back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Sami Repishti: Nga Gjermania – Nji qytetnim që nderon…

Gazeta

Prof. Sami Repishti
Prof. Sami Repishti

Profesor Sami Repishti:

Nga Gjermania – Nji qytetnim që nderon…

Sot lexova në faqen “Balkanweb” nji lajm me titull: “Masakra e Borovës pas 70 vjetëve…”, dhanë nga autorja Enkelajda Skënderasi, të cilën e falënderoj përzemërsisht.
“Masakra e Borovës”, nji fshat afër Ersekës, ashtë nji nga “haraçet” e shumta të luftës kundër okupatorit nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, që nji popull krenar shqiptar do të paguente për arsye të qëndrimit të tij rezistues kundër së “Keqes së madhe”, nazizmit, që mundonte të gjithë Europën e okupueme. Sot kujtojmë me dhimbje e mirënjohje viktimët e pafajshme – 107 burra, gra e fëmijë – që u masakruen barbarisht nga xhelatët nazistë gjermanë, të cilët në atë ditë fatale të 6 korrikut 1943, dogjën edhe fshatin e Borovës martire. Por në këtë përkujtim të përvitëshëm, kësaj radhe mori pjesë edhe nji i huej, gjerman i paftuem dhe i panjohun, por me ndjenja fisnike e njerëzore të pastërta. Ky i “huej” ishte qytetari gjerman z. Marcus Burger, i biri i xhelatit nazist Anton Burger, reparti ushtarak i të cilit ekzekutoi urdhnin e Komandës Gjermane për masakrën e Borovës më 6 korrik 1943. “70 vite ma parë, deklaroi z. Burger, babai im ka qenë në këtë vend dhe ajo çka ka ndodhur në 6 korrik 1943, në Borovë, mua më sjellë pamjen e babait vërdallë. Ai nuk tregoi kurr për Borovën, nuk fliste zakonisht për luftën shkatërruese, e cila kishte sjellë shumë dhimbje, dëshprim dhe urrejtje për shumë njerëz në Europë. Vetëm dy vjet ma parë dhe nji vit mbasi babai im kishte vdekur, munda të gjej ditarin e babait tim, i cili fliste për Borovën. Ishte nji keqardhje shumë e thellë, dhe nuk mund të përshkruej ndjenjat e mia nga ajo ditë, dhe veçanërisht sot. Nuk jam këtu të zvogloj dhimbjen dhe keqardhjen. E vetmja gjë që unë jam i aftë të bëj është që të ndaj këto përkujtime me ju dhe t’ju kërkoj falje për atë që ka bërë babaj im këtu. Kurr nuk do të harroj të kaluemen, por sot së bashku, si qytetarë europianë, së bashku të ndërtojme urat e miqësisë që janë të domosdoshme për të ardhmen tonë dhe të fëmijve”, deklaroi Marcus Burger Tue lexue komentet e bame për këtë njoftim, kuptohet lehtë efekti bamirës i aktit çlirues të qytetarit gjerman Marcus Burger. “Masakra ishte e tmerrshme, falja që kërkoi djali i gjermanit mendoj se është qytetari”. “Qytetar i vërtetë gjerman. Bravo!”
.
Burger's... i ati dhe i biri
Burger’s… i ati dhe i biri

“…Nji gjerman që gjen përgjegjsinë e babait vjen e kërkon falje. Na mungon civilizim në këto toka!” etj. Revista amerikane “TIME” (26 nandor 2012, f.64) përmbante nji pyetsor me 10 pika për zonjën Katrin Himmler, mbesë e kryekriminelit nazist Himmler, shef i shërbimeve sekrete të kryekriminelit A. Hitler, e martueme me nji djal izraelit. “(Me jetue me këtë trashëgim)… ka qenë gjithherë nji peshë e randë për familjen tonë, – deklaroi ajo, – “por babaj im fliste gjithherë haptas (për krimet naziste të xhelatit Himmler). Filmi ‘Holokaust’ më tronditi dhe kuptova se xhaxhai ka qenë përgjegjës kryesor”. E pyetun se çfarë mendon ajo për zonjën Betty Goering, mbesë e ish mareshalit nazist Herman Goering, që ka vendosë mos me lindë fëmijë, kështu që të shuhet kjo farë e keqe, zonja K. Himmler përgjegji: “Ka shumë të tjerë fajtorë të krimeve të tyne në Gjermani që kanë vendosë mos me lindë fëmijë… Por unë mendoj se nji mentalitet i këtill influencohet nga ‘teoria e gjakut të pastër’ nazist. Për mue, tha ajo, ka randësi natyra e edukimit dhe kalimi i përvojës sime te të tjerët”. E pyetun për djalin e saj 13-vjeçar, ajo përgjigjet se ai din gjithçka (nga shkolla), por nuk asht problem i mprehtë për mue. Unë vuej ende!”. E pyetun si ndjehet që ka martue me nji izraelit, baba i të cilit ka mbijetue Holokaustin, ajo u përgjegj: “…Na bisedojmë haptazi për këtë… Prindët tonë, nga të dy palët, janë mendjehapun dhe tolerantë. Prindët tonë janë miq të mirë. Të dy familjet tona janë të bindun se nuk ndihmon nji ndamje e botës në ‘të mirë’ dhe në ‘të këqij’ mbas kaq breznish, por asht e nevojshme me komunikue njeni me tjetrin”. Gjatë qëndrimit tim si student në Universitetin Sorbonne të Parisit (1970-1971) kam pasë rastin të shoqnohem me nji studenteshë gjermane që punonte, ashtu si unë, në tezen e doktoratit. Le ta quejmë Marlenë. Gjatë nji bisede miqësore, i tregova se ishe refugjat politik, ish-i dënuem nga regjimi komunist në Shqipëri. Gjendja e ime rriti kuriozitetin e Marlenës dhe nevojën për bisedë politike. Marlene me tregoi se ishte largue definitivisht nga familja e prindëve për arsye të natyrës morale. “Babaj im, më tregoi ajo, ka qenë zyrtar i naltë civil gjatë regjimit nazist në Gjermani. Ai nuk ka qenë as anëtar i Partisë Nacional-Socialiste, as në shërbim të policisë së mshehtë naziste. Po unë, vazhdoi ajo, e informueme për diktaturën naziste dhe krimet e saj të pafalshme, nuk mund të pranojshe spjegimet e shfajsimit të babës. Nji ditë diskutimi u acarue. Unë humba durimin dhe i thashë babajt haptazi: “Nuk mund të banoj bashkë me ty nën të njëjtën çati!”. Mora valixhen dhe që nga ajo ditë nuk kam komunikue me prindët e mi. Edhe sot unë e dënoj randë babajn tim…”. Atë ditë kuptova si duhet shkallën e naltë të procesit të de-nazifikimit në Gjermani.

Markus Burger... në Borovë
Markus Burger… në Borovë

Masakra e Borovës e 6 korrikut 1943 dhe regjimi diktatorial i PPSH/PSSH për 45 vjet të gjata në Shqipëri janë dy pamje që përjashtojnë njena-tjetrën: bota e viktimës së pafajshme nga njena anë, dhe bota e krimit të pajustifikueshëm nga ana tjetër. Për fat të keq, kjo botë e krimit zgjati shumë; dy brezni lindën dhe u rritën nën hijen e katër kalorësve të Apokalipsit komunist: gënjeshtër, urrejtje, terror dhe vorfëni. Viktimët e këtij absurditeti monstruoz e megjithatë të dëshiruem, janë akoma gjallë. Dhe akoma ma keq: fajtorët e krimeve makabre të kryeme nga komunistët në Shqipëri – nëse nuk kanë vdekë – kanë lanë mbrapa nji brezni të papjekun dhe të pandërgjegjshme për përgjegjësinë e krimeve të prindëve të tyne. “Shteti” shqiptar ka dështue plotësisht në përpjekjen e tij me demaskue nji të kalueme sa të turpshme, aq edhe kriminale. As krimi, as krimineli nuk janë vue përball ligjit. Asnji masë edukative nuk asht ndërmarrë me nxjerrë në dritë të vërtetën tronditëse, dhe me riedukue rininë shqiptare me frymën e përgjegjsisë ndaj shoqnisë, dhe domosdoshmëninë e shtetit ligjor. Shkollat dhe tekstet shkollore, muzeumet, institucionet kulturore dhe artistike, klubet, shoqnitë e ndryshme nuk kanë marrë përsipër demaskimin e murtajës komuniste dhe rindërtimin moral të shoqnisë shqiptare, sot akoma e smurë, ndërsa në Gjermani dënohet me burgim shpërndamja dhe botimi i materialeve naziste, në Shqiperi kemi pesë parti politike që përpiqen me ringjallë “të kaluarën komuniste” dhe lejohen nga ligji. Funerale madhështore mbahen për kryekriminelë. Prandej, shqiptarët janë sot dëshmitarë të fenomeneve negative të “respektit” për diktatorin dhe diktaturën, tue vra kështu përfundimisht ndërgjegjen e shqiptarit me dinjitet. Lënia mbas dore e ish-të persekutuemve – e sidomos poshtërimi zyrtar i grevistëve që sakrifikuen jetën për të drejtat e tyne, – janë sjellje skandaloze dhe të pafalshme. Sot Gjermania ndihmon procesin e pajtimit dhe të faljes së fajit sepse ka ndërgjegjen e pastër që ka de-nazifikue vendin. Shqipëria vuen akoma nën peshën e ndjesive të urrejtjes dhe mospërfilljes… pa shpresë përmirësimi.

Borovë - Tetor 2008 (foto j.r)
Borovë – Tetor 2008 (foto j.r)

Pavarësisht nga orientimi politik i seicilit nga ne, mendoj se herojt, dëshmorët dhe të persekutuemit gjatë 45 vjetëve të terrorit të murtajës komuniste në Shqipëri janë sot heroj të rezistencës antidiktatoriale dhe duhen shikue si “kapitali moral i shoqënisë demokratike shqiptare”. Ashtu si kanë qenë herojt e rezistencës kundër okupatorit gjatë pushtimit fashisto-nazist. Ata që mbijetuen janë bërthama e shëndoshë e nji shoqënie civile shqiptare, elementi ma i përshtatshëm për ndërtimin e Shqipërisë së re demokratike. Ashtu si janë… “leckamanë”! Shtypje e mjerime të pabesueshme kanë pësue “leckamanët” e sotshëm për 45 vite të gjata: burra, gra, fëmijë, familje të tana që nuk thyen asnji ligj, që nuk shkaktuen asnji dam, dhe që kontribuen fuqimisht e në çdo mënyrë në ndërtimin e vendit të tyne, vendit tonë të përbashkët, në mirqenien e popullit të tyne, me pranga në duer, me kamxhik në kurriz dhe me vendosmëninë e patundun me mbrojtë këtë tokë Nane – që i përbuzi gjatë gjithë jetës së tyne….! Kjo asht edhe tragjedia e tyne! Sot ata nuk ndigjojnë fjalën ma fisnike: “Kërkojmë falje!”. Dhe as që do ta ndigjojnë nga ata që përsërisin: “Nuk e ndiej veten fajtor! Nuk kam ba asnji faj!”. Dhe mbas pak vitesh, nuk do të mbetet viktimë e gjallë që ta ndigjojë shprehjen “Kërkojmë falje!”. Por kjo mund të arrihet vetëm kur të ndërgjegjsohemi ashtu si populli i qytetnuem gjerman!
(Marrw nga http://shinasi.wordpress.com/2013/07/09/sami-repishti)

P.s Falenderojmë Profesor Sami Repishtin, staturën e tij intelektuale që i ban sfidë moshës, për gjithë kontributin e vazhdueshëm që Ai jep në amortizimin e plagëve shoqnore që po kalon Shqipnia, gjatë këtij tranzicion të vështirë postdiktaturë… dhe njiherit i urojmë që fryma e tolerancës qe Ai na përcjell, të gjej mirkuptim të nji numër sa ma i madh shqiptarësh… j.r.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Zoti Sami Repishti ka bo 2-3 gabime n’kët shkrim (shpresoj “lapsuse”).
    1.Krimineli nazist ose Baba e Marcus-it ishte ushtarak që ka zbatu urdhnin. (Gjermont kishin deklarù qi nuk do luftojshin n’Shqipni. Po çere ti bojsh kamunistve qi vranë me t’pa besë ca ushtarë t’Hitlerit ne ai Anon Burgeri boni raprezaljen e urdhnume prej t’parve t’vet!)
    2.Jon veç 4 Parti direkt enveriste qi mrohen pri ligjit. Partija qetër osht e paligjshme. (E formume m’ilegalitet m’dyztenjishin). Historija kshu thotë! Veç m’past bo gjo m’kok t’vet ky Nesip Noçi, ene ka fut naj shage bereku ke defteri i kërkesave për partitë e reja ke Ministria e Drejtsisë (social-integruse) shqiptare!
    3.Me nji t’hudhme syu u shifte qi greva qè e shtyme prej hasmit tonë (tonit, ene t’Samiut). Ato t’flijumit e shkretë t’paktën t’ishin fliju qi t’ju hapshin dosjet xhelatve t’komunizmit!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.