back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Rexhepi – nga Gëzim Zilja

Gazeta

Bisedë me Gezim Zilen
Bisedë me Gezim Zilen

Rexhepi

nga Gëzim Zilja

Nga lagjia ku banoj deri te stadiumi i kryeqytetit më nevojitet rreth gjysmë ore në këmbë. Asgjë nuk më pëlqen nga ky stadium, madje më duket një shëmtirë në krahasim me atë të mëparshim të ndërtuar me aq kujdes nga arkitektë italianë në harmoni të përsosur me godinat përreth dhe ato gjatë Bulevardit të Dëshmorëve. Katet e para shkëlqejnë nga dritat e kafeneve, restoranteve, e dyqaneve luksoze, që shesin nga paisjet elektronike e bizhuteri gjithfarësh deri te rrobat e plazhit e palltot me gëzof arushi e lepurushi. Ambjente duhet të ishin përshtatur për sportet e rënda, atyre të lojrave me dorë, ku të stërviteshin dhjetëra ekipe… Ndjeva pëllëmbën e një dore, që butësisht m’u mbështet mbi sup.
-Presor, je i madh! Edhe ti në kuvendin e PD-së? Aman më qafsh!
-Jo, – ia preva miqësisht, – Dua të shoh se ç’bëhet, që të jem vet i qartë.
I shkurtër, jo i dhjamur, me ca mustaqe alla kuboj, xhupin e kuq tashmë të zbardhur nga përdorimi i gjatë, me sytë e vegjël pa qerpikë, vetullat e trasha, gojën me buzët gjithë tul, ku dalloheshin dhëmbët ende të plotë, por të zverdhur nga duhani, e kapelen e policit të dikurshëm, që nuk e hiqte kurrë nga koka, para meje u shfaq plot energji Rexhepi. I ra pak entuziazmi shokut tim të fëmijërisë, rritur me njëmijë halle, kur dëgjoi përgjigjen time.
-E çfarë do të bëhet aty? – e provokova.
-Kuvendi ore! Mos bëj sikur nuk e di. Do t’i… robt Lul Bashës. Është hajdut, i paaftë. Me ca legena që ka mbledhur do të mbetemi tërë jetën në opozitë. Atij i intereson vetja dhe kuleta. Rron si mbret nëpër vila. Ka marrë milona euro nga pallati në Ujin e Ftohtë, që ia prishi Rama… 
-Po ti ç’mendon? Do t’ia merrni PD-në me forcë? 
-Jo me forcë, me votë! – Mbylla fort njërin sy.
-Po nuk e lëshoi me votë edhe me forcë. Kam tridhjetë vjet në PD. Jam qëndrestar unë. E di ti ç’kemi hequr në vitin 1997, nga komunistët, kur na përzunë me armë? Ky vjen e ulet në krye të sofrës me ca lamashë, që pinin qumësht, kur ne përmbysëm diktaturën.
-Ka ikur koha e forcës Rexho djali. Tani çdo gjë bëhet me votë dhe sipas ligjit
-Çar ligji o presor!? Kam tetë vjet pa punë. Më vjen turp nga fëmijët, që janë bërë burra. Një copë polic isha unë atje në rrugë, mes erës, shiut e vapës. Nxirrja dhe ndonjë lekë nuk them, po ama punën e bëja. Tani morën Kaçandonin, atë komunistin, që e ka shtëpinë te kthesa e Çoles e ishte ushtari i Zan Caushit… 
-Po sikur…
-Çar sikur o presor? Po ngordhim për bukë e kupton? Djemtë kanë një varkë me lopata dhe mezi nxjerrin bukën e gojës. Nuk i fusin në punë se janë demokratë. Unë e kam deklaruar: jam me PD-në dhe Sali Berishën deri në vdekje. Vetëm ai na çon në përmbysjen e Lulushit dhe të Edi Ramës, – ngriti zërin plot vendosmëri.
-Çfarë fiton ti po erdhi prapë Berisha?
-Çfarë fitojë unë? Po ja të heqim këtë Edi Ramën se ka bërë qeverinë më hajdute, mbushur me kurva, që vjedhin nga mëngjesi në darkë. Të shkoj në punën që kisha, se më hoqën pa të drejtë këta plehrat e komisariatit. 
-Vetëm kaq?
-Të them të drejtën o presor kam dhe një merak, – fërkoi duart Rexhua – O e heq atgë Kaçandonin nga puna, o vdes! Kur të fitojmë, dua ta shoh, duke u branisur rrugëve si shkërdhatë…
Para nesh kaluan dy burra veshur me kostume kombëtare, që u binin daulleve. Rexhepi, zgjati dorën me shpejtësi dhe fluturoi. 
-Ika unë se kam të drejtë vote. Jam kryetar seksioni…  
.
Ps. Të shkretët Rexho majtas e djathtas! As ia kanë idenë se ç’janë programet politike dhe ekonomike dhe as u intereson. Duan vetëm të jenë në rreshtin e parë dhe të përmbysin ata të tjerët. Pasi janë shqyer nëpër mitingje, protesta e greva për katër apo tetë vjet dhe fiton partia e tyre, fillojnë t’u qarraviten politikanëve për të sistemuar në punë veten, gruan apo fëmijën qoftë dhe polic, pastruese apo roje, mjafton të marrin një rrogë. Por ata të shndërruar tashmë në deputetë e ministra rrallë kujtohen të hapin telefonat. Historia përsëritet tash tridhjetë vjet. Ndërkohë urrejtja Rexhep-Kaçandon rritet e rritet, duke kaluar nga brezi në brez, sigurisht me bekimin dhe nxitjen e liderve shqiptarë të përjetshëm.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.