back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Rikthim te shpirti i Martin Camajt nga Gjergj Jozef Kola

Gazeta

22 korrik 1927 - 22 korrik 2017
22 korrik 1927 – 22 korrik 2017

Rikthim te shpirti i Martin Camajt

nga Gjergj Jozef Kola

Të dashtun miq të poezisë,
gjuhës dhe kulturës shqiptare.
90 vjet ma parë me 22 Korrik te vjetit 1927,
në Alpet e Shqipnisë, u lind poeti,
vazhdues i kreshnikëve të poezisë shqipe: Martin Camaj.
Brezat e rritun nën diktaturë komuniste
po edhe ata që po rriten në demokraci postkomuniste
i janë mirnjohës pafundsisht këtij poeti
që nuk lejoi me u krijue nji “mising link” në poezinë dhe gjuhën shqipe.
.
Erika Camaj, Ada Halili e Gjergj J. Kola, Lenggries 2017
Erika Camaj, Ada Halili e Gjergj J. Kola, Lenggries 2017

Na, forcat përparimtare shqiptare në Diasporë dhe ato në Shqipni e nderojmë kujtimin e poetit “modern” të shek. XX me nji Dramë dhe Vernisazh.

Ardhja e artistes shumëplanëshe Rita Ndoci, si regjizore dhe aktore, asht “Glücksfall” për të tanë ne si organizim po edhe për kulturën mbarëshqiptare.
Ju keni me u njoftë në kët dramë me çaste krejt të veçanta dhe të panjoftuna nga jeta e poetit Martin Camaj, të mbledhuna prej njerëzve të tij ma të afërm, për me i qëndrue kështu sa ma besnik karakterin e poetit.
.
Rita Ndoci
Rita Ndoci
Drama në fjalë ka katër akte.
Në aktin e parë: Kallxohet shqetësimi i poetit në fejesën e tij me mjeken gjermane Erika, vetmija e tij e kushtëzueme nga rrethanat e jetës. Brenga kryesore asht vendlindja e tij që po vuen nën diktaturë, ku familja dhe miqtë e tij janë burgjeve, internimeve nën diktaturën komuniste. Nji nostalgji e pafund për atdheun dhe familjen e shtrëngon fort zemrën e poetit.
 
Në aktin e dytë: Kallxohet dasma e poetit dhe kriza e identitetit që e mbërthen atë. A duhet me ndërtue nji poet i vërtetë familje, me jetue si të tanë “të dekunit e gjallë” apo duhet me jetue vetëm për poezinë?! Dashunia për atdheun dhe poezinë shqipe njeh këtu dimensione të jashtzakonshme që i ngjajnë fluturimit të shqipes. Martin Camaj e sheh shqiponjën si vegim që i vjen tash e parë dhe e mbulon me hijen e saj duke i kujtue misionin e letrave.
 
Në aktin e tretë: Kallxohet jeta e përditshme e Martin Camajt dhe karakterizohen miqtë e tij “elita” e kulturës shqiptare në perëndim si dritat e kulturës shqiptare, pa harrue me dhanë edhe hijet e karaktereve te realsocializmit, si kontrast i përjetshëm i ksaj kulture. Realsocializmi solli ateizmin ne shpirtin e kombit, tue shkulë pemët e kulturave monoteiste, mbolli aty shkurret e veta në nji brezni të tanë. Kjo shpjegon edhe lidhjen shpirtnore që kanë sot mjaft shqiptarë me autorët realsocialist.
 
Në aktin e katërt: Jepet vjeta e fundit e poetit, ndërsa liria si rana e nji “ore ranet” rrëshqet nga trupi i tij në trupin e atdheut dhe atdheu nis e lirohet nga diktatura njiherësh poeti kalon në jetën tjetër, i mujtun nga sëmundja e trupit, porse i fituem në shpirtin e poezisë.
Asht ky poeti që mbushi me hyllin e tij errësinën e madhe të qiellit të diktaturës shqiptare.
Në shtratin e tij vijnë miqtë që kanë mbetë gjallë, familjarët që nuk mbrriti me i pa dhe me i gëzue ma kurrë. Ai vetëm se ju ndigjon zanin…
.
Shpirti i Poetit i vizatuem me sytë e grues së tij...
Shpirti i Poetit i vizatuem me sytë e grues së tij…
Gjithashtu, do të organizohet nji ekspozitë me foto: ambjenti ku poeti kaloi fëmininë e tij asht e mbushun me shumë ngjyra dhe poezi që të depërton thellë në zemër.
Për mue si autor i kësaj drame, nuk asht aq shumë poezia e Martinit, as proza, dramaturgjia apo studimet gjuhësore, ajo që më ka mrekullue. Jeta e Martin Camajt përkushtue e gjitha në çdo frymëmarrje poezisë dhe gjuhës shqipe asht për mue fenomen i jashtzakonshëm që më ka lanë pa frymë.
Si mundet me e dashtë nji njeri atdheun me aq shumë përkushtim për nji jetë të tanë në Diasporë?
Martin Camaj asht Templari që ka marrë ujin e shejtë të Alpeve të poezisë shqipe me vedi në botë dhe e ruen, e pastron dhe e shumon përditë, në nji kohë që në atdhe i kishin mbyllë këto burime prej 50 vitesh me rradhë.
Poezia e Martin Camajt asht poezia ma e bukur, ma moderne, ma origjinale që asht shkrue në gjysën e dytë të shek. XX.
Martin Camaj ka shikimin e Shqipnisë në shpirt!
Poeti Camaj me pendën e tij mbetet gijotinë e përjetshme që preu kryet e realizmit socialist shqipfolës. Heshtja e Tiranës zyrtare dje dhe sidomos sot ndaj poetit modern të kombit shqiptar, kallxon edhe nji herë anmiqësinë latente që postkomunistët ushqejnë ndaj kulturës autentike shqiptare. Me fondet e taksapaguesve shqiptarë kërkohet me u mbajtë në kambë trashigimina e kalbun me kohë, e realsocializmit, ndërsa kryet e saj asht pre tashma nga gijotina moderne e poezisë së Camajt.
Na jena përpjekë me anë të këtij aktiviteti me ja shpërblye sadopak poetit, at çka Martini ka ba për kulturën dhe letrat shqipe.
Mbështetja jonë nga dy institucione të vetme, porse plot prestigj të kulturës në Gjermani, siç asht VHS-Volkshochschule dhe Fondacioni Camaj e ka mbushë me gzim krejt ekipin tonë.
Vjenë 2017

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.