Rreth debatit mbi Realizmin Socialist dhe Korifejtë e tij… Opinione

Aksionistët - vepër e Realizmit Socialist

Aksionistët – vepër e Realizmit Socialist

Rreth debatit mbi Realizmin Socialist dhe Korifejtë e tij…

Debati rreth artit të Realizmit Socialist dhe “Korifejve” të tij,
ka vite që është ndër problemet shqetsuese të letërsisë
po rdhe shoqërisë shqiptare. Një letërsi dhe një art
që i shërbeu me devotshmëri ekstreme diktaturës,
po kërkohet sot të trajtohet si vlerë absolute
dhe t’i imponohet si majë edhe një gjenerate të re letrare.
Nderimi me zulme të papara nga ana e shtetit
i të ashtuquajtuarve “korifej” të Realizmit Socialist
po dëshmon qartë dhe pa ekuivoke se Shteti është në kërkim
të skllevërve dhe kalemxhinjve të rinj në shërbim të tij,
duke demonstruar se lavdinë e shkrimtarëve dhe artistëve
mund ta nderojë e ta vlerësojë ai, vetëm ai dhe askush tjetër…
Me fjalë të tjera kjo mund të përkthehet pa frikë
edhe si vdekje e letërsisë dhe e artit të vërtetë.
Në debatin për artin e Realizmit Socialist lanë shënimet e tyre
Shpend Sollaku – Noe, Ilir Demalia, Arlinda Guma,
Gjergj Jozef Kola, Ilir Seci dhe Robert Martiko,
të cilët gjej rast t’i falenderoj për opinionet e tyre…
jozef radi
Shpend Sollaku - Noé

Shpend Sollaku – Noé

Shpend Sollaku – Noé

Jemi përfaqësues të një letërsie të vdekur?
Dy janë rrymat e sotme sunduese për gjykimin e letërsisë shqiptare, që të dyja të nisura nga kriteri politik.
Rryma e parë idealizon tërësisht letërsinë e 1945-990-ës. Sipas saj ekzistojnë vetëm autorët e realizmit socialist, dhe pas tyre – Hiçi.
Largimit nga kjo jetë e Agollit, buja që e pasoi nga një sferë e caktuar e shoqërisë shqiptare, shfaqi në mënyrën më të kjartë idenë e kësaj rryme se shkrimtarët e asaj periudhe mbetën e do të mbeten më të mirët. Kjo ide sundon në social netëork-ët dhe në shtyp, dhe ata që e shfaqin proklamohen hapur të krahut politik të majtë. Me këtë pikëpamje janë shprehur edhe poetë apo shkrimtarë që i shërbyen regjimit, përfituan prej tij apo patën pozita kyçe në periudhën e cenzurës të praktikuar po prej tyre. Sa herë që të vdesë ndonjë shkrimtar i realsoci-it (të moshuarit akoma në jetë të asaj letërsie janë të shumtë, një emër mbi të gjithë: Kadare), do ta ridëgjojmë këtë refren, edhe dhjetra herë. Sa të jenë gjallë kalemxhinjtë e regjimit, edhe ata më pak të mplakur, do ta mbrojnë me xhelozi pozitën dominuese të pushtuar që atëherë, pothuajse gjithmonë nga një katapultë politike. Në situatën e sotme të sundimit të së majtës postdiktatoriale ata ndihen në habitatin e tyre, madje më mirë se dikur. Kanë nën kontroll shtëpitë botuese kryesore, mbajnë në dorë yzengjitë e pjesës dërmuese të shtypit, shpallin çmime letrare të dedikuar ish korifejve të Partisë, bëjnë pjesë po vetë në zhuritë që japin këto çmime, ngazëllehen prej fitimeve materiale e morale, duke ngatërruar vetëshpalljen fitues me suksesin e vërtetë të dekretuar nga Shën Lexuesi.
Rryma e dytë – me pikënisje politike jo të majta, çuditërisht, mohon edhe kjo letërsinë e pas 1990-ës. Nuk e bën këtë mohim drejtpërdrejt, por duke mos e marrë në konsideratë. Kjo rrymë, duke injoruar tërësisht realsocin, e gjen shpëtimin e letërsise shqiptare tek autorë të para 1945-ës, Sjella e saj është tipike i një romantizmi anakronik. Shpesh risillen e lëvdohen poetë që nuk kanë arritur as të ngrihen në nivel kombëtar. Edhe këtu kriteri i vlerësimit dominues (me keqardhje e them), ështe ai politik. Quhen gjeni të letrave edhe autorë të superuar prej kohësh për nga forma dhe idetë, vetëm sepse nuk kanë shkruar për regjimin, apo sepse kanë jetuar shumë vite para vendosjes së tij.
Tjetër gjë është njohja e traditës letrare, tjetër imponimi si model. Pasi edhe kjo shkollë jo më pak dominuese e mendimit, si pikënisje të vlerësimit, nuk ka parimin e vlerave artistike.
Letërsia shqiptare nuk ka prodhuar asgjë të rëndësishme pas 1990-s? Është një bosh i përsosur?
Unë them të kundërtën. Me bindje.
Nëse niset të studiohen autorët e postregjimit, do të vihet re se ata nuk janë vetëm një sasi kaotike mediokrësh të vetëshpallur poetë e shkrimtarë nëpër social netëork-et. Shumë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut kanë arritur prej kohesh të vlerësohen prej kritikës dhe lexuesit të huaj, por nuk gjejnë hapësirë në Shqipëri. Si në politikë, edhe në letërsi atyre u trëmben, pasi elementë që mund të shkatërrojne ekuilibra të vendosur prej më se shtatëdhjetë vjetësh.
Nuk janë të pakët edhe autorët e pavarur me nivel të lartë që jetojnë në Shqipëri. Por edhe ata ndihen të mënjanuar, sidomos kur nuk përkrahin ndonjë forcë politike.
Statusquoja e letërsisë shqiptare është thyer prej kohësh, por nuk ka kush guximin, forcën dhe karizmën të vlerësojë zyrtarisht këtë apo atë.
Do ta bëjë koha? Sigurisht!
Shpresojmë pa viktima të ndritura.
.
Ilir Demalia

Ilir Demalia

Ilir Demalia

Duke dëgjuar emisionin Opinion të Fevziut, më erdh ndërmend një shpreheje e lirikut Lasgush Poradeci. Historia është kjo: Nga fillimi i viteve 60’, Lasgushit i kërkuan të shkruaj dhe ai për optimizmin e jetës komuniste sipas parimeve të realizmit socialist.
Lasgushi bëri diçka krejt pa vlerë dhe ia dërgoj L.Sh.A-së, ku kryetar në atë kohë ishte Dhimitër Shuteriqi.
E thirrën dhe i thanë, se ke shkruar një gjë të dobët dhe pa asnjë vlerë! A e dini si ju përgjegj Lasgushi?
“Mut më kërkuat, mut ju dhashë!”.
.
Autorja Arlinda Guma

Arlinda Guma

Arlinda Guma

Sa interesante këto argumentat nëpër gazeta mbi shkrimtarët e realizmit socialist…
Shkrimtar të realizmit socialist nuk të bën pikëpamja që ke shprehur në vepër, por struktura me të cilën ti e ke ndërtuar veprën.
Ti mund të kesh sharë sa të kesh dashur Enverin dhe partinë, por nëse veprën e ke strukturuar me teknikat e realizmit socialist, ti shkrimtar i realizmit socialist mbetesh. Ashtu si në të kundërt, ti mund t’i kesh thurur lavde njeriut të ri, por nëse nuk ke përdorur atë strukturë, ti nuk mund të quhesh shkrimtar i realizmit socialist.
Kam lexuar shkrimtarë të huaj që nuk dinë ç’ka qenë komunizmi por veprat i kishin të tilla; një tejskajim ekstrem personazhesh, i miri i mirë deri në pafundësi dhe i keqi gogol. Në fund e mbyllnin me një mbyllje moraliste…
Ironia e madhe në Shqipëri është se dhe ata që iu kundërvunë regjimit, e bënë me metodat që kishte krijuar sistemi për t’i mbajtur në fre. Me soc-realizmin. Dhe ky qe triumfi i sistemit. Një depërtim deri në vena.
Por ky debat nuk mund të bëhet në një mjedis mesjetar si ky, ku marangozi flet për letërsinë, mekaniku për baletin dhe polici i trafikut për operan.
.
Autori Gjergj Jozef Kola

Gjergj Jozef Kola

Gjergj Jozef Kola

Pa dashuninë nuk ka pasë e as do të ketë as jetë, as art dhe as letërsi. Shqipnia nën 45-vjet diktaturë, asnji roman, asnji dramë dashunie nuk e pati, prandaj ishte nji letërsi e vdekun.
.
Ilir Seci 2014

Ilir Seci

 

Ilir Seci

Shpërfaqun si normë në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Bashkimit Sovjetik, mbajtun në vitin 1934 “Realizmi Socialist” u ba matrikull ideologjik që stamposte çdo krijim artistik të çdo lamie, Letërsi, Art Figurativ, Muzikë, Skulpturë…
Cerberi Sovjetik i Arteve, Andrej Aleksandroviç Zhdanov, i përzgjedhuni i Stalinit për kontrollin e kulturës, imponoi metoden e “Realizmit Socialist” si e vetmja metodë për pasqyrimin e jetës në Letërsi dhe Arte në kushtet e “Parajsës Socialiste”. Shteti i diktaturës së proletariatit lejonte vetëm “Realizëm Socialist” si stil artistiko-letrar, si e vetmja metodë e aprovuar nga pushteti popullor!
Prej momentit që thuhet se: “asht e vetmja metodë e pasqyrimit të jetës në arte”, lehtë merret me mend se kjo metodë kishte me u kthye në nji pllakë betoni mbi vorrin e shpirtit të lirë të artistëve dhe krijuesve. Zhadanovi shkruante: “Shkrimtarët duhet të jenë inxhinierë të shpirtit” prandaj edhe teorinë e “Realizmit Socialist” ai e shkroi si me qenë manual inxhinierësh mekanikë, manual i thatë, pa as ma të voglën ngrohtësi humanizmi…
“Arti duhej karakterizuar nga një vizion festiv, i idealizuar i jetës së industrializuar të klasës punëtore!” – shkruente Cerberi Zhdanov…
“Arti duhet të jetë Kombëtar për nga Forma dhe Internacionalist për nga Përmbajtja!” – impononte Zhdanovi në teorinë e “Real-Soc-it”, dhe kjo thanie e tij u ba Moto e krejt vendeve që u mallkuen me sistem komunist.
Shqipëria Socialiste e diktaturës së Hoxhës, si vend komunist imponoi vetëm këtë metodë staliniste dhe veprat e autorëve të Realizmit Socialist me besnikëri iu përmbajtën parimit “Formë Kombtare – Përmbajtje Internacionaliste”. Paradoks i vërtetë! Disa shkrimtare soc-realiste shqiptare të asaj kohe, sot mundohen me shfajësue ato çka kanë shkrue në at sistem. Këta shkrimtarë e pranojne se sistemi u imponohej, por nga ana tjetër duen me mbrojtë veprat e shkrueme nën imponim!? Këtyne shkrimtarëve u duhet ba nji pyetje e thjeshtë:
“A ka qenë Realizmi Socialist për ta nji Metodë e Zgjedhun apo nji Metodë e Imponueme!?”
Dhe veç përgjigjia e kësaj pyetje kishte me qitë në dritë të vërtetën…
.
 
Shkrimtari Robert Martiko

Robert Martiko

Robert Martiko

Për herë të parë termi ‘‘Realizëm Socialist’’ u përdor në Bashkimin Sovjetik. Lindi së bashku me gënjeshtrën e madhe shtetërore se gjoja letërsia dhe artet do të kishin si objektiv pasqyrimin me vërtetësi të realitetit shoqëror. Gjithçka u trajtua në bazë të koncepteve marksiste-leniniste. Lenini theksonte se në Socializëm shkrimtari është i lirë veç duhet të vijojë vijën e partisë. Për njeriun perëndimor, të rritur me idenë e lirisë absolute, që gjendet në themelet e Civilizimit Perëndimor, nuk është e vështirë të kuptohet se thënia e Leninit, nuk ishte asgjë tjetër përveçse një sinonim i përkryer i diktaturës. Madje i më të përgjakshmes diktaturë që njohu historia e njerëzimit. Rreth shtatëdhjetë milionë të vrarë dhe asgjësuar bëhet fjalë në Bashkimin Sovjetik, gjatë periodës së ndërtimit të një socializmi të shumë ëndërruar, i cili nuk erdhi kurrë.
Në intervalin e gjatë të qeverisjeve komuniste, letrarët dhe gjithçka e lidhur me artin e Luftës së Klasave, u kthye në shtojcë të direktivave të Partisë së vetme, në vende ku nuk ekzistonin zgjedhje të lira. Në kushte të tilla, nuk është e vështirë të kuptohet se artet dhe letërsia, së bashku me propagandën e shfrenuar bënë që masat të pësonin shpëlarje trush. Jo më kot Aleksandër Solzhenicin, fitues i çmimit Nobel thotë se, “…për të shpëtuar nga helmi i Diktaturës, Njeriut të Ri do t’i duhen shekuj pa fund, po aq sa ç’iu deshën qenieve darviniane, për të ndodhur i ashtuquajturi ‘‘zhvillim natyror i species’’. Kështu shpjegohet në ditët e sotme fenomeni i lidhur me intelektualë të caktuar, të cilët mbrojnë me këmbëngulje te madhe, aktivistë letrarë të së kaluarës, duke iu shtuar madje, nga pas, epitetin ‘‘gjeni’’. Duke harruar se gjatë gjysmë shekulli gjenocid, shkatërrim ekonomik, poshtërim njerëzor, varfërim total të popullsisë, të aktivizuarit në të ashtuquajturin ‘‘Realizëm Socialist’’, vepruan nën diktaturë. Ata pranuan të merrnin çfarëdo roli që mbi, të gjitha, në planin moral, i zhvleftëson ata si njerëz. Sepse termi ‘‘Luftë Klase’’ praktikisht do të thotë vëllavrasje. Madje, ishte një vëllavrasje me dimensione gjigante, përderisa shoqërohet nga ideologjia dhe trumbetat e krimit të të zgjedhurve faqezinj të ‘‘Realizmit Socialist’’.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook