back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Retrospektivat e një ditari të rëndësishëm poetik Gjekë Marinaj

Gazeta

Gjekë Marinaj
Gjekë Marinaj

Retrospektivat e një ditari të rëndësishëm poetik Gjekë Marinaj

Mbi antologjine poetike “Anatomia e Brymës” e Shefqet Dibranit

Shefqet Dibrani dhe “Anatomia e Brymës” janë në akord të plotë konceptimi jo vetëm mes tyre si entitete gubinike por edhe me mëdyshjen e përhënur, nëse kjo është koha e duhur për botimin e një antologjie me poezi të zgjedhura nga krijimtaria e tij e deritanishme. Në këtë shënim prezantues do ndalem tek rëndësia e trajtimit biografik të kësaj antologjie, sepse duke e lexuar atë nën dritën biografike do të gjejmë detaje që në të kundërt kanë potencialin të na rrëshqisnin nga vëmendja, por nuk do i nënshtrohem riskut të rënies në grackën e ndjekjes së përgjigjeve që vetëm e ardhmja mund të ketë autoritetin e duhur për një përcaktim më objektiv.

Antologjia: "Anatomia e Brymës"
Antologjia: “Anatomia e Brymës”

Megjithatë një farë konstatimi filozofik i kësaj enigme mund të gjendet në thellësi të lutjes që i bëj lexuesit për të mos e lexuar këtë vepër të shkëputur nga autori. Jeta e tij, si ajo e shumicës së shqiptarëve që kanë përjetuar në shpirt luftën e Kosovës dhe transformimet e tjera politike që kanë sfiduar shqiptarët në gjithë botën, i është nënshtruar një realiteti të çuditshëm. Në qendër të këtij realiteti krijuan vorbullën e tyre të dyluftimit armiqtë dhe miqtë, pushtimi dhe liria, shkatërrimi dhe rindërtimi, vdekja edhe jeta… Për të arritur deri këtu ku ai dhe kombi i tij kanë arritur, është dashur që fizionomia e jetës të pësojë shkatërrim gati të gjithanshëm para se të fitojë mbijetesën dhe të rindërtohet sipas strukturës dhe esencës jetësore që gëzojnë sot. Ky kontekst historik është kolatik, sepse nën forcën e realitetit të tij Dibrani dhe kombi i tij akoma mund të mos paraqiten si fenomene të statusit të përsosur në opinionin botëror, por me gjak, mençuri dhe punë të palodhshme kanë arritur që Dibrani të bindë shqiptarët se fjala e tij poetike dhe publicistike meriton të dëgjohet me respekt dhe shqiptarët kanë arritur të bindin botën se prezenca e tyre është e vlershme në ndërtimin e një bote më të lumtur për të gjithë njerëzimin.
Shtova elementin kombëtar këtu jo vetëm se një figurë publike siç është Dibrani ndikon në përfytyrimin që merr kombi i tij para botës apo se çdo poet është një komponent i rëndësishëm në anatominë e një kombi, por edhe për faktin se një pjesë e mirë e poezisë së Dibranit është kompozuar nga shënimet që ai ka regjistruar në fletoren e tij gjatë pjesëmarrjes fizike në demonstrata e më vonë në luftën e Kosovës. Çdo aspekt i kësaj përmbledhje poetike, duke filluar nga titulli ka nevojë për një këndvështrim biografik.
Titulli i antologjisë “Anatomia e Brymës”, ngaqë ra fjala, është i rëndësishëm se përputhet me historinë e autorit në planin akademik, ngaqë Anatomia ka qenë pjesë integrale e studimeve të tij universitare në degën Biologji-Kimi. Më tej, nëse kërkojmë ndihmë tek fuqia e metaforës, titulli ka peshë edhe më të madhe ngaqë poezia e këtushme na orienton ta konsiderojmë dukurinë e kthimit të halleve të familjes dhe krejt kombit të autorit në një shtresë të dukshme bryme mbi hapësirën shpirtërore dhe vizionin e tij poetik.
Vargjet që keni në dorë janë evidenca solemne e këtij argumenti. Për ta identifikuar të pashkallëzuar atë, kërkohet mendje dhe zemër e hapur nga lexuesi ndaj librit dhe poetit. Madje edhe një lloj energjie pozitive; dalje nga zona e komfortit personal në kërkim të mënyrave të reja të studimit të poezisë së këtushme dhe aspektit autorial. I ndërgjegjshëm se secili lexues ka këndvështrimin dhe metodën e vet të leximit nga afër, dëshiroj të ofroj dy degë sugjerimesh si segmente të idesë së trajtimit biografik të veprës që dhashë më lart. Falë respektit të madh që kam për lexuesin, dëshiroj të shpjegohem se mendoj se kualifikohem për këtë nismë, jo vetëm se letërsia është profesioni im dhe se të gjitha librat e deritanishëm të Dibranit janë pjesë e pasurisë time materiale, intelektuale dhe shpirtërore, por më tepër se kam privilegjin e një miqësie familjare prej rreth dy dekadash me të dhe se prej të cilit kam mësuar jo pak për artin edhe jetën. Ideja e parë i përket një metafore me karakter shkencor që kërkon përqendrim në vizionin e poetit, edhe që andej mishërim me poezinë e tij. Ky trupëzim mund të bëhet duke i parë vlerat e librit me lentën e një shkencëtari mjekësor. Ndoshta ashtu do të arrijmë ta imagjinojmë poetikisht se si bryma e jetës së autorit reflektohet si një katarakt gjysmëtransparent me forcë dominuese në sytë e poetit duke i ndikuar rrënjësisht në vizion. Ideja e dytë, në kontrast, thekson se po të aktivizohemi nga këndvështrimi i një artisi, ajo pëlhurë e vrazhdë bryme do na japë përshtypjen e një autostereogrami që të krijon në tru iluzione vizuale tredimensionale të skenave me imazhe, shpeshherë drithëruese, që Dibrani na fton t’i përjetojmë nëpërmes vargjeve që ka shkruar me ne si lexues në mendje.
Për t’i perceptuar këto imazhe jetike në përmasat reale të poezisë së Dibranit, i cili i ka observuar nga afër, me trishtimin e një nxënësi të klasës së dytë të shkollës fillore demonstratat e Prishtinës të vitit 1968, do ia vlente të përpiqemi t’i kapërcejmë grabutat e përqendrimit dhe konvergjencës gjatë kohës së kaluar me këtë libër. Duke bërë këtë, pikat e takimit të tangjenteve të vëmendjes sonë me rrethin biografik dhe letrar të poetit të lindur në Gërdoc të Podujevës, më 3 gusht të vitit 1960, do na shërbenin si dritare drejt epiqendrës së vlerave të Dibranit si poet dhe të librit të tij si ditar poetik. Pikërisht në rrugëtimin tonë drejt kësaj epiqendre mësojmë se pesha e poezisë në “Anatomia e Brymës” qëndron mbi dy kolona kryesore, njëra shqetësohet për fatet dhe fatalitetet e mërgimit dhe tjetra përqendrohet kryesisht në dashurinë dhe dhembjen për njeriun shqiptar. Nëse depërtojmë me qëllimin dhe kuriozitetin e duhur në këto thellësi sa metaforike aq edhe reale, do shohim se titujt e librave prej të cilave kam zgjedhur këto poezi: Larg pikon hëna (1994); Pse e urrej Kadarenë (1996); Ditar mërgimi (1998); Strehët e gjakut (2000); Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër (2007) janë më optimistë në përbërje se sa në plastikë. Kjo do të thotë se esenca e këtij libri nuk është një trysni qarjesh apokaliptike që poeti i jep lexuesit, por një galaktikë imazhesh dhe zërash që tentojnë të mbajnë gjallë ndjenjën e mbijetesës së kombit tonë bazuar në besimin te njeriu dhe te e drejta e tij për të jetuar një jetë të lirë dhe sa më të lumtur.
Brenda kontureve të këtyre thirrjeve për të triumfuar mbi vështirësinë dhe humbjet e mëdha që ka kaluar populli shqiptar i Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, duket qartë se plani i kujdesshëm sipërfaqësor i vargjeve dhe mekanizmi i brendshëm konstruktiv i poetikës, të ndihmuara nga pasurimi efektiv i stilistikës gjuhësore kanë dritësuar përpjekjet e Dibranit për të mbetur origjinal në marrëdhëniet e tij me njeriun në poezi. Ai e arrin këtë lartësi duke mënjanuar amplifikimin e valëve të retorikës së panevojshme dhe injektimin e nuancave abstrakte të artificialitetit autorial në punën e tij krijuese. Poezitë e shumta që kanë për motiv njeriun e kudondodhur shqiptar dhe peizazhin kombëtar në platformën shpirtërore dhe gjeografike, dëshmojnë se ai ka fituar afërsi të reja si me lexuesin e distancuar ashtu edhe me ndjekësit besnikë të krijimtarisë së tij.
Po ta analizojmë me kujdesin që meriton këtë platformë kuptimplote në hapësirën poetike të Dibranit, e ritheksoj se është e domosdoshme që prurja e tij në letërsinë shqipe të shihet më parë në planin kontekstual e pastaj, nëse dikush e sheh si të domosdoshme, të trajtohet si pjesë e rrymave letrare sipas sferave të preferencave të secilit lexues. Kjo për vetë faktin se Dibrani dhe poezia e kompozuar prej tij kanë lindur dhe janë rritur në ethet e një atmosfere sfinkse kur pesimizmi i udhës së njerëzimit gjithandej, por veçanërisht në Kosovë, sidomos gjatë luftës së fundit, mori përmasa ndër më alarmantet në historinë e këtij populli.
Ky aspekt është i rëndësishëm sepse një nga karakteristikat esenciale të metamorfozës së ideve të Dibranit është energjia me të cilën na e ofron atë. Kjo energji vjen tek ne si esencë intelektuale dhe shpirtërore njëherësh. Mendimet e tij nuk pësojnë ndryshime nga faktorët e jashtëm, rritja e tyre merr jetë brendapërbrenda principeve vitale të tij. Pastërtia dhe energjia e ideve të tij e fuqizojnë ndjeshëm strategjinë poetike të autorit për të ndihmuar njerëzimin në nevojat specifike që ka. Sidomos në poezitë që kam marrë nga libri “Ëndërr e njëjtë, tokë tjetër” ato aplikohen në natyrën e incidenteve jetësore, por duke evituar me çdo kusht mënjanimin e normave kulturore, që e bën këtë fenomen të besueshëm nga lexuesi, duke i ftuar ata të lahen në domethënien e dinjitetit të tyre pavarësisht vuajtjeve që e shoqërojnë këtë proces.
Pikërisht në këto pika strategjike mund t’i gjejmë disa nga arsyet e reputacionit të mirë, akoma në rritje, të Dibranit si poet dhe intelektual. Vitet e fundit kemi vënë re se pranimi i mendimeve të tij tek masa shqipfolëse ka pësuar një metamorfozë në rritje në favor të tij, në një kohë kur poezia në veçanti dhe arti në përgjithësi po dominohen përherë e më shumë nga karakteri mekanik dhe mohimi i bukurisë, të së natyrshmes dhe të sinqertës. Nëse ky pranim është një lloj simbolizmi kulturor nga ana e lexuesit të tij, atëherë mund të themi se ethos, apo karakteri fundamental i kulturës shqiptare ka kontribuar me të njëjtën mirëpritje edhe tek poezia e Dibranit. Një gjë të tillë e shohim të marrin jetë më tepër në poezitë që u dedikohen njerëzve të veçantë dhe marrëdhënieve me ta; në ato poezi ku motivet e kësaj natyre janë sa vizuale aq edhe të prekshme, duke qëndruar brenda principeve dhe dëshirave konvencionale të subjekteve.
Konceptet intelektuale të këtij soj simbolizmi, kanë pasë vlera afatgjate në të mirë të proceseve letrare të Dibranit, sepse kanë shtrirë bazamentin për një përsiatje të një krijimtarie natyrale që e ka lejuar të imagjinojnë përtej motiveve të ulëta të disa individëve pa e kompromentuar rrjedhën e normave të moralit të tij personal e kombëtar. Këto rëndomësi ai i ka klasifikuar nën domethëniet e fjalës “gjyq”.
Konotacionet e emrit “gjyq” dhe foljes “gjykoj”, si entitete praktike të një procesi gjyqësor, në këtë antologji marrin një rëndësi shumë më kolatike se sa roli i tyre në trupëzimin gjuhësor apo funksionimin linguistik të fjalës. Mjafton t’u referohemi poezive “Në gjyq”, “Fjala e lirë” apo “Gjyq në Zürich” për ta ndjerë trysninë e turbulencës ligjore kur fjala e lirë konfrontohet nga pengesa serioze gjatë ecurisë së saj si dhe për të mësuar rrethanat që çuan poetin deri aty. Poezitë e kësaj teme na fusin në qendrën e një qarku kohor prej pesë vitesh, duke filluar nga viti 1998, kur nisi procesi gjyqësor kundra poetit, në Cyrih, e deri në vitin 2004 kur u mbyll ky proces me shpalljen e pafajësisë së poetit. Përshtypja më e madhe që na lënë poezitë e kësaj teme, sillet rreth faktit se Dibrani i dramatizon seancat dhe konkluzionet e këtij gjyqi me të njëjtin qëllim konstruktiv që kishin edhe kritikat e tij ndaj atyre që e denoncuan atë: implementimin e fjalës së lirë dhe konstruktive në të mirë të njerëzimit.

Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani

Poezitë e kësaj natyre luajnë një rol paralajmërues edhe për ne si lexues që të mos mashtrohemi nga maja e ajsbergut. Ato na lënë me mendimin se prapaskenat individuale apo grupore mund të sillen në sipërfaqe si sfera që veprojnë jashtë rrezatimit të shikimit, ku dikush mund të ndërmarrin nisma që në skenë të hapur janë të papërshtatshme ose të pasakta, por që mundimi për t’i provuar si të tilla ato është një gjyq i brendshëm edhe në vetvete.
Paralel me këtë paralajmërim shpaloset edhe evidenca se Dibrani si poet i do të gjithë njerëzit, pavarësisht trajtimit që i bëjnë. I do ashtu siç duan prindërit fëmijët e tyre: ata mund të zemërohen me ta për gabimet apo fajet që bëjnë, por prapa fjalëve të nxehta apo reagimeve të ashpra merr jetë dashuria për ta e jo urrejtja. Riskun se dikush mund të mos i shohë apo trajtojë pozitë e këtij lloji si “miqësi” autoriale e ka marrë rreth 240 vjet para Dibranit shkrimtari francez Sébastien-Roch Nicolas, i cili pohonte se “unë kam tri lloj miqsh: ata që më duan, ata që nuk më vejnë re dhe ata që më përbuzin”.
Këtë shkollë mendimi Dibrani e ka praktikuar si në poezi ashtu dhe në jetë. Libri që kemi në dorë, pasqyron përpjekjet e tij të vazhdueshme për të dalë nga vetja me synimin për të observuar dhe vlerësuar nga afër këndvështrimet e të tjerëve. Shpeshherë mendimet e tij refleksive na orientojnë drejt gjërave që nuk janë patjetër subjekt i dëshirës, qetësisë, apo besimit të tij. Ngaqë ato mund t’i shërbejnë lexuesit si mjete komunikimi komplekse dhe efikase që karakterizojnë dhe shpjegojnë shqetësimet e përbashkëta njerëzore, ai i konsideron pa diskriminim ato. E gjithë antologjia “Anatomia e Brymës” i trajton dështimet personale, hallet dhe vështirësitë e njerëzve jo si “idiokraci”, por si realitete sociale që krijohen si pasojë e arsyeve të pakta për motivim, si evidencë e mundësive të kufizuara për veprim, dhe si fatkeqësi të dëmtimit të karakterit; si viktima të konditave sociale, edukative dhe ekonomike. Kjo hapësirë gjykimi është kthyer në një koncept besimi në punën e Dibranit, si përpjekje serioze prej tij për të krijuar një ambient pozitiv nga ku individët gjejnë vetën gjatë kërkimit për të ndërtuar marrëdhënie më të qytetëruara me vetveten dhe të tjerët.
Kjo sepse Dibrani nuk beson as në diskriminim poetik as njerëzor. Si atribut i këtij qëndrimi “Anatomia e Brymës” refuzon kategorikisht çdo trajtim diskriminues të vetëdijshëm apo gjysmë të vetëdijshëm të individëve të veçantë apo grupeve kundra shoqërisë shqiptare dhe më gjerë. Një numër i madh poezish të shkruara ndër kohë dhe rrethana të ndryshme e pasqyrojnë këtë qëndrim artistik të autorit si një proces racional që zhvillohet si pjesë e motivimit dhe emocioneve të tij larg çdo paragjykimi social dhe çdo frike për fuqitë misterioze të çfarëdo ogurziu bashkëkohor. Në të kundërt, libri na fton që traditat armiqësore midis njerëzve të zëvendësohen nga mendime dhe veprime të mbështetura në vlerësime logjike në mënyrën më efikase për të arritur një sfond të ri paqeje nga ku i gjithë njerëzimi të shijojë pa frikë të brendshme dhe pa kërcënime të jashtme fuqinë e fjalës së lirë dhe prosperitetin e mendimit dhe të punës së tyre.
Duke prezantuar paqen me qëllim pozitiv si alternativë, Dibrani nuk e mohon apo mënjanon faktin se armiqtë e individit kanë qëllime dhe fytyra të ndryshme dhe se ata, si gjithmonë, janë kërcënues dhe të rrezikshëm për gjithë shoqërinë ashtu siç kanë qenë edhe për të. Ai sugjeron që edhe ata t’i trajtojmë si miq në qëllimet tona kulturore dhe strategjitë artistike për risimin apo restaurimin e vlerave të tyre. Një qëndrim i tillë na sjell në mendje Mark Twain, i cili deklaronte se: “ai nuk kishte nevojë ta dedikonte veten në parajsë apo në ferr, sepse kishte miq në të dyja anët…”
Pavarësisht se perceptimi i “nevojës” merr forma të ndryshme tek lexuesi i Twain-it apo i kujtdo tjetër, Dibrani na ofron një antologji në të cilën bota e tij poetike dhe shpirtërore është në solidaritet të plotë, të paktën në kuptimin e miqësisë, me poetin Walt Whitman, i cili pohonte se “nuk kam asnjë dyshim se i meritoj armiqtë e mi, por nuk besoj se i meritoj miqtë”. Megjithatë, poezia e Dibranit është një testament kredo se ai i meriton miqtë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër. Në këtë kontekst, rrethanat historike dhe shoqërore që e kanë bashkuar me miqtë i gjejmë të shkrira në një mënyrë origjinale dhe mjaft interesante në krijimtarinë e tij. Për të, distanca e vendit, kohës apo niveli personal i rritjes intelektuale nuk e tkurrin miqësinë që ai ka fituar ndër raste dhe rrethana të ndryshme jetësore.
Ndaj dy nga aspektet karakteristike të librit “Anatomia e Brymës” mbeten miqësia dhe mënyra e përzgjedhjes së saj. Ndonëse poezitë e shumta që u dedikon gruas, Fexhrijes; vajzës, Donikës; djalit, Dibranit; prindërve, vëllezërve dhe motrave tregojnë se poeti beson se miqësia më e sinqertë fillon nga dashuria për familjen, ai paraqitet gjithmonë i hapur për një miqësi të pastër edhe me të takuarit e rastit. Nga ana tjetër, vargjet e tij na japin arsye të besojmë se ai e paraseleksionon rrethin shoqëror duke u bazuar në vlerat e tyre morale dhe kontributin që i japin shoqërisë me punën dhe veprat e tyre. Të parën e kemi të evidentuar si në ndihmesën që i jep familjes duke sakrifikuar gjithçka për mirëqenien e tyre ashtu edhe në vetëmohimin e tij për shoqërinë. Për këtë të fundit, mjafton t’u referohemi poezive të tipit “ditar” në retrospektivë, ku autori që në fëmijëri ka qenë pjesëmarrës në demonstratat e shumta të vendit të tij, duke përfshirë këtu, pranverën Kosovare 1981, atë të grevave të minatorëve dhe protestave qytetare të Kosovës në 1989-ën, apo pjesëmarrjen e tij, në forma të ndryshme, në luftën e Kosovës.
Impulset e dashurisë njerëzore për këta emra të rëndësishëm në jetën dhe kujtimet e Dibranit janë të plotfuqishme në depërtimin e tyre tek vetëdija jonë. Të dytën e kemi të dokumentuar në poezitë e frymëzuara nga vizita e parë e tij në të cilën humbi edhe jetën babai i tij. Por jo vetëm të atin. Së bashku me miqtë e shumtë intelektualë të vrarë gjatë së njëjtës kohë kanë qenë edhe Fehmi Agani, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Agim Ramadani e shumë e shumë të tjerë të cilët i gjejmë si pjesë e baladave apo poezive me temë nga Lufta e Kosovës apo vuajtjet si pasojë e saj.
në Shqipëri në dhjetor të vitit 1992. Me gjithë kohën e kufizuar, ajo i ka shërbyer dëshirës së tij për t’u njohur më njerëz që e kishin vërtetuar veten si personalitete me peshë në kulturën tonë. Ndër këto rrethana ai fitoi miqësinë me Agim Spahiun, Adem Istrefin, Dhimitër Xhuvanin, Xhevahir Spahiun, Frederik Reshpjen, Dhimitër Shuteriqin, Lazër Stanin, Zija Çelën, Bardhyl London, etj.
Bashkëpunimi i mëvonshëm me ta dhe miq të tjerë si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rifat Kukaj, Rrahman Dedaj, Din Mehmeti e Murat Isaku, mund të themi se janë bërë pjesë e një rrjeti të çuditshëm fijesh poetike që japin jetë në kulturën kombëtare përmes veprave dhe aktiviteteve të Dibranit në letërsinë bashkëkohore shqipe. Ndërsa miqësia e tij me ministrin aktual të Kulturës së Shqipërisë dhe botuesin Nazmi Rrahmani (të cilit i kushtohet ky libër), Visar Zhitin, me poetin e njohur kosovar Adem Istrefi, me shkrimtarin pastaj me Shaip Emërllahun e Ahmet Selmanin apo me poeteshat Flutura Açka e Mirela Sula nga Tirana e Sevdije Rexhepi nga Gjilani i Kosovës, është intensifikuar dukshëm.
Por miqësia e Dibranit me poetin kuksian Agim Spahiu pat marrë veçanërisht dimensione kolatike. Menjëherë pas vdekjes tragjike të Spahiut në vitin 1993, Dibrani botoi dhe promovoi me shpenzimet e veta një përmbledhje me poezi të zgjedhura nga Agim Spahiu. Në atë promovim pat marrë pjesë edhe Dr. Ibrahim Rugova me një përshëndetje personale. Veprimet e Dibranit përkuan me mendimet e Miguel de Cervantes-it që thoshte se: “ai që humb pasuri humb shumë, ai që humb një mik humb më tepër”. Ndoshta me këtë koncept në mendje dhe zemër, poezitë kushtuar Spahiut apo frymëzuar prej tij bëhen pjesë edhe më integrale e konsistente të krijimtarisë së deritanishme të Dibranit.
Në 15 vjetorin e vdekjes se Spahiut, pikërisht në vitin 2008, Dibrani investon edhe një herë në nderimin e mikut të tij, duke botuar të plotë korrespodencën me të, në një përmbledhje të titulluar “Letrat e Agimit”. Ky fakt ka lidhje të ngushta me këtë antologji, sepse sot, pas 20-vjetësh nga vdekja e Agim Spahiut, është pikërisht Mensur Spahiu, vëllai i Agimit, që e vlerëson punën e Dibranit duke sponsorizuar të plotë botimin e librit Anatomia e brymës. Këtë shprehje të mirënjohjes ndaj miqësisë unike të Dibranit me vëllain e tij, Mensuri e bën nën dritën e filozofit Friedrich Nietzsche, i cili  thoshte se “marrëdhëniet tona me njerëzit, nganjëherë e restaurojnë baraspeshën e miqësisë duke hedhur ca kokrriza papërshtatshmërie (shpenzimi) në anën tonë të kandarit”. Në poezinë e këtushme, këto karakteristika janë pjesë e atributiveve të gjetura nëpërmes kombinimeve të mirësisë, dashurisë vëllazërore dhe zotësisë profesionale.  Kjo përbën një anomali në vetvete sepse miqtë dhe armiqtë e Dibranit janë pjesë përbërëse e risisë që sjell ky libër. Këtu kemi të bëjmë me një sinqeritet autorial që nuk mund të injorohet nga paradigmat aktuale të letërsisë shqipe. Një çiltërsi e tillë autoriale e kthyer në cilësi të këtij niveli poetik meriton respekt edhe nga bashkëbisedimet e letrarëve jashtë Shqipërisë, sidomos kur bëhet fjalë për poetët që kanë emigruar nga vendet e Evropës lindore. Ky konstatim nga ana ime zhvillohet përtej o-së në fjalën opinion. Fjala emigracion është kyçe në jetën dhe veprën e Dibranit. Ai duhet të jetë ndjerë emigrant në jetë dhe letër që nga ditët e para të formimit të plotë të vetëdijes së tij. Poezitë e tij, sidomos ato që kam përzgjedhur nga libri “Ditar mërgimi” e mbështesin këtë realitet.
Harta që tregon fatin e zhvendosjeve të tij gjeografike është e ngjyrosur nga përjetimi i emigracionit që nga koha kur ai iu nënshtrua shërbimit ushtarak në ish Armatën Popullore Jugosllave në Knin të Kroacisë, gjatë dy muajve burgim që bëri për letërsi të papërshtatshme për sistemin, në Padinska Skela të Serbisë, apo qëkur shkeli për herë të parë në Zvicër ku më vonë mori statusin e qytetarit zviceran. Pra jeta në mërgim dhe adaptimi aktiv me të për Dibranin është një tentativë balancimi shoqëror. Ajo ka synim kryesor pasqyrimin, pse jo edhe zgjidhjen, e problemeve dhe sfidave që u paraqitën shqiptarëve kudo që gjendja e jetës u dominohet nga barrierat e ndryshme të procesit social në vendet që jetojnë.
Nga një analizë më e thellë e këtij realiteti human dhe poetik, mësojmë se poezitë e librit “Anatomia e Brymës” i paraprijnë ruajtjes së njeriut shqiptar edhe nga rreziku i rënies në kurthin e etnocentrizmit. Një numër i konsiderueshëm poezish shërbejnë si mburojë kundra çdo tentative për shkatërrim kulturor të kujtdo. Dibrani nuk beson në përkufizimin e kulturës së një vendi si një fenomen ofendues apo kërcënues, si dukuri e patolerueshme ndaj një kulture tjetër dhe si rezultat tentimin e saj për ta shkatërruar atë. Në të kundërt, Dibrani e drejton lexuesin drejt një relativizmi kulturor të avancuar, duke i dhënë jetë një perspektive ku kulturat globale të mos gjykohen vetëm nga standardet e kulturës sonë kombëtare. Me këtë në mendje, ai reagon ndaj vështirësive që njeriu ynë në mërgim përjeton gjatë orientimit dhe adaptimit me mënyrat e kulturave të reja qytetare që janë pak apo rrënjësisht të ndryshme nga e jona.
Dibrani është plotësisht i ndërgjegjshëm se njeriu shqiptar beson në origjinën e vet kombëtare me një prejardhje të përbashkët ilire, ku zakonet sociale dhe besimi fetar kanë ndikuar ndjeshëm në mënyrën e jetesës, si në esencën kulturore kombëtare ashtu edhe në imagjinatën sociale. Ai kësaj pike i jep përparësi si një zotësi kombëtare dhe mundësi për të përforcuar ndarjen e progresit historik nga incidentet fatkeqe të jetës së individit në mërgim. Poezia e tij i inkurajon njerëzit të bëjnë dallime të mençura mes turbulencave personale dhe çështjeve që shtrihen jashtë kontrollit të tyre.
Për ta bërë realitet tentativën e ekuilibrimit të raporteve njeri-situatë, jeta dhe vepra e Dibranit ka pësuar modifikimet e domosdoshme. “Anatomia e Brymës” dëshmon se retorika e tij është fuqizuar nga përpjekja për të bindur lexuesin me idetë që ofron. Nisur nga kjo nismë konkrete, poetika e tij përshkruan hapësira kolatike nga eksperimentale tek metafizike e nga mistike tek alegorike vetëm për të sjellë rezonancat emocionale dhe jetësore që gjejmë këtu. Ndaj ndjehem i detyruar ta ritheksoj domosdoshmërinë e trajtimit biografik të kësaj antologjie të rëndësishme poetike. Përndryshe rrezikojmë të mos e shijojmë të plotë faktin se poezia e Shefqet Dibranit ka luajtur një rol kyç në progresin kombëtar të dy-tre dekadave të fundit. Ndarja e Dibranit nga vepra e tij, mbi të gjitha, do na pengonte privilegjin që gëzojmë si lexues, për të celebruar në maksimum të vërtetën objektive se vepra e tij në jetë dhe letër është pjesë integrale e krejt civilizimit njerëzor.
PhD Dallas, 20 qershor 2013.

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Shefqet Dibrani asht autor i disa librave poetikë.
    Nën kujdesin e poetit Gjekë Marinaj dhe me nji parathanie mjaft cilësore dhe profesionale për t’u marrë si shembull nga ana e tij, ai boton ma së fundi antologjinë “Anatomia e Brymës”… Duke e falenderue poetin Gjekë Marinaj për kët përcjellje dinjitoze të vepërës së Dibranit, i urojmë sukses autorit… duke besue se nji të arthme të afërt do t’i prezantojmë edhe nji cikël prej kësaj Antologjie të posabotueme…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.