back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Shënime nga ditari i fshehur – marrë nga Bajram Mjeku

Gazeta

Xhafer Deva duke i folur Rinisë Kosovare
Xhafer Deva duke i folur Rinisë Kosovare

Shënime nga ditari i fshehur

marrë nga Bajram Mjeku

Drenicë, 1945: Partizano-çetnikët serbë, të ndihmuar edhe nga Brigada e Pestë dhe e Gjashtë Shqiptare, vranë dhe masakruan rreth 8 mijë shqiptarë. U vra edhe komandanti, Shaban Polluzha. Edhe këtë herë serbët shfrytëzuan dimrin e egër për t’i masakruar shqiptarët.

Mort i madh ka nisur në Kosovë…

Beograd, 1945: Josip Broz Tito, komandant suprem i ushtrisë jugosllave, sot më 8 shkurt shpalli rrethimin ushtarak në Kosovë.

Tiranë, 1945: Komandanti suprem i ushtrisë shqiptare, Enver Hoxha urdhëron: “Të arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”. Është fjala për dorëzimin e djemve nga Kosova në duart e çetnikëve serbë

Tivar, Monopoli i Duhanit 1945: Në mesditën e 31 marsit në Tivar, thonë është ngritur kurth. Sipas planit të sajuar mirë, partizano-çetnikët serbë dhe partizanët shqiptarë kanë vrarë rreth 5 mijë rekrutë kosovarë. Të gjithë janë të rinj. Mjerë ne…

Graboc, Janar 1945: Familja ime dyzetegjashtë anëtarëshe, tash katër javë vuan zinë e bukës. Partizano-çetnikët na ngujuan në kullë. Sot vdiq Remziu, vëllai im binjak për mungesë ushqimi. E varrosëm shpejt nën kontrollin e njësitit partizano-çetnik. Kur e lëshuam në varr, pata ndjesinë se bashkë me të kalova edhe unë në amshim.
Ismet K. djali i çifçiut, nga Shtabi i Ushtrisë jugosllave ka marrë detyrë që çdo mëngjes të na kontrollojë a kemi ngrënë bukë. Jemi mocanikë. Kur na bëjnë rresht për një dhe kur gjendet përballë meje klith: “Hape gojën!” Nuk mjaftohet me kaq. Me të dyja duart më hap dhunshëm nofullën, për të parë mos rastësisht midis dhëmbëve kanë ngelur troha buke…
Dje në mesditë, ndodhi një ogur i mirë. Kushëriri ynë Emini, mori leje nga Shtabi serb që të kulloste bagëtinë tonë. E lejuan, pasi ata çdo ditë kollofitin nga një qengj. Kur në mesditë Emini ktheu delet nga kullosa, ndodhi mrekullia. Kishte zgjedhur ogiçin, i cili kishte instikt të ecte midis kopesë. Në shaminë e mbështjellë rreth qafës së ogiçit, ishin katër bukë misri. Bukën e hëngrëm shpejtë. Baba na urdhëroi të shpëlanim gojën.

Stacioni i Trenit në Graboc, 1945: Partizano-çetnikët u zëvendësuan me partizanë shqiptarë të Brigadës së Pestë Shqiptare. Zunë vend në stacionin e trenit dhe oborrin e tij. Në mbrëmje ndezin zjarrin dhe këndojnë polifoni labe. Iu luta babës t’i vizitonim një mbrëmje.
-Ata i kanë punët e tyre, ne tonat! – refuzoi baba. Insistova aq shumë sonte, sa e detyrova të shkonim te ata. Partizanët shqiptarë na pritën ftohtë.
-Keni ndonjë problem?! – pyeti njëfarë Veli Kapo, komisar politik i Brigadës së Pestë Shqiptare.
-Problemi ynë janë serbët këtu, për të tjerat ia bëjmë kollaj! – u përgjigj baba.
Arqile Milo, partizanja gjifryrë e shkurtabiqe, brofi në këmbë. Nxori revolverin nga brezi dhe ia vuri babës tytën në ballë.
-Serbët janë vëllezërit tanë kokëderr kosovar! – tha partizanja Milo. Atë çast ndërhyri një partizan tjetër nga Shkodra, që kurrë nuk ia mësuam emrin dhe baba shpëtoi nga plumbi. U bën tre muaj që Kosova është vënë nën regjim ushtarak.

Prishtinë, Qershor 1945: Sot, te magazet e vjetra u takova me një mik. U befasuam për njëri-tjetrën që ende jemi gjallë! Më tregoi se edhe në Monopolin e Duhanit në Tetovë vitin e kaluar ishin masakruar rreth 2.800 shqiptarë.

Gjilan, Dimër 1944-’45: Rreth 7 mijë shqiptarë, kryesisht djem të rinj u vranë nga partizano-çetnikët në Anamoravë. Shumë nga ata zbritën në qytet për të kremtuar lirinë, por u ekzekutuan në lule të rinisë. Gjendja është e rëndë. Edhe më e rëndë se nuk guxojmë të flasim për ta dhe t’i kujtojmë bile me nga një lule mbi varr. Anamorava është në mort.

Prishtinë, Komiteti Krahinor, 1947: Komunistët na i konfiskuan 63 hektarë tokë, mbi 100 hektarë pyje, qindra krerë bagëti dhe mullirin me avull në Drenas. Na e kanë sjellë një vendim me shenjën: “Familje kulake”. Kosovën e ka pushtuar zija e bukës. Tash jemi në kampin komunist. Nuk dimë çfarë po ndodh as në Shqipëri, as në Evropë.

Beograd, 1946: Enver Hoxha vizitoi homologun e tij jugosllav, Josip Broz Tito. A thua çfarë do të vendoset për Kosovën? – pyet secili nga ne.

Beograd, 1946: Jugosllavia ndaloi përdorimin e flamurit shqiptar në emër të Internacionalizmit proletar.

Malet e Qyqavicës, 1946: Shumë anëtarë të Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare, po qëndrojnë të armatosur në male. Shefi i tyre Ibrahim Lutfiu, nuk u dorëzohet komunistëve.

Kosovë, 1947: Nisi viti i urisë së madhe. Komunistët na detyrojnë t’ua dorëzojmë “tepricën”, derisa ushqime nuk kemi për vete. Familjen tonë, Qeveria jugosllave e detyroi që brenda vitit t’i dorëzojë 46 mijë kile mish.
-Gurë po të jenë gjithë këto kile është hata!” – shfryu nana.
Blinajë, 1947: Rreth 300 anëtarë të krahut ushtarak të Lëvizjes Nacional-demokratike Shqiptare, u nisën të kalojnë kufirin për Shqipëri. Ranë në pritë nga Ushtria jugosllave dhe shumica u vranë. “U tradhtuam”, thanë pak nga ata që shpëtuan gjallë.

Graboc, 1948: Në malet e Qyqavicës ende ka guerilë të Rezistencës Antikomuniste. Shefi i tyre Aziz Zhilivoda, bisedoi natën me babën kokë më kokë. Nga ajo natë, Azizin nuk e pamë më. Kur e pyeta babën ku është Azizi?, – ai u përgjigj shkurt: “Merru me punët tua!”.

Gjakovë, 1948: Në zyrën e Shërbimit sekret jugosllav u vra Xheladin Hana, delegat i Konferencës së Bujanit. U vra kur tha se ushtria jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore vrau rreth 80 mijë kosovarë.

Prishtinë, 1949: Baba e bleu një radio dhe e fshehu në qilar. Tha se kutia mund të sjell bela. Çdo mbrëmje dëgjon lajmet në BBC. Në fund të lajmeve përsërit refrenin:
-E fortë është Ingliterja!
Këtë vit në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë, u dënuan nëntë anëtarë të Lëvizjes Nacionaldemokratike Shqiptare. Pritet të dënohen edhe grupe të tjera.

Bruksel, 1949: Radio BBC njoftoi se u themelua blloku perëndimor ushtarak me akronimin NATO. Organizata themeloi sistemin e mbrojtjes kolektive, ku vendet anëtare dakorduan të mbrojnë njëra-tjetrën në rast sulmi nga një palë e jashtme.
Londër, 1949: Në studion e radio BBC, u shfaq Mit’hat Frashëri. Foli pesë minuta për të keqen që e ka gjetur Shqipërinë nga komunistët. Njoftoi edhe për themelimin e Komitetit “Shqipnija e Lirë”.

Graboc, 1950: E gjithë familja sot jemi ndier keq. Lukunia e ujqëve i sulmoi kuajt tonë të racës gjakpastër anglez. Kuajt ishin shkëlqimi i fundit i familjes sonë. Kishte shpëtuar vetëm Vrançi i plagosur rëndë. Baba e mori Parabellumin dhe e mbështolli me një leckë që të mos jehonte krisma dhe e vrau. Me hapa të rëndë drejtë shtëpisë u kthye çehrevrarë.

New York, 1949: Në një dhomë të hotelit “Lexington” në rrethana të dyshimta vdiq dijetari Mit’hat Frashëri, tre muaj mbasi themeloi komitetin “Shqipnija e Lirë”. Për vrasjen e tij dyshohet në Sigurimin e Shtetit Shqiptar në bashkëpunim me spiunin e dyfishtë anglez, Kim Filby.

Graboc, 1951: Çifçiu ynë, Ismet K. është regjistruar në shkollë. Familjes tonë regjimi jugosllav ia ka ndaluar shkollimin. Komunistët vazhdojnë të na thërrasin “kulakë”.

Tiranë, 1952: Radio Tirana njoftoi sot se Kooperativa Bujqësore e Prrenjasit ka tejkaluar normën për pesë kile patate më shumë se vitin e kaluar! Vetëm nga 17 hektarë të konfiskuar nga prona e madhe e familjes tonë, Kooperativa Bujqësore e Fushë-Kosovës realizoi 65 mijë kile grurë.

Moskë, 1953: Sot më 5 mars, vdiq udhëheqësi komunist i Bashkimit Sovjetik, Josif Stalin. Radio Tirana flet për hidhërim të madh në
Shqipëri, derisa në Kosovë shpërtheu gëzim i madh.

Graboc, 1953: Në mbrëmje trokiti dikush. Kur hapa portën, pashë një burrë të gjatë veshur me mushama të zezë. Poshtë mushamasë i dukej tyta e automatikut. Ishte Aziz Zhilivoda. Mbeta i stepur, por ai më tha:
-Prina në kullë dhe thirre babën. Baba e përqafoi gjatë. Sapo pinë kafe, Aziz Zhilivoda tha:
-Nga Shqipnia më dërgun të organizoj kryengritje. Duan ta rrëzojnë Titon!
-Të paska mashtrua Enver Hoxha. Tito është forcua shumë, – tha i bindur baba.
-E di Sali, – tha Azizi dhe sytë iu mbushën lot…

Split, Kroaci, 1953: Shefi i Jugosllavisë komuniste, Josip Broz Tito dhe ministri i Jashtëm turk, Mehmet Fuat Köprülü nënshkruan marrëveshje për dëbimin e 40 mijë familjeve kosovare në shkretëtirat e Anadollit.

Berlini Lindor, 1953: Rreth 170 punëtorë gjermanë protestuan kundër kampit komunist. Ata u shtypën nga forca e armëve nga 20 mijë ushtarë sovjetikë. Tanket vërshuan në rrugët e Berlinit dhe Potsdamit. Ushtarët sovjetikë vranë 55 veta, më vonë pushkatuan mbi 106 sish.

Beograd, 1953: Qeveria jugosllave nxori një dekret, përmes të cilit ndaloi bartjen e ferexhes për gratë e besimit mysliman. Një pjesë e klerit mysliman refuzoi vendimin dhe disa nga ata u dërguan në burgje. “Me dhunë a pa të, neve na bie mirë!”, foli shkurt baba.

Uashington, 1954: Sot më 20 tetor, perëndimorët i ofruan përfshirje të plotë Gjermanisë Perëndimore në strukturat euroatlantike. Firmosën edhe marrëveshjen për hyrje në NATO. Babës i qeshi fytyra dhe i fërkoi duart gjatë.

Graboc, 1954: Këtë vit, nuk patëm bereqet të mbarë, por familja u shtua. U lindën shtatë djem e katër vajza.

Nju Jork, 1955: Në raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB për Shqipërinë thuhet: “Shqipëria ka 40 kampe internimi me 49 mijë veta. Të rinjët me biografi të papërshtatshme për regjimin thirren për të bërë ushtrimin ushtarak në brigadë pune pa të drejtë arme…”.

Varshavë, 1955: Shqipëria, Bullgaria, Çekosllovakia, Gjermania Lindore, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan Paktin e Varshavës, me qëllim mbrojtjen reciproke të palëve nënshkruese të traktatit.

Beograd, 1956: Ministri i Brendshëm i Federatës jugosllave, Aleksandar Rankoviq me pretekst të mbledhjes së armëve po bën terror kundër shqiptarëve. Mbi 35 mijë shqiptarë janë torturuar gjatë këtij dimri të egër dhe 103 u mbytën nga torturat. Mijëra familje janë nisur për Turqi. Vesikat po i marrin në Shkup, për të mos u kthye kurrë.

Budapest-Varshavë, 1956: Ushtria sovjetike ndërhyri midis protestuesve hungarezë e polakë. Refrenin “e fortë është Ingliterja”, këtë herë babai e zëvendësoi me një fjali tjetër: “Komunistët nuk e kanë gjatë!”.

Graboc, 1957: Hana, bashkëfshatarja jonë, kërkoi nga prindërit e saj të vazhdonte shkollimin. Të gjithë bashkëfshatarët e thërrasin “lavirja e perdalë!

Prishtinë, afër hotel “Bozhur”, 1959: Rastësisht takova çifçiun Ismet K. Tha se është regjistruar në Gjimnazin Ushtarak në Beograd. “Sa keq që jeni kulakë e nuk jeni komunistë!”, tha ai.

Uashington, 1961: John F. Kenedy u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Lajmin e kuptuam në radio BBC. “Mirë e ka Ingliterrja. Nuk e ndërron Mbretëreshën derisa të vdes!”, tha i bindur baba.

Tiranë, 1961: Papritur në Radio Kukësi, nën vërshëllimën e zhurmuesit, morëm lajmin se Shqipëria komuniste prishi të gjitha marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Shefi komunist rus, Nikita Hrushov me rastin e Ditës së Partisë Komuniste më 30 tetor në Kremlin i shpalli të prishura përfundimisht marrëdhëniet me Shqipërinë.

Berlin, 1961: Bashkimi Sovjetik urdhëroi ngritjen e Murit të Berlinit. Gjermania po ndahet në dysh si Kosova me Shqipërinë. “Gjallë gjermanët do ta rrëzojnë një ditë!”, tha i nervozuar baba.

Tiranë, 1961: Shqipëria prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. U lidh menjëherë me Kinën komuniste. Në Radio Kukësi, Enver Hoxha i quan kinezët vëllezër, kosovarët miq. “Sa të jetë monumenti i Stalinit në Tiranë, nuk do të ketë Shqipni”, – tha i dëshpëruar baba.

Fushë-Kosovë, 1962: Ismet K. është regjistruar në Akademinë Ushtarake. Derisa priste trenin për në Beograd, u krekos para meje i veshur me uniformën e kadetit jugosllav. Thonë është dashuruar me një serbe nga Kragujevci dhe prap shprehu keqardhje që s’jam komunist!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.