back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Sali Berisha: Intelektuali përballë detyrave të kohës (1990)

Gazeta

Sali Berisha (1944)
Sali Berisha (1944)

Shfaqja e parë publike e Sali Berishës…

nga Jozef Radi

Në 20 maj të 1990, ndodhi shfaqja e parë publike e Sali Berishës, e shoqëruar me fjalinë, “mjek i njohur, autoritet shkencor brenda dhe jashtë vendit…” Prej asaj së djele maji, deri sot kanë kaluar pothuaj 24 vite. Po, për ta shijuar paksa ma ndryshe leximin e shfaqjes së parë së këtij mjeku intelektual… njiherit edhe personalitet, i cili ne dritë dhe në hije do të përfaqësonte politikën e re të ndryshimeve… sigurisht edhe të historisë shqiptare… Do të përpiqem ta përcjell dhe ta sjell ashtu siç e kam (kemi) lexuar, ashtu siç e kam (kemi) kuptuar dhe siç e kemi diskutuar atë të djelë maji, kur ne (unë dhe im atë e plot të tjerë) ende vazhdonim të jetonim nën peshën e terrorit të nji kampi interrnimi, ndërsa bota dukej sikur me shpejtësi marramendëse po ndrronte kahun e lëvizjes…
Asokohe, për gati pesëmbëdhjetë vite kisha qenë e abonent i rregullt i gazetës “Drita” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë... Sigurisht gazetë kulturore mjaft e politizuar, por që gjithsesi na mbante në korrent të ngjarjeve, personazheve e botimeve, gjithnji me shpresën se diçka mund të ndryshonte, o duhej të ndryshonte, pse jo edhe do të ndryshonte…!! Rënia e Murit të Berlinit kish dëshmuar qartë dhe pa ekuivoke se gjithçka ishte vetëm çeshtje kohe… asgja ma shumë… Po shoqëria shqiptare ishte ende e ndrydhur, e mefshtë, e mpirë, e terrorizuar… trushplame… dhe dukej sikur të gjithë e shihnin në sy njeri tjetrin, duke kërkuar njifarë besimi dhe mbështetje, po pakkush guxonte e shumkush s’e dinte se ç’ështe LIRIA…
Kjo intervistë e parë e Berishës, ka vetëm tre pyetje të shkurta… Përgjigjet janë të gjata, tejet të gjata, pothuaj secila artikull më vete… Ato hyjnë nëpër labirinthe të jetës shqiptare, përpiqen të shpjegojnë diçka, përpiqen të dëshmojnë se inteligjencia shqiptare ishte gati të marrë (ose po ja jepnin) përsipër përgjegjsitë e shpëtimit të nji populli… Sigurisht janë pyetje të studiuara… Ama edhe përgjigjet ashtu janë… të studiuara deri në imtësi… E ndërsa unë e lexoja me zë at intervistë të parë, pak si tepër entuziast, im atë shtrirë në shezlong, me dy duart mbas koke, më përcillte me heshtje, me shumë heshtje… Herë mbas here më kërkonte t’ia përsërisja frazën e fundit… sigurisht unë v azhdoja ashtu euforik, kurse ai me at qetësinë e tij më frenonte dhe sikur kërkonte t’i hynte sa ma në thellësi asaj çka po ndodhte në mbrapaskenë të diktaturës… Në të vërtetë edhe ai ishte entuziast, edhe ai e ndjente at frymë lirie joshqiptare… po s’e jepte veten… Ndjehej i shqetësuar për faktin se si do të përcillej ajo frymë lirie në nji vend ku ishte harruar emri lirisë… lëre ma vlerat e saj…
Kët shkrim do ta quaj edhe sot mjaft pozitiv… Mbas atij leximi të përbashkët, Im atë e mori dhe e lexoi qetësisht te qoshja e tij e punës… duke nënvizuar me imtësi problemet, duke lënë edhe mjaft shënime të vetat anash gazetës Drita
Ajo e dielë maji… (përmes asaj interviste), la ndër ne shijen e nji feste që pritej… Nji festë e vonuar, e vështirë, tronditëse… e që sot, mbas kaq kohrash, shumkush mund ta quajë edhe mashtruese, edhe hipokrite, edhe qëllimkeqe…
Sigurisht sot… po! Atherë koha kishte nevojë për besim! Kjo shfaqje e parë e figurës së Sali Berishës, sot të shfronsuar nga pushteti, mund të mos ketë asnji vlerë. Këtu është fjala për të dëshmuar nisjen e nji procesi të gjatë e të trukuar me rezultate të qarta si drita e diellit… Sigurisht n’at kohë, bëhej fjalë për shfaqjen e njerzve ndryshe, e mendimit ndryshe, e kohës ndryshe… A ishte e gjitha kjo nji farsë e madhe që do të luhej mjeshtërisht?! Sot janë të shumtë ata që mendojnë: se Po… Kjo sepse shpesh ngjarjet e rëndësishme gjykohen mbasi ato kanë dhënë frutet e tyre, por njeriu jeton me të përditshmen e ngjarjeve dhe shpesh ai s’është dhe s’mund të jetë aq largpamës, sa t’i kuptojë o t’i parandjejë efektet e prapaskenave të tyre. Pastaj në nji kohë të errët tiranie, njeriu ka prirje instiktive t’i besoje gjithçkaje që flitet në emër të lirisë… dhe Sali Berisha ka folur shumë në emër të asaj lirie që atëhere mungonte, por që ai e kishte… dhe sigurisht, Ai u ka bërë mjaft favore të gjithë atyre që e shtynë të ndriste me aq vezullim  “ylli i tij”, tashmë me mision të kryer plotësisht…
23 tetor, 2013

Jozef Radi 2000
Jozef Radi 2000

Intelektuali përballë detyrave të kohës

Me mjekun e njohur Sali Berisha, autoritet shkencor brenda dhe jashtë vendit

20 Maj  1990 – Miq në tryezën e “Dritës”

Ç’mendoni si intelektual për rëndësinë e Plenumeve të fundit të KQ të Partisë dhe vendimet që janë marrë? – Plenumet e fundit të Partisë mbartin në vete një rëndësi historike për fatet e vendit tonë. Ato, në përputhje të plotë me dëshirën dhe traditën hìstorike të popullit, i dëshmuan botës qartë se shqiptarët, si banorë ndër më të vjetrit e këtij kontinenti, kanë plazmën, energjinë dhe urtësinë e pashoqe për të ndjekur të vendosur, pa komplekse dhe pa diktat, rrjedhjen përparimtare të zhvillimeve të mëtejshme të brendshme, por edhe të atyre evropiane e botërore, se ata janë të palëkundur ne rrugën e thellimit dhe zhvillimit të pandërprerë të demokracisë dhe ashtu siç thotë shoku Ramiz, “dinë të mos e vënë veten në anën e humbur”. Dua të shtoj se një përgjigje merr gjithashtu çdo pseudopatriot ithtar i izolimit që këtë të fundit e konsideron si rrugë për ruajtjen e pavarësisë. Pavarësia e një vendi është gjithnjë një koncept shumëpërmasor. Izolimi si dukuri më së shumti mund të ruajë rehatin apo privilegjet e ndonjërit, ndërsa për një komb për rrjedhoja të pashmangshme, ai ka psikozën dhe shterpërinë e tij. Aq më pak mund të pajtohet me psikologjinë e izolimit një popull si ky yni, që ndonëse me një histori tepër të vështirë në thesaret e tij shpirtërore nuk ruan asgjë përbuzëse, nënçmuese apo poshtëruese për të tjerët, përkundrazi, ai edhe në kanunet e tij të lashtë përcakton si institucione supreme atë të mikut dhe të miqësisë
Pikërisht në këtë periudhë të rëndësishme në të cilën ndërrohen jo vetëm shekujt, por edhe mijëvjeçarët, roli dhe përgjegjësia e inteligjencës në zhvillimin e jetës shpirtërore, kulturore, artistike e shkencore të shoqërisë kanë një rëndësi kritike. Mirëpo roli dhe përgjegjësia e intelektualit përcaktohen nga një mori faktorësh dhe rrethanash ndërmjet të cilave më duket më kryesore janë:
formimi  i intelektualit  dhe vlerësimi nga shoqëria i rolit dhe veprimtarisë së tij  krijuese.
Mendimi juaj për formimin e intelektualit në përputhje me kërkesat e kohës. Ç’mund t’ju thoni lexuesve të “Dritës”? -Në vendin tonë sot është krijuar një inteligjencë polivalente numerikisht e konsiderueshme (po të numërohen të gjithë ata që kanë mbaruar shkollat e larta). Inteligjencia shqiptare sot dhe në të gjitha kohërat ka qenë patriotike, gjenia krijuese e saj është e derdhur në veprat e mëdha shpirtërore dhe materiale që ka krijuar populli ynë, me shpirt, mendje dhe zemër ajo ka qenë e pranishme në të gjitha përpjekjet dhe arritjet e mëdha historike të tij. Madje në shumë e shumë prej tyre ka luajtur rolin e promotorit të vërtetë.
Por për të marrë përsipër detyrat e mëdha që shtron koha, mendoj se në dritën e thellimit të pandërprerë të proceseve demokratike duhet analizuar me sy kritik procesi i formimit dhe vlerësimit të intelektualìt, duke forcuar ato prirje, rrethana e faktorë që favorizojnë dhe shpejtojnë këtë proces dhe duke shmangur ato praktika, koncepte e qëndrime që e ngadalësojnë apo bien ndesh me të.
Formimi i mendjes, njëlloj si formimi i trupit, varet nga shumë faktorë, por para së gjithash ai varet nga ushqimi që merr, sasia dhe cilësia e tij. Shkolla nëpër të cilën njeriu ngjit shkallët e para të jetës intelektuale, më së shumti i jep atij vetëm shtytjen e parë drejt saj. Dinamizmi i dijeve dhe shumimi i tyre sot është i tillë sa që një specialist që fle 10 vjet gjumë (dhe kjo që them është pak e vjetruar) mbasi zgjohet nuk njeh më fushën në të cilën ka punuar, nuk njeh më profesionin e tij. Por s’duhet harruar se intelektuali më të rëndësishëm se profesionin ka thelbin që përbën shpirti, natyrën dhe që përcakton rolin e funksionet sociale të tij. Pa këtë thelb ai do ishte thjesht një zanatçi dhe në variantin më optimal, një Cientoviç i Cvajgut, por jo një intelektual.
Ushqimi i domosdoshëm për formimin dhe zhvillimin e thelbit sikundër vetë thelbi, është i njëjtë për të gjithë intelektualët, pavarësisht nga profesioni i tyre. Ai buron nga fondi universal i oqeanit të dijeve njerëzore. Ky ushqim duhet të përmbajë njohuri për vizatimet e para naive të njeriut primitiv shkrimet e Eblusit, teleskopin Havel, veprat e Homerit, Shekspirit, Dostojevskit, Hemingueit, Markesit, Kadaresë, zbulimet e Arkimedit, teorinë e relativitetit, zbulimet e Shvanit, Darvinit, Lorencit. Për historinë filozofinë, arkitekturën arkeologjinë, informatikën, çipet ranore, psikologjinë dhe parapsikologjinë; vlerën, mbivlerën dhe tregun, simfonitë e Bethovenit, Çajkovskit, këngën e Pavarotit por edhe të W. Hjustonit, interpretimet o Çaplinit, trimërinë e Armstrongut, vaksinat, hormonet, dritën, lazerin, shkrirjen bërthamore, genet, sintezën proteinike, etj. etj.
Kurse ushqimin profesional intelektuali e merr nga lumenjtë e veçantë të dijeve si Fizika, Mjekësia, Matematika, Historia, Letërsia etj.
E përbashkëta e këtyre dy ushqimeve është se mungesa si e njërit ashtu edhe e tjetrit shkakton sindromën e urisë mendore. Në rast se profesioni pas 10 vjetëve gjumë humbet plotësisht, thelbi do të thosha thahet akoma më shpejt. Kështu që intelektuali që nuk ka marrë ushqimin e parë për 5 vjet, ngjet me atë lisin e tharë në trupin e të cilit kanë mbetur vetëm disa degë të njoma që presin stinët apo vitet që vijnë për t’u tharë edhe ato.
Vendi ynë, me gjithë vështirësitë e njohura ekonomike ka investuar gjithnjë dhe është përkujdesur për formimin e një inteligjencie aktive, krijimet e së cilës janë të panumërta. Por mendoj se në trajtimin e këtyre problemeve janë ndjerë dhe vazhdojnë të ndjehen mangësi serioze të lidhura jo vetëm me ngushticën tonë ekonomike, por shpesh edhe me koncepte të shtrembëta e praktika të dëmshme burokratike. “Mallrat” për trurin nganjëherë nuk janë importuar, sepse janë konsideruar të dëmshme, madje dhe të rrezikshme për mendjen e njerëzve. Kurse një pjesë e atyre që kanë ardhur mbi bazën e kritereve përzgjedhëse qesharake dhe burokratike, u “ngujuan” ne fondet rezervë të bibliotekave, shfrytëzimi i tyre është i mundur vetëm me autorizim të posaçëm, njëlloj sikur të përbëjnë fshehtësi shtetërore. Ç’është më e keqja, një fat të tillë kanë pësuar jo vetëm veprat e sociologëve apo ideologëve me pikëpamje që bien ndesh me ideologjinë tonë, por edhe vepra përparimtare të gjenive të këtij shekulli; që me penë dhe pushkë luftuan për liri, demokraci dhe kundër fashizmit, por që kanë gabuar në vlerësimin e ndonjë ngjarjeje politike. Burokrati harron se e drejta për informacion është e drejta për të vërtetën. Nuk mund te jetë sekrete ajo që ka parë dritën e diellit. Mendja e secilit duhet të përzgjedhë dhe të asimilojë atë që i duhet dhe i pëlqen. Sigurisht, edhe gabime do të bëj. Por jashtë teorisë së gabimit askërkush nuk del.
Në këtë kohë që furnizimi i popullsisë me të drejtë po konsiderohet si përparësi e përparësive, është e nevojshme që krahas furnizimit të trupit të rivlerësohet edhe problemi i ushqimit të trurit. Ka ardhur koha që në dyqanet  tona të tregtohen lirshëm ashtu siç janë tregtuar dikur, libra e revista, disqe e kaseta nga vende të ndryshme. Shoqërisë sonë nuk i ka ardhur dhe nuk do t’i vijë asnjë e keqe nga kjo. Rinisë sonë të etur për dije sigurisht që i duhen xhinset dhe bluzat me stampa për të nxjerrë në pah bukurinë e moshës dhe të racës së vet. Por asaj më shumë i duhen informacionet për letërsinë, artin, shkencën, sportin; muzikën klasike, popullore dhe “heretikun”-rrok. Rinia hyn sot në radhët e inteligjencies me nivel dhe synime e kërkesa të tjera dhe, siç thotë shoku Ramiz Alia në Plenumin e 8, ajo “do të matet me botën…” Nuk duhet të harrojmë se mallrat për trupin, në masën dërrmuese, çdo vend mund t’i sigurojë duke u mbështetur në forcat e veta, por kjo s’mund të thuhet për mjetet e konsumit të trurit. Asnjë vend, qoftë dhe më pasuri dhe më i zhvilluari, nuk mund të sigurojë më shumë se një përqindje të tyre.
Po ndalem shkurt edhe te problemi i literaturës teknike profesionale. Nuk dua të them se ajo mungon, përkundrazi. Por tituj që futen në raport me numrin e specialistëve që kemi  përgatitur për degë të ndryshme, janë ende të pamjaftueshme. Përveç kësaj, edhe shfrytëzimi e qarkullimi i kësaj letërsie është, do të thosha, i “ngratë”. Kjo edhe për shkak të interesit jo të madh që specialistët tanë tregojnë për të, por sidomos për shkak të teknologjisë së prapambetur të bibliotekave tona. Përveç kësaj, materialet që vijnë janë të përqëndruara kryesisht në Tiranë. Mirëpo si mjek dua të them se përgjegjësinë për jetën e të sëmurit e kemi  të njejtë si unë në Tiranë, ashtu dhe shokët e mi në Ballsh  apo Peshkopi. Prandaj është nevojë e ngutshme që literatura teknike që vjen të shtohet në tituj dhe ekzemplarë, veçanërisht të sigurohen mundësitë që të shumëfishohet brenda vendit dhe të shkojë sa më afër  lexuesit.
Një rëndësi të madhe në formimin dhe zhvillimin intelektual ka komunikimi, shkëmbimi i mendimeve dhe përvojës, krahasimi i veprimtarisë së specialistëve dhe institucioneve tona edhe me specialistë e institucione të vendeve të tjera. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për dërgimet me afate të ndryshme, dobia e madhe e të cilave tashmë është provuar përfundimisht. Në shkëmbimet me botën, mendoj se mund të përqendrohemi akoma më shumë në aspektet që vijojnë.
Së pari, vendosjen e lidhjeve të vazhdueshme të punës, ndërmarrjen e punimeve të përbashkëta për çështje të veçanta. Këto lidhje çojnë përpara punën, rrisin nivelin e saj, konfirmojnë më shumë veprimtarinë krijuese të inteligjencies sonë, e shtyjnë atë drejt nivele të reja. Deri tani, kjo gjini lidhjesh është miratuar për disa institucione, ndërkohë që mundësi reale për lidhje të tilla ekzistojnë në mjaft të tjera. Studiuesit midis tyre mund të merren vesh mirë edhe pa protokolle ceremoniale e ndërmjetësime burokratike të panevojshme.
Së dyti, ne kemi dërguar dhe dërgojmë specialistë jashtë shtetit dhe për këtë kemi pasur e do kemi nevojë. Por sjellja e specialistëve nga jashtë për të punuar, për të studiuar e zgjidhur probleme së bashku me specialistët tanë praktikohet rrallë. Në shumë sektorë mendoj se kjo praktikë është e dobishme, atë e përdorin mjaft dhe vendet e zhvilluara. Një profesor italian më tha këto ditë se në klinikën e tij vinin nga Franca një ditë në javë dy specialistë shquar për të operuar në zemër. Nga praktika të tilla përfitojnë shumë specialistë, përfiton puna.
Në formimin e intelektualit një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm ka edhe rrahja e lirë e mendimeve, debati që në të gjitha kohërat  ka  shërbyer si një mjet i çmuar në kërkimin e  së vërtetës. Lokomotivë e debatit gjithnjë ka qenë dhe është shumëllojshmëria e mendimeve e  cila,  si konditë sin equa non, parakupton shprehjen e lirisë të mendimeve nga njerëzit. Liria e mendimit dhe shprehjes së tij janë sigurisht aspektet më elementare dhe më të rëndësishme të lirisë së individit. “Liria – thoshte Roza Luksemburg, – është në radhë të parë liri për atë që mendon ndryshe!”
Mirëpo si qëndron problemi i debatit intelektual te ne?
Po të hedhim një vështrim në mbledhjet tona të panumërta dhe në literaturën tonë ne tërësi, më duket se nuk është e vështirë të konstatohet se akoma pak debatojmë. Kështu, në rast se në disa degë të letërsisë e artit debati ekziston (është gjallëruar sidomos këto muajt e fundit), në shkencë në të shumtën e rasteve është i zbehtë, formal dhe madje, shpesh mungon fare. Arsyet janë të ndryshme. Një ndër to, Frika për t’i thënë gjërat haptazi lidhur me “rreziqet personale”, që mund të sillnin etiketimet dhe izmat me të cilat edhe është abuzuar jo rrallë.
Frika apo ndrydhja në të vërtetë mbart në vete pasoja destruktive për ndërgjegjen dhe psikologjinë e  njeriut. Një intelektual që nuk e shpreh haptazi mendimin e tij, është intelektual i kastruar, ai fillon “sekreton” mendimet, pëson metamorfozë, zhvillon autocensurën dhe duplicitetin (mban në kokë dy mendime të kundërta për të njëjtën gjë, por nxjerr vetën njërin), energjitë e tij krijuese shterojnë, ai bëhet thjesht një përsëritës, automat, krijohet stereotipia.
Nuk mund të thuash se ndonjë simptomë të sëmundjeve të tilla nuk ka edhe te ne. Këto ditë te gazeta “Zëri i Popullit”, një shok kritikoi disa kolegë të tij se dikur kishin paraqitur shtrembër realitetin lidhur me tufëzimin. Shokët e mi gazetarë i gjeta të lënduar nga kjo kritikë, e drejta, e cila mendoj se nuk ju takon vetëm atyre, por mbarë inteligjencies sonë. Madje ne mjekëve, për vetë specifikën e punës sonë, ndofta më tepër se të tjerëve. Sensi i përgjegjësisë kërkon nga të gjithë ne një “revolucion” të brendshëm për të nxjerrë nga vetja ato që s’duhen mbajtur.
Zhvillimi i debatit lidhet, pa dyshim, edhe me treditën, nivelin kulturor dhe shkallën e përgatitjes së specialistëve në fushën e dhënë. Por një faktor tjetër që e pengon atë, sidomos në shkencë është edhe prania në poste drejtuese shkencore e disa njerëzve që me të drejtë mund të quhen “shkencëtar pa vepra”. Disa nga këta njerëz vendet drejtuese i kanë zënë për shkak të boshllëkut që kanë gjetur ose nëpërmjet lidhjeve të fuqishme sociale që kanë arritur mjeshtërisht të vendosin dhe me të cilat kanë kompensuar për mrekulli mungesën e kompetencës shkencore. Kjo kategori intelektualësh është e interesuar jo për nxitjen dhe gjallërimin e debatit, por për shuarjen e tij. Ata mbajnë rreth vetes të paaftë e servilë, dhe janë mjeshtër të përvetësimit të punës së të tjerëve, mburren dhe lavdërohen me të duke lënë anonimë autorët e vërtetë.
Vendimet e fundit ngushtojnë shumë këndin e veprimit të tyre. Por mendoj se konkursi dhe kontrata më tepër se sa zgjedhjet do t’i shfuqizonin ata.
Në gjallërimin dhe rritjen e debatit një rol vërtet të rëndësishëm mund të luajnë edhe shoqatat parashtetërore, që janë krijuar dhe do të krijohen në të ardhmen. Kjo natyrisht me kusht që ata të mos përqendrohen kryesisht me pompa, presidiume dhe udhëtime. Historia e tyre më e mirë tregon se ato mund t’i japin një impuls të fortë zhvillimit të debatit dhe jetës intelektuale në tërësi. Një rol të tillë ato mund të luajnë edhe në vendin tonë dhe një shembull i tillë është Lidhja e Shkrimtarëve. Por mendoj se ende ekziston një kuptim disi  kufìzues për hapësirën e këtyre shoqatave, gjë që ngushton edhe veprimtarinë e tyre, Ligji që parashikon themelimin e shoqatave i konsideron ato si njësi të varura nga dikasteret përkatëse, statuti i tyre firmoset nga titullari. Kështu që shoqatat emrin kanë parashtetërore, de jure dhe de fakto ato janë shtetërore, madje  lindin të shtetëruara. Vënia e tyre nën peshën e aparateve administrative ua pret vetëveprimin dhe iniciativën. Natyrisht një ligj i tillë ka kryer funksionin për kohën e tij. Por tani, në shkallën e zhvillimit e të pjekurisë që ka arritur shoqëria jonë, më duket disi i vjetruar. Shpresoj se në kuadrin e shqyrtimit të legjislacionit tonë, në frymën e plenumeve  të fundit, edhe ky ligj do të ripërtërihet në përshtatje me kohën.
Diçka për vlerësimin e veprimtarisë krijuese të intelektualit, si e shihni këtë çështje dhe çfarë sugjeroni? Një faktor tjetër thelbësor nga i cili varet mjaft roli i intelektualit, është edhe vlerësimi i rëndësisë së veprimtarisë së tij krijuese në zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë…
Studiuesit tanë kanë dhënë prova të pakundërshtueshme se janë të aftë të kryejnë studime komplekse serioze dhe të zgjidhin detyra të ndërlikuara. Prandaj Partia ka porositur gjithnjë që të respektohet e të tërhiqet gjerësisht mendimi i tyre. Megjithatë jo rrallë, janë ndërmarrë hapa pa u mbështetur në studime serioze paraprake. Kjo ndodh, së pari, nga disa intelektualë, kryesisht funksionarë kabinetesh. Të prekur nga kjo sëmundje, ato e ndiejnë veten të aftë për të zgjidhur çdo gjë sipas arsyes së tyre, japin përkufizime bëjnë klasifikime dhe sistematizime edhe në fushat ku ato në rrafshin shkencor janë inkompetentë. Këtyre njerëzve studimet shkencore më së shumti nuk iu hyjnë në punë. Në rastet të tjera ngrenë një grup pune, urdhërojnë një studim blic (që në të vërtetë është një studim hiç) dhe, mbi bazën e tij, marrin vendime, pasojat negative të të cilave dalin shpejt në dritë. Studimet shkencore, para së gjithash, është e nevojshme të gjykohen nga saktësia e metodikës që ato përdorin, besueshmëria e tyre duhet doemos të verifikohet më parë nga instanca kompetente shkencore dhe pastaj të shfrytëzohen nga aparatet administrative.
Së dyti, shfaqjet e politizimit dhe të ideologjizimit të çështjeve të ndryshme ngushtojnë hapësirën e kërkimeve shkencore, imponojnë pranimin e gjërave, gjuhën e argumenteve dhe fakteve shkencore e zëvendësojnë me paragjykimin dogmat tabutë. Mirëpo paragjykimet, dogmat  e   tabutë sado të palëkundshme që të duken, i pret po ai fat që pret brymën para diellit. Veprimtarinë krijuese në tërësi dhe sidomos atë shkencore në veçanti, e dëmton gjithashtu edhe fryrja nga premisa politike e punimeve dhe arritjeve shkencore. Vlerat shkencore si barometër kanë të vërtetën. Ndërsa rastis që mjetet tona të informacionit të trajtojnë punët dhe arritjet shkencore kryesisht me sens politik. Po sjell një shembull. Në muajin shtator në Tiranë u organizua një kurs ndërkombëtar për sëmundjet e zemrës dhe trurit. Përgatitje të shumanshme serioze u bënë për të siguruar suksesin e tij. Na nderuan me ardhjen e tyre personalitete të shquara të kardiologjisë evropiane. Komiteti organizues më ngarkoi mua komunikimin gjatë atyre dy ditëve, me organet e shtypit. Me qëllim që opinioni ynë publik të informohej për çka po diskutohej në konferencë, përgatita në pak rreshta thelbin e referateve të mbajtura. Por në darke një gazetar më tha se i mjaftonin vetëm titujt! Konferenca jonë u trajtua gjerësisht në mjetet e komunikimit, por pothuaj e gjitha në rrafshin politik, sikur ne të ishim ambasadorë e “super ambasadorë” që po diskutonim për fatet e gadishullit e jo studiues që gjithë ditën flisnim  për zemrën  dhe trurin. Në atë rast m’u kujtua një  shkrim i Remarkut, në të cilin thotë se ndodh që vdekja e një njeriu bën më shumë përshtypje sa vdekja e një milion njerëzve, sepse njerëzit në rastin e parë merren me njeriun dhe në rastin e dytë me “milionin”. Kështu edhe gazetari, në rastin e kësaj konference, u mor me politikën dhe harroi shkencën.
Shfaqje të tilla burokratike në vlerësimin e veprimtarisë krijuese janë reflektuar, do të thosha, edhe në vlerësimin apo stimulimin e saj material, veçanërisht kjo për veprimtarinë kërkimore shkencore, Kjo veprimtari deri tani, për fat të keq, vlerësohet me numrin e faqeve të botuara në të cilat ajo është ekspozuar… Dallimi në vlerësim material ndërmjet faqeve të punimeve të mirëfillta shkencore, që mund të jenë fryt i një pune shumë të gjatë e intensive krijuese, me ato të shkrimeve divulgative shkencore është krejt i parëndësishëm.
Në disa rregullore parashikohet që autorit t’i paguhet një përqindje e fitimeve që sjell punimi i tij. Kjo, natyrisht, është e drejtë, por ky është një vlerësim tepër semplist. Sipas këtij kriteri, mund të bësh një zbulim të rëndësishëm që ta njohë bota (kjo ka ndodhë) dhe për shpërblim të marrësh vetëm kënaqësinë shpirtërore. Veprimtaria krijuese, pavarësisht nga lloji i saj, është mirë ta vlerësosh, para së gjithash nga vlerat e saj origjinale.
Vitet 2000 po afrojnë, detyra të mëdha shtron koha para nesh. Zgjidhja e suksesshme e tyre nuk mund të arrihet edhe pa një rivlerësim të rolit të veprimtarisë intelektuale krijuese. Fryma demokratike e plenumeve te fundit, thellimi i vazhdueshëm i saj, vendimet e Kuvendit, janë të një rëndësie jetike për mobilizimin dhe çlirimin e energjive krijuese të inteligjencies  sonë, e cila  do të japë ndihmesën e vet dhe do të luftojë në të gjitha fushat jo vetëm për ndryshimin e të sotmes, por edhe për projektimin e ndryshimin e së ardhmes. “Më hiqni shpresën se mund të ndryshojmë ardhmen dhe ju më bëni të marrë!” është shprehur një shkrimtar i njohur me pasionin dhe besimin e tij të madh në forcën vepruese të njeriut mbi të ardhmen…

Marre nga gazeta “Drita” 20 Maj  1990

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Kam takuar një personalitet të ndëshkuar në kohën e komunizmit, i cili po ta dëgjoje në atë kohë fliste me shumë mllef kundër privacioneve të sistemit. Në kohën e demokracisë u bë deputet i PS. Kur e pyeta se si u bashkua me ata që e dënuan, ai m’u përgjigj: Nuk kam qënë asnjëhere për ta përmbysur sistemin komunist, po për ta përmirësuar atë. – Por, – i thashë, – ky sistem dështoi, dhe nuk mund të jetë më alternativë e njerëzimit. Jo – më tha, – kapitalizmi ka shumë të këqia dhe nuk premton për të ardhmen… Me Berishën kërkuam lirinë dhe përjetuam anarkinë, kërkuam shtetin dhe ju nënshtruam pushtetit, kërkuam drejtësinë dhe gjetëm padrejtësinë, përmes konflikteve të pafundme edhe fatale ku i privilegjuar ishte pjesa më parazitare e më e egër e ish shoqërisë socialiste, tanimë të rikthyer në pushtet, për meritë të Berishës.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.