Revista “Kuq e Zi” dhe Përvjetorët e Saj nga botuesi i saj Lek Pervizi (1993-2017)

Revista Kuq e Zi. Nr 1 (1993-2017)

Revista Kuq e Zi. Nr 1 (1993-2017)

Revista “Kuq e Zi” dhe Përvjetorët e Saj

 nga botuesi i saj Lek Pervizi

Bruksel (Nëntor 1993 – Nëntor 2016)

tetor-nëndor 1993 do të dilte numëri i parë i revistës
kulturore euro-shqiptare “Kuq e Zi”, që që vazhdon pandërprerje për 23 vjet.
Revista u themelue dhe u botue nën drejtimin e Lek Pervizit, ish i burgosun politik shqiptar.
Motoja e revistës ishte: “Shqiptarve nuk kanë ç’iu duhen ideologjitë e hueja,
duke pasë një të vetmen të tyne, Shqiptarizmin, Idealin Kombëtar”

Revista botohej pas një periudhe 96 vjeçare heshtje të shtypit Shqiptar në Belgjikë, që nga koha e botimit të revistës “Albania” të Faik Konicës, rrugën e së cilës i kishte vu vetes të ndiqte me përmbajtjen e saj, shoqërore, kulturore, gjuhësore,  historike, etj. Me një paraqitje modeste por me një përmbajtje të shëndoshë.
Asaj iu bashkagjiten menjëherë figura të shqueme të kulturës e të qendresës kundër diktaturës komuniste, si Prof. Arshi Pipa, Nermin Vlora me të shoqin Ambasador Renzo Falaschi, Prof. Injac Zamputi, intelektualë ish të burgosun: Kardinal Mikel Koliqi, Prof. Guljelm Deda, Prof. Nush Radovani, Prof. Mark Deda, Prof. Mit’hat Araniti, At Zef Pllumi, Mons. Frano Illija, Mons. Nikoll Mazrreku. Anëtarë nderi e bashkëpuntorë të zellshëm. Mjerisht ata vdiqen nga mosha e pasojat e randa të torturave dhe dënimeve me burgje e internime të  parreshtuna 45 vjeçare. Por ata do të vazhdojnë të jetojnë në revistën me veprat e tyne, si anëtarë nderi e bashkëpuntorë të përhershëm.
Numëri i parë i revistës, shtypur me makinë shkrimi e shumfishue në fotokopje, lidhun me kapse. Ishte një arritje e madhe për një të përndjekun, të burgosun e të internuem për 45 vjet, bashkë me mija viktima të tjera të pafajshme, ku me mija vdiqën në ato kushte skëterrore. Në ballinën e parë shkruhet:

Të dashun bashkatdhetarë,
Gazeta “Kuq e Zi” ju përshëndet me rastin e daljes së saj në dritë për herë të parë. Ajo do të përpiqet të ngrejë ma nalt prestizhin dhe lavdinë e atdheut tonë të shtrejtë.
Historia, gjuha, kultura e traditat e përbashkëta janë baza e përmbajtjes së saj për të gjithë shqiptarët kudo janë në botë.
E pavarun dhe demokrate, ajo nuk do t’i nënshtrohet asnjë ndikimi, qoftë ideor e fetar; partiak e krahinor. Ajo i shërben vetëm kauzës së shenjtë të shqiptarizmit për shpëtimin e bashkimin e popullit e të kombit shqiptar.
Ftojmë të gjithë intelektualët që i shpëtuen terrorit komunist, të marrin pjesë me shkrimet e tyne, të nivelit letrar e studimor. Një e drejtë që iu mohue gjatë një gjysmë shekulli diktaturë të egër antinjerëzore e antishqiptare.

Lek Pervizi & Guljelm Deda - Perugia 1994

Lek Pervizi & Guljelm Deda – Perugia 1994

Vlerësimet e para:

Prof. Guljelm Deda
Të lumtë, mbase tri herë të lumtë! (kështu u shprehte dikur në odet e tij Horaci), për këtë nismë aq të vështirë e të lavdishme.
…prandaj po i jap fund kësaj letre aq të vorfën për një ngjarje kaq të madhe siç asht numri i parë i revistës “Kuq e Zi”.

Prof. Mark Dema
U entuziazmova për revistën “Kuq e Zi” …Me pëlqeu dhe menjëherë vendosa të dërgoj disa gjana të vogla letrare… Mendoj se revista “Kuq e Zi” i përgjigjet rrethanave të kohës.
Në lamin e formimit shpirtnor të rinisë, kam bindjen se përpjekjet tueja kanë me qenë të frutshme.

Prof. Injac Zamputti
Kam marrë me kohë numrat e parë të revsitës “Kuq e Zi”, por nuk kam pasë mundësi t’ju shpreh përgëzimet e mija për nismën fisnike që keni marrë.
Mora dhe numrin 3 të korrikut 1994 dhe sot i dhashë fund leximit të plotë. Ju përgëzoj për shkrimet tueja personale dhe ato të bashkëpuntorve. Ju përgëzoj edhe për procesin e shtypit dhe në përgjithësi, artikujt e studimet nuk kanë gabime shtypi… Ky nr. 3  len me kuptue se jeni në rrugë të mbarë.

Botuesi Lek Pervizi - Në kampin e Tepelenës

Botuesi Lek Pervizi – Në kampin e Tepelenës

Editoriali i parë tetor 1993 – Tribunë Shqiptarizmi

Gazeta “Kuq e Zi”, ka synimin të bahet një tribunë e vërtetë, ku ata që vuejtën dhe u sakrifikuen nën dhunën komuniste, gjatë një gjysmë shekulli, të kenë mundësinë të shprehin e të tregojnë aftësitë e tyne në fushat e ndryshme të dijes e të kulturës.
Duhet të konvergjojmë drejt atyne çeshtjeve që na bashkojnë, ku gjenden premisat e marrëveshjes dhe unitetit, dhe të mënjanojmë të gjitha shkaqet që na përçajnë.
Merita e të parëve tanë, patriotë e atdhetarë, ishte se për hir të shpëtimit e të bashkimit të kombit, u përqendruen në ato parime që ishin themelore për t’i afrue e t’i bashkue shqiptarët.
Shqiptarizmi dhe ideali kombëtar ishin pra, parimet bazë të lidhjes së tyne në një besë të vetme shqiptare.
Shprehja ma e fuqishme e dinjitetit të kombit shqiptar janë, Historia, Gjuha, Kultura dhe Traditat e përbashkëta. Mbi këto veti u mbështet gjithë puna e madhe e Rilindasve për të arritë në atë bashkim monolit shpirtnor e njerëzor që na dha pavarësinë më 1912. Në këtë përpjekje duhet të përqëndrohemi edhe ne.
Stuhija e ideologjive të hueja dhe veçanërisht ajo ma antinjerëzore dhe antishqiptare e mishërueme në komunizmin, përfshiu popullin e mbarë vendin tonë, në një valë krimesh, asgjesimi dhe deformimi të këtyne virtyteve shqiptare. Komunizmi i vuni kazmën gjithë trashëgimisë të së kaluemes duke shfarosun dhe eliminue përfaqësuesit ma të  denjë të saj. Por disa prej tyne mundën me i shpëtue terrorit dhe sot janë në gjendje me tregue vlerat e tyne reale për me çue ne vend nderin e kulturës e të historisë shqiptare.
Jemi dëshmitarë përjetues të asaj shfarosje sistematike e të planifikueme me gjakftohësi të madhe nën diktatin e të huejve: jugosllavë, rusë e kinezë, për t’i zhdukun të gjithë tiparet shqiptare, si burrninë, besën e traditat, ashtu edhe historinë, gjuhën e kulturën. Këto iu nënshtruen fallsifikimit e manipulimit, sipas strategjisë së ideologjisë marksiste, të anullimit total të trashigimisë sonë mijavjeçare.
Prandaj lypset pjesmarrja intensive e të gjithë ish të persekutuemve, njerëz të dijes e të penës, për të çue në vend nderin e historisë e të kulturës sonë  dhe me rivendosë mbi piedistalin e vet krenarinë e Kombit Shqiptar. Dihet se sistemi komunist, desht me transformue shoqninë shqiptare në një gjendje robotizimi, duke përdorë elemente kapitullantë, servilë e bashkëpuntorët e zellshëm, të dalë nga radhët e kalemxhijve komunistë, per të imponue parimet e tyne kriminale të luftës së klasave, me anën e veprave të tyne bajate dhe mohuese.
Sot në lirinë e fitueme me aq durim e mundime, ne do të denoncojmë, jo vetëm qëllimet mizore të komunizmit, por edhe personat që i shërbyen me zell për t’i zbatue ato. Jo me sulme dhe ofendime por me vepra e krijimtari të nivelit të naltë.
Do te demostrojme se historia, gjuha, kultura dhe traditat shqiptare, vazhdojnë të qëndrojnë në naltësitë e tyne fisnike dhe nuk pranojnë të njollosen e të përulen me vepra të padenja e të përdhosuna të dala nga penat e ngjyeme në gjakun e lotët e mija e mija viktimave të pafajshme, të cilat iu banë kurban idhullit gjakatar të komunizmit.
Të pavarun e larg partizmave e sektarizmave të ndryshme politike, fetare apo krahinore, intelektualët që u persekutuen, duhet të veprojnë për ngritjen e prestizhit të popullit e të kombit shqiptar, për të afirmue ato vlera që na japin të drejtë e prioritet për t’u radhitë me kombet e tjerë të Europës, si një ndër kombet e popujt ma të vjetër të këtij kontinenti.
Urojmë që kjo nismë të gjejë mbështetje dhe të bahet me të vërtetë një tribunë e shqiptarizmit për një Rilindje të re kombëtare, e cila sa vjen dhe afirmohet çdo ditë e ma tepër si e domosdoshme dhe e pashmangshme.
Ju falenderojme për leximin e shkrimeve të para që u botuen në një revistë që filloi të botohet në Bruksel të Belgjikës, 96 vjet mbas “Albania-s” së  Konicës, të cilën e pati shembull për të përhapë atë kulturë shqiptare që ishte syrgjynosun bashkë me një popull të tanë, i cili u izolue dhe u nda përdhunisht e kriminalisht nga Europa, për një gjysmë shekulli shumë të gjatë e të dhimshëm nga kontinenti kujt i përkiste nga lashtësa ma e thellë e kohëve.
Rroftë Flamuri Kuq e Zi!
Rrofte Kombi i Bashkuar Shqiptar!

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook