back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Rruga e Kavajës… nga Adriatik R. Dosti

Gazeta

Rruga e Kavajës - Pranverë
Rruga e Kavajës – Pranverë

Rruga e Kavajës…

nga Adriatik R. Dosti

Rruga, ku s’ka derë shtëpie të djeshme të mos kisha një mik, madje krenar e i privilegjuar për miq, vajza e djem të tillë që kjo rrugë ikonike e kryeqytetit i kishte aq me shumicë…
Edhe pse vapë e padurueshme, bori të çmendura makinash, shoferë me patentë të ”fortësh”… kryesisht nga ai tipi i atyre të pas ’90… që tashmë e quajnë veten tironsa venalinj e denbabaden… pasi ne të ardhurit në Tironë që në kohë të Zogut …gjithnje e më shumë po mbetemi në minorancë e të shpërfillur sa që na vjen turp tashmë të themi se jemi le e rrit dhe banojmë në këtë qytet prej gati një shekulli… Vendosa së bashku me Mirën dhe shoqen time të fëmijërisë Mondën… që Rrugën e Kavajës ta shetisim hap pas hapi në këmbë…
.
Kur ndërtohej rruga... që sot quhet Kavajës (edmond bermema)
Kur ndërtohej rruga… që sot quhet Kavajës (edmond bermema)
Ehhhh… moj e mrekullueshmja Rrugë e Kavajës… sa kujtime, sa histori fëmijërore, rinore por edhe burrërore mbart për secilin prej nesh në historinë dhe arteriet e tua që flasin aq bukur kur zë e ecën mbi ty e herë pas here fshi edhe një lot të nxehtë malli që të rrëshqet mbi faqe, ashtu pa dashur e vetiu, por dhimbshëm e prej shpirti…
Ja aty tej në të djathtë, është Shtëpia e Levonjëve… pak me tutje dyqani i famshëm i Shaban Qoses, që mbart në kujtimet tona aq e aq histori gazmore e të papërsëriteshme… sigurisht me protagist Goshin…
Dhe nis e sikur flet me vete duke shqiptuar dhimbshem fjalët… këtu ka qenë kjo… atje ka qenë ajo… pranë kësaj ishte… ky etj. etj…
e që sot nuk janë më…
Nuk e di, por gjithmonë kam menduar se ai që vjen në Tiranë dhe nuk shkel në rrugën e Kavajës, e në ato të quajturat: e Durresit, Fortuzi, e Dibrës, e Elbasonit, Bardhyl… për mua zëre se s’ka qenë fare në këtë qytet…
Fatmirësisht, të paktën skeleti i Rrugës së Kavajës, falë Zotit… ende edhe sot i ka shpëtuar dyndjes, pushtimit ”demokratik” për të jetuar ku të të dojë qejfi… sipas teorive të dy prej njerëzve që e masakruan dhe e shpërfytyruan Tiranën më shumë se çdo gjë tjetër në historinë e saj qindra vjeçare: Berishës dhe Rames… arkitektët famëkëqinj të kasaj katrahure e masakre urbane e demografike që… paturpësisht sot kanë gojë edhe ta quajnë zhvillim apo edhe Metropol…
.
Adriatik Dosti në Rrugën e Kavajës (2017)
Adriatik Dosti në Rrugën e Kavajës (2017)
Dhe që nga 21-shi e deri në qendër tek Banka, është vetë katrahura e pas ’90-ës, dhe masakra… që bëjnë rolin e pafajshëm të Ciceronit duke të treguar se atje ku dikur ishte shkolla e Kulturës ka mbirë një kolegj turk me emrin Arif a Mehmet…
…se tek Godina e klubit të Tironës dhe salla e lojrave me dorë “Fahrie Hoti” të mbysin pallatet shumëkatshe e kishat që rrethohen nga turli lloj dyqanesh me soj soj emrash e etiketimesh në gjuhë të huaja e nga më të çuditeshmet në botë…
…se trotuaret e bukur të kësaj rruge duken si të bombarduara prej nje dore barbarësh ..
…se ish Radio Tirana e vjeter, ish Muzeu i Shkencave të Natyres, ish Mihal Duri, ish Hotel Adriatiku, ish Lidhja e Shkrimtareve, ish kinema Republika, ish Lulishtja 1 Maji, e sa e sa të tjera ish-e… historike te biografisë së kësaj rrugë… sot janë shkatërruar tërësisht apo shpërfytyruar në mënyrë të tillë dhe deri në atë masë sa që e ke vështirë të besosh se deri dje kanë qenë pika referimi të Rrugës së dashur e lule shumë të Kavajës… dhe krenaria e biografisë së saj…
…se rruga – ikone e BardheBluve, sot nuk ka më gojë të flasë për përçudnimin antinjerëzor që i kanë bërë duart dhe mendjet bastarde të të paudhëve…
…se Parkut të famshëm të Xha Tomit… nuk i ka mbetur as nami e as nishani..
…se fare pranë me ish ambasadën turke… aty ku kam mijra kujtime. nga rrugica ime e dashur e Çamëve, siç e njohin tironasit e hershëm e venalinj… ju luta Zotit që shyqyr që nuk e kishin prishur e rrënuar… se aty kam miqtë e mij për kokë Nurët…
…se edhe shtëpinë e motrës sime, ngjitur me ish SK Tironën… nuk arrita ta njoh dot më pasi e kishin pyllëzuar me ndertime të llojit: ”moderno-demokratik…”
…se në rrugën e famëshme të Kavajës… aty ku kryeqytetasit por edhe të gjithë shqiptarët i dhanë dërmën e parë komunizmit duke sulmuar dyert e Ambasadave të huaja akredituar në Tiranë …fatkeqësisht ende edhe sot nuk sheh një pllakë përkujtimore që të siglojë historinë e dhimbëshme të asaj kohe kur u përleshëm dhëmb për dhëmb me diktaturën dhe pjellat e saj bastarde…
…sepse këtu tashmë nuk gjen qoftë edhe një shënim të vetëm a një simbol përkujtues, që nga kjo rrugë… bijtë e bijat tona morën rrugën e përtej detit… përmes autobuzëve që mbartin brenda tyre urrejtje, mllef, pakënaqësi në ekstrem por edhe dhimbje, mall e dashuri njerëzore…
.
Rruga e Kavajës natën...
Rruga e Kavajës natën…
Dhe… ”modernët” e sotëm që e kanë stërbetonizuar e stërpopulluar këtë rrugë në të dy anët e saj …mburren duke ulëritur se ja kanë ndryshuar faqen Tironës dhe se ajo ka përparuar e është zbukuruar goxha…!!
Të kanë vrarë e basarduar në çdo detaj e origjinalitet tëndin o rruga ime e dashu! Ani… unë erdha përsëri të të shetis… erdha se kisha vërtet shumë dashuri e mall sikurse kam për çdo gjë të qytetit tim ku u linda, u rrita dhe jetova prej dekadash…
Erdha dhe do të vij sërisht e sa herë që të më marrë malli, sa herë që të më urdhërojë zemra e shpirti… sa herë që lotët të më mblidhen në grykë nga dashuria, dhimbsuria e respekti për rrugët e qytetit tim…
Marre nga Muri i FB i Adriatik R. Dostit, 30 korrik 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.