Rrëfim për Shpendin dhe për vete… – nga Jozef Radi

Shpend Sollaku dhe Jozef Radi - Ancona 25 dhjetor 2019

Shpend Sollaku dhe Jozef Radi – Ancona 25 dhjetor 2019

Rrëfim për Shpendin dhe për vete…

nga Jozef Radi

Me Shpendin kem nda nji qytet t’përbashkët…
kem nda nji shkollë t’përbashkët ne formën e Z
kem qenë shokë, me shum’ shokë t’nji klase
mandej udhtë u kputën e do kohë u bamë t’blertë
ai ndër detna e ishuj e un ndër male e skërka.
Ma vonë ndamë s’bashku mendime t’lira n’kohë frike
po kena nda edhe frikë tue besue n’lirinë
jena futë ndër beteja të përbashkëta
tue folë përmes poezish e vargjesh rebele
e shkruem libra kur censorë ishin ma shumë se autorë
e kur djajtë na shumoheshin ndër sy si larva mushkonjash
e ne ia shkelnim synin njeni-tjetrit, tue folë për dashninë.
 
Me Shpendin s’i pritëm kohnat me ndryshue,
po ndryshuem vedin për kohnat që vinin
besuem n’lirinë ma shumë se liria besoi ndër ne
luftuem njashtu veç me muskujt e fjalës e klithmës
që t’vërtetat e përbashkëta t’ishin të vërteta
edhe t’nji shumicë t’çoroditun, e ndër beteja t’humbuna
morëm rrugët e përtejme, jo prej frike, po thjesht
mos t’ishim t’përdorun prej zheleve të s’djeshmes
me iu lanë vargjeve hapsinën e dritës së mëngjesit
pa i pranue trishtimet e tjerve ndër ne m’u ba plagë…
 
Me Shpendin vazhdojmë me nda kohë t’përbashkët
me nda t’njejtën tokë t’ikjes edhe t’mbrritjes,
me nda zanin e moshës, përmes fyejve t’kujtimeve
me nda dy qytete të largët, po jo pamundsin’e takimeve
me nda libra jete e sakrificash, tash shkrue n’gjuhë të hueja
me nda përqafje virtuale për gëzimet e vogla t’përditshmes
me nda edhe mjaft dhimbë, pse prej krejt baladave tona
shpëtuen censorët, ata që vazhdojnë me na shpjegue
pse liria mbet e pavrame ndër shpirtnat tonë…
3 prill 2021
.

Me librin fundit te Shpendit - "Biri i Armikut"

Me librin fundit te Shpendit – “Biri i Armikut”

.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Poezia  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook