back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Rose Wilder Lane, mikja amerikane e shqiptarëve… Ilir Seci

Gazeta

Rose Wilder Lane (1886-1968)
Rose Wilder Lane (1886-1968)

Rose Wilder Lane, mikja amerikane e shqiptarëve…

studim nga Ilir Seci

Lidhur me librin “Majat e Shalës”, (“The Peaks of Shala”), të autores amerikane Rouz Uajlder Lein, (Rose Wilder Lane), botim i “Ndërmarrja Botuese RILINDJA”. Prishtinë,1997. (Përktheu Avni Spahiu).
Kur flitet për librat e ndryshëm që udhëtarët e huaj kanë bërë për vendin tonë nuk janë të paktë emrat të cilët kujtohen menjëherë në mendjet e njerëzve duke ardhë në kujtesë me veprat e tyre ashtu si e kanë përshkruar ata vendin tonë, vepra të cilat në shumicën e tyre janë një ndihmesë e madhe në njohjen e historisë sonë pse janë dokumente të rendësishme e objektive.
Shumica e këtyre veprave janë afirmuese dhe përveç ndonjë autori sllav apo francez, (këta të fundit gjithmonë kanë pasur një rezonancë sa i takon gjykimit mbi shqiptarët!!), në këto vepra është lartësuar miti shqiptar duke i treguar botës së këta shqiptarë mes maleve të Ballkanit janë të dënuar nga historia, por s’janë më të paaftë së fqinjet e tyre europianë, ata vetëm nuk e kanë pasur ende fatin e tyre historik të dëshmohen si komb.

Ilir Seci
Ilir Seci

Njihet mirë këtu vepra e Edit Durhamit, vepra kolosale e gjuhëtarëve gjermanë e austriakë, vepra të cilat janë njohur e publikuar nga studiuesit në mbarë viset shqiptare, duke dhënë një model mirënjohje shqiptare ndaj këtyre veprave. Por në të njejtën kohë në disa raste janë mohuar dhe lënë në harresë një radhë veprash që ishin shkruar nga autorë proshqiptarë duke e portretizuar shqiptarin me aq dashamirësi sa ky portret qëndron lart në galeritë botërore të kulturës.
Në mesin e këtyre autorëve padyshim është Rouz Uajlder Lane, (Rose Wilder Lane), një autore amerikane, e cila në vitin ’20, pati rastin të vizitonte viset shqiptare në veri të vendit dhe atje u njoh me jetën dhe traditat shqiptare duke mbetur e befasuar me çfarë gjeti atje dhe pas udhëtimit shkruan një libër të rrallë “Majat e Shalës”, (The Peaks of Shala) në të cilin portreti shqiptar i dhënë aty është i realizuar me shumë dashuri e simpati e njëherit me një objektivitet të pashoq, duke kontribuar në ndërtimin e urës së miqësisë shqiptaro-amerikane.
Nuk mund të teprohet nëse thuhet se kjo autore ka kontribut në ndërtimin e urës së miqësisë shqiptaro-amerikane sepse Rouz Uajlder Lein është shumë e njohur si shkrimtare në Amerike, me një aktivitet krijues të gjatë dhe me një emër të njohur në shumë lëmij: letërsi për fëmijë, të drejtat e njeriut dhe publicistike, Rouz Uajlder Lein një kohë ishte edhe autorja më e paguar në botë dhe kishte një aktivitet që shkonte nga një skaj i globit në tjetrin, Ballkan, Lindje e Mesme e Lindje e Largët, duke dhënë vepra të cila janë shumë popullore në Amerikë e përgjithësisht në gjithë botën anglishtfolëse.
Po t’i referohemi emrit dhe “horizontit te pritjes” që kjo autore pat në SHBA, lirisht mund të themi se Lein është padyshim autorja më e njohur nga bota që ka shkruar ndonjëherë për ne si komb! Ndoshta kjo ndokujt mund t’i duket e pabesueshme, por kjo shkrimtare është shumë e njohur në SHBA, Francë, Angli e Australi, me një emër të madh në fushën e publicistikës botërore dhe të drejtave të njeriut.
Por kjo autore në veprën e vet për shqiptarët “Majat e Shalës” kishte skalitur një portret shumë dashamirës të Ahmet Zogut, kapitulli i fundit i librit, dhe me këtë kapitull ajo e bëri veprën e vet të pabotueshme në kohën e komunizmit në Shqipëri, gjë e cila pasoi me një gjysëm shekulli mungesë njohjeje e tash shqiptarët rrudhin supet të habitur sepse nuk e kanë dëgjuar kurrë! Në fakt libri është shpërndarë nëndorë nëpër Shqipëri, ka patur edhe tentativa ta përkthenin por kurrë deri në nivelin e një botimi të mirëfillte deri në ditën kur u botua në Prishtinë në vitin 1997, nga Enti “RILINDJA” me përkthimin e Avni Spahiut, i cili ka bërë një punë të vyer në shqipërimin e kësaj vepre, duke u dhënë shqiptarëve një vepër që ata e kishin merituar me kohë ta njihnin e njëherit duke shpërblyer me mirënjohje edhe Rouz Uajlder Lein, e cila në fakt meriton shumë më tepër nga shqiptarët, të cilët ende nuk e dinë rëndësinë e atij libri në botën e kulturës. Po kush ishte kjo shkrimtare, studiuese dhe juriste që nga Amerika erdhi në ato vite në Shqipëri e shkroi atë vepër mbi kombin tonë?

Rose Wilder Lane - The Peaks of Shala
Rose Wilder Lane – The Peaks of Shala

Shënime Biografike…

Rouz Uajlder Lein, (Rose Wilder Lane), u lind me 5 dhjetor 1886 në De Smet, Dakota, ishte fëmija i parë i Almanzo dhe Laura Ingalls Uajlder. E ëma ishte një shkrimtare e njohur dhe lindjen e së bijës Rouz e ka përshkruar në një libër me titull, “Katër vitet e para”. Pas lindjes Rozës i takon të ketë një jetë me një varg vuajtjesh, pa u bërë dy vjeç e ëma sëmuret dhe e dërguan të jetonte me gjyshërit për disa muaj, pastaj bëhet motër vetëm për pak pse i vëllai i vdes pas disa ditësh, shtëpia e tyre në De Smet u digjet dhe detyrohen të shkojnë njëherë në Minnesota, pastaj në Florida, përsëri në Dakota duke u përpjekur të përballojnë jetën e vështirë të asaj kohe.
Gjithë kjo periudhë lëvizjesh e përpjekjesh ka ndikimet e veta te kjo shkrimtare, sepse ajo më vonë shkruan në lidhje me këto eksperienca në disa libra të saj. Në 1903, prindët e lejojnë të plotësojë shkollimin e mëtejshëm në Louisiana që e kryen më 1904. Duke qenë një natyrë e pavarur që në atë kohë ajo kërkon të bëjë një jetë më vete, mëson telegrafinë dhe fillon të punojë për ëestern Union në fillim në Kanzas City dhe pastaj tre vjet më vonë në Muont Vernon Indiana.
Në vitin 1908, Rose shkon në Kaliforni aty jeton me një shoqe e në këte kohë njihet me burrin e ardhshëm Klere Xhillete Lein, me të cilin martohet në mars 1909. Pas martese shkojnë sërish në Kanzas dhe aty Rouz nis të shkruajë për “Kanzas City Post”. Çifti ka një fëmijë që nuk jeton gjatë dhe vdes foshnje, e në kohën pas kësaj fatkeqsie ata shihen të lëvizin disa herë derisa vendosen në Kalifornia, San Françisko ku merren me shitblerje shtëpishë.
Rouz vazhdon të jetë një natyrë e pavarur dhe kjo prirje e karakterit të saj me kalimin e viteve vetëm sa theksohet, duke krijuar mosmarrveshje bashkëshortore derisa një ditë ndahet me të shoqin, divorci u bë në vitin 1918.
Që nga viti 1915, ajo ishte bërë  emër i njohur në publicitikë falë punës me “San Francisco Bulletin” dhe me 1917, boton librin e saj të parë “Henri Ford – jeta e tij” dhe një vit më vonë vendoset në Neë York duke shkruar për një gazetë të atjeshme “Hijet e Bardha dhe detrat e jugut” të Greenwich Village fillimisht anonime e pastaj boton me emrin e vet “Berja e Herbert Huver” libër i cili ka emër edhe sot.
Pas Luftës së parë botërore Rouz bëhet reportere e Kryqit të Kuq Amerikan dhe nënshkruan një kontratë që të raportojë si reportere në vende të ndryshme ku shkon. Nis udhëtimet nëpër Europë shkon edhe në Rusi pasi asokohe pati një periudhëkur u influencua nga idetë komunsite, por me t’u kthyer nga Moska deklaron distancimin nga ato ide, sepse, “Unë besoj shumë në lirinë e individit dhe te komunizmi nuk gjente të përbashkët me këtë!”.
Midis gjithe vendeve të Europës ku ajo shkoi, Shqipëria bëhet shumë shpejt vendi i saj i preferuar, nga udhëtimi i parë atje frymezohet dhe shkruan librin “Majat e Shalës”, njihet me Rexh Metën atëhere fëmijë jetim nga Vuthajt të cilin e adapton, dhe ka shoqërues e ndihmon, i paguan shkollimin e të gjithë niveleve të asaj kohe, derisa përfundon universitetin në Kembrixh, Angli, pas Luftes së Dytë Botërore Rexha u arrestua nga komunistët dhe Rouz ndërhyn deri te presidenti amerikan që ta lirojnë!
Me vitin 1924, kthehet në SHBA shkon në Rocky Ridge Farm, por nuk qëndron shumë për t’u kthyer sërishmi në Shqipëri bashkë me një miken e vet dhe bën një sërë udhëtimesh nëpër Ballkan të cilat janë botuar si shënime udhëtimi në “Udhëtimi me Zenobine”,”Zenobia” ishte emri artistik i një makine “Ford” me të cilën ajo shetit nëpër Ballkan dhe më së shumti në Shqipëri, këto shënime pat planifikuar t’i botonte në një përmbledhje titulluar “Kopshti i Shqipërisë”, me të dhëna plot interes mbi jetën dhe situatën e asaj kohe në vendin tonë.
Pas katër viteve, në 1928 kthehet përseri në SHBA si pasojë e rrjedhës së paqëndrueshme të ngjarjeve në Shqipëri e në këtë kohë ndërton një shtepi të vetën ku jeton bashkë me prindët e saj duke dashur të bëjë një jetë të qetë. Kësaj kohe nxit të emën të shkruajë kujtimet e saj si tregime për fëmijë të cilat sot janë shumë popullore,veçanerisht “Shtëpia e vogël në Prarie” ishte shumë e suksesshme në SHBA, Angli dhe Australi sepse, në vitet ’70 u bë serial televiziv mjaft popullor. Këto vite Rouz shkruan edhe për vete, me 1933 boton “Lereni uraganin të shungullojë”, në 1938 boton “Tokë e Lirë” si dhe “Qyteti im i vjetër”. Më 1939, shkon ne New York boton “Me jepni Lirinë” dhe pas një viti vendoset në Danbury, Connecticut, ku fillon një jetë aktive politike si rezultat i së cilës është vepra “Zbulimi i lirisë” që u botua në 1945. E ëma, Laura vdes më 1957 dhe pas kësaj ngjarjeje ajo vendos të përmbledhe kujtimet e fëmijërisë duke shkruar një komplet prej shtatë librash shumë të njohur.
Gjatë këtyre viteve bën një sërë udhëtimesh në Lindje të Mesme dhe atë të Largët duke shkruar rreth udhëtimeve në këto vise. Në një libër të titulluar “Islami dhe zbulimi i lirisë” shkruan mbi fenë islame, jep mendimet e saj mbi ketë fe duke shprehur simpatinë e vet për ketë besim dhe tërheqjen që gjeti në islam. Në vitin 1965, shkon në Vietnam si reportere lufte, shkruan që andej, planifikon edhe një udhëtim nëpër Europë, por nuk e bën kurrë, sepse vdes. Rouz vdiq ne 30 tetor 1968, dhe u varros në Mansfield, Missouri. Emri i saj është sot një ndër më të njohurit në botë si aktivistë e të drejtave të njeriut e njohur nga Instituti Acton i të drejtave dhe lirive të njeriut, si një ndër shkrimtaret më të vendosura në ruajtjen e lirisë dhe të drejtave të individit si dhe përçuese e ideve më liridashëse të lexuesit…

Rose Wilder Lane - Majat e Shalës
Rose Wilder Lane – Majat e Shalës

Brendia e veprës, “Majat e Shalës”

Libri fillon me pershkrimin e autores mbi fushën e Shkodrës, ku ajo futet në gjysëmerrësirën e muzgut, aty ngjizet rrëfimi mbi udhëtimin në Shqipëri, rrëfimi mbi shqiptarët për të cilët ajo kishte pasur një njohje fare të paket, “nganjëherë emri shqiptar më dukej si emri bandit!” thotë në fillim shkrimtarja!!
Dy shoqet e veta që punonin në Kryqin e Kuq Amerikan në Shkodër e ftojnë t’iu bashkohet atyre në një udhëtim që ato do të bënin në Dukagjin atë vit dhe Rouz me kënaqësi iu bashkohet. Eshtë koha kur mijëra refugjatë lufte të larguar nga viset e tyre nga Plava e Gucia e trojet shqiptare të Malit të Zi janë vendosur në Shkodër dhe aty kanë gjetur njëfarë prehje me ndihmën e Kryqit të Kuq Amerikan, i cili në atë kohe i jepte ndihmat në emër të “Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës”.
Karvanit që do niste këtë udhëtim i bashkohet Rrok Perolli funksionar i qeverisë shqiptare, i cili ishte nga Peja dhe kërkonte të depërtonte në Dukagjin për të parë nga anojnë krerët e Dukagjinit, sepse në pjesën veriore kishte ende forca serbe të cilat donin të merrnin tokat shqiptare. Si përkthyes marrin Rexh Metën, 12 vjeçar nga Vuthajt, i cili ishte jetim dhe jetonte në Shkodër. Ky qe një ndihmës i vyer dhe një herë ai i shpëton jetën Rouz Uajlder Leinit. Përcjellës janë dy malësorë që bëjnë përcjelljen nëpër krahina të cilet jepen vetëm me emra, Qerimi, Marku, duke i dërguar nga një fshat në tjetrin në besë si e lypëë zakoni i atyre viseve.
Në udhëtim Lein përshkruan në fillim Shkodrën dhe fushën e saj, pastaj ndalet në hollësitë e terrenit në rrugën për Dukagjin, si merren vesh me njeri-tjetrin malsorët në Qafën e Bishkashit, “thirrjet majekrahut” që Rrok Perolli i quan “telefonat shqiptare!”, gjatë kësaj pjese ndërsa ata ngjiten në përpjetën e malit të Shoshit Lein përshkruan terrenin malor, shtëpitë mënyrën e jetesës dhe traditat që has, një përshkrim i rrallë duke depërtuar në detaje.
Flitet për plagën e gjakmarrjes, e cila ishte gangrenë e kohës dhe këtu Lein thotë se në kushtet e mungesës së shtetit shoqëria e tyre ishte reduktuar në qeverisjen prej dokeve morale e kanunit të Lekës. Femra ka një pozitë të shtypur dhe i vetmi privilegj që gëzon është se ajo nuk vritet si mashkulli, jeta është e varfër në këto vise dhe mundësitë e jetës janë të kufizuara, sepse toka është e pamjaftueshme e me prodhim të pakët.
Por mbi të gjithë këto vise kanë një pasuri që është e madhe për Lein, mikpritjen: të cilën e gjen në çdo shtëpi dukagjinase, respekti për të dhe jo vetëm për të por edhe për Rexhën e vogel, Lein tregon se si një natë ata priten darken deri pas mesnate “sepse mikpritësit kishin vetëm mish derri për darkë, e meqë Rexha ishte muhamedan, duhej respektuar ndaj dërguan dikë në fshatin fqinjë, tri ore larg të gjente disa vezë që mund të bënin darkën e tij!” Lein e admiron këtë shpirt respekti e nderimi ndërmjet shqiptarëve edhe pse me fe të ndryshme e këtë e thekson shumë herë në vepër.
Libri i Lein në terësine e tij shquhet për përshkrime të detajuara të vendeve, fshatrave shtëpive, udhëve e njerëzve që ajo sheh, që has gjatë rrugëtimit në Dukagjin, çka është një tjetër vlerë e veprës pse është dhe pasuri etnografike përsa i takon fakteve që sillen. Njerëzit e duan shkollën në këto anë thotë Lein kur sheh se sa shumë bëjnë ata për të pasur një shkollë dhe në fakt dy shoqet e Leinit ishin në këtë udhëtim pikërisht për të hapë një shkollë në Theth pasi ishin marrë vesh me priftin e këtij fshati. Një malësor që ajo e takon i thotë se “shkolla i shton fuqitë e njerëzve dhe i bën ata dhjetra herë më të aftë e me të mençur” dhe se ëndrra e tij “ishte të bënte të birin me shkollë në Tiranë apo edhe jashtë vendit!”

Malsorë në Shkodër
Malsorë në Shkodër

Në vepër shumë faqe përshkruajnë doket shqiptare, zakonet e tyre, martesat e traditat e tjera shqiptare, rrëfimet e mahnitshme folkorike, përrallat me zana e orë, këngët e trimërisë e ato të dashurisë, duke shpalosë një botë, e cila jepet e magjishme në sytë dhe penën e Leinit. Gjatë rrugës për në Theth ndalojnë në disa shtëpi dhe në secilën prej tyre ajo njeh një rrëfim më vete duke u habitur me gjerësinë e shpirtit të këtyre njerëzve në një gjeografi aq të vogël siç mund të jetë Dukagjini! Disa këngë si “Kënga e Mark Gjeloshit”, “Kënga e Ahmet Zogut” janë të shkruara në shqip nga autorja, e cila i fut në libër me ndihmën e Perollit, në libër gjenden edhe foto të bëra nga vetë autorja, e cila fikson njerëz dhe pamje nga Dukagjini.
Rrëfimet që i kanë bërë më tepër përshtypje Lein i ka futur të plota në vepër, kështu shpjegimin që i bën një malësor plak origjinës së fiseve në Europë e jep të plotëë “sesi para se të bëheshin detrat, fiset ishin vetëm në Ballkan dhe në Veri të vendit dhe pastaj u bënë detrat e njerëzit u shpërndanë”,origjinës se Aleksandrit të Madh i cili “ishte nga Emadhia e Matit dhe pasi u rrit shkoi në Maqedoni, e cila ishte shqiptare po ashtu”, malësori plak i rendit edhe breznitë e Aleksandrit, brezat e tij: “Karana, Cenua, Trimi, Perdika, Argua, Filipi, Ajeropi, i cili u bë edhe mbreti i parë i Maqedonisë dhe kishte pastaj këta pinjollë: Alqeti, Leka, Arminti, Perdika i Dytë, Arqelloja, Oresti, Arqelloja i Dytë, Arminti i Dytë, Leka i Dytë, Perdika i Tretë, Arminti i Katërt, Filipi i Dytë dhe Leka i Madh i biri i Filipit, i cili është ndryshe si e njohin bota Aleksandri i Madh”!
Njerëzit në gjithë këto vise ku ndaloi Lein ishin të informuar me atë çka ndodhte me vendin e tyre dhe e përjetojnë fatkqesinë që i ka pllakosur, ata e përjetojnë pushtimin serb në veri si gjëmë e mendojnë si ta heqin qafe, kështu Rrok Perolli, i cili ishte sekretar i Ministrit të Brendshëm gjen mirëkuptim me malësorët e Thethit, të cilët vetëm duan të çlirojnë bjeshkët e tyre një orë e më parëë. Një moment interesant është kur një prej krerëve të Thethit, Lulashi i kërkon Leinit të martohet me të: “sepse ajo vjen nga Amerika e mund të ndihmojë në mbarëvajtjen e fisit të tij ngaqë ajo ka përvojen e vendit të vet!”.
Pas qëndrimit në Theth vjen udha e kthimit në të cilën ata kalojnë nëpër Shosh dhe aty njeh një tjetër përvojë, të cilën e përshkruan në kapituj e kthimit nga Thethi. Lein mahnitet nga zgjuarsia natyrale e njerëzve aty, ajo sjell një shembull shumë domethënës në një bisedë me bajraktarin e Shoshit, teksa ajo u tregon malesorëve prej nga ka ardhur dhe mundohet t’iu shpjegojë rrumbullakesinë e botës, se si Lein është nga San Francisko e ka udhëtuar rrotull derisa ka ardhur këtu në Shosh.
Aty e ndërpret bajraktari i Shoshit, i cili i thotë: “nesë është ashtu, pra nëse bota është e rrumbullakët atëhere ajo duhet të lëvizë shumë shpejt sepse përndryshe ujërat do të derdheshin!”. Lein shprehet se “mbeta e mahnitur me zgjuarsinë natyrale të tij, dhe mendja me shkoi tek fakti se nëse një ditë shqiptarëve do u jepej mundësia, mendja e tyre do çudiste botën!” Pas udhëtimit nëpër Shosh, udha e Leinit vijon me zbritjen për në Shkodër, ku pas një qëndrimi disaditësh shkon në Tiranë, pjesë e cila është përmbledhur në disa kapituj të tjerë dhe flasin për ngjarje e realitete politike të asaj kohe…

Ahmet Zogu - Portret Dielli
Ahmet Zogu – Portret Dielli

Zogu mbrojti shtetin shqiptar

Në kapitujt e mëtejmë të librit Lein përshkruan Tiranën, qyteti ato vite ishte shpallur kryeqytet i Shqipërisë dhe dhe kish nisur puna për hapjen e rrugëve si ajo e Durrësit, Elbasanit të cilat i realizonte Ahmet Zogu me njerëzit e vet. Atë kohë krahas përpjekjeve për ndërtimin e rrugëve dhe infrastrukturës së kryeqytetit, Ahmet Zogu duhej të përballonte edhe pengesat e shumta që i vinin nga elementët karrieriste e të shitur tek fqinjet shovinistë! Në këta kapituj autorja tregon se si Zija Dibra, (Lane e cilëson një agjent italian, por edhe serb!), me Mustafa Merlikën e disa tjerë donin të rrëzonin shtetin e dalë nga Kongresi i Lushnjes dhe kështu manipuluan prijësin popullor Elez Isufi e mësynë Tiranën në periudhen e marsit 1922, duke synuar të marrin pushtetin.
Akti i tyre nga ana Leinit tregohet antishqiptar pse këta kishin marrë para dhe armë nga Jugosllavia e Italia, duke manipuluar me krerë të njohur nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë. Kështu ata manipulojnë në veri Bajram Currin me njerëzit e vet që të mësynte Shkodrën, në Tiranë manipulojnë e nxisin Elez Isufin dhe kështu mendojnë se i kanë bërë mirë planet… Anëtaret e Qeverisë braktisin kabinetet dhe ia mbathin duke lënë vendin në mëshirën e fatit.
Ahmet Zogu si ministër i Brendshëm e merr situatën në dorë, i nxjerr jashtë ligjit dhe i shpall në kërkim si tradhtarë të gjithë qeveritarët që braktisën postet dhe pastaj rrethon Elez Isufin në lagjen e jashtme të Tiranës ku ishte strehuar. Forcat e B. Currit në Veri fatmirësisht nuk shkojnë dot në Shkodër sepse paralajmërohen për një rezistencë të madhe e kështu kjo përpjekje dështon. Shkrimtarja amerikane e takon vetë A.Zogun dhe zhvillon një intervistë nga e cila ajo del e befasuar. Sipas Rouz Uajlder Lein, “zgjuarsia dhe trimëria e fajkoit të Matit shpëtoi Shqipërinë dhe Ballkanin nga lufta ballkanike”.
Përshkrimi i figurës së Zogut është nga të paktët që i janë bërë këtij burri shteti para se të bëhej mbret i Shqipërisë, duke dhënë një portret me rëndesi historike. Shkrimtarja tregon se si përballohet kryengritja e Mustafa Merlikës dhe Zija Dibrës, drejtuar kundër Ahmet Zogut që në atë kohë mbante postin e ministrit të brendshem në qeverinë e Xhaferr Ypit. Kryengritja e manipuluar nga Zija Dibra bëri që malësorët e Veriut që u sulën drejt Tiranës sepse u abuzua me një vendim të Zogut për t’u mbledhur atyre armët.
Ata panë te ky vendim një përpjekje për shtypjen e lirisë së tyre. Në fund të shkurtit 1922, Hasan Prishtina dhe disa mbështetës të tij si, Bajram Curri, Zija Dibra dhe Elez Isufi vendosen ta përmbysin me forcë Zogun duke rekrutuar një ushtri relativisht të madhe në numër dhe e kërcënuan Tiranën në tri drejtime. Kryeministri Ypi, shumica e qeverisë dhe deputetëve, përfshi edhe Nolin u larguan të trembur në drejtim të Elbasanit.
Tirana u mbrojt vetëm prej Zogut dhe disa pasuesve të tij, të cilët ishin mbyllur në zyrat e qeverisë. Pikërisht këto ditë të vështira përshkruan amerikanja Lane, e cila qëndronte ngjitur me selinë qeveritare dhe ndiqte hap pas hapi konfliktin e armatosur. Rouz Uajlder Lein tregon se si kryengritja ndaj Zogut, veç reagimit të malsorëve dhe luftës për pushtet mes prijësave shqiptarë, ishte gjithashtu e organizuar nga italianët të cilët pas disfatës së Vlorës me 1920, donin prap të fusnin hundët në Shqipëri dhe kështu manipulonin revoltat e ndryshme shqiptare. Dhe për këtë sjell si argument edhe tentativën e Hamit bej Toptanit, vëllait të Esatit, për të sulmuar Tiranën pasi kishte marrë Durrësin.
Lein paraqet koordinimin e këtij sulmi me atë të malsorëve, për ta futur Tiranën mes dy zjarreve. Gjithsesi Zogu ia doli mbanë, Lein tregon një detaj shumë interesant: “Zogu kishte përdorur përgjues telefonash të cilët i kishte marrë në Austri dhe kështu kishte ndjekur gjithë bisedat e kundërshtarëve të tij!” Fillimisht duke thyer sulmin e veriut mbi Tiranën, Ahmet Zogu përdori përfaqësuesin britanik në Tiranë, ministrin e plotfuqishëm Harry Eyres, për të bindur rebelët të tërhiqeshin. Eyres, i cili kishte qenë më parë në Stamboll kishte përvojë të madhe në Ballkan dhe ishte njëkohsisht mik i besuar i kreut të kryengritjes, dibranit Elez Isufi. Rouz Uajlder Lein tregon taktikën se si Eyres realizon negociatat mes Elezit dhe Zogut deri në arritjen e marrëveshjes mes tyre. Tërheqja e Elez Isufit, largoi rrezikun e parë dhe Zogu shpartalloi pjesën tjetër të forcave rebele.
Në këtë mënyrë, Eyres, shpëtoi jo vetëm qeverinë, por ndoshta edhe vetë jetën e Zogut. Ky i fundit e ngriti ministrin britanik në postin e këshilltarit personal, post që do ta gëzonin më pas të gjithë përfaqësuesit britanikë të akredituar në Shqipëri. Pas këtij episodi, Zogu fitoi prestigj të madh, pasi shqiptarët vlerësuan shumë qëndrimin e tij heroik, ndërsa pjesa tjetër e qeverisë ia kish mbathur. Autoriteti i tij u rrit dhe ai ndërmori një valë spastrimesh dhe represioni që ndikoi në vendosjen e rendit dhe qetësisë.
Zogu riktheu në fuqi Ypin edhe pse ishte kryetar i një qeverie të arratisur me turp dhe vetëm nëntë muaj më vonë, me 16 dhjetor 1922, si pasojë e krizës ku po hynte vendi dhe paaftësisë së qeverisë, Zogu e zëvendësoi Ypin në postin e kryeministrit. Në atë kohë Ahmet Zogu edhe pse vetëm 27 vjeçar i bindi të gjithë të ishin dakort se ai ishte i vetmi që mund të mbante në këmbë strukturën e brishtë të shtetit shqiptar! Të gjitha këto ngjarje i ka jetuar dhe paraqitur Rouz Uajlder Lein, e cila u njoh fillimisht me Ahmet Zogun, ndërsa trokiti në zyrën e tij të ministrit të Brendshëm për t’i kërkuar një leje për të udhetuar në malësitë  e Veriut.
Pastaj ajo e takon përsëri dhe kërkon ta intervistojë ndërsa mbetet e habitur kur e njohu me shumë, ja fjalet ë saj: “Pata intervistuar pa entusiazëm të veçante çdo anëtar të kabinetit shqiptar me përjashtim të Ahmetit, fajkoit, prijësit të Matit. Nga ato që dija e kisha dëgjuar prisja të isha mjaft entusiaste nga Ahmet Bej Mati, megjithëse më duhet të pranoj se nuk impresionohesha kollaj si nga burrat e shtetit ashtu edhe nga ushtarakët. Gjithsej gjashtë shkencëtarë dhe biznesmenë ishin heronjtë e mi.
Po pse vallë vetëm pas tre minutash bisedë me Ahmet Bej Matin unë i shtova kësaj listës sime të vogël këtë prijës malesh të fiseve gjysëm të zbutura, i cili me siguri nuk dinte asgjë si nga shkenca ashtu dhe nga biznesi modern?”.

Rose Wilder Lane (1886-1968)
Rose Wilder Lane (1886-1968)

Vepra pas përshkrimit të mbrojtjes së shtetit nga A. Zogu mbyllet sepse autorja planifikonte një tjetër vepër vazhdim të librit “Majat e Shalës”, që është projekt tek “Udhëtimi me Zenobinë”, duke dashur të përcjellë të plotë simpatinë e Leinit mbi shqiptarët.
Nuk mund të gjenden shumë vepra në të cilat bota shqiptare është përfshirë aq gjerësisht dhe me detaje si te ky libër i Leinit duke forcuar miqësinë shqiptaro-amerikane!
Edhe njëherë e përsëris se një autore aq e njohur si Rouz Uajlder Lein e realizoi një gjë të tillë sepse duke pasë parasysh milionat e lexuesve të saj ajo krijoi një opinion të tërë proshqiptar që në atë kohë e tregoi Presidenti Uilson me fjalën e tij në Lidhjen e Kombeve kur përkrahu shqiptarët dhe Shqipërinë.
Rouz Uajlder Lein ka bërë shumë për shqiptarët me veprën dhe aktivitetin e vet, tashti është radha e shqiptarëve të bëjnë për të! Në një kohë kur sheshet e shumë qyteteve shqiptare mbajnë emrat e politikanëve të huaj të cilët as që kujtohen më në vendet e veta nuk është gjetur dot një rrugë që mbajë emrin e Rouz Uajlder Leinit, kur dihet kontributi i saj për Shqipërinë e shqiptarët, simpatia dhe zelli me të cilin ajo i përkrahu dhe i përshkroi në veprën e saj…
(marrë nga muri i fb i Ilir Secit)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.