back to top
5.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Sami Frashëri i shkruan letër – Jeronim De Radës!

Gazeta

Sami Frasheri (1850-1904) Jeronim De Rada (1814-1903)
Sami Frasheri (1850-1904) – Jeronim De Rada (1814-1903)

Sami Frashëri i shkruan letër – Jeronim De Radës!

Ja çfarë i shkruante Sami Frashëri, prej Stambollit Jeronin de Radës:

Ndë Kostandinupojë më 20 të shkurtitë 1881,
Zot i nderçur’ e vëlla i dashurë
Përgjigjemi në dy letra të zotërisë sate, njera shkruarë më 28 të Sh. Mërtirit (novembre), tjatra më 2 të shkurtit (fevrier) 1881. Edhe të lutemi të na ndjejsh që mënuamë të përgjigjeshimë mbë kohë në të parët.
Kemi kënduarë, që motit, këngëtë që ke mbledhurë e punëratë që ke bërë zotëria Jote në gjuhët tënë e për kombinë tënë edhe i kemi pëlqyerë shumë, sikundrë edhe gramatikënë e zotit të nderçurë djalit zotërisë satë z. Giussep Radësë, të cilit i gëzohemi edhe e përqafojmë vëllazërisht.
Të përgjigjemi përpara për punët t’allfabetësë: Allfabeta, që ka bërë shoqëria jonë na duketë se është shum’e leht e e plotë, edhe gjuha jonë shkruehtë me të, fort mirë.
Kjo allfabetë ësht’ edhe e pëlqyerë e e dheksurë prej gjithë shqiptarëvet, e sot është e përhapurë nëpër gjithë Shqipërinë. P’andaj na duketë që s’është nevojë të kërkojmë tjetërë alfabetë.
Për punët të fletësë (a ditaresë) jemi menduarë që kohët, edhe shumë herë kemi kërkuarë pandaljenë (la permission) nga kuvern’ e turkutë, po s’na është dhënë; e turku nukë do xjuarjenë e shqiptarëvet edhe lindjen e Shqipërisë përsëri, po do t’e ketë fjetur’e të verbërë.
Kemi shumë nevojë po do t’e sjellë puna që t’e nxjerëm (le publier) në Shqipëri, nukë me gjuhëra shumë po vetëm në gjuhët shqip të pandemë e të njëjtë, sikundrë duhetë të jetë edhe Shqipëria, se shumë gjuh’ë e shumë djalekta sjellinë, ndarje e mërgimi.

Odise Paskali - Jeronim De Rada
Odise Paskali – Jeronim De Rada

Vërtet sot kemi disa djalekta, po këto nukë janë të huaja njera nga jatëra; po ca nga fraset edhe nga fjalët e gjuhësë kanë humburë më ca anë të Shqipëris’e të kolonivet e kanë rojturë më ca anë të tjera, shumë fjalë, pase e mbrujtime të fjeshta e të mira që rojnë në Shqipëri janë humburë nëpër kolonit, shumë të tjera janë humburë në Shqipëri e rojnë nëpër koloni (a kolonjat), kshu edhe në mest të Gegërisë e të Toskërisë edhe të gjithë këtyre fjalëve e fraseve bashkë, edhe gjuha shqip do të bëhetë e begatë (riche), e gjerë e do të shpëtonjë nga të pasurit nevojë më fjalë të huaja, edhe gjithë djalektatë do të gjendenë të gjitha të bashkuara e të përzjera.
Të vimë në punët e ndarjes Shqipërisë më tri degë të bashkuara (a trois etats confederes). Kjo punë as e mirë na duketë, as mund të bënetë kurrë në Shqipëri; se e para nukë duamë të ndahemi, po duamë të bashkohemi satë muntmë më teprë; e dyta, Shqipëria nuk ësht’ ndarë pas fevet, edhe shqiptarët e çdo feje nukë janë të ndarë më vet’he po gjendenë të bashkuarë më çdo anë, përveç në Shqpëri të poshtërme që s’ka katolikë.
Shumë fara e fise janë që pushtojnë muhametanë e të krishterë, edhe një i krishterë është m’i aftrë me një muhamentan që ka në farët të ti, se nga një i krishterë që është nga një farë e tjatërë; edhe me të gjithë të pjekurit të huajët, do-me-thënë të turqet, të krekërvet, të shqehet (des slaves) e të tjerëve, që rahana nat’e ditë të na ndajn’e të na çajnë, vëllazëria në mest tënë nukë na është prishurë, edhe të gjithë shqiptarëtë duanë të quhenë vëllezërë edhe djemt’e një mëmëdhethi të dashurë; edhe në ka më nonjë anë ndarje duhet t’e çkulim e t’e hedhimë poshtë, duke lënë fetë për në kish’ë për në xhami, e duke bërë gjithë vëllezërë sikundrë n aka bërë natura e sikundrë kemi qënë të moti.
Pun’e vëllazërisë shqiptarëvet edhe e bashkimit e e ngjalljes Shqipërisë është pun’e Lidhjesë (de la Ligue) që e ka zënë punënë shëndoshë edhe po vete gjithënjë mbarë; pun’e të ngjallurit të gjuhësë shqip edhe të bashkuarit të djalektavet t’asaj e të ndritësuarit të kombit tënë që është një pun’e shenjtëruarë t’e mbaronjë pa ndihmën e burave si zotëria Jote e si të tjerë djem e të ndrituarë të mëmëdhethit tënë që janë në kolonjat e Italisë e gjetëk.
Po tani nuk po vemi përpara si duamë se gjendemi në një vënt që s’ka dliri (liberte) e papengim për të këtilla punëra, edhe më teprë sot që mbretëri e turkut ka zën’e s’zë besë më shqiptarët, po i vështron si armiqt e saj.
Punërat që po bën lidhja e Shqipërisë në Gegëri, që nonjë muaj e tëhu, mbase nuk i kini dëgjuarë, se fletët e Evropesë nukë bëjnë shumë fjalë, duk me qënë që mënj’anë Turqia nukë le të dëgjohenë nëpër botët më nj’anë armiqtë tanë greqt’ e shqehtë, duanë t’i tregojnë të vogëla e të mosgjëjta.

Tre Vellezerit Frasheri - Abdyli - Naimi - Samiu
Tre Vellezerit Frasheri – Abdyli – Naimi – Samiu

Lidhja e shqiptarëvet që ka kërthizën në Pizdren, në Gegëri, ka kërkuarë shumë herë që nga tre vjet e tëhu, bashkim’i i Shqipërisë më një provincë me otonomi po mbretëria gjer më sot e kish gënjyerë me fjalë, edhe s’ka dashurë të bënjë gjë farë për Shqipërinë.
Këtë herë shqipëtarëtë e kupëtuanë fort mirë që mbretëria nukë do të bënjë gjë kurrë për ta, edhe Lidhje e Pizdrenit pa nevojë të bashkojë Shqipërin’e të bënjë një me otonomi, e mbase me ç’këputje (indepedance) fare, pas punës, kështu Lidhja mori emërin e kuvernos të përdorme (gouvernement provisoire) edhe përzuri kuvernatorëtë turq nga gjithë vilajet i Kosovësë edhe nga Pizdreni, nga Djakova, nga Tetova, nga Dibra etj.
10000 shqipëtarë të armatosurë kanë zënë Ysqypnë (Shqupnë) edhe udhënë e hekurtë; 10000 të tjerë bëhenë gati për të unjurë në Toskëri.
Për pakë kohë do të dëgjoni një ngritje (revolution) të madhe në Shqipëri. Në u bëftë dot Shqipëria më vet’he, nukë do të kemi nevojë për prensër as të krishten’ as muhametanë, që të na rjepën e të na pinë gjaknë’ vëndi ynë munt edhe do të kuvernohetë prej një farë dhemokratije prej pleqet, sikundrë kanë qenë prindët tanë që motit, edhe sikundrë jan’ edhe sot malësit’ e Shqipërisë, që janë thuase të dlirë e më vetehë.
Po të mbarohetë kjo punë, atëherë [krijohen mundësi] edhe për fletët edhe për të shkelurit e këngëvet të zotërisë s’ate e të tjera.
Të falemi me nder e me shumë dashuri.
Sami Frashëri

(Marrë nga vepra 2 e Sami Frashërit – dhe faqja e FB e Shefqet Cakiqi Llapashtica)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.