back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Roma për Toma, Guçe për Duçe – rrëfim nga Vigjilent Xhaferaj

Gazeta

Bashkëbisedim me heroin e popullit!
Bashkëbisedim me heroin e popullit!

Roma për Toma, Guçe për Duçe*

rrëfim nga Vigjilent Xhaferaj

Besoj se ju kujtohet se si fillonin dasmat në atë kohë duke ngritur gotën për Partinë dhe mbylleshin me dolli për Liderin…
Mjerë ai që pinte një gotë pas kësaj dollije!!!
Në një kooperativë, pas mbledhjes së asamblesë, kryesia e kooperativës, po festonte arritjet e mëdha. Atë vit fshatarët kishin ndarë nga 70 lekë/ditë pune. Dolën edhe debitorë, por shumica “u kënaqën!!”.
U therën edhe nja dy mishra e u shtruan trapezat në mencën e kooperativës me prodhime të vetë fshatit, që vetë fshatari i prodhonte, por që ai i hante me racion. Po nejse!!
Filloi daveti me ritualin e zakonshëm, mungonte vetëm Hymni i Flamurit dhe ahengu u ngroh. Nga mezi i darkës, një brigadier blegtorie, (thonë se barinjtë dehen shpejt se i zë qumështi… me gjuhë të trashë e duke u mbajtur mbas tavoline, propozoi: “Një dolli për shokun Duçe…, për punën e tij të shquar!” Jo e pimë e jo s’e pimë, u trash muhabeti! Brigadierin, që ngulte këmbë në të tijën e nxorrën përjashta dhe meqënëse aty ishte i pranishëm edhe shefi i spiunëve të fshatit, lajmëruan menjëherë Degën e Brendëshme për incidentin. Ata urdhëruan që urgjent të shoqërohej me gazin e kryetarit! I lidhur dhe i shoqëruar me armë nga AGBV-të brigadieri i barinjve mbrriti në Degë dhe oficeri i rojes, i cili ishte në dijeni të ngjarjes, e priti me nja dy flakërima, sa të shkretit i doli rakia dhe u bë esëll fare… dhe i habitur pyeti se çfarë kishte ngjarë që po silleshin ashtu me të!?
-Ti, more qen e bir qeni, të na ngresh dolli për Duçen dhe fashizmit, që e varëm kokëposhtë! Po ti meriton kërrbaçin dhe plumbin more! More të kemi mbajtur në gji, po paskemi mbajtur gjarpërin helmues!
Dhe ja lëshoi edhe nja dy flakaresha të tjerë, sa të ziut i lëshuan xixa sytë e çakërritur më shumë nga habia se nga dhimbja!
-More shokë po prisniu ta marrim vesh, – bërtiste qyqari, – po ç’kam bërë unë i ziu që silleni kështu me mua?
-Heeee, ç’ke bërë?! Jaq na ke ngritur dolli për Duçen që ne e shporrëm që më ’43, more pizeveng!
-Po më fal o shoku oficer, po unë ngrita dolli për shokun Guçe, kryetarin e kooperativës sonë! Duçen s’e njoh fare unë, se aheraj nuk keshja lerë. Mo me merrni më qafë se kam një tufë me çiliminj më shtëpi. Po kryetari ynë, o shoku oficer e ka emrin Guçe, dhe unë për të e ngrita! Por këta shokët e kanë dëgjuar gabim, se helbete edhe këta, të ngrohur nga rakia si unë ishin.
Operativi, mbasi u sigurua se vërtet kryetari i kooperativës quhej Guçe dhe jo Duçe, përpiloi një proçes-verbal ku firmosën të gjithë dhe, mbasi i futi edhe një shkelm në të pasme brigadierit e porositi që të mos pinte më raki, kur s’e mbante, dhe u tha të shporreshin në fshat, se kishin shqetësuar tërë shtetin, për atë Guçen dhe Duçen…
.
*Titulli redaksional nga radiandradi.com
.
Marre nga muri i fb i Vigjilent Xhaferaj, 3 tetor 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.