back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Sako – tregim nga Gëzim Zilja

Gazeta

Autori Gëzim Zilja
Gëzim Zilja
Ndërsa e lexoja kët tregim, ku Gëzim Zilja
me ironi të thukët ka gdhendur një personazh,
qeshja aq shumë sa në fund më zu të qarët…
Pastaj ndejta e ndejta, e mblodha veten dhe thashë:
Po me gjithë këta hajvanë që kemi në krye, prej gati një shekulli…
ç’hair mund të presim nga Sakot atje poshtë, në breg të detit…!!!
jozef radi

Sako

tregim nga Gëzim Zilja

Mëngjes herët u ula në barin e hotelit trekatësh të Sakos, dikur një shtëpi përdhese e rrethuar me gardh. Dielli sa kishte nxjerrë kokën mbi kodrinat dhe rrezet e tij po pushtonin dalëngadalë sipërfaqen e detit ende të përgjumur, duke stërpikur përkohësisht ngjyrën e kaltër me një portokalli, që i afrohej bregut me shpejtësi. Vështirë një piktor mund ta hedhë në telajo atë nuancë portokallije, ndoshta edhe pse kjo zgjat vetëm disa dhjetëra sekonda.
-Keni ndopak punë sivjet, o Sako?
-Bereqaversën, gjynah të qahem! Po jemi populli i poshtër! Hotelet rreth e qark i kanë dyfishuar çmimet. Ky lokali ngjitur (Sakua i ka rritur me kohë çmimet) e ka bërë mishin e pjekur me 2.000 lekë kilogramin…
Befas ndërpret fjalën, hedh sytë nga hyrja e lokalit dhe godet ballin me dorë. Dy ukrainase, me rroba plazhi, me ca këmbë kilometrike, të drejta, të derdhura si statujat greke, plot hire e të shkujdesura u ulën pranë nesh. Sakos iu lëmua fytyra e po i dilnin vendit kokordhokët e syve.
-Sakooo, – i thirra – po të sheh gardiani.
I tromaksur ai brof në këmbë dhe kthen kokën nga hyrja e hotelit. Gardiani ishte e shoqja, me ca flokë gjysmë bjonde, të qethura shkurt, që ngjasonin si një furrik kashte i kthyer përmbys, krehur s’dihet që kur, e s’dihet me se, po ajo kishte kthyer kurrizin, duke pastruar tavolinën.
-Po ti po tall b… me mua! – m’u drejtua gjoja i fyer, – Aman se ma nxiu jetën! – qeshi pastaj i lehtësuar, duke më shkelur syrin gjithë djallëzi.
Sakua sa ka mbushur të gjashtëdhjetat. Faqekuq, energjik, kokëmadh, hundëpatate, me barkun e bollshëm, aq sa rripi i pantallonave dhe tokëza mezi duken, të zhytur fare pranë herdheve e me këmishë të zbërthyer, ngjason si ata personazhet feudalë të letërsisë klasike ruse.
Ditë më parë më kishte kërkuar librin për “skelarët” dhe “atë për ngjarjet e vitit 1997”. I nxorra librat nga qeska.
-Të kam sjellë tre… edhe një me tregime. Sakua i mori dhe filloi t’i shfletojë me kureshtje.
-Ou! Po këta të dy paskan edhe foto!? Sa më pëlqejnë ata librat me foto.
Pastaj i ktheu librat nga e pasmja, pa çmimet u vrenjt ca e më pa në drejt e në sy.
-Kushtokan ca këta librat…
-Pa problem, Sakoo. Merri po t’i dhuroj!
Dhe fytyra iu përfshi nga një valë kënaqësie sa m’u duk se dhe veshët llapushë po i lëkundeshin, duke më falënderuar.
-Eeee! Po fisniku, fisnik ngelet. Qafsha të gjithë, që do t’i lexoj!
Një djalë rreth të njëzetepesave, me ca mustaqe të holla po ndiqte bisedën përkulur mbi Sakon.
-Afrohu, afrohu këtu o Myler! Ky xhaxhi është shoku im dhe më dhuroi këto librat…
-Libraaaaa,? – bëri djali i çuditur, – Ti bën libra? E kush blen sot libra? – m’u drejtua, duke më parë me ca sy maçoku nga posht lart.

-Ore trap! Çar po flet? Pa ik e zhdukmu që këtu! – iu gërmush Sakua – Është djali im, po mos ia vër re! Me shqelma e mbaroi të mesmen. M’i griu paratë me këto kurvat…
-Lëre djalin rehat! Atë bëj! – Udhëroi gardiani pa kthyer kokën fare. Sakua kaptoi pështymën poshtë dhe bashkoi fort buzët. Lashë mbi tavolinë 100 lekshin e ujit, dhe u ngrita. Si pa mendje gishtërinjtë e Sakos e përthithën si magnet monedhën.
Më përcolli i qeshur deri tek dera e lokalit:
-Dhe dil ndonjëherë t’ia shtrojmë e të kënaqemi. Dil, se për zotin na merr malli!
Ishte i njëzeti behar, që ma përsëriste të njëjtën ftesë.
U largova pa kthyer kokën. Në sy më shfaqesh ajo fytyra e lumtur e Sakos pasi i pohova, që librat ka falas dhe mënyra si e përlau 100 lekëshin e ujit, ndërsa në kokë më godisnin ritmikisht si me çomangë fjalët e Mylerit: “Ti shkruan libraaa!? Po ku blen njeri sot libra!?”
.
Botuar në gazetën “Telegraf”, 1 tetor 2021

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.