Shembull i një individi – nga Eduart Kaca

Eduart Kaca

Eduart Kaca

Shembull i një individi

nga Eduart Kaca

Megjithëse thuhet shpeshherë se regjimi komunist prodhoi një masë njerëzish me të njëjtën prerje, përsëri gjatë jetës time kam takuar individë në karakterin e tyre tepër të veçantë, të cilët kanë lënë mbresa tek unë, dhe që i kam konsideruar si shembuj që duhet të ndiqen dhe, pse jo, të përjetësohen.
Një nga këto personazhe që meriton vëmendje e respekt dhe që ka lënë mbresa në kujtesën time është Lalë Vokrri, Vokërr Valteri, i lindur në fshatin Vinjoll të rrethit Mat, me prejardhje nga fisi Valteri me emër të mirë në krahinën e Matit. Lalë Vokrri u lind nga një familje e pasur, dhe me mbarimin e luftës e në vitet e para pas luftës, caktohet mësues në disa fshatra të Matit, por kjo periudhë ishte e shkurtër, sepse komunistët, pasi kishin marrë pushtetin me dhunë, kishin filluar procesin e shpronësimeve të familjeve të pasura dhe persekutimin e këtyre familjeve. Një nga proceset e diskriminimit ishte heqja e triskave të frontit dhe emërtimi kulak. Për Lalë Vokrrin dhe familjen e tij fillon një periudhë diskriminimi e pashembullt. Ai ishte i detyruar të punonte vetëm në kooperativë me gjithë familjen e madhe, pa asnjë lloj të drejte, dhe nën presionin e një përbuzjeje dhe urrejtjeje të paimagjinueshme. Lalë Vokrri, me mençurinë, tolerancën, qetësinë dhe filozofinë e tij për jetën, ia doli të mbijetonte së bashku me familjen e tij me mbi 20 anëtarë. Edhe kur makineria e pushtetit komunist me propagandën e fëlliqur kishte arritur kulmin, Lalë Vokrri, me urtësinë e tij mundi t’i amortizonte sulmet pafund të regjimit. Lufta e klasave dhe armiku imagjinar ishin boria që binte pa pushim në gazeta, radio dhe televizion. E gjithë kjo propagandë që bëhej, në fshat drejtohej kundër familjes së Lalë Vokrrit e ndonjë familjeje tjetër në të njëjtën pozitë. Lalë Vokrri i ngjante një luftëtari që me skuadrën e tij luftonte në heshtje kundër diktaturës antivlerë. Anija e tij me vela, çante dallgët e oqeanit pa u trembur nga stuhitë. Kjo ishte atëherë opozita e vërtetë, opozita e mospërkuljes. Një skuadër prej 20 anëtarësh, vepronte ndryshe, sillej ndryshe dhe mendonte ndryshe. E drejtuar nga Lalë Vokrri, ajo nuk u bë kurrë palë me regjimin, ajo nuk ia shtriu dorën askujt. Lalë Vokrri kishte vetëm një qëllim: me përgjegjësinë që ia ngarkonte mosha si djali më i madh i familjes, të drejtonte këtë grup-familje në luftën për mbijetesë deri në fund të regjimit antinjeri. Shumë nga bashkëfshatarët, të mpirë nga ideologjia dhe propaganda, vepronin më tepër si skllevër të paditurisë dhe injorancës, se si qenie njerëzore me ndërgjegje dhe arsye. Edhe ashtu të mjerë, ata nga njëra anë e urrenin pa arsye skuadrën e Lalë Vokrrit dhe e luftonin atë me të gjitha mjetet e mënyrat, dhe nga ana tjetër, në heshtje, e admironin atë për vlerat që ajo mbartte dhe parimet që mbronte.
.

Censurë komuniste...

Censurë komuniste…

Pak para ndryshimit të sistemit, komunistët u përpoqën të afronin familjen e Lalë Vokrrit duke i premtuar marrjen e triskave të frontit dhe heqjen e emrit kulak, por Lalë Vokrri nuk e pranoi këtë “ofertë”. Me përmbysjen e regjimit në vitin 1990, për Lalë Vokrrin dhe familjen e tij nisi një fazë tjetër jete. Lalë Vokrri nuk ishte më kapiteni i anijes me vela, nuk ishte më komandanti i një beteje pa plumba, nuk ishte më drejtuesi dhe menaxhuesi i ekipit. Tashmë ai ishte individi i cili vinte nga një përvojë e hidhur e së kaluarës komuniste, por ndryshe nga të tjerët, ai ndoqi një rrugë fisnike dhe njerëzore duke u ngritur mbi vetveten e duke harruar të gjitha vuajtjet, të gjitha padrejtësitë, të gjithë armiqtë, dhe duke sjellë një shembull të shkëlqyer të individit shqiptar, gjë që ndodh shumë rrallë në shoqërinë shqiptare. I çliruar nga çdo ndjenjë hakmarrjeje, inati apo përbuzjeje ndaj bashkëfshatarëve dhe njerëzve që e kishin trajtuar në mënyrë të padrejtë, Lalë Vokrri prezantonte pamjen e një individi tolerant, fisnik, të urtë dhe të zgjuar. Në shoqërinë shqiptare të rrumpallës dhe kaosit, është e vështirë të gjenden njerëz që të pasqyrojnë veti dhe vlera të tilla.
.
25 korrik 2019
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook