back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

SHBA asgjeson politikisht Berishën: Misioni yt mbaroi! nga Ermal Ngjelina

Gazeta

Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp, 20 maj 2021
Sali Berisha gjatë konferencës për shtyp, 20 maj 2021

SHBA asgjeson politikisht Berishën; Misioni yt mbaroi!

nga Ermal Ngjelina

Në orën 08 e 4 minuta të mëngjesit, me orën lokale të Uashingtonit, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi nëpërmjet llogarisë së titullarit në Twitter se Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar hyrjen në vendin e tyre ish presidentit zotit Sali Berisha dhe familiarëve të tij të afërm.
Kjo është puna e parë që ka bërë Sekretari i Shtetit, ditën e sotme e 19 maj 2021, dhe është publikuar vetëm 4 minuta pas nisjes së orarit zyrtar të punës; ora 8 e mëngjesit.
Njoftimi në Twitter nga zoti Antony Blinken, u pasua më vonë me publikimin e vendimit zyrtar të Departamentit të Shtetit. Departamentit i Shtetit saktëson se në listën e të ndaluarve për të hyrë në Shtetet e Bashkuara janë Berisha me gruan e tij si dhe dy fëmijët. Bashkëshortët e fëmijëve nuk janë në listë.
Në deklaratën në Twitter vihet re se zoti Blinken e cilëson zotin Berisha si ish president. Në këtë formë Blinken i ka dhënë edhe nivelin më të lartë të një shtetari, ndërkohë që kohët e fundit zoti Berisha thërritej si ish kryeministër. Zoti Berisha ka qënë President i Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe më pas kryeministër në vitet 2005-2013.
Vendimi më së pari u publikua në llogarinë e titullarit dhe jo në uebin e Departamentit të Shtetit.
Kjo llogari dhe informacionet e saj janë në vëmendje të krerëve të të gjithë shtëteve të botës dhe kancelarive përkatëse.
Publikimi në këtë llogari tregon se ministri i jashtëm i supërfuqisë së vetme në botë, është kujdesur të informojë krerët e shteteve dhe kancelaritë se ish presidenti i Shqipërisë Zoti Sali Berisha nuk gëzon më asnjë kredit politik në Uashington.
Duke përjashtuar vendet që kanë në axhendë konfliktin e hapur me SHBA, pjesa tjetër e vendeve të botës janë në garë se kush ka marrëdhënie më të mira me Uashingtonin. Në këtë listë përfshihen edhe rivalët Rusi dhe Kinë.
Në marrëdhënit politike, vendimi i Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, e bën Zotin Berisha një person me të cilin nuk është mirë të shoqërohesh nëse do të kesh marrëdhënie të mira me Uashingtonin.
Ka edhe raste kur Departamentit i Shtetit, kujdeset që një vendim i saj ndaj partnerëve të mos bëhet publik.
Ceremonia e varrimit të ish presidentit Bush në dhjetor të 2018 nxorri në dritë faktin se administrata Trump kishte ulur nivelin diplomatik të Bashkimit Europian. Niveli kishte rënë nga ai i përfaqësuesit të një shteti sovran në nivelin e përfaqësuesi të një Shoqate Jo Fitimprurëse si për shembull Amnesty International. Ky fakt ishte mbajtur i fshehtë. Uashingtoni nuk e kishte informuar Brukselin për këtë vendim. Vendimi u mor vesh sepse ambasadori i Bashkimit Europian nuk ishte në të njëjtin pozicion që kishin ambasadorët e vendeve sovrane.
Qartësisht miqtë personal që ka në Uashington Zoti Berisha nuk kanë mundur të garantojnë një tjetër fat politik.
Pavarësisht kompozimit të tekstit të Departamentit të Shtetit mesazhi është i qartë: ish presidenti Berisha nuk duhet të luajë asnjë rol në politikën shqiptare. Këtë status politik në Shqipëri ka edhe Tom Doshi i cili në krye të Partisë Social Demokrate arriti të marrë disa deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, por që një ditë pas përfundimit të tyre dha dorëheqje nga mandati i deputetit.
Shtetet e Bashkuara kërkuan haptas që Doshi të mos ishte pjesë e trupës së deputetëve.
Në rastin e ish presidentit Berisha, nuk kërkohet prej tij dorëzimi i mandatit, por thjesht i është fund karierës së tij. Zoti Berisha reagoi me deklaratë publike, por nuk bëri të qartë nëse do vijojë të jetë deputet apo do të dorëzojë mandatin.
Por, jo vetëm misioni politik i Zotit Berisha ka marrë fund. Njoftimi haptas i kancelarive të huaja tregon se edhe dy fëmijët e tij nuk mund të përdorin kreditet politike të babait për të luajtur rol në politikën shqiptare.
Zoti Berisha është politikani më jetëgjatë në Shqipëri në këto 30 vite. Ai e ka luajtur shumë mirë lojën dhe ka punuar realisht shumë. Energjia dhe puna deri në sublimim ka sjellë si pasojë krijimin e një mini dinastie politike.
Vendimi i Departamentit të Shtetit e ka shpërbërë këtë dinasti.
Zoti Berisha ka mbyllur një herë e përgjithmonë karierën politike dhe bashkë me të edhe të gjithë ata që mund të përfitonin politikisht prej tij.
Në bindjen time, sot ka mbyllur karierën e tij politike edhe kryetari aktual i Partisë Demokratike të Shqipërisë Zoti Lulzim Basha. Pavarësisht se ai do të jetë deputet në parlament ai nuk do të garojë më për kryeministër i Shqipërisë.
Në Shqipëri lajmi u trajtua si një rufe në qiell të hapur. Zoti Berisha është një figurë e debatueshme. Shumë u gëzuan për këtë vendim dhe shumë u hidhëruan. Por të dyja palët e kundërta politike të publikut vuajnë të njëjtat probleme të cilat i projektojnë tek qëndrimet e Shteteve të Bashkuara që shprehen me zërin e ambasadores zonjës Juri Kim.
Ata projektojnë gjithë problemet tek ambasadorja sepse për shqiptarët fjala e SHBA është pothuajse tabu. Ata mendojnë se Shtetet e Bashkuara përkrahin kryeministrin Edi Rama dhe axhendën e tij. Për shqiptarët Edi Rama ka në axhendë copëtimin e trojeve të Kosovës, ndërrimin e kursit të politikës së jashtme nga Bashkimi Europian drejt Erdoganizimit. Shqiptarët punojnë me administratën e Edi Rama dhe e dinë më mirë se administrata amerikane dhe kushdo tjetër që; kjo administrate e Edi Ramës është nëna e korrupsionit, grabitëse e zgjedhjeve dhe grabitëse e financave kombëtare.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.