back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Shërbimi sekret” dhe zbulimi strategjik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut? – nga Paulin Z. Zefi

Gazeta

Gjergj Kastrioti - Skënderbeu - në betejë
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – në betejë

“Shërbimi sekret” dhe zbulimi strategjik i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut?

nga Paulin Z. Zefi

*Ky studim, shënon përpjekjet e para në historiografinë skënderbegiane
përsa i përket pasqyrimit sa më të plotë dhe objektiv të ngjarjeve
dhe karakteristikave që lidhen me këtë aspekt të jetës
dhe veprimtarisë së Heroit tonë Kombëtar…
Paulin z. Zefi
Pas punimeve fortifikuese, që u realizuan për të forcuar muret e kështjellës së Krujës dhe ndërhyrjeve që u kryen pranë kështjellave të tjera (1443-1444), Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i vizitoi personalisht të gjitha këto vende, të cilat i vendosi në gjendje mbrojtjeje. Distanca mesatare midis kështjellave kryesore shkonte deri në 40 km dhe lidhjen e tyre të shpejtë e bënte të mundur nëpërmjet sinjaleve, si: zjarre, të shtëna me topa, me anën e lajmëtarëve ose dhënien e ndihmës së ndërsjellët brenda një kohe mjaft të shkurtër. Duke iu referuar standardeve të kohës, u krijua një rrjet informacioni shumë i sofistikuar, sepse Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i dha një rëndësi të veçantë krijimit të shërbimit sekret dhe forcave të zbulimit strategjik. F. S. Noli, në versionin e vitit 1921, shkruan se një nga kujdesjet e tij kryesore, që kur u kthye në Arbëri, ishte të formonte “një zyrë spiunësh ushtarak딹. Këtë mendim e mbështet edhe A. Gegaj, i cili thekson faktin se: sapo u kthye në Arbëri, veprimi i tij i parë ishte përkujdesja e veçantë në procesin e organizimit të shërbimit të spiunazhit.² Edhe biografët amerikanë, C. C. Moore dhe A. K. Brackob, vënë në dukje se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu organizoi një shërbim zbulimi, i cili mund të transmetonte me shpejtësi informacionet lidhur me veprimtarinë e turqve-osmanë nga një fshat në tjetrin.³ Zbuluesit arbër gjendeshin kudo, duke nisur që nga brezi kufitar, krahinat fqinje dhe në territorin ku qëndronte, marshonte e vepronte ushtria armike.⁴ Po ashtu, ata e paraprinin ushtrinë kur depërtonte në zonat e pushtuara prej turqve-osmanë dhe të organizuar në grupe, ata lëviznin në largësi të caktuara midis tyre, me qëllim për të kontrolluar më mirë terrenin dhe për të shmangur pritat e forcave armike.⁵ Strategu i madh kinez, Sun Tzu, shkruan se “aftësia për të parandaluar” nuk është dhuratë e Zotave, as nuk arrihet duke pyetur shpirtrat dhe fantazmat, as duke bërë arsyetime apo llogari, por arrihet duke infiltruar njerëz që të na informojnë rreth gjendjes së armikut.⁶Konform këtij koncepti, Heroi jonë Kombëtar, nuk i linte asgjë në dorë rastësisë, por kishte një numër të madh agjentësh të infiltruar, të cilët i kishte rekrutuar në rradhët e palës kundërshtare. Kronikani bizantin, L. Halkokondili shkruan se: “Skënderbeu ishte vazhdimisht në përgjim, për të hetuar se çfarë donin të bënin armiqtë.”⁷ Agjentët e tij të fshehtë gjendeshin jo vetëm në bazat ushtarake turke dhe në rrugët që të çonin në Arbëri, por edhe në kryeqytetin e Perandorisë Osmane.⁸ Disa prej tyre ishin edhe zyrtarë, që mbanin poste të larta drejtuese në ushtrinë dhe në administratën shtetërore osmane. Ai kishte thurur një rrjetë të dendur zyrash, që i jepnin informacione ushtarake, nga Edreneja e deri në brigjet arbëre.⁹ Organet e tij të zbulimit, i kishin qendrat e tyre kryesore të grumbullimit të informacionit, në Edrene, Stamboll dhe në qytetin e Krujës. Dh. Frangu i përmend shpesh shërbimet e vyera të “fedelissime spie di Costandinopoli (spiunëve besnikë në Kostandinopojë/Stamboll – P. Z.)”, të cilët ishin shumë vigjilentë,¹⁰ dhe ndërsa M.Barleti rrëfen për “disa barbarë (turq), që se harronin miqësinë e vjetër dhe që i njoftonin Kryetrimit planet e Tiranit (sulltanit) me shenja jo të errëta (të njohura për të), edhe atij ia shtonin kujdesin për çdo gjë që i duhej të bënte.¹¹ Mbi bazën e një sistemi të tërë sinjalesh dhe informacioni, organet e zbulimit e njoftonin Gjergj Kastriotin-Skënderbeun për përgatitjet dhe lëvizjet e ushtrisë turke.¹² Këto organe, i siguruan atij të dhëna të sigurta për sulmin e përgjithshëm të turqve-osmanë në Arbëri me objektiv kryesor pushtimin e Krujës, para se të shpallej dekreti perandorak i sulltan Muratit II Kodja. Informacionet e detajuara filluan të qarkullojnë pranë tij, duke nisur nga fundi i vitit 1449, gjatë dimrit të viteve 1449-1450 dhe vazhduan të vinin edhe në fillim të pranverës së vitit 1450. “S’kaloi natë e s’kaloi ditë, – shkruan humanisti M. Barleti – pa lajme dhe letra për Kastriotin.”¹³ Falë këtij informacioni intensiv dhe të mirëdetajuar, ai pati në dispozicion një kohë më se të mjaftueshme për të marrë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e vendit përballë vërshimit të planifikuar të armatës perandorake osmane kundër Krujës. Edhe skeptiku O. J. Schmitt, e pranon faktin se njohja e afërt që Udhëheqësi arbër kishte me kundërshtarin dhe informacionet e detajuara që siguronte nëpërmjet agjentëve të vet sekretë, kanë arritur t’i lënë me gojë hapur diplomatët italianë në qytetin e Romës, në vitin 1454, kur një përfaqësues arbër pranë Kurisë shpalosi një tablo të plotë të ngjarjeve që po zhvilloheshin asokohe në Kostandinopojë dhe në Adrianopojë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, ishte shumë i informuar për pajisjen e turqve-osmanë me një flotë të fuqishme luftarake në Stambollin e largët, flotë, e cila kur e sheh të “duket sikur është ngritur një Kostandinopojë e dytë mbi det”, por gjithashtu njihte me hollësi edhe vështirësitë teknike me të cilat po përballej sulltan Mehmeti II Fatih, sepse vështrimi i tij strategjik përfshinte pjesë të mëdha të Perandorisë Osmane.¹⁴ Janë të shumta burimet historike që vërtetojnë se rrjeti i shërbimit sekret dhe i zbulimit të tij strategjik ishte një sistem shumë i koklavitur dhe mbulonte një hapësirë shumë të madhe gjeografike. Të dhënat mbi planet e armikut, ai i merrte edhe nga robërit dhe ushtarët e arratisur turq, siç ishte rasti i muajit gusht të vitit 1448. Pas fitores që korri në Betejën e parë të Oranikut më 14 gusht 1448, kundër Perandorisë Osmane dhe ndërkohë që Lufta Arbëro-Veneciane (1447-1448) kishte hyrë në fazën e saj kulmore, ai u nis në drejtim të Danjës, duke marrë njëkohësisht me vete edhe robërit turq, komandantin Mustafa Pasha së bashku me 12 oficerë të lartë, të cilët u mbajtën të burgosur në kështjellën e Petralbës. Nga dokumentet që kishin me vete disa prej oficerëve turq të zënë robër në shtabin e tyre madhor, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u informua mbi specifikat e marrëveshjes së fshehtë të nënshkruar midis autoriteteve shtetërore veneciane dhe atyre osmane për ta futur atë midis dy zjarreve. Po ashtu, edhe në vitin 1465, kur ushtarët e Mamica Kastriotit zunë rob një ushtar nga kampi i Jakup Bej Arnautit, i cili u tregoi atyre se ushtria osmane e përbërë nga 16.000 kalorës, kishte ardhur nga Berati dhe i kishte ngulur çadrat pranë lumit të Argilate/Argilat në Tiranën e Vogël.¹⁵ Funksionimi i shkëlqyer i shërbimit sekret, i zbulimit strategjik dhe atij taktik, përbënte një nga pikat më të forta të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu. Vetëm falë këtij sistemi të ndërlikuar, ai arrinte të siguronte të dhëna të karakterit strategjik, operativ e taktik, që kishin të bënin me kohën e nisjes së ushtrisë osmane drejt Arbërisë, me organizimin, lëvizjet, përmasat numerike, armatimin, veprimet luftarake dhe shumë detaje të tjera.¹⁶Funksionimin e shërbimit sekret me shumë efikasitet dhe shtrirjen e rrjetit të zbulimit strategjik edhe në Italinë e Jugut gjatë zhvillimit të Ekspeditës Italiane në ndihmë të mbretit Ferdinandi i Aragonës, e dëshmon bashkëpunëtori i ngushtë i Heroit tonë Kombëtar, Dhimitër Frangu, por gjithashtu të dhëna mjaft interesante në lidhje me këtë çështje jepen edhe nga vetë historianët italianë. Falë agjentëve sekretë që ishin të infiltruar në rradhët e forcave kundërshtare dhe zbuluesve arbër apo atyre vendas që shërbenin pranë tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ishte i informuar vazhdimisht mbi organizimin, lëvizjet, përmasat numerike dhe armatimin e forcave rebele (baronëve), që luftonin nën komandën e dy armiqve më të rrezikshëm të mbretit Ferdinand: princi i Tarantos, Giovanni Antonio Orsini del Balzo, (1386-1463) dhe kondotieri i famshëm italian, konti Giacomo Piccinino (1423-1465). Dh. Frangu rrëfen se pas ballafaqimit ushtarak fitimtar kundër G. Piccininos dhe arritjes së një armëpushimi të përkohshëm, pas kërkesës përgjëruese të kondotierit dinak italian, Kryetrimi arbër mori rrugën e kthimit drejt qytetit Barleta dhe asokohe një ushtar i G. Piccininos e njoftoi me ngut se ai po komplotonte kundër tij në përpjekje për ta kapur gjallë ose për ta eliminuar fizikisht.¹⁷ E gjithë kjo dëshmi u mor parasysh prej Gjergjit, që e kuptoi se ushtari i tregoi të vërtetën, të cilin e shpërbleu si një luftëtar të nderuar dhe e mbajti në oborrin e tij, ndërkohë që u përbetua publikisht se G. Piccinino do t’ia paguante shumë shtrenjtë tradhtinë që kishte dashur të kurdiste kundër tij.¹⁸ Prandaj ju përvesh punës jo vetëm për ta denigruar atë publikisht, por me diplomaci dhe me luftë ai i bëri G. Piccininos një degjenerim të plotë moral dhe ushtarak.¹⁹Përveç shërbimit sekret, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i kushtoi një rëndësi të veçantë njohjes dhe studimit të terrenit ku do të shtrihej teatri i operacioneve luftarake. Njohja e vendit, të pasur me kalime shumë të ngushta, nga përrenj të vrullshëm, me shkëmbinj e pyje të pakalueshëm, përbën parakushtin e domosdoshëm për të udhëhequr me sukses ndërmarrjet ushtarake kundër një pushtuesi numerikisht më të madh.²⁰Për këtë arsye, reparte të veçanta të ushtrisë arbëre, jo vetëm u angazhuan sistematikisht për njohjen e topografisë së vendit, por u treguan shumë të aftë edhe përsa i përket realizimit me sukses të misioneve të rikonjicionit në thellësi të zotërimeve osmane. Rikonjicioni, është një mision ose operacion ushtarak që ndërmerret me qëllim për të marrë informacion nëpërmjet vëzhgimit të drejtpërdrejtë ose metodave të tjera të zbulimit, për veprimtaritë, burimet dhe forcat e armatosura të armikut ose për të vërtetuar të dhëna që i takojnë karakteristikave gjeografike, meteorologjike ose hidrografike të një zone të caktuar. Misionet e rikonjicionit, kalorësia arbëre i kryente vetëm ose duke bashkëvepruar me ushtarët e reparteve të këmbësorisë, që bënin pjesë te vëzhguesit e shtigjeve ose forcat e zbulimit strategjik. Përpara zhvillimit të disa betejave, duke nisur që nga beteja e parë, e cila u zhvillua në “Fushën e Torviollit”, misionet e rikonjicionit i udhëhiqte personalisht Heroi jonë Kombëtar, me qëllim për t’u njohur sa më mirë me terrenin që ai vetë e kishte përzgjedhur si “Fushë-betejën ideale”. Çdo aksion i tij ushtarak në atdhe ishte fryt i një studimi të kujdesshëm topografik i të gjithë Arbërisë, të cilës ja njihte hollësisht malet, rrafshinat, pyjet, lumenjtë dhe grykat.²¹ Duke nisur që nga fillimi i Epopesë, ai studioi hollësisht topografinë e Arbërisë, duke mos lënë as mal, as fushë, as pyll, as lumë, as vijë, as përrua dhe as grykë pa matur nga pikëpamja strategjike.²² Ai e shkeli me këmbë dhe e pa me syrin e luftëtarit e të komandantit çdo fushë, luginë e mal, çdo rrugë e skutë, me qëllim për ta bërë terrenin një mbështetje të fuqishme për sigurimin e fitoreve mbi armikun.²³ Edhe atyre që i kishte pas vetes, u thoshte që për një gjeneral të mirë është shumë e nevojshme të njohë mirë, sidomos karakteristikat e rajonit që ka për të mbrojtur sa edhe numrin edhe cilësinë e ushtrisë armike.²⁴ Po ashtu, Heroi jonë Kombëtar i kushtoi një rëndësi shumë të veçantë kundërzbulimit, i cili ishte një organ i lartë shtetëror që kishte për detyrë të ndiqte dhe të zbulonte veprimtarinë e agjentëve të infiltruar në rradhët e ushtrisë arbëre dhe zbuluesve të huaj strategjikë e taktikë. Falë funksionimit të admirueshëm të kundërzbulimit arbër u bë e mundur që të dështojnë të gjitha tentativat e venecianëve dhe të turqve-osmanë për ta vrarë Gjergj Kastriotin nëpërmjet atentateve apo organizimi i komploteve nga fisnikët arbër dhe turqit-osmanë që ishin pjesë e efektivit të ushtrisë së tij. Sukseset e organeve të kundërzbulimit arbër janë të shumta, por unë po përmend disa nga ngjarjet më kryesore. Në pamundësi për ta përballuar ushtarakisht gjatë zhvillimit të Luftës Arbëro-Veneciane (1447-1448), më 4 maj të vitit 1448 (1448 – 4 maii), u shpall një vendim zyrtar nëpërmjet të cilit, Senati Venecian i premtoi një pension të përjetshëm prej 100 dukate ari në vit atij “quidam fidelis subditus noster (shtetasit tonë besnik – P.Z.)” që do të vriste Gjergj Kastriotin-Skënderbeu me atentat ose helmim.²⁵ Si rezultat i vigjilencës së agjentëve arbër të kundërzbulimit, ky plan i dëshpëruar i autoriteteve shtetërore veneciane dështoi përfundimisht, sepse këtë mision të rrezikshëm nuk mundi ta realizojë asnjë vrasës profesionist me pagesë. Në fund të muajit maj 1448, një ushtri turke u nis për të pushtuar kështjellën e Stellushit në Mat, të cilën do t’ia dorëzonin 200 ushtarët turq të garnizonit, që ishin konvertuar në krishtërim nëpërmjet sakramentit të pagëzimit, në muajin dhjetor të vitit 1443. Ushtarët turq, të cilët përbënin pjesën kryesore të garnizonit të Stellushit, kishin marrë zemër pas lajmit që ishte përhapur mbi ardhjen e sulltan Muratit II në Arbëri dhe ata filluan të hartonin plane për dorëzimin e kështjellës, duke qenë të sigurt se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu do të asgjësohej nga trupat osmane. Ushtarët turq, të cilët për 5 vite me rradhë ishin shtirur si katolikë të devotshëm(1443-1448), tani kishin dërguar njerëz tek sulltani për t’i kërkuar ndjesë për veprimin që kishin kryer në fund të vitit 1443 dhe për ta siguruar se do ta ndreqnin atë gabim, duke ia rikthyer atij kështjellën e Stellushit, nëse një ushtri osmane do t’u vinte atyre në ndihmë sa më shpejt.
Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu, në faqen e fundit të kodit “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465.
Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu,
në faqen e fundit të kodit “De Romanorum Magistratibus” i 5 nëntorit 1465.

.

Sulltan Murati II dërgoi menjëherë një ushtri nën komandën e Ibrahim Beut.²⁶Megjithatë, plani i fshehtë i 200 komplotistëve turq u zbulua nga komandanti i garnizonit të kështjellës së Stellushit, i cili, nga ana e vet dërgoi njerëz të besuar për të informuar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Plani i fshehtë i komplotistëve konsistonte në dorëzimin e kështjellës nëpërmjet tradhtisë, por duke qenë se numri i tyre ishte i pamjaftueshëm për ta kryer një mision të tillë kaq të rrezikshëm, atyre u nevojitej edhe mbështetja e një ushtrie të madhe turke, që do të rrethonte qytetin në çastin kur ata do të godisnin pas shpine pjesën tjetër të ushtarëve të garnizonit për të hapur portat e kështjellës. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i lajmëruar në kohë për këtë komplot, mori me vete 3.000 këmbësorë e vetëm 300 kalorës, u nis menjëherë drejt Stellushit dhe duke marshuar me ngut nëpër një terren malor shumë të thyer, arriti aty me shpejtësi për t’ju dhënë tradhtarëve dënimin e merituar.²⁷ Sipas G. Biemmit ata u shkuan të gjithë në tehun e shpatës,²⁸ dhe ndërsa F. S. Noli thotë se: ai dha urdhër që të gjithë komplotistët të dënoheshin me vdekje, duke i varur në litar.²⁹Në vitin 1451, falë agjentëve arbër të kundërzbulimit, u bë e mundur edhe dështimi i atentatit në pyllin e Krrabës, ngjarje kjo e mbështjellë ende nga misteri! Për detajet e këtij atentati të dështuar, na rrëfen G. Biemmi, i cili thotë se një ditë, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu po dilte nga porta e kështjellës së Krujës dhe ishte nisur drejt Rodonit për të ndjekur nga afër procesin e punimeve për ndërtimin e kështjellës së re, iu afrua një njeri i panjohur dhe e këshilloi që të ruhet, sepse në pyllin e Krrabës (selva di Cherabe), ku po shkonte, i kishin ngritur një pritë dhe do ta vrisnin.³⁰Ai nisi menjëherë Balshën, kapitenin e truprojave të veta, së bashku me një repart luftëtarësh, i cili e kontrolloi pyllin nga të gjitha anët dhe aty gjeti 8 veta të armatosur brenda në një shpellë. U përpoq me aq sa mundi për t’i kapur të gjallë, por duke qenë se ata kundërshtuan dhe u vërsulën me armë në dorë për të çarë rrethimin e për të ikur, atëherë vrau 5 veta dhe zuri robër vetëm 3 prej tyre. Nga ky grup prej 8 ushtarësh, 6 ishin turq dhe 2 arbër, nga të cilët 5 prej tyre, 3 turq dhe 2 arbër, u vranë nga ushtarët e repartit të Gardës Pretoriane. Kurse, 3 ushtarët e kapur rob, pasi u sollën në Krujë dhe u vunë nën torturë, treguan se ishin turq të dërguar prej sulltan Mehmetit II për të vrarë Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe se ishin fshehur në atë pyll të udhëhequr nga dy ushtarët arbër që mbetën të vrarë bashkë me tre shokë e tyre. Ata dëshmuan se dy udhërrëfyesit vendas, që i kishin sjellë në pyllin e Krrabës, ua kishin dhënë turqve disa kapedanë arbër, por shokët e tyre, që u vranë, nuk ua kishin treguar emrat dhe prandaj nuk i dinin. Këto ishin edhe fjalët e fundit që mundën t’u shkëputnin tre ushtarëve turq përpara se ata të jepnin shpirt në mes të torturave. Një atentat tjetër i dështuar lidhet me vitin 1466, në prag të nisjes së fushatës së madhe pushtuese të sulltan Mehmetit II Fatih kundër Arbërisë. Humanisti M. Barleti, na njofton se sa “I tmerrshëm dhe datëkallës ishte bërë Skënderbeu për prijësin Mehmet, i cili, duke parë se ai ishte ngjitur në një majë aq të lartë, sa që emri i tij u shtinte drithmën e tmerrin gjithë të vetëve, kishte frikë se mos, për shkak të këtij emri të dëgjuar; që tanimë kishte marrë dhenë dhe mbahej kudo në gojë, gjindja dhe popujt e tij ngrinin krye dhe e vrisnin apo e rrëzonin nga froni. Prandaj edhe filloi të kurdiste e të ngrinte kundër Skënderbeut pusira, për ta vrarë me dhelpëri.”³¹ Pararendësi i M. Barletit dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, Dh. Frangu, i cili i ka përjetuar këto ngjarje, përcjell të gjitha detajet në lidhje me këtë atentat të dështuar të dy agjentëve turq që kishte dërguar sulltan Mehmeti II për të vrarë me dinakëri Arbnorin e Madh. Ai shkruan se: “Pikërisht në atë kohë (bëhet fjalë për muajin prill të vitit 1466) u paraqitën tek Skënderbeu dy turq, të cilët pohuan se vinin për t’u kthyer në kristianë dhe t’i shërbenin atij besnikërisht dhe se kërkonin me domosdo që të shpëtonin shpirtin, sepse qenë të sigurtë se feja e Jezu Krishtit qe e vetmja fe jetëdhënëse, ndërsa feja muhamedane e gënjeshtërt, e padrejtë dhe e mallkuar, sikurse vetë Perëndia dëshmonte qartë me veprat e mëdha që bënte ditë e natë nëpërmjet atij njeriu, i cili, në krahasim me Turkun (Sulltanin) qe pikërisht si një qengj që ngadhënjente mbi luanin e egër dhe mizor. Skënderbeu i priti me shumë mirësjellje dhe u dha shumë ushqime e sende të tjera, duke u përkujdesur që të edukoheshin në fenë kristiane si të qenë bashkëkombas të tij.”³² Të dy ushtarët turq u konvertuan në fenë katolike, duke u pagëzuar me ujin e bekuar dhe falë zgjuarsisë dhe dinakërisë së tyre, ata u bënë aq të besueshëm, sa Gjergj Kastrioti-Skënderbeu arriti deri aty sa t’i pranojë edhe në “Familjen e tij të madhe,” siç konsiderohej asokohe Garda Pretoriane! Por vetëm “për pak ditë veç”, thotë M.Barleti, “sepse Skënderbeun e kishte nën kujdes Zoti, i cili i zbuloi planet e tyre të kobshme me qëllim që trimi i pashoq, që i kish shërbyer shumë mirë besimit të krishterë, të mos kishte një fat aq të zi e të palavdishëm.”³³ Dy agjentët turq nuk mundën ta mbanin të fshehtë planin e tyre, sepse në një moment të caktuar ata u grindën keqas me njëri-tjetrin dhe konflikti midis tyre degradoi deri në sharje dhe rrahje aq sa misioni i tyre u zbulua sheshit, duke dekonspiruar vetveten se ishin dërguar nga sulltan Mehmeti II Fatih për të eleminuar fizikisht Gjergj Kastriotin-Skënderbeu.³⁴ Momentin kur u zbulua plani i tyre djallëzor e shpjegon në mënyrë të detajuar Dh. Frangu, i cili padyshim ka qenë edhe dëshmitar okular i këtyre ngjarjeve. Ai thotë se “Ndodhi që midis tyre të shpërthente një grindje e tillë, sa (dy agjentët turq) filluan ta godisnin njëri-tjetrin. E, pikërisht në atë çast, njëri nuk duroi më gjatë dhe iu vërsul tjetrit me fjalët: “Ah, ti qen tradhtar (Ah cane traditore), i dërguar prej Turkut të Madh (Sulltanit) për të vrarë Skënderbeun.”³⁵ Oficerët arbër, sapo dëgjuan këto fjalë, i lidhën dhe i dërguan tek Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, i cili urdhëroi që të viheshin menjëherë nën tortura dhe nuk zgjati shumë, sepse ata treguan gjithçka në mënyrë të hollësishme. Më pas treguan kamat që mbanin me vete, duke pohuar se sulltani u kishte premtuar shuma të mëdha monetare si dhe poste të larta në administratën e shtetit osman nëse do të vrisnin Udhëheqësin arbër. Atëherë, ky i fundit, urdhëroi që ata të dënoheshin sipas ligjit dhe t’i sillnin xhelatin, i cili do t’i varte me litar në fyt ashtu sikurse ishin, të veshur me uniforma turke, në majat e dy pemëve të larta, prej ku do të mund të shiheshin mjaft mirë prej cilitdo rreth e përqark. Në lidhje me këtë atentat të dështuar kundër Heroit tonë Kombëtar dhe për fundin e merituar të dy agjentëve turq të dërguar nga sulltan Mehmeti II Fatih, flet edhe osmanologu J.V.Hammer-Purgstall.³⁶Për mbrojtjen dhe sigurinë e tij fizike, Heroi jonë Kombëtar kujdesej edhe gjatë vizitave që zhvillonte jashtë vendit. Jeta i tij vlerësohej si shumë e çmuar, jo vetëm nga nënshtetasit e vet dhe efektivi i Gardës Pretoriane, por edhe nga monarkët aleatë siç kemi rastin e mbretit të Napolit, Ferdinandit të Aragonës. Gjatë vizitës së fundit të zhvilluar në “Caput Mundi” (Kryeqendra e Botës – P.Z.), qyteti i Romës (12 dhjetor 1466 – 14 shkurt 1467), krahas 50 kalorësve të Gardës Pretoriane, i qëndroi pranë në çdo çast edhe shoqëruesi i tij i armatosur, komandanti i shquar i truprojave katalanase (spanjolle), Garcia Betes (Betez), të cilin e kishte dërguar Ferdinandi i Aragonës për të garantuar sigurinë e tij. Kjo lë për të kuptuar se sulltan Mehmeti II Fatih i kishte shtrirë aq shumë tentakulat e shërbimit të vet sekret sa që rrezikonte ta eliminonte fizikisht “Arbnorin e pamposhtur” edhe brenda në qytetin e Romës, por vetëm falë vigjilencës së truprojave arbëre e katalanase dhe veprimtarisë së suksseshme të agjentëve të kundërzbulimit, ai u kthye në atdhe shëndosh e mirë. Të gjitha këto episode dëshmojnë në mënyrë të padiskutueshme se Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, jo vetëm e njihte shkencën dhe artin ushtarak si në tërësi ashtu edhe në thellësi, duke bërë të mundur që arti i tij ushtarak të ishte më i përparuari i kohës, por gjithashtu, falë aftësive të tij të jashtëzakonshme arriti të krijojë organe të shërbimit sekret, të zbulimit strategjik e taktik dhe të kundërzbulimit që e bëjnë atë një burrështetas, strateg dhe udhëheqës ushtarak gjenial, me të vërtetë “të pakrahasueshëm”.
.
Nga: Paulin Zefi.
Dt. 29.08.2020, Lezhë.
Paulin Z. Zefi dhe busti i Gjergj Fishtes
Paulin Z. Zefi dhe busti i Gjergj Fishtes

.

Bibliografia:

1.F. S. Noli, Vepra IV, f. 107.
2.A. Gegaj, Arbëria dhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu 1405-1468, f. 62-63.
3.C. C. Moore, George Castriot, surnamed Scanderbeg, King of Albania, f. 136; A. K. Brackob, Skënderbeu, f. 75.
4.K. Biçoku, Skënderbeu, f. 166.
5.P. Thëngjilli, Skënderbeu: Arritje, mangësi, pikëpamje të ndryshme, f. 842.
6.S. Tzu, Arti i luftës, f.82.
7.F. S. Noli, Historia e Skënderbeut, f. 208.
8.D. Radëshi, Beteja e Torviollit, f. 53; R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 88.
9.G. Francione, Skënderbeu, një hero modern: (Hero multimedial), f. 34.
10.D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 41, 46, 206.
11.M. Barleti, vep. cit. f. 247.
12.A. Luarasi, Shteti dhe e Drejta Shqiptare në Epokën e Skënderbeut, f. 163.
13.M.Barleti, vep. cit. f. 247.
14.O. J. Schmitt, Skënderbeu, f. 259-260.
15.R. Knolles, The Generall Historie of the Turkes, f.399; J. C. L. Simonde De Sismondi, Storia delle Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Vol. IX, f. 219-220; J. N. Duponcet, Exploits héroiques de Scanderbeg, Roi d’Albanie,f. 327-328.
16.R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 88; K. Biçoku, Skënderbeu, f. 166.
17.D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 110-111; Shih edhe B.Bindoni, Skanderbeg, Princi i Epirit,f.84.
18.D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 112.
19.V. Kule, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Kryqtari i fundit f. 379.
20.G. Francione, Skënderbeu, një hero modern: (Hero multimedial), f. 33.
21.Po aty, f. 34.
22.F. S. Noli, Vepra IV, f. 105.
23.R. Sinani, Beteja të Skënderbeut, f. 19.
24.F. S. Noli, Vepra IV, f. 105; G.Francione, Skënderbeu, një hero modern: (Hero multimedial), f. 34.
25.Š.Ljubić, Listine: O odnošajih izmedju Južnoga Slavenstva i Mletačke Republike, Knjiga IX, Od godine 1423 do 1452, u Zagrebu, 1890, f. 268-269; Јован Радонић, Ђурађ Кастриот Скендербег и Арбанија у XV веку, (историска грађа), Споменик XCV, Други разеред, 74, Београд: Српскa краљевскa академијa, 1942, f. 9-10, Doc. Nr. 17; Shih edhe E.Malaj, Historia dhe fizionomia e një qyteti mesjetar shqiptar: Drishti, f.97; J. V. A. Fine Jr., The Late Medieval Balkans, A Critical Survey from the Late Twelfth Century to the Ottoman Conquest, University of Michigan Press, 1994, f.559.
26.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f.169-170.
27.Po aty, f.169.
28.Po aty, f.169.
29.F. S. Noli, Vepra IV, f.537.
30.G. Biemmi, Istoria di Giorgio Castrioto, detto Scander-Begh, f. 289.
31.M. Barleti, vep. cit. f.471-472.
32.Dh. Frangu, vep. cit. f.57.
33.M. Barleti, vep. cit. f.472.
34.D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 184; Shih edhe J. C. L. Simonde De Sismondi,Storia delle Repubbliche Italiane dei Secoli di Mezzo, Vol. IX, f.221.
35.D. Franco, Historia e gloriosi gesti e Et vittoriose imprese fatte contra Turchi dal signor D. Giorgio Castriotto, detto Scanderbeg, Prencipe d’Epirro, f. 184.
36.G. Hammer, Storia dell’Impero Osmano, V, 1453-1520, Venezia, 1829, f.158.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.