“…Secili prej jush, dhe të gjithë bashkë!” – nga Jozef Radi

Jozef Radi 2016

Jozef Radi 2016

“…Secili prej jush, dhe të gjithë bashkë!”

nga Jozef Radi

Letër, drejtuar personaliteteve më të larta të Shtetit Shqiptar

I nderuar zoti President,
I nderuar zoti Kryeministër,
I nderuar zoti Kryeparlamentar,
I nderuar zoti Shef i Opozitës,
 
Ju drejtohem secilit prej Jush e të gjithëve bashkë,
pse konsideroheni katër kollonat më të rëndësishme mbi të cilat qëndron i mbështetur shteti i përbashkët i gjithë shqiptarëve, ai shtet që duhej të na bënte të gjithëve të ndjeheshim të barabartë, dinjitozë, krenarë dhe të gatshëm për çdo sakrificë që ai mund t’na kërkojë në ditët e tij të vështira.
Ju drejtohem Juve, (edhe gjithë atyre që kanë qenë para jush), sepse në këto 28 vite, secili titullar në postet tuaja, dhe të gjithë bashkë, s’e bëtë dot këtë shtet, një bosht rreth të cilit të vërtiten idetë e lirisë, barazisë e demokracisë; s’e bëtë dot këtë vend strehë të përbashkët të bashkëjetesës harmonisë dhe komunikimit të lirë; s’e bëtë dot këtë komb të mburret për ato vlera të kulturës, traditës dhe historisë që ka trashëguar e që s’janë aspak më të vogla e aspak më të parëndësishme se të çdo vendi tjetër europian.
Unë që ju drejtohem quhem Jozef Radi,
një qytetar i zakonshëm i një shteti të pazakonshëm! Këtij shteti i kam shërbyer për shumë vite pa gëzuar asnjë të drejtë, ku jam privuar nga gjithçka dhe çdo mundësi për të jetuar dinjitetshëm si qytetar i zakonshëm. Si unë kanë qenë më mijra e dhjetra mijra. Kam luftuar të qëndroj në atdhe dhe kam shërbyer me maksimumin e energjive të mia, deri ditën që secili prej jush dhe të gjithë bashkë e hodhët ne ere shtetin në Pranverën e ’97…
Vërtet ky shtet prej pak vitesh ka kapërcyer shekullin, po pjesën më të madhe të historisë së vet e ka pasur diktaturë. Edhe sot, në postdiktaturë ky shtet i mashtron me lehtësi e haptas qytetarët e vet, e po i përdorur mashtrimet e diktaturës si filozofi për mbajtjen e pushtetit. Dikur pushteti kishte izolimin e plotë dhe portat e hekurta të burgjeve e internimeve për qytetarët dhe kundërshtarët e vet, pushteti i sotëm i ka portat, por të mbyllura për njerëzit e krimit dhe korrupsionit dhe të shpartalluara për largimin e pjesës më të re, më të ndershme dhe më energjike të popullit. Ka 28 vite që kjo politikë e papërgjegjshme e ka nisur popullin drejt emigrimesh biblike pa kthim, e që përmes padrejtësive politike me pronat, në ndërtimet paleje, në kolapsin sanitar, në trajtimin e të përndjekurve politikë, me politikat fiskale shtrënguese e asfiksuese, me shkatërrimin graduakl të sistemit shkollor, me ruajtjen e mbeturinave më të errta të diktaturës, me shuarjen e kompeticionit të vlerave, me shkatërrimin sistematik të drejtësisë, me inkurajimin e korrupsionit në çdo qelizë të jetës ajo i ka reduktuar dhe vazhdon t’i reduktojë qytetarët e vet, në viktima të mjera të padrejtësive, duke i zhytur në frikë, dëshpërim, mosbesim e çorodi e më pas bën shfaqje publike për t’i trajtuar “fshatçe” ato halle që ajo vetë i ka shkaktuar; tashmë jo për t’i zgjidhur, po për të shtirur sikur dëshiron t’i zgjidhë; kur dihet botërisht se kush e shkakton problemin, s’mund të merret kurrsesi me zgjidhjen e tij!
Ky shtet vërtet ka prodhuar ligje, bile me shumicë, por jo ligje si rregullatorë të jetës sociale, po vetëm si shfaqje për interesa grupesh e klanesh të ngushta, e për të mos e lënë këtë vend pa spektakël. Ata që duhej të ishin pjesa më e ndërgjegjshme e kombit dhe e shtetit, parlamentarët prodhojnë ligje dhe i lënë në mesrrugë ato pa ndjerë asnjë lloj përgjegjsie.
Ky vend, mbas një lufte të çmendur klasore të së djeshmes, ka sot një luftë të re klasash, të maskuar, të rafinuar e përjashtuese që po shkakton një dëshpërim kolektiv, një neveri të përgjithshme, një përçmim gjithnjë e në rritje, një revoltë dëshpëruese. Secili prej jush dhe të gjithë bashkë, keni krijuar kastën e vazhdimësisë të së djeshme, me bijtë dhe nipotizma diktature, me mbiemra të njohur krimesh, me krushqi vertikale e horizontale në trashëgime pushteti, me pandjeshmërinë e frikshme të një shteti që sot drejton vetëm interesa të një pakice.
Kjo politikë e kulmuar sot, ka humbur çdo element njerëzor në sjelljen e saj ndaj qytetarit të thjeshtë, ndaj biznesit të vogël, ndaj pronës legjitime, ndaj frymës së bashkësisë, ndaj taksve të shproporcionuara, ndaj vlerave të kulturës, ndaj shkollës, dhe punësimit të rinisë… Ju keni krijuar një burokraci politike, dhe jo një burokraci profesionale dhe konkuruese. Prandaj shoqëria shqiptare gjendet sot nën ankandin e ikjeve, jo më me anije si fillimvitet ’90, po me mjete dhe mënyra të reja!
.
Censurë komuniste...

Censurë…

Ju drejtohem Juve zoti President,

keni qenë deputet për 25 vite deputet në Parlament, keni qenë gjithashtu Ministër i Jashtëm, zv/kryeministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti, e sot jeni President Republike; keni qenë pozitë dhe opozitë, keni qenë student dhe jeni President si i mendoni përgjegjësitë Tuaja të gjithë kësaj periudhe, kur shteti shqiptar ndodhet në ditët më të errta e më të vështira?!
.

Ju drejtohem Juve zoti Kryeministër,

keni qenë nismëtar opozite, bile me pjesëmarrje në mjaft parti mbas ’90; keni qenë njeri i shtypit për mjaft vite, Kryetar i Bashkisë mbi gjysëmmilionëshe të Kryeqytetit, për tri mandate rradhazi, po edhe Ministër Kulture, edhe Kryeministër për dy mandate rradhazi… Jeni deputet prej tre legjislaturash, pra keni qenë pozitë dhe opozitë… A nuk e gjykoni se e gjitha kjo që ndodh nën sytë dhe pushtetin tuaj ka vulën, vullnetit dhe frymën e ideve tuaja?! A e keni menduar se prej asaj konference shtypi, kur kërkuat që opozita e parë të mos kishte njerëz me tesera të Partisë së Punës në xhep, e deri sot qe njerëzit me teserat e dikurshme i ke kaq afër dhe rrotull teje kane kaluar 30 vite?! Ndërkohë që sot je ti vetë del publikisht t’u dhurosh tesera (dhe premtime) atyre që janë ende në bangat e shkollave?!
.

Ju drejtohem Juve zoti Kryeparlamentar,

keni qenë Ministër i Brendshëm, kur ajo ministri famëkeqe identifikohej me Sigurimin e Shtetit; jeni ndër 2-3 deputetët më jetëgjatë nga diktatura në postdiktaturë; keni peshën e tragjedisë së 2 prillit, ku humbën jetën katër të rinj që kërkonin një Shqipëri ndryshe; keni qenë shefi më konstant i opozitës, kur partia juaj bënte Opozitën dhe shefi i pushtetit kur partia juaj merrte Pushtetin. Në krejt alternimet e këtyre 27 viteve postdiktaturë keni qenë i pranishëm, duke e kulmuar lavdinë tuaj si Kryeparlamentar i këtij shteti! Guxoj të them që nëse ka një “mea culpa” që s’u tha kurrë për krimet e përbindshme të diktaturës, e drejtoj gishtin te Ju, ndërsa sot e mbaj sërish gishtin drejt teje si inspirues i Pilatëve; e nëse ka një luftë të re klasash pothuaj e dukshme: ju jeni flamurtari; nëse ka një degradim të moralit të politikës: ju jeni njeriu i përgjegjsive!
Jeni ju ura mes së djeshmes dhe së sotmes dhe s’mundet të bëheni kurrsesi pëllumb paqeje, i një shoqërie që po e riciklon me krenari krimin…
.

Ju drejtohem Juve Shef i Opozitës,

Jeni deputet prej 13 vitesh; gjithashtu keni gëzuar portofolet si Ministër i Jashtëm, si Ministër i Brendshëm dhe Ministër Transportesh; si Kryetar i Bashkisë më të madhe në vend, dhe shef i Opozitës prej vitit 2013… Keni mbi supe një 21 janar, prej të cilit iu dha hov opozitës ta rrënojë shtetin në emër të Pushtetit, dhe katër jetë të humbura njerëzish në protestë! Ishit dhe jeni prej 6 vitesh Shef i një Opozite pasive e të mefshtë, dhe flet vetëm për lojën e gënjeshtrave në politikën shqiptare, mbas tri dekadash alternime pushtetesh!!!
Ju s’mundët ta bënit opozitën Opozitë; sepse Opozita kërkon ideale, kërkon njerëz vizionarë që shohin përtej pallateve që rrëzohen; Kërkon moral dhe guxim qytetar, kërkon ide të reja, kërkon njerëz të rinj jo vetëm në moshë… Ju s’keni asnjë prej këtyre! Ju keni thjesht një kontratë – për të mbajtur kundërshti vizive me pushtetin dhe asgjë më shumë! Prandaj ju sot aq shumë i ngjani një njeriu të pushtetit, e “as me pishë, as me qiri!” pushteti s’e gjente dot një më të mirë se Ju!
 
E theksoj të nderuara personalitete, unë kam vendosur emrin tim, po shumë qytetarë mund ta vendosin emrin e tyre në këmbim të emrit tim. E ata nuk janë as dhjetë, as njëqind po mijra e mijra qytetarë të lirë të këtij vendi që mund ta shkruanin e ta nënshkruanin këtë letër…
Ju do të mbeteni përfaqësi e denjë e frymës komuniste, sepse gjithë urrejtja e pronës dhe lirisë për 46 vite diktaturë në 28 vite postdiktaturë, ju ka zbritur si prej qiejve në prona e begati veç për xhepat e kastës suaj të panginjëshme, çka përbën edhe krimin më të madh që ju i keni shkaktuar këtij vendi…
E ndërkohë që vazhdoni ta vrisni, ende e kërkoni brohorimën e tij…
 
Prej 28 vitesh, së bashkë dhe veçmas, e keni qeverisur këtë vend e çdo hallkë të këtij shteti, dhe kur kërkohej një reformë a frymë e re përtëritëse; kur kërkohej me urgjencë një gjykatë dinjitoze o një prokurori e pakompromentueshme… gjithnji na keni shfaqur veglat e djeshme të një shteti rekrutues me të “rekrutuar të përndritshëm” në harmoni pothuaj perfekte mes tyre, duke e transformuar kët vend në një ulërimë të pashembullt imoraliteti.
Prej 28 vitesh secili prej jush dhe të gjithë bashkë s’e dëshiruat këtë shtet si strehë të përbashkët të gjithëve shqiptarëve… Asnjë prej jush s’ka luftuar për një shoqëri ku të sundojë drejtësia, ligji, barazia para ligjit, vlerat, aftësia, konkurenca e lirë, morali… përkundrazi, diktaturën e proletariatit e kamufluat me diktaturën e ligjeve të padrejta… duke e bërë shembull ligjesh të anashkaluara, mashtruese, një kaos që ju e krijuat e që as vetë s’po dini ta zgjidhni.
E thashë timen… shpëtova shpirtin tim!
Vjeshtë-dimër 2018
.
Sqarim: Nuk përmenda emra, sepse mendoj se me të njejtën frymë, do t’u drejtohem edhe pasardhësve të tyre…
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Artikuj, Gazeta  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook