back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Shëmtia, Objektet dhe Objektivat e saj nga Lekë Tasi

Gazeta

Lekë Tasi
Lekë Tasi

Shëmtia, Objektet dhe Objektivat e saj

nga Lekë Tasi

Protagonizmi deri në arrogancë, megjithse i nevojshëm për t’u afirmuar në politikë, bëhet i shëmtuar kur ti, pa i pasur të dhënat e tribunit, energjinë e zemërimit të drejtë, del si mbrojtësi absolut i interesave të popullit, i vlerave demokratike, kushtetuese etj. Aq më tepër kur në objektiv të zemërimit vendos edhe faktorin e huaj. Dëmet më të mëdha historikisht na i kanë shkaktuar ata që pretendonin se mbronin vendin kundra çdo gjëje të huaj. Armiqësinë e gjenin edhe në popull, por tek pjesa e tij injorante. Ata që njohin historinë, e dinë fort mirë që vlerat civile moderne dhe qytetëruese i kemi nga të huajt (rrugët, ndërtesat e bukura, urbanizimin, bazat e shëndetsisë, themelet e një qeverisje dhe administrate të rregullt). Ky është rreziku më i madh: të mos dish të dallosh ç’të këqia dhe ç’të mira të vijnë nga bota e jashtme. Sovraniteti del një flluskë sapuni po nuk e dite këtë të vërtetë, sepse s’di ç’kërkon. Duke parë me hollësi ç’ndodhi pas atyre ndryshimeve të prura nga të huajt, vëmë re se ne i shëmtojmë menjëherë gjithë arritjet e huajtura ose më mirë të imponuara prej tyre, madje disa i zhdukim fare, posa kthejnë krahët ata.
Një shembull që më vjen në mend nga fusha e artit meqë po flasim për shëmtinë. Sovjetikët vunë bazat e profesionizmit në teatër, opera, balet e në shumë gjëra të tjera, si institucione të ngritura dhe funskionuese nën mbikqyrje të tyre; dëshirën për t’i shijuar ato produkte e patëm fituar prej italianëve që shfaqën Aidën në sheshin madhështor të ndërtuar nga ata vetë. Është e hidhur por e vërtetë. Që kur u larguan të dy palët, në çdo sektor filloi shtrëmbërimi, dmth shëmtia. Artet u frynë sakaq (retorika në teatër e poezi, megalomania në monumente dhe tablo (trefish mbi naturalen), dhe gjat komunizmit u kthye në fuqi zakoni që ishte kufizuar mjaft prej influencës europiane në 30 vjet pavarësi, që urdhri sekret ta shpërfillte ligjin gjatë zbatimit, pavarësisht se ky figuronte në Gazetën Zyrtare. Bëmë një hap edhe më poshtë kur, me të vdekur diktatura, dhe sigurisht për refleks të megalomanisë së trashëguar që nxori kokën si shpëtimtare, liria e fituar u përdor mbrapsh në shumë sektorë, për të ngjeshur ndërtesat, pa vështruar fare për norma urbanistike o higjienike, të renditura shëmtueshëm, me futje stilesh aty ku nuk shkonin, kurse në administrim e politikë me gradim të injorantit besnik dhe jo të specialistit të aftë, dhe mbi të gjitha me besimin se zhvillimi vjen nga shtimi i parasë dhe jo nga shtrimi në punë. Këto shëmti u përligjën me idenë e përhapur tek injorantët dhe të rinjtë e mbushur me urrejtje për kundërshtarët e klanit tyre, që gjoja zhvillimi i ka bashkudhtarë të domosdoshme shkeljet morale, korrupsionin në administratë, ekonomi, drejtësi, po edhe në shëndetsi, arsim dhe kthim të pronave. Të gjitha këto hyjnë në kategorinë shëmti, dhe rrjedhin nga protagonizmi që është egoizëm eksponencial.
.
Statuja e Lirisë New York
Statuja e Lirisë New York

Do të ishte e padrejtë të bënim fajtor veten në tërësi. Kemi pasë mësues të përkushtuar, artistë dhe njerëz të dijes po ashtu, politikanë të kulturuar, madje me një devotshmëri heroike përderisa kanë luftuar me rrezikun e shpifjeve që i quanin tradhtarë. Faji ndahet mes të huajve, që kanë qënë kryesisht përfitues dhe pastaj qytetërues, dhe klasës sonë politike që i llastonte se mund të nxirrnin përfitime në minerale, produkte të tjera, dhe sidomos avantazhe gjeopolitike nëse do të mbështesnin palën e tyre. Me një fjalë: luftë kush bën më shumë koncesione me ata që bënin më pak. Politikanët e ndershëm dalloheshin për këtë të dytën, jo për refuzim të plotë të koncesioneve, zgjidhje kjo e pamundur në kushtet tona tepër të prapambetura. Kjo balancë problematike është edhe sot aktuale, për shkaqe kulture të ndryshme të faktorëve (të gjetur me qiri nga ish establishmenti kur dorëzonte çelsat) por edhe me një opinion publik shumë më të zhvilluar që e vëzhgon situatën dhe vet faktorët. Kushtet favorizuese për vendin sot i vënë të huajt, të cilët të bashkuar në BE, janë shumë më pak të lejuar të bëjnë politikë individuale.

Megjithatë, këto kushte do t’i refuzojë kush është i mësuar, madje i zhytur në një politikë koncesionesh ndaj ndonjerit prej atyre të huajve që formojnë BE-në, kushdo të bëjë një ofertë, madje edhe jashtë saj… Prej kësaj vjen natyrshëm në skenë britma, që ta luftojë argumentin me arrogancë. Se si do përfundojë kjo përplasje, e ka përgjegjësinë shoqëria, që sot ka më shumë vizion për të parë në gjerësi, dhe për të gjykuar sipas interesave të shoqërisë apo të interesit të ngushtë përsonal, ose të shkallës së komprometimit ku ndodhet personi ose grupi.
Duke u kthyer tek estetika, i përket shëmtisë fakti që kemi një farë tradite në demokraci dhepërjashtojmë parlamentarizmin, i gjejmë yçkla reformës së stërstudiuar, dhe e kërkojmë drejtësinë në piacë (nga një popull hero që do të zbresë në fushë!), dhe zgjidhjen e problemeve me parulla e jo me argumente. Shëmti ësht vetë britma, kur tradita shqiptare, ajo më e thella, është të flitet me zë normal nëpër kuvende. E tillë mbetet në gen, pra luftohet më kot për ta denaturuar… Ky kalim tek e panatyrshmja që po shohim, tek prerja e fjalës njeri me tjetrin, tek shpifja dhe tek argumentimi sipas pagesës, ka ekzistuar, por u rigjallërua gjatë shume dekadave paligjësie, me synim përligjjen e kreut aventurier dhe denigrimin e personaliteteve dinjitoze. Ajo kaloi nga kongreset në teatër, në letërsi, në skulpturën monumentale dhe vërshoi gjithandej, me anë nderimesh, titujsh, me një fjalë duke përkëdhelur adhurimin e popullit për të fuqishmin, cilido qoftë dhe prej kujtdo i vendosur. Antidoti tani, rruga për të rikthyer tek arsyeja dhe e hijshmja, është piksëpari t’i vëmë veshin atyre që flasin me zë normal, pa asnjë paragjykim, sepse s’i dihet, nga veprimi do ta gjykojmë në se është apo jo prej atyre që britmat i kanë pasë bërë tradhtarë. Sot britmat ngulin këmbë se kush flet normalisht duhet të jetë i korruptuar, antikushtetues meqë u thotë po të huajve, si dhe i rënë nga pushteti megjithse është brenda mandatit. Nuk po them t’i pranojmë symbyllur ata që flasin normalisht, por t’i digjojmë dhe të gjykojmë si na ngjajnë fjalët e tyre në raport me punën që duket sheshit, përfitojnë apo dëmtohen qytetarët, qoftë punë e realizuar apo në bërje e sipër, por që e ka dhënë mjaftueshëm drejtimin se ku çon. Kjo është me rëndësi: E shëmtuara dhe jo e shëmtuara, madje sot kërkohet e bukura. Punët të flasin vetë!
Kjo kërkon përqëndrim dhe qetësi, jo klithma. Vërejtje, kritika, do ketë pa tjetër, dhe në fakt kam unë vetë të tilla. Por kriteri më i bazuar për ne shqiptarët që i druhemi gjithshkaje, të rrethuar siç kemi qenë nga tradhtarë qe na donin, dhe nga patriotë që na shkelnin, kriteri më bindës për t’i bërë rezistencë zhurmës shurdhonjëse është ky: Të huajt ndodhen aktualisht në orë të mirë, janë një bllok i fuqishëm dhe duan të na ndihmojnë realisht, bile kanë humbur durimin e tyre karakteristik, nguten; dhe prova më e mirë është që po shahen, madje fyhen keq prej klithmësve. Kjo ta jep sigurinë, sepse aty gjejmë precedentin e atyre burrave e grave që punuan me drejtësi, veprat e tyre janë të gjalla, e megjithatë e pësuan nga patriotizmi i fryrë i britmëdhenjve. Pra mund të besojmë mbas shumë dyshimesh e kurthesh, se kemi mbrritur te Ora e së Vërtetës.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.