Shi ndër pisha poezi nga Gabriele d’Annunzio (në shqip nga Jozef Radi)

Gabriele d'Annunzio (1863-1938)

Gabriele d’Annunzio (1863-1938)

Prandej do të kisha dashtë, që ky liber poezish të dhurohesh,
si nji “bibël dashnie” n’nji vend që po e mbyt urrejtja.
Do të ishte nji mrekulli, sikur gjithkush t’ia dhuronte dikujt!!
Jo pse e kam punue unë, e kanë gdhendë tjerë, unë veç transportues modest jam për te ju.
Por, e kam transportue dashninë me shumë dashni…!
Pse ky libër asht i gjithi dashni. Asht gjuha e përbotshme e ndjenjave
që duhet dhurue, që duhet mësue, që duhet recitue… që duhet ba monument!
Mbas leximit, keni m’u ndje ma të bukur, ma të thellë, ma të vërtetë…
Besoj se, çfardo vlere t’ketë ky libër, s’ka me e la dot vlerën e mundit tem për të…
Pse asht dashni e vërtetë, e si e tillë, s’ka monedhë (as n’ar),
që mundet m’i ble krejt shpirtnat e kangës, që rrijnë ndry aty mbrendë… jozef radi
Pjesës nga paraqitja e librit “Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je”
Poezia shi ndër pisha asht pjesë e shkëputun prej këtij libri…
.
Jozef Radi - Përkthime - "Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je"

Jozef Radi – Përkthime – “Veç mundem me të dashtë, njashtu siç je”

Shi ndër pisha

poezi nga Gabriele d’Annunzio

Heshti. Njaty buzë
korijes s’ndigjoj
t’thuhet asnji fjalë
njerzore; ndigjoj
veç do fjalët t’reja
çuçrruese bulzash
e fletzash prej larg.
Ndigjoje. Asht shi tuj ra
prej resh shkapërda.
Bjen shi ndër marinza
t’njelmta e t’ndezuna,
bjen shi ndër pisha
t’laskrueme e t’gafrrueme,
shi ndër boronica
hyjnore,
e ndër gjineshtra plot
veriga lulesh t’shndritshme,
shi ndër dëllinja të denduna
me kokërrza dehëse,
bjen shi ndër ftyrat tona
të shenjta,
shi ndër duert tona
të xhveshuna,
e ndër teshat tona
të shlirta,
shi ndër mendime të freskëta
dhe shpirti na çel
rrëfimesh,
njat prrallën e ambël
që dje
t’ka dehë ty, e sot po m’deh mu,
o Hermionë.
A e ndin? Shi asht tuj ra
ndër vetmi
të gjelbërta,
nji mërmërimë pafund
n’ajër shpërdahet
njashtu gjethesh e degësh
herë shpeshtë e herë shtruet.
Ndigjoje. Si i gjegjet
ktij vaji nji kangë
gjinkallash
dhe përlotja e Jugës
s’i tremb aspak,
e as qielli përhijtë.
Dhe pisha
ka melodinë e saj, boronica
t’vetën, dëllinja diçka krejt tjetër,
eh ç’larmi muzike
ndër gishta t’panumërt.
Tretë n’amshim
ndjehemi shpirtna
t’pishnajës
tuj jetue jetën mes pemsh;
dhe ftyra jote e dalldisun
ledhatue prej shiut
si nji gjethe,
dhe kunora e flokëve tu
shndritë
si kreshtë gjineshtre,
o krijesë tokësore
që tanë të thrrasin
Hermionë.
.
Shiu ndër pisha

Shiu ndër pisha

Ndigjoje, ndigjoje. Akordin
e frymës së gjinkallave
që ngadalë
ma i shurdhët
bahet njat ngashërim
që veç madhohet;
e nji kangë trazohet
ma e ngjirun shfaqet
e prej teposhte zgjahet,
prej hijes s’lagët e t’largët.
Ashtu e shurdhtë, e mektë
shtanget e shuhet.
Nji notë e vetme
drithëron ende dhe shkrihet,
përtërihet, drithëron dhe shuhet sërish.
E s’ndjehet ma kanga e detit.
Tash ndjehet ndër gjethe
frushurima
e shiut t’argjendtë
që përmbyt,
me njat zhurmë që varion
prej dege n’degë
her’ ambël, her’ rreptë
Ndigjoje.
Bijën e flladit
krejt nemitë, pse bija
baltës së largët,
bretkosa,
këndon hijesh ma t’thella,
kush e di ku, kush e di ku!
Dhe shi bjen mbi qerpiktë e tu,
Hermionë.
.
Nji notë e vetme drithëron ende dhe shuhet, rilindet, drithëron dhe shuhet sërish.

Nji notë e vetme
drithëron ende dhe shuhet,
rilindet, drithëron dhe shuhet sërish.

Shi bjen ndër qerpikët e tu t’zi
e dukesh si ngashërim
me do lot kënaqësie; jo të bardhë
thuej tashma të blertë,
thue se prej lmyshku shfaqesh.
E krejt jeta ndër ne bahet e fresktë
e parfumtë,
e zemra n’gjoks si nji pjeshkë
paprekun,
e midis qepallash tua, sytë
si kroje derdhen livadhesh,
e ndër dhambtë si hojza,
njata sy si bajame t’idhnueme.
E shkurre mbas shkurresh shkojmë,
herë bashkë, herë ndamas
(e fuqia e gjelbërimit t’egër
gjymtyr’t na i lidh
e gjunjtë na i hallakatë)
kush e di ku, kush e di ku!
Bjen shi ndër f’tyrat tona
të shenjta,
shi ndër duert tona
të xhveshuna,
e ndër teshat tona
të shlirta,
shi ndër mendime të freskëta
e shpirti na çel
rrëfimesh,
njat prrallën e ambël
që dje
t’ka dehë ty, e sot po m’deh mu,
o Hermionë.
.
Sjellë në shqip nga Jozef Radi, 5-6 maj 2017

.

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Kafe letrare, Përkthime  Etiketat: , , , ,
2 Përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Profesor Lamja, shënimi juaj është një perlë poetike, ju falenderoj nga zemra… Për kënaqesine e rileximit të gjitha shënimet tuaja, që janë njeri më i bukur se tjetri dhe njeri më vlerësues se tjetri, janë pjesë e këtij shkrimi. Ju falenderoj nga zemra të gjithëve për gjithë shënimet tuaja… Ndjehem i shpërblyer në mundin tim…

  2. Jozef Radi Tha:

    Hortensia Haxhiademi Pëllumbi:
    …a thue se prej lmyshkut asht shfaqë edhe ne gegnisht Josef e blertë

    Shpend Sollaku Noé: Un’isolito D’Annunzio, largo e fluido, in una perfetta traduzione alla Jozef Radi. Che piacere infinito!

    Jozef Radi: Të falenderoj Shpend, shumë… prej teje e ndjej edhe më shumë mundin për realizimi e kësaj poezie në shqip…

    Shpend Sollaku Noé: E lexova disa herë dhe, ovviamente, u kënaqa shumë. Në këto kohra hemoragjish të përkthimeve të zgjedhura keq e të përkthyera mos më keq, është lumturi të gjesh një si ty që humbet kohën tënde të çmuar për të na dhuruar kënaqesi si këto. Pastaj D’Annunzio è D’Annunzio, ma anche Jozef Radi è Jozef Radi.

    Lame Fandi: …erdhi dhe tek unë (nga afër a nga larg? Apo ndoshta ishte brenda meje dhe sot, në këtë ditë të bukur dhe të qetë maji, u desh një tundje degësh të gjelbërta nga një djalosh si ti, të zbrazte pikat e panumërta të shiut mbi tastierë dhe të tregonte me fjalët zhytur e tretur ndër emocione, se ç’ështe poezia dhe poeti?) … Po se mos vetem tek unë… erdhi te Natasha, te Hortensia, te Shpendi dhe do të shkojë kushedi se ku dhe kushedi se te sa njerëz, për t’u falur një kënaqësi të rrallë. Ta kam thënë dhe herë të tjera Jozef: gjuha jote të bën të harrosh se ka dialekte. Ajo, sa del prej teje, hyn te secili, duke i gjetur dyert gjithmonë të hapura.

    Laura Kylheku: E mrekullueshme Jozef! (pas këtyre përkthimeve të tua, autostima ime mçifet nën shojet e këpucëve) Të lumtë!

    Ilirjana Stankaj: Lexova e rilexova përkthimin ma dinjitoz të Gabriele d’Annunzio-s, për t’cilin s’më mbetet tjetër veçse nji përgëzim shumë i sinqertë për punën tuaj shumë serioze e t’përkushtueme (kishit shënu diku 5-6 maj, ky do thotë seriozitet n’përkushtimin ndaj nji pune, aq ma tepër nji poezie)!
    M’vjen keq që d’Annunzio pothuajse s’njihet n’vendin tonë…
    Mbetet ndër poetët ma t’mirë t’letërsisë italiane, penën e t’cilit e kam pëlqye menjiherë para shumë vitesh, kur e kam lexu. Ju e rikthyet mrekullisht n’nji gegnishte t’ambël e t’rrjedhëshme, për t’cilën ju përgëzoj e shpreh vlerësimin tim maksimal!
    Ju lumshin duart e mendja për prurjen e nevojshme tek lexuesi shqiptar.
    Respekt e falenderim, z.Jozef!!

    Shpend Sollaku Noé: Në Shqipëri nuk janë të interesuar për poetin e madh D’Annunzio. U mjafton të kujtohen që ka qenë fashist.

    Ilirjana Stankaj: N’Shqipni shumë punë nuk shkojnë siç duhet t’shkonin, pikërisht për faktin e thjeshtë se logjika pak funksionon, zakonisht ecet me paragjykime në çdo aspekt…
    E ç’lidhje ka ideologjia me lirikat?
    As unë nuk justifikoj fashizmin, as nazizmin, as komunizmin, kurse lirikës së mirë i heq kapelen!

    Ermira Xhomaqi: Kjo poezi është shumë më shumë se një përkthim… është një rigjetje që të fton në leximin e një harmonie kaq origjinale… Vetëm një njohës i thellë dhe i rafinuar i rrafshit poetik mund të krijojë përshtatje dhe ritme të tilla, që u lënë vargjeve po atë kthjelltësi e ndjeshmëri, për të risjellë në rikthim po aq bukuri e dimension emocional në shqip; si një matricë, ku në linja e kolona strukturohet fare mirë një funksioni i trefishtë e i njëtrajtshëm midis autorit-përkthyesit e lexuesit… Një mjeshtri e rrallë kjo ndërthurje, e për këtë Jozef një “Grand merci!”

    Yzedin Hima: Vetëm një poet mund të sjellë në gjuhën e tij me kaq bukuri dhe delikatesë një poezi të një poeti të madh si D’ Annunzio.
    Përgëzime Jozef Radi!

    Imelda Haxhiu: Ua sa e bukur, të betohem m’u ngrit mishi kokërr kur e lexova. Më pëlqen shumë poezia, por në gegnisht ajo arrin kulmin e bukurisë.
    Ju përgëzoj për këtë përkthim kaq të bukur.

    Bamir Bebeziqi: E mrekullushme zotni. Më pëlqejnë fort shkrimet e përkthimet tueja e sidomos n’dialektin e Bogdanit, Fishtës e Koliqit.

    Teuta Hamza: Afascinante: …Edhe gjuha po luan rol në shpirtin e njeriut. Dikur sikur shpirti i njeriut ishte më i ndjeshem.

    Luiza Alia: Magistrale, mjeshtrore. Krijim i mirefilltë, sublim.
    Hermione che bello…
    Merita Varfaj: Një poezi që të vjen kaq bukur në gegnisht, sa mendimi i parë është, kjo është një krijim i Z. Radi dhe jo përkthim. Si gjithmonë kënaqesi për t’ju lexuar!

    Kozette Pali: Një mrekulli!!! Përgëzime z. Radi!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook