Rikthehet në Atdhe Mid’hat Frashëri (1880-1949) – Opinione

Mid'hat Frashëri (1880-1949)

Mid’hat Frashëri (1880-1949)

Rikthehet në Atdhe Mid’hat Frashëri (1880-1949) - Opinione

Kur të vdes…

Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell’ i gushtit,
mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut.
Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të forte
dhe në mes të bregut të vogël virmëni një qiparis. 
E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit,
që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë,
që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.
Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi,
këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve.
Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t’oshëtijë,
mos pandehni se era këndon në degët e tij.
Është zemra ime, që qan e rënkon.
Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza,
që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor,
mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi.
Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju,
të kem pjesë në gëzimet e pikëllimet.
Lumo Skëndo – 15 janar 1915
 

 Aurel Plasari – Mid’hat Frashërit: Kult i Kombit

 ”Mid’hat Frashëri ishte i pajisur me dhuntinë e krijimit. Për të, krijmtaria dhe politika nuk qenë entitete të barabarta, citojmë se “zgjimi dhe përparimi i popujve ka nisur me veprën e shkrimtarëve”. Frashëri qe promovues i kultit të kombit, promovimi i të cilit lexohet si mision që ia ka përshkruar tej e tej veprimtarinë, të shkruarën dhe të folurën. Ai ishte europian mes europianëve sepse dëshmoi që mundi të merrte pjesë me denjësi në debatet e mëdha të politikës europiane të kohës me tekstet e veta mjeshtërore të mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
“Të mbetesh i ndershëm ishte një model jetese që Frashëri ia këshillonte çdokujt tjetër, që për të ruajtur ndershmërinë dhe integritetin duhet të kesh aristokracizëm intelektual të cilin ai e ruajti deri në fund. Ky burrë pasurinë e vetme që pati, pra, librat ia la Shqipërisë”
.
 Varri i Mid'hat Frashërit, në Hartsdale, New York,

Varri i Mid’hat Frashërit, në Hartsdale, New York,

Kryeministri Edi Rama, foli me konsideratë për Mid’hat Frashërin,
në një fjalim të gjatë të mbajtur para ceremonisë së varrosjes së eshtrave te tij
në ansamblin memorial në Parkun e Madh të Tiranës.
Duke ndërthurur në fjalimin e tij, kujtime të ditarit të Frashërit,
Rama u shpreh se ata që e baltosën për 7 dekada sot mbajnë buzët rrudhur.

Shërbestar i mëmëdheut sipas kokës së tij - Edi Rama

“Frashëri ishte mishërimi i një shërbestari të mëmëdheut sipas kokës së tij. Ai shfaqej si armik natyral sa herë tentohej përçarja. Të lë pa frymë pozicioni për dramën e popullsisë shqiptare të Çamërisë së zhveshura për shkak të etnisë dhe besimit të tyre. Një flamurmbajtës i shënuar i të drejtave të minoriteteve e të lirive themelore, pa dallim etnie dhe feje.”
“Shumë mund të kenë parë arrogancë, kokëfortësi, tërheqje, konservatorizëm apo besëthyerje, por virtytet e tij e bëjnë një personalitet pa të dytë në historinë e elitave të paqëndrueshme shqiptare dhe kthimi i eshtrave të tij ishte një detyrim dhe borxh.
“Kush e sheh si provokim, bën mirë të ulë kokën e të kujtohet se sa krime bënë ata që shkruan historinë e gjysmës tjetër të Lumo Skëndos. Kush e sheh këtë arkmort dhe praninë time si kryeministër si revansh ndaj fitimarëve ndërsa përcjellim një figurë shumëdimensionale, bën mirë të ulë kokën dhe të kujtohet se u rreshtuan edhe vetë kundër atij, të cilit i shkruante se nuk mund të kemi njerëz që kanë lyer duart me gjak duke bashkëpunuar me pushtuesit.”
“Mjaft kemi gjykuar në mungesë. Këtu janë eshtrat e një burri të dënuar në mungesë jo nga një gjykatë por nga gjyqi i historisë së shkruar nga fitimtarët për të poshtëruar të mundurit. Mjaft kemi shpifur, mjaft me shpërdorimin e atyre që nuk janë më. Kthimi i eshtrave nuk i merr askujt historinë, apo aftësinë e arsyetimit. Një varr nuk e mbulon një njeri të vdekur, nëse ideja rron e ngjall shpresa te të tjerët. Gjithë fatkeqësia jonë ka ardhur nga shpërndarja e këtyre fuqive.”
Mid’hat Frashëri ishte e mbetet një shembull, ndërsa koha pastroftë baltën që nisëm t’ja pastrojmë sot!”
Marrë nga Ballkanweb.
.
Ceremonia e Homazheve, 14 Nentor 2018

Ceremonia e Homazheve, 14 Nentor 2018

Ngjarje me peshë për historinë tonë – Sadik Bejko

Kthimi i Mit’hat Frashërit shënon një ngjarje me peshë për historinë tonë. Mbas shenjtërimit nga Papa Françesku të klerikëve të martirizuar nga komunizmi, kjo ngjarje ‘laike’ është po aq e shenjtëruar.
Edi Rama bëri gjeste të djathta. Kjo është në të mirë të të gjithëve. Majtistët tanë të ndryshkur nuk dalin dot nga vendimet e të parit të partisë.
Sa do të reflektohen këto ngjarje ne tekstet zyrtare të historisë që ende mbetet në kohët kur shkruhej me urdhër të partisë.
Marrë nga faqja e fb… e Sadik Bejkos
.

Shembulli i Mid’hat Frashërit do të frymëzojë brezat

Mid’hat Frashëri është kthyer më në fund tek toka që deshi aq shumë dhe për të cilën dha gjithçka, madje edhe jetën. Plot 69 vjet nga dita kur mbylli sytë në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 74 vjet nga dita kur zemërplasur la Shqipërinë e tij të dashur. Ai kthehet në 110 vjetorin e Kongresit të Manastirit, të cilin drejtoi. Mid’hat Frashëri do të prehet në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë pranë kompleksit memorial të familjarëvë të tij, babait Abdylit dhe xhaxhallarëve Naim e Sami Frashëri.
Shërbestarë si Mid’hat Frashëri do mbeten gjallë në mendjet e zemrat e gjithë njerëzve liridashës e të paindoktrinuar.
Shembulli i Mid’hat Frashërit do të frymëzojë brezat dhe do t’ju kujtojë atyre se asgjë nuk është më e çmuar në jetë sesa shërbimi ndaj kombit.
Thonë se amanetin nuk e tret as dheu dhe kjo është e vërtetë edhe për vizionarin e klasit e patriotin zemërzjarrtë Mid’hat bej Frashëri.
Lavdi! Le të shërbejë kthimi i Tij si moment reflektimi e bashkimi për të mirën tonë të përbashkët. Amin!
“Njerëzit e një kombi janë solidarë. E mira dhe lumturia jote, janë dhe të miat. Fatkeqësia jote është dhe për mua. Nderi yt më nderon edhe mua dhe turpi yt më nxin edhe faqen time.”
Marrë nga faqja e fb… Mid’hat Frashëri 
.
Ceremonia e Homazheve, 14 Nentor 2018

Ceremonia e Homazheve, 14 Nentor 2018

Mirëserdhe Mid’hat Bej! – Reshat Kripa

Ti nuk je më midis nesh që të na këshillosh me fjalën tënde të ëmbël. Por ne e ndiejmë zërin tënd të ngrohtë E kemi ndier këtë zë shumë shpejt, vite më parë, në Kongresin e Manastirit, ku ishe kryetar i tij. E kemi ndier në vitet e Shpalljes së Pavarësisë, ku zëri yt ishte dominues mbi të tjerët dhe ku nuk pranoje të bëje kompromis me idealet. E kemi ndier në vitet e republikës dhe mbretërisë shqiptare ku zëri yt ishte violina e parë e politikës shqiptare. E kemi ndier më 4 prill 1929, kur si asnjë nga burrat e tjerë të këtij vendi, hartoje testamentin me anën e të cilit gjithë pasurinë tënde ia lije shtetit shqiptar, për të ngritur një institucion albanologjik në Tiranë, ashtu si dikur ati yt i nderuar që shiti pasurinë për të shkuar në Berlin, ku do të mbronte të drejtat e kombit shqiptar. Por në një shkallë më të lartë e ndiem zërin tënd në vitet e pushtimit nazi-fashist, kur që në ditët e para të tij ishe ti dhe shokët e tu ata që do të hartonin programin e asaj lëvizjeje të madhe nacionaliste, që më vonë do të merrte emrin “Balli Kombëtar”. Ti ishe me të vërtetë balli i këtij kombi.
Mirëserdhe Mid’hat Bej!
Marrë nga faqja e fb… Reshat Kripa
 
 
 
 
 
 
 
 
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook