back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Shkëlqim Abazi – njeriu qi i mbijetoi Skëterrës dhe gdhendi te vërtetën e tij të Repsit dhe Spaçit

Gazeta

Shkelqim Abazi
Shkelqim Abazi

Shkëlqim Abazi – njeriu qi i mbijetoi Skëterrës

dhe gdhendi te vërtetën e tij të Repsit dhe Spaçit

Në moshën 16 vjeçare, Shkëlqim Abazi nga Berati, ishte një nga të burgosurit më të rinj të burgut të Spaçit; një burg me punë te detyruar në veri të Shqipërisë.
I ndërtuar në një faqe kodre të pjerrët, burgu i Spaçit bënte që të burgosurit të punonin me orë të gjata në kushte të rrezikshme pune, duke gërmuar bakër dhe pirit në miniera të thella ku temperaturat varionin nga nën zero deri në 40 grade celsius.
Vdekja nga uria nuk ishte e rrallë. Të burgosurit ushqeheshin në sasinë minimale që duhej për të përballuar punën e rëndë. Rojet e burgut aplikonin abuzim sistematik për të dobësuar gjendjen psikologjike të të burgosurve. Të burgosurit bënin punë të rëndë ditë për ditë duke mbushur vagona me mineralet e rënda; n.q.s. ata nuk arrinin normën ditore, atëhere dënoheshin mizorisht duke variuar nga lidhja me tel në shtylla elektrike, e deri në një muaj birucë.
.
Shkëlqim Abazi në moshën e rinisë
Shkëlqim Abazi në moshën e rinisë

Edhe sot, në moshën 68 vjeçare, mbas fasadës së përmbajtur dhe gazmore të Shkëlqimit, fshihen provat e persekutimit ndaj të burgosurve të kampit. Ai është i verbër në një sy dhe i shurdhët në veshin e tij të majtë; shumë nga gishtat e tij janë të traumatizuar dhe brinjët i ka të thyera.

Shkëlqimi protestoi shkatërrimin e kishave dhe xhamive kur Shqiperia e shpalli veten vend ateist në marsin e vitit 1967. Ai u përplas me oficerë të Sigurimit të Shtetit gjatë këtyre protestave, por nuk u arrestua deri një vit me pas me akuzën e agjitacionit, propagandës dhe përpjekje për arratisje nga Shqipëria.
Si i burgosur, ai dëshmoi ekzekutimet dhe torturat psikologjike dhe fizike të shkaktuara ndaj shokëve të tij, të cilat ai i cilëson si “tortura brenda torturave”. Por Shkëlqimi, thotë se besimi në Zot i mundësoi të mbijetonte në rrethana kaq të pashpresa dhe të tmerrshme.
Sot ai është i martuar, baba i 3 fëmijëve dhe autor i disa librave. Ai shkruan pa kursyer asnjë detaj mbi eksperiencat e tij në këto kampe. Ai thotë se shkruan në mënyrë që t’i lërë këto histori mbrapa për gjeneratat e ardhshme.
Në fjalët e tij:
“Unë kam lindur me 23 Dhjetor, 1951. Numri 23 me ka ndjekur përgjatë gjithë jetës time.
Kam lindur në një stallë lopësh. Jo se mamaja ime donte të më lindte aty, por kështu ishte fati. Në një anë ishte lopa jonë, Molla, dhe në anën tjetër isha unë. Lopa lindi viçin e saj dhe nëna ime më lindi mua. Në vend që të lëpinte viçin, lopa më lëpiu mua. Ajo e lëpirë… me ka ndjekur gjithë…
Kjo është e vërteta. Çdo gjë e keqe që më ka ndodhur në jetën time, më ka ndodhur në datën 23. Në 23 me çuan në Spaç, dhe në 23 janë ekzekutuar 4 nga shokët e mi…
Hetuesit ishin një makth i vërtetë me torturat e tyre psikologjike dhe fizike që varionin nga kërcënime, ofendime, sharje, kërcënime me jetë, e deri te abuzimi fizik si psh kur më prangosnin këmbet dhe duart për periudha të gjata kohore, ndërkohë që më rrihnin me shkop druri pasi më kishin mbushur zorrët me rërë.
Si rezultat i këtij abuzimi, sot mbas 50 vjetësh, kam një plagë në ballë, e cila më ka lënë të verbër në një sy, të shurdhët në një vesh, disa brinjë të thyera, dhe gishtat të traumatizuar.
Dita e një të burgosuri mund të përmblidhet në pak fjalë: Bilbila, dhunë, punë, apele.
.
Shkelqim Abazi
Shkelqim Abazi
Vetëm besimi në Zot dhe besimi se një dite e Mira dhe e Drejta do të triumfonin dhe që Komunizmi do të binte, me motivonin dhe më shtynin që të mbijetoja në burgje. Kjo është e vërtetë për mua dhe për qindra shokë të mi bashkëvuajtës.
Sa për historinë e familjes sime, nuk ndryshon shumë nga historia e mijra e mijra familjeve të tjera shqiptare. Por gjeja më e rëndësishme ishte ndjenja e përkatësisë ndaj një kombi etnik i cili ishte kundër axhendës komuniste dhe internacionaliste.
Ka pasur një episod me shokun tim Ram Tahirit nga Rugova. Kur takoi nënën e tij që erdhi për ta vizituar nga Kosova, ajo i tha birit të saj: “S’e kemi fort dertin tand, sepse vërtetë të kanë futur në burg, por të kanë shti vllaznit e tu, që mishin ta hanë por ashtin ta rujnë. Ç’kena me i ba tjetrit që e kanë dnue serbët në Goli-Otok?” Te cilat sollën përgjigjen epike të Ramës që i kushtoi një muaj izolim në birucë.
Shokun tim Ramë, e kanë hedhur në një birucë të izoluar, sepse bëri ca komente negative për Enver Hoxhën; e krahasoi me një ujk. Ai ka thënë: “Ujku të paktën i le kockat, por Enveri i ha dhe ato!”
Ai i hëngri me të vërtetë ato kocka pasi me qindra vdiqën në burgje. Edhe sot që po flasim ka shumë trupa që nuk janë gjetur.
Katër nga shokët e mi më të mirë, dy nga të cilët i kam pasur shumë afër, janë ekzekutuar në Revoltën e Spaçit. Edhe sot, familjet e tyre nuk e dinë se ku gjenden kockat e tyre. Më trishton shumë kur dëgjoj që Gjilani donte të ndërtonte një statujë për Enver Hoxhën. Ne kemi shumë heronj që e meritojnë t’u bëhet statujë; jo një po shumë!
Ju tregova vetëm një fragment të jetës sime… Kam shumë e më shumë të tjera sepse pata shansin që të isha i burgosuri më i ri; jo prej politikës, por prej kohës.
E vetmja gjë që di te bëj është të shkruaj. Shkruaj kur nuk jam në humor të mirë.
Çdo ditë, mallkoj këte qeveri për 4 orë.
Nqs nuk e mallkoj këte qeveri për 4 orë, nuk mund të shkruaj…
Një profesor mori përsipër përgjegjësinë që te publikonte librat e mi. I kam shkruar këto histori që t’i le pas, jo që t’i marr me vete.
 
Shkëlqim Abazi ka lindur ne 23 dhjetor 1951, në Berat. Ai është 68 vjeç dhe jeton ne Berat. Është autori i librave “Reps, Kampi i Punës së Detyruar” dhe “Spaç, Varri i të Gjallëve.”
 
Marrë ngahttp://evenwallshaveears.org/story/shkelqim-abazi-2

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.