Robinson Crusoè dhe kolonizimi englez – nga Leo Ferrero

Daniel Defoe (1660-1731)

Daniel Defoe (1660-1731)

Robinson Crusoè dhe kolonizimi englez

nga Leo Ferrero

Marrë nga libri “Sekreti i Anglisë” përkthyer nga Lazër Radi

Përse Robinson Crusoè, të cilin një baba i dijshëm e kishte dërguar të studionte ligjet, pushtohet nga dëshira për të njohur detrat, i tërhequr nga “një lloj fataliteti” siç e përkufizon ai vetë? Pse aq shumё e tmerron Anglia atë, sa s’ëndërron asgjë tjetër veçse ta braktisë?! Jo, aspak! Një pakënaqësi e zbrazët e shtyn tё ikë, të rendё, jo prej vendit të vet, po prej çdo situate të qëndrueshme.
Në Brazil, ku vendoset plantatori, mund ta shijonte i qetë pasurinë e tij, e megjithatë, në rastin më të parë, ai e braktis pasurinë e tij dhe niset drejt Afrikës.
Mos vallë ai ndjen një pakënaqësi romantike për jetën rregullt e të shkujdesur borgjeze të vendeve tё qytetëruara? Jo aspak! I pёrplasur nё një ishull prej stuhisë, me mendjen e tij të ftohtë e të arsyshme, ai e bën atë shkretëtirë një mbretëri të vogël.
Eksperienca s’i shërben për asgjë. Përballë asaj jete të rrezikuar, ai i kushtohet Zotit dhe i premton se do të heqë dorë prej gjithçkaje, por kurrë prej asaj jete endacake. Po kur e kapërcen rrezikun, e harron premtimin që i kishte bërë Zotit. Mbasi jeton nё ishull për 28 vjet 2 muaj e 19 ditë, ai kthehet nё Angli, ku martohet, bëhet baba i tre fëmijëve dhe milioner. Mirëpo, përfytyrimet e një jete përplot aventura e bëjnë tё ndjehet i palumtur. “Nuk mund t’i rezistoja prirjes qё tё mos e humbisja atë botë! Kjo ishte një sëmundje e vërtetë. Dëshira për ta parë ishullin tim, plantacionet e mia dhe atë koloni timen, më pushtoi sërish. Asnjë hezitim: ky ishte i vetmi objektiv i mendimeve të mia – gjatë ditës, dhe i vetmi synim i ëndrrave të mia – gjatë natës”. Porsa i vdes e shoqja, mendja i vёrtitet sërish drejt ngrendjeve detare dhe aventurave.
“Gjithë argëtimet e mia, tokat e mia, kopështi i im, bagëtia e ime, familja e ime – s’kishin më asgjë që t’mё interesonte. Ishin si muzikё për një shurdh: ishin si gjellët për një të sëmurë të dëshpëruar dhe pa oreks!”.
Jo, s’ishte as klima e keqe e Anglisë, as grykësia për pasuri, por mërzia ajo që e shtyu Robinson Crusoe-nё, të vazhdonte e t’i kërkonte emocionet detrave.
.
Jeta dhe Aventurat e Robinso Crusoe - Daniel Defoe

Jeta dhe Aventurat e Robinso Crusoe – Daniel Defoe

***

Thuhet se dëshira për udhëtime është tregues i një imagjinate të pasur. Por, s’është e vёrtetë. Uliksi i Homerit, s’mendon aspak ta braktisë Itakën, bile këmbëngul qё të kthehet. Duke pasur fuqi ta bëjë të tashmen të ardhme dhe tё afërmen të largët, imagjinata s’e ka të nevojshme t’i shohë të realizuara ëndërrimet e veta.
Do të them edhe diçka më shumë, udhëtimet e shterpëzojnë atë, sepse e çveshin nga çdo dëshirë, duke ia zëvendësuar gjërat reale me ato imagjinare që ai ka krijuar; duke e lodhur me ofrimin e shumë objekteve njёherёsh ose duke nxitur papjekurinë e tij.
Njerёzit me imagjinatë, duhet të kenë më shumë frikë se dobì prej udhëtimeve. Ata udhëtojnë jo për tё kënaqur imagjinatën e tyre, po për të mësuar, për t’u argëtuar dhe për kureshtje.
Dhe pikërisht, pse s’ka forcë ta përmbushë tё ardhmen e vet, Robinsoni s’arrin t’i rezistojë thirrjes për aventura.
Pieretta e ndërton krejt jetën e saj mbi një kanё qumështi. Por, duke qenë se ëndrrat e saja shkojnë tepër larg, ato janë të mbyllura mirë e të kontrolluara rreptësisht! Në projektet e një njeriu me imagjinatë, rastësia s’luan asnjë rol, sepse çdo gjë është parashikuar, e përpiktë dhe e harmonishme, kështu qё rrethanat e favorëshme arrijnë në çastin e duhur. Kur studiohet Robinsoni, një njerì që konsiderohet si tepër i ngarkuar me imagjinatë, njeriu mbetet i habitur nga varfëria e ëndërrimeve të tij për tё ardhmen, nga paaftёsia e tij për tё paramenduar diçka më të gjerë e më të ndёrlikuar se një udhëtim në detë. Nё ekzistencën e tij, asgjë s’është parashikuar dhe rregulluar qysh më parë. Duke iu shmangur një jete të rregullt, ku triumfojnë ata që dinë të ndёrtojnë projekte të mёdha, ai kërkon prej ndodhive të lundrimit, prej ndryshimit të erërave që atij t’i përcaktohet fati. Përballë vështirsive sado të vogla, ai është po aq i pazoti si ndaj problemeve të mëdha, që të bëjë ca llogari që ta çonin më larg. Atëhere, ai i nënshtrohet rastësisë, për të përligjur përpjekjet e tij tё shterpёta.
“Kam bërë aktin më të pabesueshëm që mund tё bёjё një njeri, – rrëfen ai – E humba mirёkuptimin – kur nisa të punoja nё atë anije. Mburresha se po bёja diçka të veçantë, pa e ditur qё s’po i mendoja fare vështёrsinë që mund të hasja kur ta fusja anijen në det. Mirëpo, kjo ishte diçka që nuk dëshiroja ta thelloja mё tej. U dhashё fund gjithë dyshimeve të mia në këtë zgjidhje të çuditëshme: “Po, po, – i thoja vetes – tani për tani le të mendoj ta ndërtoj dhe mbasi ta kem kryer këtë gjë, do të gjej me imagjinatë mjetin për ta lëvizur e për ta futur në detë!”.
Asnjë Robinson athinas s’do të harxhonte muaj të tërë pune për të ndërtuar një anije, pa pasur sigurinë se mund tё mos i shёrbente për asgjë.
Nuk është aspak për t’u habitur se çdo abstraksion dhe çdo përgjithësim, duken të pakuptueshme për Robinson Crusoè-nё. Në çastin kur republika e tij e vogël do të kishte nevojë për një kushtetutë më pak empirike se këshillat e urta, Robinsoni do t’ia delte në krye me përgjigjen: “Në lidhje me formën e qeverisë dhe me ligjet, u thashё atyre që ishin tё aftë si unë, të merrnin masa të dobishme dhe të përshtatëshme”.
E megjithatë, jeta e këtij njeriu tipik të mangët, u zgjidh me sukses: ai u nis nga Londra me 50 stёrlina, dhe u kthye i pasur milionar. I përplasur nga stuhia mbi njё ishull të shkretë, aty ai formon një koloni. Të gjitha këto nuk i ndodhin rastësisht!
.
Robinson Crusoe

Robinson Crusoe

***

Robinsoni zotёron gjithë cilësitë e popujve romakë.
Kur mendojmё se ky plantator plot shpresa, i kishte hyrë marrëzisë që të bëhej tregëtar zezakësh, të habisin parashikimet, dituria e veçantë, me të cilën ai vë mënjanë pasurinë e tij, duke e ruajtur prej çdo rreziku përpara se të nisesh, edhe pse shpesh fati është kundra tij. Ai hyp mbi një anije dhe ajo i prishet në det. Malet që duhet të kapërcejë, janë të rrethuara nga ujrat. Mirëpo, kur ai angazhohet për një ndёrmarrje të madhe, befas, ai përdor gjykim të kthjellёt dhe një qëndrueshmëri për t’u admiruar. Kështu ndёrmarrjen e tij e çon deri në përfundimin e plotë e të saktë. Ai nuk arrin ta dallojë qartë fatin e madh nga fatet e vogla; ama, di të nxjerrë përfitime nga çdo gjë: mossukseset e tij tё fillimit i mbulon me suksese të mëvona. E plotëson inteligjencën e tij me durim dhe qëndrueshmëri. E plotëson largpamësinë, me qartësinë dhe maturinë. Hovet lirike s’e pengojnë aspak që të kthehet sërish te vendimet e tij të mëparshme. Kur gjen të holla në mbetjet e anijes së mbytur, ai bën një lëvizje të bukur: “Oh kotësi e kotësive, – thërret – Oh metal i çmuar, çfarë çmimi ke për mua! Përse më shërben? S’ia vlen barra qiranë të përkulem për tё të mbledhur!” E megjithatë përkulet, e mbasi mendohet për pak kohë, e mbledhë dhe e vë mënjanë. Ai është njeri i moralshëm dhe bujar. Është mirënjohës dhe u hap kredi atyre që e kanë ndihmuar. Është përplot me skrupuj moralë edhe kur është fjala për të vrarë kanibalёt. I lutet Zotit kur është pёrballё rrezikut, dhe e falenderon kur shpëton. Ështё mosbesues në parim tek njerёzit, e ndёr çastet më patetike, s’harron t’u bishtnojë dhe të paraqesë atyre kushtet e veta. I bën të heshtin skrupujt e tij nëse këtë gjë ia kërkon nevoja, dhe heq dorë nga përkushtimi që ka pasur ndaj Zotit përgjatё rrezikut, dhe kur tundimi për t’i ndjekur fantazitë e veta është më i fortë se frika.
Gruaja, s’ia ka trazuar kurrë projektet e tij. Kur atij i mbushet mendja të niset, s’ka grua që mundet ta ndalojë. Më vonë, nё ishullin e tij, kujtimi i një gruaje s’ia trazon aspak vetminë dhe as e nxit qё të kthehet. Gjatë 28 viteve, në të cilat nuk ka parë asgjë tjetër veçse kafshë dhe një njeri tё egër, mendimi i tij nuk ndalet as edhe një herë të vetme të mendojë fytyrën e një gruaje; ka dukjen se s’vuan as nga beqaria e as nga mungesa e ledheve. Me gjithё mungesën e një mbretëreshe, pёrpara papagallit, qenit dhe dy macevet të veta, ndjehet si: “një mbret para oborrtarve të vet!”.
Njё kolonizator i vërtetë, ka mbi tё gjitha instiktin e sundimit. I përplasur prej erërave mbi një ishull të vetmuar, midis Atllantikut, ai ngre banesën e tij. Pastaj, ngjitet mbi një majё kodre, vëren pasuritë e atij vendit dhe thërret: “Ja, ishulli i im i populluar. Unë jam i pasur me nënshtetas dhe mund ta krahasoj veten me një mbret të vogël. I tërë ky ishull është nën zotërimin tim, me titull të pakontestueshëm. Nënshtetasit e mi më nënshtrohen plotësisht. Jam ligjvënës i këtij populli dhe zot i tyre despotik. Të gjithë janë debitorë ndaj meje dhe të gjithë janë gati të sakrifikojnë për mua edhe jetën, po të paraqitet nevoja!”.
 .
Leo Ferrero - "Sekreti Anglisë" - Përkth. Lazër Radi

Leo Ferrero – “Sekreti Anglisë” – Përkth. Lazër Radi

***

Perandoria britanike është themeluar prej një populli Robinsonësh.
Ashtu si Robinsoni, edhe kolonizatorët englezë të shekujve XVIII dhe XIX, gjetёn përparësi prej cilësive dhe të metave, që janë karakteristika të shpirtrave me qelì amullie të ndara. Ishin njerëz të trishtë që “ëndërronin të shkonin detrave”, që “kishin tentuar të niseshin pa asnjë arsye tjetër veç dëshirёs së guximshme…” – përndryshe, do të ndёrmerrnin pushtimin e Indisë përpara Kanalit të Suezit. Njerëz empirikë, të pazotë tё konceptojnë plane të ndёrlikuara. Vetë Seeley shkruan se: perandoria engleze është krijuar rastësisht. Njerëz të dalë prej një shoqërie fetare, që kishin ndjenjën e së drejtës dhe të drejtësisë. Ishin aktivë, energjikë, të qëndrueshëm, organizatorë, të shkathët për të zgjidhur probleme të vogla e të parёndsishme; për t’i thjeshtuar çështjet e ngatërruara, të gatshëm për të përfituar nga rasti, për t’i harruar parimet që sundonin nё Angli, për t’u shkarkuar prej skrupujve moralë, dhe nga mendimi ndaj Zotit – të bindur në të drejtën e tyre si konkuistatorë.
Të paaftё për të nuhatur reciprokёsinё midis gjërave! Kjo e metë e inteligjencës së tyre, qe më e dobishme se çdo cilësì tjetër. Ajo i lejoi ata tё krijojnë një perandori me goditje të guximshme, në të cilën kishte inkoshiencë; ata përdorёn forcën dhe mashtrimin në kolonitë e tyre dhe respektonin të drejtën dhe ligjin nё Angli; që të ishin njëkohësisht: edhe konkuistatorë imoralë e dhunues, po edhe një popull i drejtë e i paqshёm!
Thuhet për englezët se janë hipokritë, ngaqë kanë pushtuar një perandorì duke dhunuar parime, të cilat në shtëpinë e tyre i kishin mbrojtur me revolucione. Si shpjegohet fakti, qё ky popull s’mundi ta durojë paligjshmërinë e taksës vasale në shekullin e XVII, ndërsa në fund të shekullit XVIII ata e shtynë krejt kontinentin indian të mos prodhonte më pambuk? Englezët bëjnë padrejtësi dhe më pas i rrëfejnë ato. Kjo tregon se ata janë edhe të sinqertë. Nëse u kanë imponuar indianëve masa të cilat ata nuk do të mund t’i duronin në shtëpinë e tyre, këtë e kanë bërë sepse në qelinë e Forcës ata nuk e lejojnë të Drejtën, por ama edhe në qelinë e së Drejtës ata nuk e lejojnë Forcën.
Unë këtu nuk shoh asnjë hipokrizì, shoh vetëm një paaftësi për të vendosur një raport tё drejtё mes dy ndodhive dhe dy parimeve.
.

Marrë nga libri i Leo Ferrero “Sekreti i Anglisë“, përkthyer nga Lazër Radi

.

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook