back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

“Rrëfimi letrar përmes historisë” – nga Dorian Koçi – Nga “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit tek “Shkodra e Rrethueme” e Ndoc Nikaj (1913)

Gazeta

Dorian Koçi
Dorian Koçi

“Rrëfimi letrar përmes historisë”

nga Dorian Koçi*

Nga “Ali Pashaida” e Haxhi Shehretit

tek “Shkodra e Rrethueme” e Ndoc Nikaj (1913)

Ballkani është një trevë e Europës, që mbart në ndërgjegjen e vet kolektive shtresëzime të ndryshme kulturore. Perandoritë e mëdha si Roma, Bizanti, ngjarjet e Kryqëzatës së IV, qytetet e administruara nga Venediku e më vonë çatia e përbashkët e Perandorisë Otomane kanë krijuar një kaleidoskop kulturor ku influencat e ndryshme prodhojnë kultura dhe mozaikë kulturorë të ndryshëm. Kultura është pashmangshmërisht e lidhur me historinë.
Herodoti, historiani i parë dhe nga më të shquarit në historinë e njerëzimit para se të jetë një raportues dhe mbledhës faktesh është një kulturolog i madh, që në udhëtimet e veta përshkruan vende, popuj, zakone e rite të tyre. Kjo traditë herodiane u bë baza për gjithë etnografinë europiane në vijim.1] Edhe pse përshkrimi i Herodotit në vazhdim ka hasur në kritika të ndryshme, larshmëria e popujve në Ballkan dhe raporti i tyre me pushtetin otoman ka krijuar paradigma dikotomie të përshkruara dhe në letërsitë përkatëse. Herodoti përfaqëson, pra në një këndvështrim kulturor, që mund të përkufizohet si “para orientalist” në kuptimin e zhvilluar nga orientalisti amerikan Edward W. Said si një dallim ontologjik dhe epistomologjik i bërë midis Lindjes dhe Perëndimit.2] Këto tipare, të nisur që herët në kulturën e rajonit janë pasqyruar dhe në letërsitë e Ballkanit. Ligjërimi historik i trajtimit të së shkuarës otomane të Ballkanit është kthyer në një ligjërim historik-letrar që pasqyron edhe zhvillimet historike kulturore të marëdhenieve të popullsisë ballkanike me Perandorinë Otomane, por edhe identifikimin e prototipeve letrare, që kanë pasur një ndikim të madh në veprat e mëvonshme në letërsitë përkatëse. Zhanri i romanit historik, duket se është zhanri letrar, që i shkon më për shtat përfshirjes së historisë së rajonit dhe artikulimit të ligjërimit historik në romane historike. Në fillim të shekullit XIX, kombet ende nuk kishin një histori të mirfilltë. Edhe ata, që tashmë kanë identifikuar paraardhësit e tyre, nuk kanë në dorë veç disa kapituj të mangët thelbi i të cilit është ende për t’u shkruar.3] Ky proces, që në Europë fillon me romanet e William Scotit, nuk mund të rri pa influencuar shkrimtarët e Ballkanit, kur ata përfshihen në proceset shtetformuese të shteteteve tyre kombëtarë. Shkrimtarët e Ballkanit në mënyrë të pavetëdijshme, duke shkruar përjetimet e tyre përreth së shkuarës otomane të vendeve të tyre në romane historike, kanë krijuar një epope historike, që lidhet me të shkuarën dhe të tashmen e vendeve të tyre. Në këtë rast romani historik shërben si model narrativ për përpunimet e para shkencore të historive kombëtare dhe si vektor i shkëlqyer i përhapjes së një vizioni të ri të së kaluarës.4]
.
Alipashaida e Haxhi Sheretit
Alipashaida e Haxhi Sheretit
Paradigma historike letrare, që krijoi Herodoti në vetvete ka lënë një shenjë të rëndësishme në qytetërimin europian pasi është krijoi një shkollë historike letrare të quajtur shkollë herodiane, ku janë të përfshirë shkrimtarët, të cilët kanë në vetveten e tyre sa hulumtimin, sa njohjen e një bote tjetër, po aq edhe rrëfimin e tyre artistik të lidhur ngushtë me historinë. E para vepër historike, që na vjen si një lloj memorie kolektive kulturore, por edhe si një vepër e botuar është poema “Ali Pashaida” e shkruar nga Haxhi Sherreti. Kjo poemë, madhësia e së cilës shkon deri në 15.000 vargje, nga të cilat u përkthyen në greqishten e re rreth 10.000 vargje, qëndron në fakt si apogjeu i gjithë kësaj periudhe, pasi me korpusin e vet letrar jo vetëm përfaqëson një shije estetike të lartë për kohën, por është dhe një dëshmi e shumë ngjarjeve të vërteta, që ndodhën në Pashallëkun e Janinës. “Alipashaida”, e shkruar sipas modelit të poemave të gjata epike, i njihet autori, çka e bën më të plotë atë, nga dy poemat e tjera të gjetura deri më tani për Ali Pashën. Të dhënat biografike për Haxhi Shehretin janë të pakta, kryesisht dëshmi të tërthorta, që vijnë nga veprat e udhëtarëve të huaj, bashkëkohës të tij dhe disa dokumente administrative të Pashallëkut.
Ai lindi në Delvinë dhe ishte bashkëmoshatar dhe i njohur me Aliun, që në rininë e tij. Shërbeu për vite me radhë pranë oborrit të Pashait, derisa dha grahmën e fundit. Mbi shpatullat e tij patën rënduar hallet e një familjeje prej dymbëdhjetë fëmijësh dhe mjerisht vdiq i verbër dhe në varfëri të plotë. Në një pasazh të historianit grek S. Aravantino mësojmë se poeti është varrosur në vendlindjen e tij, në Delvinë (Koçollari. I -1997) Alipashaida e Haxhi Shehretit. Tiranë: Onufri, faqe 15). Vlen të përmendet këtu, që historianët më të famshëm grek, të cilët shkruajtën jetën dhe veprën e Ali Pashë Tepelenës i referohen shpesh herë si një pjesë e vërtetë e një ngjarjeje, që ka ndodhur në atë kohë. Nëpërmjet teknikave të reja të dokumentacionit, që janë të njohura tashmë për historianët nëpërmjet arkivit të Ali Pashë Tepelenës është arritur, që të identifikohet se sa pjesë të vërteta ka, sidomos në historikun e ngjarjeve të njëpasnjëshme dhe kronologjinë. Sigurisht, që nuk duhet të biem në kurthin për të besuar se çdo gjë, që thuhej aty është e vërtetë pasi të gjitha ato çfarë mund të jenë ditirambe të ndryshme poetike përsa i përket jetës dhe veprës së Ali Pashë Tepelenës duhet të lihen mënjanë, por thelbi i ngjarjeve historike është i atillë që bën të mundur për të sjellë tek lexuesit këtë lloj narrative historike, që na vjen nëpërmjet këtij rrëfimi letrar, poetik të kohës. Në fakt, “Alipashaida” është një nga veprat shumë pak të njohura në Shqipëri. Ajo është përkthyer në vitin 1997 dhe nuk ka botime të tjera. Një pjesë e rëndësishme e kësaj trashëgimie kulturore edhe pse në gjuhë të huaj ka humbur dhe kërkohet të shpluhuroset për të dalë në dritë.
.
Kenget e Milosaos - Jeronim de Rada
Kenget e Milosaos – Jeronim de Rada
Vitet e mëvonshme në narrativën historike-letrare, në letërsinë shqipe shfaqen dy poetë të mëdhenj, njëri është Jeronim De Rada me “Këngët e Milosaos” më 1836, që shënon dhe fillimet e romantizmit shqiptar dhe tjetri është Gavril Dara i Riu me poemën “Kënga e Sprapme e Balës”. Sigurisht që tek “Këngët e Milosaos” kemi të bëjmë më një poemë, e cila në vetvete rikujtohet dhe rivjen ndër ata që e lexojnë si një kujtesë kolektive e një bashkësie të vogël, siç qenë arbëreshët në Itali, por ka të ndërthurur në të dhe një pjesë të rëndësishme të një elementi historik. Ky element historik tashmë vjen i përmendur përmes rrëfimit letrar romantik. Kjo përqasje e letërsisë së kultivuar me poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill i yni, por një nga elementët themelorë të botkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin. Për të krijimatria e mirfilltë poetike, por edhe puna e mbledhësit të folklorit ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar. Të dyja këto përmasa, poezia e kultivuar që i atribuohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt që romantikët gjermanë e quanin “Volksgeist”, ndërsa letërsia globale, që do dilte nga kjo shkrirje, duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e politike të tij. (Francesco Altimari. Vepra Letrare 1. Këngët e para të Millosaut. Tiranë; 2014, fq. 26)
Romantizmi, rryma letrare dhe politike të përhapur kudo në Europë krijonte heronjtë e vet. Karakteristikë e rëndësishme e heroit romantik është fakti që ai është hero në jetën e tij të përditshme i mbytur nga rrethanat dhe sentimentalizmi. Ashtu është në të njëjtën kohë dhe një hero ndaj fatit të atdheut. Këto dy tipologji karakteristikash do të jenë përcaktuese për veprat e tjera të mëvonshme të romantizmit shqiptar-arbëresh. Ajo çka mund të themi me plot gojën është fakti që me krijimtarinë e De Radës krijohet një shkollë e përceptimit të narracionit letrar nëpërmjet historisë. Milosao, sigurisht që nuk ka koordinata të caktuara dhe të drejtpërdrejta historike për t’u identifikuar si personazh historik, por epoka ku vepron ka elementë të rëndësishëm siç është konflikti arbër-osman, një konflikt shumë i madh, i cili ndihet kudo në poemë. Në letërsinë arbëreshe nuk do të linim pa përmendur një poemë shumë të rëndësishme, siç është “Kënga e sprasme” e Gavril Darës, e cila është në të njëjtën frymë si ajo e De Radës, por në vetvete përmban dhe ka një narrativë tjetër. Ashtu si De Rada, të dyja janë tërësisht imagjinare, janë pjesë të kujtimeve të një bashkësie kolektive dhe janë pjesë, të cilat nuk i përshtaten drejtpërdrejt realitetit historik siç është “Alipashaida” e Sherretit, por bëjnë të mundur, që në një kontekst më të gjerë europian dhe ballkanik të sjellim para lexuesit gjithë detajet dhe atmosferën e madhe të konfliktit me osmanët. Ne, si lexues jemi të dashuruar me personazhet e këtyre poemave, qoftë me Milosaon, qoftë me Rinën, qoftë me vajzën e Lalës, apo me toponime, që janë të rëndësishme dhe që ndonjëherë vijnë nëpërmjet kujtesës kolektive siç është Moreja, vende të ndryshme të shqiptarëve arvanitas në Greqi, por kurrsesi nuk mund të biem në kurthin e marrjes së një narrative letrare si një e vërtetë historike e drejtpërdrejtë. Përse e them këtë? Sepse duke e lidhur me kohët e sotme, shpesh herë edhe me tezat e reja që qarkullojnë dhe riqarkullojnë për origjinën e lashtë të popullit shqiptar merren si të vërteta historike ndonjëherë edhe ato që janë drejpërdrejt trille fantastike apo fiction të vetë poetëve dhe që jo domosdoshmërisht shprehin të vërtetën historike sipas dokumentacionit. Duhet ta kuptojmë që epoka e romantizmit dhe mënyrës se si tentohej të shkruhej historia dhe letërsia, duke rikujtuar të kaluarën e lavdishme të popullit e duke krijuar heronj romantikë, jo shpesh herë i përgjigjej realitetit drejtpërdrejtë historik dhe kronologjisë së ngjarjeve historike. Në këtë drejtim Milosao dhe Plaku Balë janë frut i fantazisë dhe trille letrare të mbështetura mbi kujtesën kolektive arbëre rreth konfliktit arbëro-osman të shekullit XV. Pikërisht nga gjiri i këtij konteksti kulturor një shekull më vonë nën influencat e fuqishme të iluminizmit, luftrave napoloniane dhe romantizmit do të lindte dhe do të merrte udhë sendërtimi i një identiteti të veçantë kulturor e kombëtar, që në revokimin e së kaluarës heroike të epopesë skënderbejane të shekullit XV do të përpiqej të ngjizte një Shqipëri tjetër përtej detit. Një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të kësaj elite arbëreshe është padyshim Jeronim De Rada, që ndryshe nga paraardhësit e tij, jo vetëm pati meritën që hapi siparin e romantizmit në letërsinë shqipe me veprën e tij “Këngët e Milosaos” 1836, por për herë të parë e integroi letërsinë e një komuniteti të vogël në rrjedhat europiane të kohës. Studimi dhe analizat e ndryshme letrare, që ia janë bërë “Këngëve të Milosaos”, që nga botimi i parë e deri më sot, përpos faktit që kanë pasuruar leximet e ndryshme të saj, kanë lënë disi në hije kontekstin historik e gjeografik të pasqyrimit të kohës historike, në të cilën De Rada vendos ngjarjet, toponiminë e vendeve të përmendura në poemë dhe simboleve kulturore të veçanta. Në të njëjtat gjurmë të De Radës do të ecte dhe Gavril Dara i Riu në krijimin e heronjve të vet Plakun Balë, Nik Petën dhe Pal Golemin.
Gjithsesi ky konstatim vlen përsa i përket letërsisë së kultivuar, sepse me të drejtë siç mund të vërehet lehtë tek “Bleta shqiptare” (1878) botuar nga Thimi Mitko në Kajro, është disi e çuditshme se si në këngët popullore të mbledhura të kemi një varg, që reflekton një të kaluar historike shumë të afërt siç janë kryengritjet e mëdha të Labërisë të vitit 1847, dhe që shpreh një koine shpirtërore, kulturore, politike dhe administrative të shqiptarëve si komb. Vargu katërrokësh që në të vërtetë përbën habi për atë që mund të quhet bashkim shpirtëror dhe historik i shqiptarëve është:
 
U trete Gjolekë, u trete/ Sos për mua,
sos për vete/ Por për katër vilajete./
 
Këto vargje në të vërtetë nënkuptojnë, një territor të përcaktuar qartë, që ishte tërësia territoriale e shtrirjes së shqiptarëve në atë kohë dhe që çuditërisht në vargjet e këtij këngëtari popullor, të mbledhur nëpërmjet Mitkos, na vjen e drejtpërdrejtë si pjesë e një realiteti historik. Ky konstatim përmes këtyre vargjeve është krejt e kundërt përsa i përket realiteve historike nëse e krahasojmë me narativën historike që kanë “Këngët e Milosaos” apo dhe “Kënga e sprasme e Balës”, të cilat janë të ngarkuara me motive të drejtpërdrejta letrare, por që nuk i referohen gjithmonë të vërtetës.
Një vepër shumë e rëndësishme e rrëfimit historik-letrar në letërsinë shqipe është poema “Istori e Skënderbeut” e Naim Frashërit, (1898), e botuar dy vjet para se të vdiste Poeti Kombëtar. Nuk mund të mungonte Frashëlliu i madh pa i kushtuar edhe poemë Heroit tonë Kombëtar. Në këtë mënyrë ajo (historia) e ruan të kaluarën dhe ua kujton breznive të ardhshme që ta njohin dhe të marrin mësim prej saj. Megjithatë, ajo është vetëm dëshmitare. Kohët dhe njerëzit që mbesin në fletët e saj janë përjetë të ngurtëzuara. Poetët besojnë me të drejtë se periudhat dhe shëmbëlltyrat historike mund të shihen më thellësisht vetëm me anën e artit, prandaj, faktet historike i fisnikërojnë me imagjinatën krijuese. (Rexhep Qosja, Kritika letrare, Rilindja, Prishtinë, 1969, f. 8-9).
.
Poeti Naim Frashëri
Poeti Naim Frashëri
Ku mund ta ketë gjendur Naim Frashëri burimin historik të veprës së vet? “Historia e Skënderbeut”, në fakt është një poemë, e cila mund të jetë mbështetur në leximet e ndryshme të Naim Frashërit për Skënderbeun, qoftë të Barletit të përkthyer në frëngjisht, në gjuhën që ai lexonte shumë mirë apo dhe burime të tjera në gjuhët europiane. “Istori e Skënderbeut”, është një lloj testamenti politik, me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit turk. Ajo u lexua dhe u mësua përmendësh nga breza të tërë shqiptarësh, duke u kthyer në një tekst të preferuar edhe për faktin se ishte shkruar në tetërrokëshin e njohur popullor. Poema të tjera të bashkëkohësve të Naimit nuk patën të njëjtin fat dhe adhurim mes popullsisë shqiptare.
Përse e them këtë gjë? Sepse pati tentativa të mëparshme për të shkruar një histori të Skënderbeut nga autorë të tjerë, siç është një tentativë pak e njohur e Jani Vretos e shkruajtur në gjuhën greke, por që nuk ka arriti të mbizotëronte dhe asimilohej nga publiku i pakët shqiptar i asaj kohe. Kjo për arsyen e thjeshtë se poema e Naimit në rradhë të parë ishte në gjuhën shqipe dhe tingëllonte në gjuhën e nënës. Në rradhë të dytë ndiqte një rrëfim të drejtpërdrejtë në vargje të historisë së Skënderbeut, të asaj se çfarë kishte ndodhur dhe brenda saj kishte dhe kumte për të shkuarën e Shqipërisë, por sigurisht edhe për të ardhmen e saj. Naimi në vetvete i largohet qëllimisht ndonjëherë faktit historik e krijon edhe personazhe, të cilët nuk janë personazhe historikë. Nëse kur e lexojmë veprën “Historia e Skënderbeut” për herë të parë e presim, që të gjejmë një histori e kronologji historike, lexuesi edhe mund të zhgënjehet, pasi Naimi krijon edhe personazhe, të cilët nuk janë historikë si është rasti i Kamanit. Personazhi Kaman ka mbetur ende i padeshifruar se kujt i përket, ndonëse shpesh herë është menduar e gjykuar se në vetvete ai përfaqëson vetë poetin. Kamani duket të jetë dhe të luajë rolin e korit antik, njëlloj si tragjeditë e vjetra greke, ku roli i tij është të kumtojë të vërtetat që mendon Naimi dhe duhet të dinë lexuesit.
Pra, Naimi në fund të shek. XIX dhe fillim shek. XX nuk është aspak i penduar për aksionin e Skënderbeut kundër osmanëve siç mund të shikojmë sot për fat të keq disa historianë apo njerëz të letrave, të cilët e vënë në dyshim aksionin e Skënderbeut dhe përpjekjen e tij kundër otomanëve nëse ia vlejti apo jo për të mirën e etnosit arbër. Naimi përmes Kamanit i jep përgjigje kësaj mëdyshje me vargjet monumentale thënë dërgatës osmane kur ata kërkojnë që t’u dorëzohet Kruja.
Jo nuk vdiq Shqipëria/ Nuk vdiq por është gjallë
Tjatër përgjigjie Turqia/ Nuk do përveç me pallë
 
Mesazhi i Naim Frashërit është i qartë. Lufta e armatosur e drejtpërdrejtë ndaj osmanëve çka përkon dhe me aksionin e Skënderbeut, që kishte mbetur gjallë në memorien e kolektive të shqiptarëve e që vazhdon të jetë edhe sot pjesë e memories sonë kolektive. Marrëveshje me osmanët për një popullsi shumë të vogël siç ishin Arbërit do të thoshte dënim me vdekje dhe në fakt ashtu siç shfaqet në narrativën historike letrare të mëvonshme të shkrimtarit tonë Ismail Kadare tek romani “Kështjella” në bisedën midis dy kronistëve turq, kryeveqilharxhit dhe kronikanit turk. Kryeveqilharxhi, i cili në roman përfaqëson botën intelektuale osmane e kohës thotë diku që “Thuhet se Skënderbeu, e ka braktisur emrin e tij Skënderbe dhe mban vetëm emrin Gjergj Kastrioti dhe po lufton për të ardhmen”. Pra, nuk po lufton më për të sotmen por për të ardhmen. Kronikani Mevlan Çelebi, sigurisht që është i habitur, i thotë: “Si ndodh kjo gjë? Njeriu lufton për të sotmen, nuk lufton për të ardhmen”, dhe ai i thotë: “jo, ai raportin e ka me të ardhmen, nuk e ka me të sotmen, prandaj ne duhet ta mposhtim që sot”. Pra, në një farë mënyre kjo lloj trajektore historike, e cila tek Ismail Kadareja vjen pasi ai e di historinë dhe jo drejtpërsëdrejti në kohën e Skënderbeut, na shërben për të kuptuar dhe për të nxjerrë një narativë tjetër e cila shfaqet në shek. XX në letërsinë shqipe po fillojnë refleksionet historike të drejtpërsëdrejta përsa i përket të shkuarës.
Romani më i rëndësishëm në narrativën historike-letrare është “Shkodër e rrethueme” e Ndoc Nikaj në vitin 1913, i cili është një përshkrim i ngjarjes më të madhe në historinë e Shqipërisë në luftrat ballkanike. Rrëfimi ngjan më tepër si pjesë e një reportazhi të një lufte dhe në të njëjtën kohë ka dhe histori të mirfilltë të Shkodrës dhe rrethinave të saj. Nëpërmjet rrëfimit të narrativës historike të Ndoc Nikaj, që është edhe shkrimtar, por edhe dëshmitar i drejtpërdrejtë i ngjarjeve, duket që krijohet një lloj përqasje e re letrare historike në letrat shqipe. N. Nikaj së bashku me Stefë Curanin mbahen si hedhësit e themeleve të historiografisë shqiptare. (Aurel Plasari , Gjinaj M.; Mele M.; Elmazi M., “Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare”, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 185).
Për fat të keq në kohët e sotme romani historik konsiderohet një roman demode, një roman që nuk tërheq një audiencë të madhe. Sigurisht, që letërsia ka ligjet e zhvillimit të saj, por ajo që unë dëshiroj të theksoj është se rrëfimi letrar përmes historisë nuk duhet të humbasë dhe duhet inkurajuar për historianët shkrimtarë. Pavarësisht faktit se ndonjëherë krijon heronj të idealizuar si Milosao apo Nik Peta, në fakt kjo lloj letërsie shërben për të memoralizuar ngjarje të rëndësishme kombit, dhe nëse ne duam të kemi një kujtesë kolektive të vazhdueshme, atëherë kjo nuk mund të mbijetojë pa rrëfimin letrar përmes historisë.
 
*Autori është Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar. Artikulli është leksioni i hapur i mbajtur në skenën multimediale në Atriumin e Muzeut Historik Kombëtar, në kuadër të Festivalit “Ditënetët e librit”, 16-20 maj 2018
 
1]Thiesse A.M (2004) Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë :Dukagjini, fq , 94
2]Thiesse A.M (2004) Krijimi i identiteve kombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë: Dukagjini, fq 96-97
3] Thiesse A.M (2004) Krijimi i identitevekombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë: Dukagjini, f fq 162
4]Thiesse A.M (2004) Krijimi i identitevekombëtarë. Evropa e shekujve XVIII-XIX, Prishtinë: Dukagjini, , fq 163
https://doriankoci.blogspot.it/2018/05/rrefimi-letrar-permes-historise.html
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.