back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Semiramida – Poemë nga Martin dhe Mirash Ivanaj – solli në shqip Lazër Radi

Gazeta

Vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj
Vëllezërit Mirash dhe Martin Ivanaj

Semiramida*

Poemë nga Martin dhe Mirash Ivanaj

solli në shqip Lazër Radi

Gjatë përkthimit të “Epopesë së Njeriut”, unë e jetova emocionalisht atë.
Nëse diku kam shkruar se: “…do të kisha dashur që kjo vepër
të kishte qenë e përkthyer nga vetë autorët, në shqip…”,
tani ndjehem mirë që pikërisht mua m’u dha rasti,
ta shpalos në shqip rininë e shpirtit të dy vëllezërve Ivanaj.
Lazër Radi, Parathënia e “Epopesë së Njeriut”
Martin & Mirash Ivanaj - Epopeja e Njeriut Poezi perktheu Lazer Radi 1995
Martin & Mirash Ivanaj – Epopeja e Njeriut
Poezi përktheu Lazër Radi 1995
Zemra e drobitur prej tmerreve të luftës,
krahët e lodhur dhe fuqitë krejt shkallmuar,
truri dalldisur në kundërmime kufomash,
shpirti tërbuar ndër ethe thesaresh,
gjinjtë tharë nga vringëllimë e shpatave,
epshi përflakur me një pangopësi bishe
më të madhen fitimtare mbi Skitët e tmerrshëm
po shtyn me ngut drejt sarajeve lëshuar.

.

Ashtu si retë e zeza që stuhi derdhin
plot zhurmë e potere, vërsulet Semiramida,
si gjuhë e frikshme flake, ushtri e saj kosit
çdo gjë që ndesh në rrugë e matet ta pengojë.
Ndërsa ushtarët e saj të zhveshur e të zbathur,
lart ngrenë piramida me trofetë e luftës.
Por çdo gjë e kotë! Zemërimi i saj nuk shkulet,
dhe inat’i tërbuar krejt zemrën ia ka marrë.
 
Plot fise luftëtarësh gjatë udhës ka nënshtruar,
dhe ndjenjë e plotfuqisë pasionin ia mban gjallë,
vetëtin ndër beteja fytyrë e saj e rreshkur,
e ato bula djerse i xixëllojnë si rruzuj ari.
Ngado e rrethuar me kollona lavdiplote
mes tyre e papërkulshme qëndron si shqiponjë,
çdo pengesë gjen vdekjen n’se hovin do t’ia ndalë,
e n’vrull të papërmbajtshëm rrugëtimet i vazhdon.
 
Plot ankth pret vendlindjen: Niniven ta shohë,
ato ledhe të zymta e ato mure t’pakalueshme,
ndërsa horizontit pafund i shfaqen ngadalë
fushat e mjegullta e çatitë e përhinjta.
Ushtarët e saj trima sa t’ia ndjejnë dëshirën
çka i vlon ne gji, gjithë ngut rrahin trokun,
pse mbushen plot dhjetë vjet qyshse ajo grua
braktisur e ka Niniven, qytetëndrrën e saj,
 
dhe u nis t’i nënshtronte ata popuj t’egjër,
t’i shkelte, t’i pushtonte ato fise të largëta,
me sytë e saj t’i shihte ato vise t’panjohura,
e mbi ta të shfrynte dufin e shpirtit të sertë,
plaçkë të mblidhte për vete e për prijësit trima
që veç prisnin sa t’gjëmonte fjalë e saj.
Aty në Ninive, vetëm kish lënë t’birin, Ninin,
shembëlltyrën e të shoqit, Ninit të vërtetë.
.
Semiramis - perfytyrim artistik
Semiramis – perfytyrim artistik
Plot dhjetë vjet kish kaluar ajo grua,
pa e prekur asnjë dorë e ashpër burri:
kish mbrritur gjer tek tokë e faraonëve,
dhe kurorën nga koka thonë ua kish rrëzuar…
Buzë brigjeve të Donit më pas qe kthyer,
hordhitë e tmerrta të Skitëve n’fre i kish mbërthyer…
Ashtu e pamëkatë mes vringëllimës së shpatave jetonte,
po erdh një çast dhe epshi shpirtin flakë ia ndezi.

.

Befas një mëngjes n’vegim të mrekullueshëm,
iu shfaq fytyrë e Ninit me vezullim kreshniku,
gjithë afsh e kundroi, si atëherë kur veten e kish
gjetur n’përqafim të tij, si n’një ëndërr lumturie…
Atëbotë mendje saj n’shtigje kujtimesh humbi
dhe n’gjurmë t’një kohe që veç me parajsën ngjante,
e n’vorbull t’atij mendimi një dridhmë shpirti
ëmbël i vegoi mbi ato gëzime tashmë të harruara.
 
Zemrës at’ çast sikur ia ndjeu ngrohtësinë
dhe atë trup mashkullor që kalbej nën dhè:
“Oh ti, i mjeri Nini im, që tradhtisht u vrave!”
Ndërsa sytë e saj trimërorë mbyteshin ndër lot,
ai kujtim i hidhët zemrën ia kish plasur.
Thellë në vetvete, heshtas mallkon e përgjërohet,
petkat mbretërore i gris, i shqyen e tej i flak,
ndërsa krejt ushtria dridhet nga zemërimi saj…
 
Si vegim çdo natë i shfaqen ledhatime t’atij
mashkulli, kujtime t’ëmbla që jetoi dikur nuse
e ashtu n’kllapi fluturon mbi kohë të vdekura,
e si ndër ëndrra i shfaqen ditë tashmë t’largëta.
Pasion’i zjarrtë n’zemrën e saj nis e përpëlitet,
si dallg’e detit përplaset shkëmbinjve t’lashtë,
e thellë vetes ndjen se femra luftëtar kurrë s’bëhet,
dhe flakë e epshit n’zjarr të luftës kurrë s’mbulohet,
 
ndaj dëfrimet e shpirtit ndër luftra i kërkonte,
n’atë dorë kreshnike që vdekjen ngado mbillte
për t’ia qetësuar sado pak tallazet zemrës.
Hera herës ndalet, po qetësi s’gjen askund
dhe ai përvëlim joshës mashkulli s’i fashitet…
Erërat ndër fushime më përgjakshëm fryjnë,
e klithmat e saj gjëmojnë si psherëtima shpirti;
Mbretëresha dëneste nën at kurorën shkëlqimtare.
 
Priftërinj të maskuar dhe magjistarë asirias,
dijetarë helenë mjeshtër të mistereve,
aventurierë shkretëtirash t’egjër e të shkathët,
iu përgjigjën thirrjes që ajo lëshoi së largu.
Veç një këshillë kërkonte, t’i shkulej ai mendim,
e të çlirohej fantazmash që shpirtin po ia grryenin.
Të gjithë para saj u shfaqën n’çastin e caktuar,
e mbretëresha me zërin që i dridhej si purtekë foli;
 
“O ju, që lexuar keni gjithë librat e magjive,
ku fshihen gjithë t’vërtetat e mëdha të kësaj bote,
nga ju kërkoj melhemin, ju do t’ma sillni shpëtimin
nga kjo dallgë e ndezur pasioni që m’ka mbërthyer.
Ndjej brenda meje një shkulm flake që m’përpëlitet
dhe zjarri i epshit nji çast prej sysh s’më largohet…
Vringëllimë e shpatave, tashmë m’është pështirosur,
prandaj ju thirra t’më zgjidhni, o të ndritur dijetarë!”
 
Askush s’pipëtiu, veç turp nga vetja t’gjithë po kanë,
Kokat ulur poshtë i mbajnë, e sytë përdhe gremisur.
Dikur, ai më i moçmi i tyre u ngrit e para doli
e me at mjekërr të gjatë e të bardhë si bora foli;
“O Mbretëreshë e Asirëve! Nëse do të pëlqejnë
mendimet, këshillat dhe gjithë fjalët e mia,
të lutem, falmë një dhuratë që të mundem t’lëvdoj,
e fli t’ia bëj njerës prej hyjnive t’vendit tim,
 
po kundër kësaj sëmundje që ty keq t’ka mbërthyer,
perënditë nj’ilaç të tillë ende s’e kanë gjetur:
Ndaj Hyjnitë e dhuruan imazhin e tyre, nga dritë
merr bota mbarë, o Mbretëreshë: Dhe ky është Burri!”
Në sharje e britma shpërtheu mbi kaldenjtë Semiramida
dhe urdhër dha që krejt kokat e tyre të këputen
e nji nga nji ndër hunj të gjitha rresht të ngulen.
Kështu, n’gjakun e tyre tërbimin e vet e lau ajo grua.
 
Pse kurrë ajo s’lejoi që pasioni ta verbonte,
s’kish lindur burrë që dorën n’trup t’ia shkonte,
në gjunjë para epshit njëherë s’ra ajo grua,
se do të ndjehesh e padenjë, dhe krenarinë e saj
n’baltra do të zhytej. Një re bozhur e ndezur
krejt fytyrën dhe emrin e lavdishëm ia mbuloi:
Gjithçka iu errësua, ndërgjegja dhe mendimet,
Kur urdhër dha: Përpara t’shkonin aradhet luftarake.
 
Por mëkati sërish zemrën nis t’ia pushtojë,
dhe lakmon një burrë veç Ninit t’i përngjasë,
ai t’ia shuaj epshin që çerdhe n’trup t’saj ka bërë.
Me sytë ngulitur thellë n’terr të natës, mendon
se ende s’ka lindur mashkull mbi kët tokë,
veç atij burri që dikur kënaqësinë e shtratit
përgjysë me të e ndau. Tash veç me të birin
mendon at epsh të ndezur ta vërë në fashë.
 
Prandaj s’ndalet, dhe turrin drejt Ninives merr
n’trimëri të pashembullta si e tërbuar lufton,
krenarinë e Skitëve t’pathyeshëm e bën baltë.
Gjithçka n’gjak e lau, barin ndër livadhe e thau,
rrafshinat i shkretoi, hendeqet n’kufoma i mbushi,
me to ushqen luanët, panterat dhe hienat,
sa deshi vise nënshtroi, plaçkë sa mundi mori,
por epshi, ah epshi n’shpirt jo s’i shterri!
.
Kopshtet e Varura Babilonase
Kopshtet e Varura Babilonase
Kur ja, diku n’horizont pas kaq e kaq fushatash,
Vendlindj’e dëshiruar, i shfaqet para sysh.
Ja, atje mes çative të Ninives, shndrit shtëpi e saj,
dhe pezull rri n’qiell, si zogu n’fluturim,
ajo sikur ia zbuti zemrën asaj gruaje të hekurt.
Por ah, ah një dhimbj’e thellë shpirtin ia mundon…
Ashtu fitimtare marshon nëpër qytet, me trofe t’shumta
që ndër luftëra i kish fituar tash po i shpërndan.

.

Krejt populli është aty fitimtaren t’përshëndesë,
therorì pafund bëhen për lavdinë e saj,
kaldenjtë me shpirt u këndojnë shpendëve të flijimit,
ajo e heshtur si shkëmb, mbi plaçkën qëndron,
dhe mes fytyrash t’njohura portretin e një burri kërkon.
Në çastin e flaktë të zemërimit, nxirë n’fytyrë
kërkon gjithkah të birin, kërkon Ninin e vet!
 
Po pjellë e saj e squllët, ndër prehre grash rri strukur
zhytë n’plogështi e n’orgjira dit’ e net’ shtyn,
ndërsa nënë e tij n’lavdi të shekujve mbetej,
biri i saj, at shpirt shpartalluar haremesh e dëfren,
e ajo jet’e shthurur thellë n’gjak i është futur
e si bir perëndie jetonte mbi heroizmat e saj!
Kështu ai djalë, trimërive ua kish kthyer shpinën,
haremi dhe orgjia çdo freski t’shpirtit ia kish tharë!
 
E mbytur n’zemërim turfullon Semiramida,
krejt gratë e haremeve saora i dëboi,
pallatin e pastroi, e t’birit vrazhdë i foli:
“Ku do ta hedhësh gjithë këtë plaçkë lavdie,
Pse vallë kështu ruhet nderi i mbretërisë?!
Ti në vend të harkut, shpatës, yzengjive t’kalit
e qerres luftarake, nëpër shalë grash dhe orgjira
kërkon t’i ngrysësh ditët, kur betejat t’thërrasin?!
 
Eh, o pjellë e keqe, o krijesë mjerane,
kur nëna t’luftonte si luaneshë e tërbuar,
ti squllur epshesh, e tash me çehre kokoroshi
shndërrohesh n’shpend fodull e fryhesh si gjeldeti.
N’hov t’asaj zemre mbushë përplot me ligësi
edhe nënën e vet me sy lakmie e gllabëroi,
e një përvëlim i çmendur trupin ia mbështolli,
sikur asgjë prindërore t’mos i lidhte mes tyre.
 
Të dyve sytë iu errën: edhe nënës edhe djalit,
e nën perden e zymtë t’një hendeku mbetën.
E ndërsa Nini n’shtat, krejt t’atit i ngjasonte,
portreti i tij tashmë përbindësh shëmbllente.
E asaj gruaje heroike befas iu vërdall errësira,
e një buzëqeshje e lehtë shpërtheu si kandil jete…
………………………………………………………………
Më pas gjithçka rreth tyre u zhyt n’baltovinë,
E veç Zoti pastë mëshirë, për botën q’u gremis.
 
Beograd, 19 Dhjetor 1910
* Marrë nga Libri “Epopeja e Njeriut” i Martin dhe Mirash Ivanajt, përkthyer nga Lazër Radi (fq. 44-55)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.