back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Shënime për albanologun Robert Elsie (29 qershor 1950 – 2 tetor 2017)

Gazeta

Albanologu Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

Shënime për albanologun Robert Elsie

(29 qershor 1950 – 2 tetor 2017)

Kujtesa jonë strehë amshimi…

nga Ardiana S. Prishtina

Me frymë vjen.
Me frymë ikë.
Mbrapa len fjalën
me ia kndue gjurmët nji populli të tanë.
Nuk e di qysh përshëndetet miku
për në amshim.
Mikut iu baftë kujtesa jonë strehë amshimi.
Mos me ia harrue dashninë nji njeriu të mirë.
2 tetor 2017
.
Vizitё nё shtёpinё e Lazёr Radit miqtё e tij: Robert Elsie, Visar Zhiti dhe Eda Agaj - Zhiti - Tiranё, Mars 1993
Vizitё nё shtёpinё e Lazёr Radit miqtё e tij: Robert Elsie,
Visar Zhiti dhe Eda Agaj – Zhiti – Tiranё, Mars 1993

Robert Elsie, Biri Shpirtëror i Shqipërisë…

nga Visar Zhiti

Shuarja e albanalogut më të madh në botë sot, Robert Elsie, është një humbje e madhe për kulturën shqiptare, për historinë dhepër vlerat shekullore të saj, për antropologjinë, gjuhën e përkthimin, për studimet letrare e letërsinë, për kritikën letrare, për për fotografinë historike, etj, etj.
Robert Elsie është poliedrik, i shumëplanshëm, hulumtues pasionant, zbulues i rëndësishëm, me një Shqipëri ideale që e deshi shumë e i kushtoi jetën.
Robert Elsie guxonte si një intelektual i lartë. Ai e mbrojti Shqipërinë në botë, “Çështjen Shqiptare” dhe e bashkoi në veprën e Tij me Kosovën dhe Çamërinë, pa u tërhequr nga kërcënimet ballkanike e mosmirënjohja dhe i dha zë Shqipërisë, të flasë anglishten e Tij.
Ai dukej sikur e deshi çdo shqiptar dhe bëri për ta, i mbështeti kudo, deri dhe në Tribunalin e Hagës, botoi antologji shqiptare, folklor, poetë nga të gjitha trevat, tregime,romane, nga letërsia jonë e ndaluar e shkrimtarët e burgosur, studime, albume, guida, etj, etj, deri dhe te botimi i “Lahutës së Malcisë” së Fishtës në anglisht, një kryepunë duke arritur kështu, siç thotë dhe vetë, të përplotësonte eposin europian. Kështu bëri dhe me Kanunin e lashtë të shqiptarëve, të Lek Dukagjinit.
Pelegrin i tempujve të Shqiperisë, shtegtar i maleve tona, adhurues i bregdetit, qytetar i Tiranës, mik i mrekullueshëm me ne. Mungesën e Tij të dhimbëshme e mbush vepra e Tij e madhe, sa enciklopedike, po aq dhe akademi e shkollë, rilindase dhe moderne, e qendrueshme dhe frymëzuese per vazhdimësi. Është nder që Shqipëria ta shpallë bir të vetin dhe ta mbajë si të tillë.

2 tetor 2017

Albanologu Robert Elsie
Albanologu Robert Elsie

Vdiq ai që na mësoi të jemi krenar për vlerat tona

nga Albert Vata

Shkrimtari, albanologu, përkthyesi dhe interpreti, Robert Elsie, ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare duke lënë pas një vepër të vëllimshme dhe vlerëshumë. Ai ishte një emër i rëndësishëm dhe një zë i fuqishëm i albanologjisë. Materialet shkresore dhe ato fotografike, hulumtimet gjuhësore dhe historike, komentet dhe studimet, ishin një kontribut që qartësoi shumë momente që dendësia e mjegullave të kohës i kishte verbuar. Shkallmoi hamendësimet dhe sulmet denigruese të kohëpaskohëshme të armiqve historik të shqiptarëve, të cilët u përpoqën të tjetërsonin historinë, shpesh duke i dëmtuar seriozisht disa prej tyre. Ai erdhi për të treguar botës së qytetëruar mbi vlerat dhe atributet civilizuese të shqiptarëve. Kumtoi zëshëm për përkatësinë dhe vlerat europiane, për cilësitë dhe aspiratat e lartë të kësaj race vitale. I ndërkombëtarizoi dhe i mbrojti këto vlera në foltoret e botës së madhe duke iu bashkuar armatës së albanologëve dhe historianëve, hulumtuesve dhe promovuesve, të cilët shkruan faqe të rëndësishme të veprës së tyre, faqe që mbeten kapituj potencues të njohjes dhe vlerësimit të shqiptarëve.
2 tetor 2017
.

Elsie – i Pazëvëndësueshëm…

nga Armanda K. Hysa

Vdekja e Robert Elsies nuk është thjesht një humbje e madhe për letrat shqipe dhe përfaqësimin ndërkombëtar të tyre. Roberti është i pazëvendësueshëm, të paktën për nja dy dekada, në këtë drejtim. Ndaj dhimbja për vdekjen e tij është edhe personale (si njeri i jashtëzakonshëm), edhe profesionale, edhe intelektuale.
Nderime mjeshtër i madh, të ndrittë shpirti në amshim
2 tetor 2017
.
Robert Elsie (1950-2017)
Robert Elsie (1950-2017)

Lamtumirë, Robert!

nga Selim Kurti

Shqipëria kulturore sot është në zi: mbylli sytë përgjithmonë albanologu i fundit i plejadës së të mëdhenjve; albanofili i pashoq, eruditi i rrallë, njeriu i përkorë që e dashuroi Shqipërinë, shqipen e shqiptarët si rrallë kush!
Nga ti Robert mësova historinë e parë të vërtetë të letërsisë, të “tharë” nga ujërat ideologjike e të pastruar nga egjëra politike! Faleminderit!
Të përulem për përkushtimin e pasionant e insistues që tregove ndaj nesh, kur debulesa ndaj shqiptarëve nuk është në modë!
Ti na zbulove, Robert, një vend që s’e njihnim mirë, na mësove se Shqipëria ka plot gjëra për t’u dashur e respektuar; na mësove se dikë e diçka mund ta duash edhe pa rrahur gjoksin e pa u kapërdisur nëpër studio e forume!
Pusho në paqe!
2 tetor 2017
Robert Elsie (1950-2017)
Robert Elsie (1950-2017)

Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri!

nga Flutura Açka

………….
Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modest në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.
Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!
2 tetor 2017

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Erieta Koliqi Gajtani:
    Me Robert Elsienë u njoha te dokumentari për të madhin Lazër Radi (më falet disi meqë nuk bëj pjesë në botën e letrave!!), mbeta e mahnitur kur dëgjoja intervistat e tij, tek fliste me aq respekt dhe dashuri për veprën e një njeriu të vyer që diktatura u mundua ta gjunjëzonte atë dhe veprën e tij…
    Na donte një i huaj, na studionte, na adhuronte një i huaj.. po ne për veten tonë???
    Më pas fillova ta ndesh emrin e tij në shkrime të ndryshme, ndër miq që e kishin mik..
    Sot humbja e tij dhe mua më dhëmbi… duhet të na dhembë kur dikush të don, të respekton… dhe të studion vlerat e tua si kulturë e si komb… Lexoja statuse plot dhimbje në miqtë e mi… Shkruanin për kujtimet me të… sa fat që e keni njohur, biseduar e punuar me të. Pushofsh i qetë e paqja e zotit qoftë me ty, o mik i rrallë që na deshe e shumë nga ne s’e ditëm…!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.