back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Shënime rreth përqasjeve të Vehbiut, Zhitit, Radit, Martikos e të tjerëve – nga Hortensia Haxhiademi

Gazeta

Hortensia Haxhiademi
Hortensia Haxhiademi

Shënime rreth përqasjeve të Vehbiut,

Zhitit, Radit, Martikos e tjerëve

nga Hortensia Haxhiademi

Sulmi që Ardian Vehbiu i ka bërë Haxhiademit (letërsisë së viteve ’30),
është nderi më i madh – përveç vetë Veprës – që mund t’i bëhet një shkrimtari. 
Ai e ka sulmuar Poetin-Dramaturg, në pikat e Tij më të Forta!
Hortensia Haxhiademi

Et'hem Haxhiademi - Eskili Shqiptar
Et’hem Haxhiademi – Eskili Shqiptar

Së pari dua të përgëzoj Visar Zhitin për një shkrim me Dritë & Dije!
I ka të gjitha të dhënat e një shkrese akademike: Njohje, Referenca, Emra, Vepra, Përqasje; Shtjellon & Dallon fare qartë Letërsinë si Institucion dhe Historinë e Letrave si hulli e saj; ku përndahen katërcipërisht e ku puqen pashmangmërisht; është Mirëdashës, Gjithëpërfshirës,
Është shkruar nga dikush që e njeh mirë dhe e do letërsinë e Vendit të Tij. Mbi të gjitha: Ofron Zgjidhje!
Por, ndjehet një qasje e kujdesur ndaj shkrimit të Zhitit, sërish ngjall debat, mbase pse nuk keni lexuar gjysmat e veprave që shkronjësi fare kthjellët i referohet.
Oh, mos më keqkuptoni. I kam edhe unë nja dy rrokje…që nuk më mjaftojnë në shkrimin e Zhitit. Dy a tre nënvizime… Konkluzioni im pasi lexova shkrimin ishte ky: “Ky është një shkrim Briliant (sikurse është vetë autori në mendime e varg), një shkrim që unë e pëlqej jashtë mase dhe.. jo:).
Por do ju tregoj ju së pari ç’ka ju shqetëson ju, ndër idetë e Zhitit!
Prej gjithë kuvendit të literaturës mbështjellë me ngut pas kohe… Vehbiu dhe ata që e ndjekin dhe e lexojnë, i mëshojnë me ngulm një shqetësimi të vetëm urgjent:

Të mos Biografikohet Letërsia

Vlera e veprës të jetë e Ndarë nga “vetanakja” sikurse e quan Visar Zhiti dhe unë e mbështes termin. E mbështes fort idenë e kotësisë së vajtoncave online me indinjatë e lot të vizatuar, kur ndërkohë flasim për vepra. Madje unë kam shkruar edhe diçka për këtë në 2018-ën (ref. The Memory Keeper / Hortensia Haxhiademi drejtuar Shpend Sollaku Noe-s, Dielli, Mars ’18. Jo ndonjë shkresë akademike, thjesht përshtypje e bisedë me një mik shkrimtar, por idea është fare e qartë.) Të kthehemi tani tek Ata që rëndojnë.
Kur kam ndarë poemën e parë të XY me miqtë, jam mjaftuar me vargun. Zgjodha një poemë të bukur për Një Poet. Shkruar nga Një Tjetër. Sepse tragjiken mendoj e shkruan më mirë një Tragjedian me një varg, sesa të gjitha vajtoncat tona digitale në kor. Vajat e indinjatatat në orën e lëçitjes së veprës janë për mendimin tim kohë e shpenzuar pa kriter.
Ka faqe e institute të posaçme të Kujtesës ngarkuar me atë detyrë Hyjnore. Ka gjithashtu faqe Letrare & Historie që i punojnë të dyja.
Unë kudo kam preferuar si lexuese Këngën, e i kam këshilluar miqtë ta mësojnë atë para se ta qajnë.
Tash të kthehemi tek “Peisazhet”. Çfarë kërkojnë Peisazhet, lexonjësit e tyre. Lexonjësit pikë në fakt. Po zgjedh pa asnjë qëllim disa shënime e shqetsime, thjesht sepse i pikasa kur 3 shkrimtarët më nisën via e-mail/ messenger përqasjet e tyre në links:
“Puna është se letërsia e çdonjërit autor, kushdoqoftë, duhet vlerësuar vetëm mbi kritere letrare, gjë e cila zakonisht nuk është bërë, ose edhe kur është bërë, është bërë keq” shkruan në komentin e tij Erl Kodra. “…mirë deri këtu…
-Një Zonjë tjetër shkruante: “po he, ja se po e njohim Letërsinë e Persekutuar…” (e bukur kjo:), dhe vazhdonte zonja me “ironinë” e papunuar krejt që karakterizon këto ditë shqiptarët: “mbase gjejmë midis tyre ndonjë Balzak!!”
Nuk ka “letërsi të persekutuar” zonjë! Dhe me sa di unë: Nuk ka refugee në leximin e letërsisë! Ju dëshironi Balzak, lexoni Balzak. Magjia e letërsisë është pse s’ka kufij të vërtetë gjeografikë, sepse është e pasur dhe e pamatë të paqtojë pothuaj shijet e gjithkujt; madje edhe të dikujt me – cookie cutter – mendësi e shije si juaja.
Por nuk i bën nderim as Balzakut që e lexoj me etje- as të mëdhenjve tanë me përqasje të tilla… të ngurta, të kursyera;) bujare…
Mbrapsht jo? Gjithçka rreth këtij kuvendi tingëllon e mbrapshtë në fakt. Por e vërteta është nuk ka letërsi, por shkrimtarë të persekutuar. Një ndryshim thelbësor. Fakti që veprat e Tyre po lexohen sërish (E Vetmja arsye e këtij Kongresi facebookian!), tregon që: Është e Pamundur Vepra të persekutohet!!!
Nji, ose Nji perandor, ose nji komb i tërë, mund ta Fshikullojë, Tjetërsojë, Mohojë, Këndojë Ndryshe një vepër – shumë Vepra; sikurse ndodhi tek ne. Mund ta “Varrosë në mënyrë të Frikshme” sikurse shprehet me dhimbje e indinjatë Radi e rreshton emra të tërë e vepra të tëra prej dekadash;
– mund – e po ju citoj verbatim: “I njëjti intelektual angazhohet politikisht kundër komunizmit ose thjesht shpallet armik i regjimit dhe pastaj përfundon në burg dhe i hiqet emri nga çdo përdorim publik. Vepra e tij dëbohet nga bibliotekat dhe dorëshkrimet rrezikojnë t’i zhduken.” …sikurse me shkujdesje e apati shpreheni ju z. Vehbiu…
Për sqarim, të lexuesit, veprat nuk u dëbuan asnjëherë nga bibliotekat ato z. Vehbi, gjendeshin gjithnji aty. E çuditshme sa shumë ruajti koha juaj idhtare:), çuditem dhe unë. Por u ruajtën. Më ato biblioteka. Përderisa i gjeti Elsie kur i kërkoi; i nxorrën bibliotekarët ia treguan lexuesit e madje bijve të shkrimtarëve atë agim të 90-ës; madje im Atë pati dhuratë nga një kopje të çdo vepre nga punonjësit e tyre, në shenjë respekti e meqë si shpreheni ju “xy-it iu konfiskuan veprat dhe dorëshkrimet”… Një bibliotekë e tërë në fakt që do ia kishin zili akademikët e sotëm, por ajo është tjeter temë e unë nuk e kuptoj pse ze vend “dëbimi” në një shkrim tuajin rreth “Vlerave të Letërsisë”! Flisni për Veprën zotëri. Atë temë keni filluar.
Dua thjesht t’ju njoftoj veçanërisht ju, që veprat ishin. Përderisa mbrritën deri tek im bir – Brezi i Katërt!! Tek ai me shqipen e bukur-çalë, me American voëels që nuk e ka jetuar komunizmin. Ai i ka në Bibliotekën e vet përtej oqeanit disa kopje nga Ata Libra “të Dëbuar”! I lexon këtë shekull.
Ende janë të gjitha kopjet e atyre librave të parë tash 80+ vjet pas në Bibliotekë Kombëtare dhe të qyteteve kryesore.
I gjeti Botuesja e Haxhiademit tek punonim me Veprën e Haxhiademit mes dy brigjeve. I kanë gjetur studiues të tjerë.
-Mos ngatërroni “ndalimin” me “dëbimin” zotëri. Dy koncepte të ndryshme!! Ndalimi ndikon thjesht në kulturën e atij që e ndalon dhe popullit përkatës. Do të thotë ai popull nuk e prek dot ta lexojë veprën për një kohë të caktuar. Nuk e di në këtë skenar cili ishte Pësues dhe Humbës. Sepse një vepër në bibliotekë është ndërkohë mision i mbaruar i shkrimtarit… Komunizmi u provua tashmë mos ishte Zot, e i Pazot të dëbojë askënd nga ai kopësht qesharak i Eden-it! Dmth, që ta vendos në parantesa më të thjeshta për gjuhën tuaj plot vetëkënaqje e gaz:
“Dëbimi” është Permanent.
“Ndalimi” krejt i Përkohshëm.
Si vetë regjimet totalitare që e mbajtën hymn.
I përkohshëm. Me Përkufizim: Askush nuk mund ta dëbojë një vepër. Nëse vepra përfundimisht “dëbohet” ndodh vetëm “Kur ka dëbuar vetveten!” Vepra jeton një Jetë të Vetën pavarësisht tokësorëve të përkohshëm, pavarësisht diktatorëve të përhorrshëm; zonjave komentuese në facebook, pavarësisht jush.
– Pavarësisht akademive të brendshme e të jashtme… Është: ose e mirë ose mediokre, ose mbyllet libri që në faqen e dytë ose mbahet nën kre.
Por, nëse ju e quani “letërsi të persekutuar” “vepër e Dëbuar” – nuk paskeni asfare dijeni për letrat! As për vetë thesis e filozofinë tuaj! – Ç’ka kërkuat me ngulm e urgjencë pas mëse 75 vjetësh… atë ndarjen e domosdosme të letrave nga politika. Asaj teorie sapo i hodhët vetë shqelmin, në momentin që e mendoni këtë edhe pas 80-90 vjetësh e tre luftrash: Letërsi të Dëbuar. Ndërkohë nuk i ngucni asfare korifenjtë…e realsocializmit që Lindën me Kërthizën në Biografi.
-Dhe po ashtu shkruan!
-Po ashtu vdiqën!
Si nuk shqetësoheni sadopak për atë Biografizimin që i Polli këta shkrimtarë?! Ua ka shpjeguar emrat Zhiti bukur krah me krah. Me vepra.
-Ndërsa unë, lexuesja Asnjëherë e Burgosur, asnjëherë e persekutuar në fakt, a e dini çfarë mendoj unë? Nuk Ishim Ne që e biografizuam me ngulm letërsinë, Ishit Ju!
Ishin Idhujt tuaj të mbushur me dokrra e që këndonin e përcillnin të njejta, që e Zunë Fill këtë Ritual të Shëmtuar!
Ishit Ju që e koklavitët atë lëmsh. Ju, që këto ditë mbani kuvend! Ishit Ju atë Muzg, kur të Parët të Zgjedhur që Rradhitët para Vdekjes:
Ishin të gjithë Personat e institucionet e Letrave.

***
Vendosni përfundimisht Çfarë kërkoni?! Nuk bashkohen Letërsia dhe biografia (pjesë e historisë së letërsisë) kur ju ze malli për atëbotë. E nuk ndahen si me magji kur s’ju vjen për shtat.
Robert Martiko në pjesën e tij për ju, ua ka shpjeguar konceptin Koha, nëse ju mjafton koha të lexoni diçka të thellë e të Përjetë. Pasi ti përmbushni detyrimet e këtyre debateve te Vogla e Mënive të Mëdha sigurisht.)
Unë, Hortensia, si rregull të Artë, gjithnji, preferoj që Letërsia dhe Historia e Letërsisë (e politikat që e stolisin..) të jenë të ndara. E të studiohen në përkatësinë e vet pa u kursyer. Por ju kujtoj ama, kush e nisi këtë tragji-komedi me politikat në titull: ata 45 vjet, dhe ju tash 30 vjet.
Pa servirur asnjë referencë konkrete për veprën, asnjë citat ku gjendet ajo “mediokria”… Asnjë varg, asnjë fjalë për gjuhën e përdorur, asnjë risi apo meritë, (unë ndesh dyzina shkrime publicistike të kohës kur u shkrua vepra. Vlerësuese (ose jo) – janë pikërisht këto nëntituj kyçë të kritikës së një vepre! Çudi si i paskan shpëtuar vemendjes tuaj meqë ju u vetëzgjodhët “shpëtimtar i letërsisë”.)
Ju zotëri së paku duhet të ishit përgatitur më mirë; ti jepnit lexuesit Nji – Nji shembull të vetëm akademik përkrah përçartjes XY biografike. Që të shëmbëllejë shkresa juaj zoti Adrian Vehbiu, qoftë edhe një grimë me një faqe semi-serioze publicistike, akademike.
Ndërkohë, ju zgjodhët ta dënoni (jo dëboni, mos ma harro ndryshimin) ta dënoni veprën po me metodat e vjetra! Ju vajtoni me tellall Biografizimin e Letërsisë, dhe e hidhni ashtu si shkarazi atë përfundimin “final” “vepër mediokre” – vetëm duke u bazuar po tek Biografitë e Autorëve!!

Disa nga veprat e Et'hem Haxhiademit
Disa nga veprat e Et’hem Haxhiademit

Madje shkoni më tej, Këshilloni Fuqishëm mosleximin e “said veprave”. Të një Epoke të Tërë a të dy-tre autorëve të saj sikurse shënoni, kjo është ende e mjegullt e qartë… Pak rëndësi ka përfundimisht për cilin shkruani. Ju do ma lexonit mendimin ka gjasa edhe sikur asfare mos kishit guxuar me Haxhiademin.
Sepse unë si lexuese e Dua atë periudhë. Jo vetëm e Njoh mirë që prej ninullave të djepit, por tashmë që kam prej vitesh një botëkuptim të mjaftueshëm jam mëse e sigurt është një Thesar i Paprekur, një Minierë Surprizash, një ndryshim i këndshëm për shijen e lexuesit tonë. Atìj të brymosur e orientuar çka të lexonte në hulli me piketa…
Ku janë citimet, shtjellimet, përshtypjet në shkrimin tuaj? Vargjet pse nuk “kishte shkëlqyer”:) në supozimet tuaja?:) interesante kjo koha e shkuar e foljes:)!!!
Ju zotëri është më e urtë të flisni për kohën që jetuat, sesa atë që ndërkohë qe shkruar. Nga Autorët e Kritika e Kohës. Nëse ju si akademik dëshironi të amendni statusin e X shkrimtari a Y-ni, ju këshilloj të njihni jo vetëm veprat që përflisni – por edhe kritikën që i shoqëroi. T’i përballni analitikisht me dijet tuaja e mendimet tuaja. “Mediokre” nuk është mendim, është Vendim. Sepse kam lajm për ju më vjen keq: nuk është më komunizëm të shemben piedestale si kështjella rane!! A e kuptoni sa Absurd e gjen shkrimin tuaj lexuesi?! Ju, e keni ndërtuar krejt shkrimin duke kundërshtuar vetveten e duke hamendur qëllimisht lexuesin. Duke Biografizuar një era të tërë, ju bashkë me damkosjen e shkrimtarëve e veprave të saj, keni damkosur! (po), keni vocërruar, shpërfillur një brez të tërë lexuesish; si të paaftë të zgjedhë e të kuptojë; të mbrrijë vetë lexuesi në përfundimet e veta! Është një parafabrikat që e njohim mirë fare, servirej atëbotë në banga shkolle dhe ishte “open” & Shut case e Shut përgjithmonë! Me ju si i vetëzgjedhur Messiah e kuvendit të librit, Pa libra!
Ju po servirni të njëjtën gjuhë urrejtje ku flet veç Nji… e të palexuarit ndigjojnë. Në një kohë që asnji nuk pyet më për Njisha. Gjithsecili mund të mbrrijë në përfundime të vetat, edhe më mirë: mund ti mendojë, ti shënojë anëfaqes tek lexon (veprën!), ti shpreh tashmë pa ndroje.
Që nga kjo pikëpamje, të atilla “shkrime” si juaji janë të destinuara të shkaktojnë Mish-Mashe Destruktive më tepër se Zgjidhje. Porse nuk del asnjë përfundim nga kuvende Shterpë prej vetë Subjektit që diskutojnë: Letërsia – Vepra – Veprat. Shembuj mediokriteti, faqe referuese, etj etj. Ku janë këto elemente të një shkrimi Ndriçues përkundër një Shkatërrues?! Si lexuese do i lëçitja me ëndje edhe po të arrinin suksesshëm të provonin mediokritetin e një vepre të tërë!
Këto nuk gjenden askund në meditimet tuaja matematike zigzake. Gjendet vetëm sopata e vendimit, çekani i gjykimit. Këshilla e Mohimit. Më ngjani e ua u them me mirëdashje pa asnjë fyerje: si ata që u vinin flakën maleve me shkresa në mesjetë. Dhe më vjen keq për ju.
Zhiti e ka quajtur “ftesë mirëdashëse për debat”. Por unë lexuesja juaj dhe ju – e dimë fort mirë që shkrimi i Zhitit është Kryevepër në Kundërshti me tuajin.
-Ai është Drita, krahasim me Hijen tuaj. “Ti lexojmë” thotë Zhiti librat. “Tonat” “Jona”!
-Mos i lexojmë” këndoni ju. “Ato të Tjerat”… “I kemi Burgosur Njëherë…” Njollosur Përjetë;)…
Si lexuese, unë kategorikisht e shpërfill si të pavlerë, cilindo mendim, akademik a jo,… që paraqet mohimin para leximit.
Mendoj, ai person duhet ta ulë penën e të merret me përditën që ep bukë në vend të ndezë turra drush mesjetare.
Ky është ndryshimi juaj me Zhitin. Ai e do dhe e nderon fjalën e shkruar; ju përpiqeni ta digjni pa u lexuar. And for the life of me, nuk e kuptoj pse Zhiti e ka njësuar sadopak e sado me finesë shkrimin e tij me tuajin. Ka raste edhe vetë Etika Letrare Lyp të vendosë Mbi vete të Vërtetën.
Por ju e dini apo jo z. Vehbiu… Ju e kuptoni sa larg qëndron filozofia & misioni juaj nga ai i Zhitit e disave të zgjedhur.
Ju, i jeni avitur supozimeve e diktesave tuaja absurde rrotull rrotull. Derisa më në fund e keni tradhtuar vetveten për Çfarë e Cili ju shqetëson më fort. Dhe keni përmendur dy-tre emra në vakumin e zgavërt që krijuat e xhiron vetveten. Dhe harroni që jo ju, por as akademia vetë s’mund të jetë peshorja e kohës! Lexuesit në breza janë të vetmit që përfundimisht gjykojnë vepra! Ju (edhe unë) jeni askushi në atë peisazh kohor! Jeni thjesht një zë.
Duke marrë parasysh që lexuesi ynë është brymosur e orientuar më së miri në hulli me piketa të projektuara fare saktë – sipas jush duhet ta ruajmë me çdo çmim nga leximi i XY veprave – ta ruajmë nga talentet e “mbivlerësuara” të periudhës së Monarkisë. Prej shansit më të vogël e rrezikut më të madh që një letërsi (e Skenë!) fare e panjohur për të mund t’ia infektojë atë paletë të plotë, të shëndoshë… Pse athere, mos e shpërfillim krejt një periudhë të tërë… Kjo është fillimi, esenca, fundi dhe zgjidhja juaj.
-Ndërkohë, Zhiti ka rreshtuar tërë Letërsinë tonë! E ka Përballur, e ka Përqasur, e ka Përmbledhur, e ka ndarë qartë në hulli përkatse akademike! dhe e ka bashkuar qartë!
Madje atje-këtu ka mbrritur mjeshtërisht të dëshmojë edhe nja dy a tre plagjiatizma mistrece.
E ka dashur!
“Ftesa” dhe zgjidhja juaj pra, ka Asgjë të përbashkët me të Zhitit. Kjo mbase është ajo idhnia ime e parë me të: Pse, e ka qasur me tuajin. Vetëm një i verbër a dikush që nuk ka dijeni fare për letrat shqipe nuk i ndan dot si Dita me Natën.
Të dy veç, edhe pse e doni dhe e urreni me të njejtin pasion, të dy e quani atë periudhë “Letërsia e Burgjeve”. Dhe këtu unë ndryshoj mendim me Zhitin (e ju!).
-Edhe pse unë e respektoj segmentin e shkruar ndërkohë në burg, disa i lexoj me ëndje madje, është një vjedhje e pashoqe ta konsiderosh e gruposh Letërsinë e Viteve ’30 si “letërsia e burgjeve”. Ajo Lulëzoi e dha Fryte të plota kohë para se burgu të bëhej padrejtësisht pjesë e jetës së autorit. Një lapsus i Zhitit mbase. A jehonë e plagëve të dikurshme. Sa për ju z. Vehbiu, ju tradhtoni sërish tezën tuaj: duke Biografizuar diçka të qenë kohë para Biografia të bëhej hymn i jetës.
Letërsia është Letêrsi zotëri. Mua si lexuese nuk më intereson fare nëse u shkrua në pallat, në zyrë, në park, në burg! Unë dua të hap rubinetin e të shoh ujë! Ju veç, çuditërisht i ndani. Tradhtoni në proçes mëkimin tuaj, përgatitjen tuaj, tezën e kërkesën tuaj të cilën po diskutojmë e lexojmë ka-javë!
-Le të marrim Haxhiademin si shembull, meqë ishte shembulli juaj.
-Vlerat që ju ka kënda ti ofroni të palexuara, fatkeqsisht për ju, janë lexuar Gjerë në kohën që u shkruan, para burgjeve. Kur “persekutimi” që ju e paskeni kaq për zemër as nuk ishte “kriter vlerësimi”…! (Pay attention Erl Kodra)

Et'hem Haxhiademi - Sofis 1927
Et’hem Haxhiademi – Sofis 1927

“Pasi më bën shumë përshtypje, thekson z. Martiko në debat me ju – që në vend të përballoni këtë të vërtetë thelbësore, fatale, me protagonistët-gërmadha, më kryesorë, të Realizmit Socialist, që mbyllën Kohën e shoqërisë nëpërmjet Njeriut të Ri që krijuan, merreni me Haxhiademin e Skironë që u përpoqën që Hapnin Kohën e shoqërisë shqiptare. Si do të mund ta shpjegonit këtë lloj kontradikte të madhe në shkrimin tuaj? Ju nuk e dini se Skiroi e Haxhiademi jetuan ose vinin nga shkolla perëndimore, me racionalizmin e Dekartit në tru, dhe jo me idenë e shkatërrimit marksist të kulturës perëndimore, siç vepruan ata, të cilët ju nuk i zini në gojë?” Robert Martiko në përgjigje të A.V – XY, korrik ‘22
Emrat që që ju përdorni, e disa nga lexuesit tuaj “të kujdesshëm” ua aprovojnë… nuk ishin çunakë që ngjyen njëherë penën e provuan.
Njëri, ishte Babai i Tragjedisë Shqipe! Na la jo nji, jo dy, jo tre… por Shtatë Tragjedi. Të Parat! Sikur fare mos kishin vlerë porse është e kundërta: ato u shkruan! U lexuan, u vendosën në skenat më të degjuara të vendit! u duartrokitën! fituan kupa florini! Madje kur është luajtur Aleksandri i Haxhiademit, është theksuar që: “edhe pse trupa e Elbasanit nuk ishte më e përgatirura nga trupat e qyteteve në festival nga ana skenike, Çmimi i Parë u dha nga Bukuria e Veprës! (Skampa, Skena e Pasionit, Onufri, 1997)
-Skënderbeu i Haxhiademit, ka një qasje krejt origjinale nga të tjerët! Zanfina, një personazh i panjohur fort më parë, është sikurse është shprehur Zhiti në një bisedë të afërt: Shpirti i Tragjedisë. Tragjikes.
Gjithnji i kam shoqëruar paraqitjet e recitimet e kësaj Tragjedie të Mrekullueshme të Haxhiademit me akte të Zanfinës. Ky personazh real & fiktiv që është një nga Heroinat Dramatike Shkruar me Mjeshtërisht në Letërsinë Shqipe! Le të dalë një akademik të më kundërshtojë – I bet my life on it!!!
Por ta lemë zënkën, Luftën & Shpatën mënjanë një moment. Elemente që shpesh herë mbizotërojnë notat dramatike në drama historike me të tilla tema. Sepse, sigurisht kjo është dramatikja që njohim e duam! E të vëzhgojmë një çast karakteret tragjike të Haxhiademit:
-Zanfinën: e hidhun, krenare, të mprefët, intrigante, të bukur, të gjymtuar shpirtnisht, të mjerë (sepse unë besoj ajo është e mjerë) sikurse shprehet që në aktin e parë. Por Mjerimi shtohet sikurse Intriga shtohet e vlon Akt mbas Akti. Derisa Haxhiademi i sjell në një Kulm Tragjik.
Duke kënduar kështu një nga Dramat më të Bukura të Shqipes!
Dje dhe sot!
Një Ndryshe! Një që e Njohim por një Risi. Duke prekur Jo më kulmin e Madhshtoren që duket (Heroin tonë Kombtar), por më shumë një Kulm tjetër Tragjik: marrëdheniet, intrigat zilitë, lakmitë, fisnitë, tragjiken & dashnitë familjare, krahinore, pricnore, vellavrasëse, etj etj.
Shqipërinë tonë. Dje dhe sot!
A nuk ju ngjan me të sotmen z. Vehbiu?! Ndaj Haxhiademi është Gjithnji Relevant – I Përhershëm. Sepse sikurse thekson Martiko ishte i pajisur me një talent e kulturë Kohëhapëse. Ai gjithashtu pati aq dashni për vendin e vet e Respekt për talentin e vet- saqë kurrë nuk e lidhi a stolisi veprën e tij me mbretën të kohës. Edhe pse ata mbretën e vlerësonin kulturën e tij të gjanë…!
Ja prá si e mendon Haxhiademi i Shkruar edhe “shqetsimin e dilemën tuaj” të letërsisë së mirëfilltë apo biografizimit të saj…
Haxhiademi ia Hapi dyert e kohës veprës së tij!
Pjesa tjetër është e lehtë mandej për ne vdekatarët e thjeshtë. Thjesht ta lexojmë. E pëlqejmë a jo, tjetër bisedë, klasikët nuk janë për këdo. Por Haxhiademi u kujdes vetë për përgjigjen ndaj jush. J’ua u la përgjigjen në vepra. Unë dhe të tjerët jemi thjesht korrierë që servirim mesazhin.
Japim si lexues shembuj, vargje, mbresa, poezi, tragjedi, përkthime; çka na terheq. A nuk është kjo një sjellje tipike lexuesi të apasionuar zotëri?!
Pa përmendur Gegnishten ma t’Amël e Patëmetë të Tij.
…Të mos fillojmë me Lyrën e Abelin, sepse nuk mbarojmë për muaj të tërë. Atë e ka qëndisur Plasari & Plangarica, mjeshtërisht dikur në 92-93. Deri tek Radi & Noé. Dhe tek Konferencat e Shkencore Mbarëkombtare të fundit – Plangarica, Leka, Emin Emini, dyzina Profesorë & Kumtesa Akademike 2020, 2021 që ju ju shqetësojnë pakufi). Deri tek studimi i fundit i një aspekti fondamental të jetës Artistike te Haxhiademit: Filozofi në Skenë  Fetah Biza, ADE – 2022.
Ku studiohet krejt jeta artistike e skenës së Haxhiademit e Dramave të Tij. Edhe një faqe tjetër për ju. Por ju nuk e dinit këtë anë të punës së tij, jo? Pse nuk çuditem. Ju i mbyllni kapakët e veprave e jetëve të Mëdha – më shpejt se dyert djallit…
I lypte shkrimi juaj disa shembuj e referenca e fakte të prekshme nga moria e Pasunisë Haxhiademiane, Mungonte ai element në shkrimin tuaj! Kështu që po ua ofrojnë disa Shkrimtarë e Studiues e njohës të mirë të veprës së tij. Që është pak më shumë se zero shpjegime letrare keni ofruar ju.
– Unë mendoj, Laps-Botim (tre era, tre vende) – Lexim – Skenë – Vlerësim, quhet një akt i plotë! Për sa shkon një vepër dramatike.
Perdja ulet!
Ju zoti Vehbiu, kur na ftuat në këtë debat përjashtues: cilën Perde doni të ulni?!!!!!
Sepse ende nuk i kam dëgjuar referencat letrare që përligjin guximin tuaj. Kam dëgjuar Zero akademi po Veç idhni. Ende nuk keni dëgjuar ju nga unë asnjë fjalë për burgosjen e Poetit!

Etëhem Haxhiademi - Vepra e Plotë
Etëhem Haxhiademi – Vepra e Plotë

***
U lodh lexuesi me XY-at tuaj imagjinarë dhe nga frustrimi po vret Poetêt!
Prap! Sepse kështu e këshilluat ju. Saqë më le mua në keqardhje për ju.
Sepse ju lexoj gjenetikisht të programuar të paaftë të shkruani për figura shumëfaqëshe të asaj kohe. Vetëm kjo së pari ju lodh, ju ngatërron ose ju tërbon:).
Sido që të jetë njëra a tjetra, shanset janë po kundër jush të merreni seriozisht ndërsa lëvroni punën e tyre.
Sikurse ishin këta patriotë, këta europianë në dije – shqiptarë në shpirt! – këta orientalë në dashni e oksidentalë deri në mahni! që fatmirësisht ndodhi të kishin lindë me një lyrë & me një tingull! dhe për dritë të shkruanin poema; e bukur shumë madje!
Por ndodhi edhe të paguanin një çmim më të madh për si e Jetuan Jetën e si e Kënduan Vargun.
Ju z. Vehbiu, në këtë Vit e këtë Shekull! po përdorni po veprat e krimin e etërve e idhujve tuaj si kryefjalë kundër Etërve & Letrarëve tanë!
Ky është problemi i juaj: ju zgjodhët Armë kryekput e armë të vetme në pusullë Persekutimim – e vetmja gjë që nuk ishte meritë e gjyshërve të mij, por e idhujve të tuaj.
E me persekutimim, sikurse edhe dje – kërkon të fshish gjithçka të bukur e fisnike që lexuesi shqiptar ka trashgim!
Ju e keni trilluar qasjen tuaj Idhuj të Zgavërt, Zhiti e ka pagëzuar: Kur Idhujt Zgavrohen… Shto tekstet që vijojnë kryetitujt, e kupton që koha e letrave nuk ka vend për të dy ju.
S’gjendet segment në prehnin e saj për ju e idhninë apo misionin tuaj…
Është viti 2022, dhe koha që keni ju mall ka shkuar kahera. Ju jeni plotësisht jashtë kohe, jashtë teme në delirin tuaj të pa-informuar!
Nuk ka më vend koha e sotme për urrejtje jo letrare & pushkatime letrare!
Veç për ata që e deshën…!
Do ju lejoj tani të bëni ç’ka ju bëni aq mirë,
Veç për ata që e deshën…!
Do ju lejoj tani të bëni çka ju bëni aq mirë, vetë do marr një libër, e do i jetoj pushimet në qetësi.
Por dua t’ju falenderoj së pari. Që morët Haxhiademin shembull. Të kishit zgjedhë magari një shkrimtar të dobët e pa vend të spikatur në letrat shqipe a të ishit përpjekur së paku për një gjuhë sadopak shkencore akademike, mbase do kishit një shpresë ta përcillnit sadopak jehonën e shqetsimeve… letrare me qetësi e shërbesë. Nuk jemi shumë ndryshe unë e ju, përsa i përket librave. Në një botë tjetër mbase mund të pajtoheshim në më shumë se një temë. I vetmi ndryshim yni është sepse unë i gëzohem tanë librave të palexuar. Ju, vetëm atyre që lindën të Biografizuar.
Alas,
Do ju le me një thënie kuptimplotë e po aq jashtë natyrës sime. Por, i përshtatet miqësisë sonë të re… e ndodhive të kësaj jave.
Primo Shllaku ka thënë diku për çeshtjen kritikës së ashpër: “Po si nuk del nji zog k… me m’sha mu?!!”

Sinqerisht, Hortensia Haxhiademi,
28 korrik 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.