëkohoren dhe problemet e sotme të një bote të populluar nga tiranë, xhelatë, banka të kthyera në perëndi… Në qendër të veprës së tij është raporti midis fuqiplotëve dhe individit, midis fuqiplotëve e intelektualit.”
Marco Rizza, “Alto Adige”, Tetor 2010.
 
“Romani Kufiri i mjegullës i Shpend Sollaku Noé-së, shkrimtar, poet e përkthyes shqiptar, alternon momente të ashpra e ironikë. Një tension i fortë udhëheq lexuesin nëpërmjet historisë së beratasve Oresti që gërshetohet mjeshtërisht me ngjarjet e mëdha historike…”
Franz Giordano, RAI, qershor 2012.
 
“Vepra e Shpend Sollaku Noé-së renditet përkrah letërsisë evropiane që në dhjetë vjetët e fundit ka përmbledhur dëshmi me vlera absolute nga librat e Marai, Pahor, Bettizza, Brodskij e Herta Myller. Në faqet e shqetësuara e të rrjedhshme të prozës së tij Shpend Sollaku Noé prek, me një stil të magjishëm, arsyet më të thella të humanizmit e të shpirtit dhe këtu romani i tij arrin një frymëmarrje të jashtëzakonshme.”
Giuseppe Marchetti, kritik letrar, Gazetta di Parma, 2013.
 
*“frangar, non flectar” - (latinisht “Thyhem por nuk perkulem…”)
Faqe zyrtare e autorit: www.shsnoe.com
(Përgatitur nga agjenti letrar i autorit)
 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook