back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Shpella e Frashnit në Bajzë nga Ndue Bacaj

Gazeta

Logu i Shpellës së Frashnit
Logu i Shpellës së Frashnit 

Shpella e Frashnit në Bajzë

nga Ndue Bacaj

Simboli i harruar i civilizimit europianoperëndimor të Malsisë së Madhe dhe më gjerë.

Në qendrën e Komunës Kastrat, në qytetin e Bajzës, gjindet toponimi (apo më saktë hidronimi) “Shpella e Frashnit”.
Sot me kët toponim identifikohet një pus i zakonshëm në të cilin ende mbushet ujë. Nëse historia do të mbyllej me kaq nuk do të kishte ndonjë gjë të veçantë, por historia e këtij pusi me emrin: “Shpella e Frashnit”, është jo vetëm rreth dyshekullore, por mbi të gjitha ky toponim mban mbi vete një histori civilizimi dhe zhvillimi jo vetëm shqiptare ,por edhe Europerëndimore. Por në në fillim të një historie të shkurtë të këtij toponimi, dhe simbolit tij, Pusit të sotëm, apo Shpellës së Frashnit, që ende vazhdon të quhet kështu, kujtojmë se trojet ku është e shtrirë Bajza e sotme kanë qënë shumë shekuj më përpara toka të mbuluara me pyje të dendura, të cilat shfrytëzoheshin zakonisht për dimërimin e blegtorisë të banorve të Kastratit të Moçëm, që shtrihej në lartësitë e Katundit të Kastratit. Bajza si vendbanim në dokumentet zyrtare të kohëve është relativisht i vonë. Një gjë të tillë e “thonë” edhe shumë studiues dhe albanologë të shquar, si dhe vetë gojëdhënat e trashëguara të banorëve bajzjanë e kastratas. Albanologu dhe studiuesi Giuseppe Valentini ne librin “Il diritto delle Comunita nella tradizione giuridica albanese…” në faqet 236-237 përveçse tregon disa hollësi të këtij vendbanimi, paraqet se Bajza konsiderohet si fshat në vete vetëm në vitin 1881… Gjithsesi ne menduan që në kët histori të shkurtë t’i referohemi studiuesit Boshnjak At Lovro Mihaçeviq, i cili në librin studimor (plot mbresa udhetimesh dhe etnografi) me titull “Nëpër Shqipëri” në faqen 78, për Bajzën ai shkruan: “Bajza, është famulli që nga viti 1825, vit prej të cilit datojnë edhe librat e amzës së famullisë. Kisha është e bukur, e ndërtuar në vitin 1808, me ndihmën e monarkisë sonë. (Duke ditur se Perandoria Austro-hungareze ka qenë mbrojtësja më e mirë e trevave katolike të veriut, nga raprezaljet Otomane, ne mendojmë se monarkia që përmend ky studiues është pikrisht ajo Austro-hungareze… (shënim i imi N. Bacaj). Famullia, shtrihet e tëra në rrafshinën pranë liqenit të Shkodres dhe numron 10 fshatra me 1240 banore.” Gjithsesi “Shpella e Frashnit” si toponim ka një histori të trashëguar nga nji brez në tjetrin, ku ne menduam të shkruajmë atë më të besueshmen: Shpella në fjalë, e cila përreth kishte si dru pyjore mjaft Frashna (pasi pyll ishte edhe vete Bajza), gjatë dimrave nga banoret e Kastratit që dimronin në këtë zonë fushore (shek. XVII), nuk kishte problem ujit, as për blegtorinë apo për njerëzit, pasi e merrnin këtë në breg të liqenit, si dhe në hurdhanat që krijoheshin nga rreshjet. Mirëpo dalëngadalë freskia që sillnin pyjet, si dhe mbarësia e disa tokave që filluan të kultivohen bënë që disa familje të ardhura, apo autoktone nga Kastrati të qëndrojnë për të banuar më gjatë se në dimër në trojet e Bajzës. Verërat e thata krijuan probleme me ujin e veçanërisht me atë të pijshëm për njerëzit. Kështu filloi kërkimi i ndonjë burimi uji nëpër pyje, por kërkimet qenë të vështira dhe pa rezultat, derisa një ditë u mendua të ndiqej një kalë (kali është edhe simbol i dashamirsisë me njerëzit), i cili largohej larg në pyll dhe vinte me bark të fryrë, ndoshta nga uji që pinte. Rezultati i ndjekjes së kalit kishte qënë i shkëlqyer, pasi kali shkonte pikrisht aty ku është pusi sot, dhe atëherë ishte një shpellë e cila në një thellsi të vogël, pak metërshe nxirrte ujë. Duke qënë se shpella kishte njëfarë hapsire dhe me “shkallë natyrale” kali ulej ngadalë dhe pinte ujë… Kastratasit që e zbuluan ketë vendosën të bëjnë një farë konstruksioni në kët shpellë, si edhe e emërtuan “Shpella e Frashnit” pasi kjo shpellë ishte pikërisht pranë një frashnit të madh që dallohej nga zhvillimi dhe ngjyra jeshile me të tjerët përreth, ku me sa duket kjo vinte pasi rrënjët e këtij Frashni ushqeheshin me ujë pikrisht në burimin e ujit të kësaj shpelle.

Ndue Bacaj
Ndue Bacaj

Kaluan vite e shekujt dhe Shpella i shfaqte burimet e ujit gjithnjë e më thellë, (gjë që bëri të thahej edhe vetë Frashri simbol), deri sa banorët përreth u detyruan të mbushnin ujë më mjete (qypa, vlakë apo kova) që lëshoheshin me litar apo diçka tjetër. Mbasi Bajza u bë famulli në vitin 1825, Shpella e Frashnit filloi të njihej në mbarë Malesinë e Madhe, si burim i një uji të mrekullueshëm për të pirë, aq sa shpesh thuhej se je bërë i shijshëm si me pa pi ujë te Shpella e Frashnit… Ndërtimet dhe meremetimet e Shpellës së Frashnit nuk kanë rreshtur asnjëherë derisa Vojvoda i Aliajve, famemadhi Zenel Shabani, në vitin 1905, i punoi me mjeshtri dhe me shpenzimet e veta Grykën e mrekullueshme Shpellës së Frashnit në të cilën mbushnin ujë banoret e Bajzës e më gjerë… Por kjo është njera anë, pasi Shpella e Frashnit për rreth Dy shekuj u bë edhe vendi ku mblidheshin Malsorët e Bajzës të Kastratit, të Malësisë së Madhe, e më gjerë. Shpella e Frashnit me vendin përreth u bë simboli i Kuvendeve ku mblidheshin burrat e urtë e trima, për të marrë vendime të rëndësishme për të mbrojtur trojet e Kastratit, Malsisë e Shqiptarisë nga pushtues e sundues të ndryshëm…
Tek kjo Shpellë u morën vendime edhe për të lehtësuar e ndihmuar jetën e Kastratasve e Malsorëve, duke sfiduar shpesh nyje (nene) të Kanunit, dhe duke lehtësuar edhe plagën e Gjakmarrjes…

Bukuritë e Bjeshkëve Shqiptare
Bukuritë e Bjeshkëve Shqiptare

Por Shpella e Frashnit në histori njihet mbi të gjitha si Vendi apo Logu ku në dite festash e gëzimesh mblidheshin banorë e banore të Kastratit, të Malësisë së Madhe e shpesh edhe të tjerë, për të festuar dhe zgjedhur Femrën apo Mashkullin ma të Bukur e ma të hijshëm të këtij Logu, që thirrej “Logu te Shpella e Frashnit”, Bajzë.
Bukuria e cilësuar nga në juri malësoresh “Çertifikohej’ me fjalet “Ka da apo ka dallua mbi të gjithë te Shpella e Frashnit!”. Femrat apo edhe mashkujt që dalloheshin këtu për bukurinë e hijeshinë atëherë nuk quheshin si sot, “Miss Bukuria”, por vlersimi ishte i “njejtë” me Mis Bukurinë e sotme, por me një dallim tjetër të madh, sepse në ato kohë Femrat dhe Mashkujt visheshin me kostumet kombëtare, që jua shtonin shumfish hijeshinë e jo si sot “alla franga”, njëlloj si në Malësi, si në Shqipëri apo diku nëpër Botë.
Sidoqoftë te Shpella e Frashnit në ditë Logjesh këndohej e kërcehej, si dhe zhvilloheshin gara të ndryshme, deri edhe gjuajtje shenji me armë e tjerë, të gjitha nën një rregull e disiplinë të admirueshme…
Të gjitha çfarë shkruam ma sipër erdhën vrullshëm deri në fundin e nëndorit të vitit 1944, kur në pushtet erdhën komunistët, të cilët me metoda të reduktuara e rafinuara lejuan ndonjë “log” deri në vitin 1967, vit kur edhe Logu te Shpella e Frashnit merr fund për t’u ringjallë disi mbas vitit 1991, kur sistemi komunist u rrëzua…

Xhubleta dhe veshja malsore sot...
Bukurite dhe veshjet e malsore…

Shpella e Frashnit tashma i ngjan një pusi të rregulluar disi në mënyrë ma moderne, por pa humbë emrin dhe traditën e mrekullueshme që trashigohet edhe sot në fillimet e shekullit të XXI. Ky Log kurrë nuk duhet të harrohet, pasi kështu harrojmë atë pjesë të historisë, të civilizimit e zhvillimit, që na ka mbajtë të “lidhun” e do të na mbajë pazgjedhmësisht të “lidhun” me Europën perëndimore, së cilës i përkasim me rranjë, me trung e me degë, pavarësisht nga degëza të cilat po të shkëputen nga këto rrënjë nga trungu e degët, degëzat do të thahen, mbasi të shkëputuna nuk do të munden të “marrin ujë” nga Shpella e Frashnit…
Për këtë histori rreth dyshekullore mendojmë se “Shpella e Frashnit” meriton “shpërblimin” që i takon në histori, atë të shpalljes Monument Kulture…
Marrë nga Albdreams

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.