back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Shkrimtari në “Rrugën e Golgotës” – At Zef Pllumi për veprën e Kasëm Trebeshinës

Gazeta

At Zef Pllumbi - pikturë e Pashk Përvathit
At Zef Pllumbi – pikturë e Pashk Përvathit

Shkrimtari në “Rrugën e Golgotës”

At Zef Pllumi për veprën e Kasëm Trebeshinës

Së pari u njofta me Kasëm Trebeshinën ne atë vorr të madh të përbashkët të Ballshit, i cili kishte nji emnim shumë të gjatë: “Reparti i Riedukimit të të Dënuarve për Krime Kundër Shtetit”.
Në atë vorr gjigand gjezdisshin kufomat tona, në atë oborrin e vogël mes barakave, ndërmjet orëve të mësimit të veprave të pavdekshme të nji njeriu që e kishte shpallë veten “zot”. Unë atëherë isha nji i burgosun i vjetër, dhe si i tillë këqyrsha me nji sy kureshtar e hetues të gjithë ata që vijshin rishtas në vorrin tonë: Kush asht? Përse e kanë prù? Nga vjen e me cilin rrin? E kështu gjatë e gjatë deri në pafundësinë e pyetjeve. Bahej në fillim fotografimi i personit, mbledhja e dokumentacionit dhe kundërdokumentacionit verbal. Ma vonë vinte takimi vetëm me sy, ose ndonji rastësi e pregatitun, nga e cila shkaktohej, të shumtën e herës, vazhdimësia ose këputja e marrëdhënieve: këtë e përcaktonte kryesisht ajo që na nuk e njofim në jetë, por e thërrasim: puqje e karaktereve.
Informatat ose, ma mirë me thanë, thashethaniet për Kasem Trebeshinën ishin aq kontradiktore, sa me çmendë: asht komunist i orëve të para, nji kriminel i regjun; -komandanti ma i ri i çetave partizane, ma trimi e ma i pregatituni; asht njeri i çmendun, maniak, skizofren, edhe spiun; – asht shumë i ndershëm, patriot i vërtetë, burrë i papërkulun; shkrimtar, filozof, nji gjeni i vërtetë… etj. etj.
Kasëm Trebeshina - Rruga e Golgotës
Kasëm Trebeshina – Rruga e Golgotës
Do t’më duhej nji virtyt tepër i madh për me i shpëtue tundimit t’asaj kureshtje që pata për njohjen personale me këtë njeri që kishte kaq shumë epitete. Rastësinë e takimit e koordinoi nji mik i të dyve, Parid Derani. N’atë rasë formova bindjen e thellë se Kasem Trebeshina ishte nji ndër talentet ma të rralla të letërsisë. Po veprat ku ishin? Jo vetëm unë, por pothuej kurrkush nuk kishte lexue ndonji libër të tij: ata nuk ishin botue dhe as nuk mund të botoheshin, mbasi nuk i përfshinte kallëpi i “realizmit socialist”, sepse nuk hidhshin kem, thimjam, n’altarin e “zotit të ri” “satan-beut”.
Periudha e tiranisë qe nji fat tepër i keq për letërsinë shqipe. Tirania nuk ndrydhi vetëm mendimin e lirë e lirinë e veprimit, por damin ma të madhin e bani tue deformue shijet artistike e tue shkatërrue gjithë pasuninë gjuhësore. Nën pretekstin e nji gjuhe të bashkuar, – imponoi me dhunë nji zhargon politik me të cilin u shkruen mija e mija volume me nji pasuni gjuhësore prej njëqind fjalësh. U dënuen me vdekje ato vepra letrare me të cilat letërsia jonë mund t’rrinte në radhë me tjerat letërsi botnore. Nuk asht fjala vetëm për poetët e shkrimtarët, kundër të cilëve luftojshin me tërbim komisaret letërsisë partizane në Shqipni, por për ato krijimet ma të bukurat dhe ma artistiket e popullit tonë si “Cikli i Kangëve të Kreshnikve” e Visare tjera Kombtare, nëpërmjet të cilave ndër votrat shqiptare jepej mësimi i virtyteve të lashta, besës e burrnisë, e njikohësisht edhe edukimi artistik ma i përkryem për fjalën kumbuese, shprehjet e figuracionet letrare.
Lufta partizane kishte mbarue me 1944, por ajo vazhdonte po me ato metoda, po me atë tërbim në lamijet e kulturës e sidomos në letërsinë shqipe, tue përpjekë se kush e kush me zanë majat ma të naltat: Vandalizmi kulturor, letrar, gjuhësor e artistik, që u zhvillue këtu ndër ne, qe i pashembullt edhe në historinë botnore. Në këtë funeral të kulturës shqiptare merrte pjesë për t’i këndue me eufori Requiem-in i gjithe kori pseudo-shkrimtarëve, i pseudoshkencëtarëve, i pseudoakademikëve, i pseudointelektualëve, të gjithë në garë për t’i dhanë lavde zotit të ri, krijuesit të gjithpushtetshëm të nji inteligjencie injorante.
Sot, që shifet kjartë nga të gjithë falimentimi i plotë i brutalitetit kultural, shumëkush po nxiton të shpallet e të vetëshpallet “shkrimtar disident”, dhe në vend që të thonë nji “mea culpa”, e t’i kërkojnë ndjesë këtij populli të rrejtun, dhe t’i dishmojnë se o nga frika o nga injoranca ose nga arrivizmi ata vetë ishin dhunuesat e visareve, shkatrruesat e gjuhës e të letërsisë, vandalët e kulturës e t’arteve, shtypsat e mendimit të lirë dhe adhuruesat servilë të tiranisë ma skllavnuese të shekujve, sot pretendojnë gjithnji të jenë pishtarë ndriçues të së sotmes e të së nesërmes!
Kundër gjithë këtyne ndigjohet nji za: ai i Kasëm Trebeshinës, për të cilin po flasim sot tue ju ba të njoftun romanin e tij “Rruga e Golgotës”.
Me keqardhjen ma të madhe duhet t’u shpjegohet sot shumë shqiptarëve të shkolluem ajo që dikur e dijshin të gjithë fëmijët tonë, se Golgota, që hebraisht don me thanë Vend i Rrashtave, asht nji kodrinë e vogël e Jeruzalemit, në të cilën u kryqëzua Krishti. Në letërsinë botnore të këtyne dymijëvjetve ky toponim asht përdorue aq shpesh, sa asht shndrrue në symbol apo edhe asht shpërdorue, siç ka fillue ndër këto ditë edhe me symbolet biblike në letërsinë tonë shqiptare.
“Rruga e Golgotës”, të cilën autori nuk e ka quejtë as roman as novelë, por ka parapëlqye ta emnojë: “një përrallë dimri”, ai nuk na paraqet e shtjellon vuejtjen e gjatë që bajti mbi shpinë ai e gjithë populli. Me mjeshtërinë ma të madhe të nji artisti me këtë vepër autori ka krijue Epikën e Filozofisë. Lufta e Dytë Botnore ishte apo jo nji luftë ideologjike? Ai posteri – l’ardua sentenza – thotë Manzoni (brezave t’ardhshëm po ua lamë këtë gjykim të vështirë!). Pra, po e lamë, jo për t’i ikë nji gjykimi ose analize të thellë shkencore historike, nga i cili mund lindin shumë diskutime të pa vlefshme ose të gabueme, por sepse autori këtu na pasqyron me ngjyra të gjalla ate epokë të çoroditun kur shumë njerëz të mirë, të drejtë e të pastër në idealet e veprimet e tyne, qene luftarë e heroj te nji kauze aq absurde, e cila pretendonte se vetëm me violencë mund të ndërtohej pallati madhështor i Drejtësisë njerëzore mbi tokë.
Autori shfrytëzon nji episod krejt të zakonshëm, të parandësishëm dhe të panjoftun t’asaj lufte që vetë quhej “çlirimtare”, për me na tregue bërthamën e vërtetë t’asaj lufte titanike që zhvillohet gjithmonë, gjithmonë gjatë shekujve, ndërmjet Pambarimit dhe Hiçit, ndërmjet Ujkut dhe Qingjit, ndërmjet të Drejtës dhe te Shtrembtës.
Gani Tahiri dhe Evangjelisti, protagonista të romanit, përshkojnë të njajtën rrugë me kambët e tyne, por jo me kokat: ata kanë të njajtin qëllim final, të njajtat dishira supreme dhe të njajtat synime. Ndërsa këta ecin se bashku krah për krah, të drejtë dhe të pa trembun, anash tyne ndërthuren rrugët zig-zage, leqet, pritat, kurthet e Osmanit, Sekretarit Politik, cfurk i “Satan-Beut”, hajdut i lavdisë historike.
Mbrenda tri ditëve autori zhvillon atë luftë të madhe që ishte dhe do të vazhdojë deri në pafundësinë e shekujve.
Mbas leximit të këtij romani, i cili shtjellon po atë temë me të cilën u muer letërsia shqiptare që nga vjeti 1945 e deri në 1990, ajo periudhë e gjatë e “realizmit socialist”, mbetemi të tronditun: gjindemi para dy botëve të kundërta.
Asht tepër e njoftun në kritikën letrare ajo thania e vjetër se protagonisti i veprës identifikon vetë autorin. E gjithë letërsia e realizmit socialist paraqet vetëm nji tip të Komisarit Politik: Trimin, të Mendshmin, të Dijtunin, t’Urtin, Farkëtarin, Arkitektin, ai i cili asht kërthiza e “zoti i ri” ndaj të cilit përulemi, adhurim total. Ndërsa këtu protagonisti Gani Tahiri asht po ai Prometeu mitologjik, por i palidhun, që lufton me forca vigane kundër njerezve, kundër botës, kundër vetes, kundër Zotit, vetëm e vetëm për të gjetë Drejtësinë mbi tokë, veten, atdheun e Zotin e vërtetë.
.
Vepra e Kasëm Trebeshinës botuar te Buzuku - Kosovë
Vepra e Kasëm Trebeshinës botuar te Buzuku – Kosovë
Vizionet e shumta të shkrimtarit në “Rrugën e Golgotës” – janë aq të fuqishme, të nalta, të frymzueme si ato të nji Apokalipsi. Kam besim të plotë se lexuesi shqiptar, edhe pse i traumatizuem nga periudha e gjatë e letërsisë servile, ka për t’i shijue vlerat reale të mendimit, kulturës, artit dhe karakterit moral që ravizohen te “Rruga e Golgotës” dhe të tjera vepra të Kasëm Trebeshinës, të cilat pa dyshim po çelin nji periudhë të re në letërsinë shqiptare.
Njikohësisht baj urimet për të gjithë njerëzit e letrave të shqipes, artistave dhe intelektualëve, që si “Djali Plangprishës” të këthejnë përsëri në shtëpinë e vet atnore për t’i dhanë sot e mbrapa popullit shqiptar jo helmin e hidhun, por mjaltin e ambël.
 .

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.