back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Requiescat in pace – (Pushoftë në paqe) Si i shpëtoi Guljem Deda vdekjes në kënetën e Maliqit dhe presioneve të Sigurimit të Shtetit… – tregim nga Lek Pervizi

Gazeta

Profesor Guljelm Deda Padova 1937
Profesor Guljelm Deda Padova 1937

Requiescat in pace – (Pushoftë në paqe)

Si i shpëtoi Guljem Deda vdekjes në kënetën e Maliqit

dhe presioneve të Sigurimit të Shtetit…

tregim nga Lek Pervizi

Tregim-dëshmi kushtuar intelektualit të shquar shkodran Prof. Guljelm Dedës,
i cili përballoi 45 vjet burg e internim, ku në ato kushte të pamundura
përktheu kryeveprën e poetit Italian Lodovico Ariosto,
“Orlando Furioso” (Orlandi i çmendun), po ashtu kryevepër në gjuhën shqipe.
Tregimi vjen prej rrëfimeve te vetë prof. Dedës...
 .

Studiuesi Lek Pervizi
Studiuesi Lek Pervizi
Trupi Lemit ishte katandisë në një thes një me kocka prej 37 kg. Njeriu që peshonte 80 kg ma përpara, i cili ku qeshte madhe tundeshin muret theheshin xhamat e dritareve ishte aq i dobësuem sa që nuk mund të qëndronte gjatë mbi kambët e veta. Profesor i letërsisë dhe gjuhës latine, Guljelm Deda, ishte reduktue në nji qenie skeletike, buzët e shtrëngueme, sytë e mbyllun nga qepallat e randueme: me iu dhimb drunit e gurit.
-Kokalle… kokalle… kocka… ja si na kanë katandisur! Thërriste himarioti Spiro Himarioti, duke lëvizun krahët si dy pyrteka të thata, si ato të gjithë të burgosunve të shkretë. Të reduktuem në fantazma apo figure shkjeshë, të rraskapitun nga gërmimi prej agimit deri në muzg, me vegla rudimentare, zhytyn në baltën e kanalin faraonik të Vloçishtit. Sa viktima të pafajshme kishte gëlltitë ajo humnerë monstruoze? Në cilin rreth të ferrit i kishin pllakosë? Rojet kuqaloshe, zemërzinj e të pashpirt vinin për rreth si qen të tërbuem gati me kafshue e me mbjellë vdekje. Djajtë me brinat pajisun me cfurqe u ishin zëvendësue nga demonë në uniformë dhe të armatosur, shumë ma të tmerrshëm dhe të kobshëm. Ferri fantastik i Dantes ishte transformue në një ferr tokësor.
Lemi u ul kruspull tue u mbajtë pas lopatës. Rrezet e diellit të korrikut ia përvëlonin trupin. Ushqim diellor! Fatmirësisht mendjen e kishte esull. “Liri, liri, sa krime janë krye në emnin tand!” Njerëzimi kishte ra shumë poshtë. Poeti i madh Dante, duhet të kishte lindë në kët shekull për me shkrue një Ferr tjetër të vërtetë, ku ne vuejmë krejt të pafajshëm, pa qenë fajtor për asgja. Mendimet e tij u ndërprenë nga një hije që i zuni diellin. Një formë njeriu i doli përpara. Ai mezi ngriti qepallat dhe njohu figurën e Tonit. Ky po, mbahesh mirë. I frymë si një thes me pambuk. Toni kishte ndjekë një kurs për infermier dhe ma vonë u gjet bashkë me të në burg. Ai ishte infermieri i kampit të Vloçishtit. Kjo e kishte shpëtue nga puna e detyrueme. Pa infermeri, pa mjek e pa ilaçe, konditat shëndetsore nuk ekzistonin fare, hiçe. Ai ishte caktue me u sigurue për vdekjen e të burgosunve ose të atyne që ishin në prag të vdekjes. Toni e kishte kuptue gjendjen pa shpresë të mikut të tij, Guljelm Dedës, që të gjithë e thirrnin Lem. I kishte thanë se do mundohej të gjende një zgjidhje për ta shpëtue.
-Lem… Lem! E kam gjetun!
-Kë?… Danten?… – foli Lemi duke qeshun, sepse një herë, i kishte këtu, dhe pyete në cilin rreth të ferrit do të na kishte vendosë.
-Ç’Dante more Lem! Kam gjetë mënyrën me të shpëtue!
-Me më shpëtue?… Po unë i shpëtuem jam. Një thes me eshtna 37 kilesh! Ejani, ejani sa kocka, plot një thes! Merrini e i hidheni në baltën e kanalit.
Lemi u mundue të qeshte si dikur, por nuk kishte ma forcë. Mbeti gojë hapun, sytë të ngulun mbi Tonin, shpëtimtarin e tij t’ardhshëm. Leni shakatë i kishte të tijat. Por aty s’i hynin në punë, veç sa me rrejtë veten se ishte ne rregull me mentë.
.

Guljeln Deda - Ariosto - Orlando i çmendun 2013
Guljeln Deda – Ariosto – Orlando i çmendun 2013
-Leni shakatë. Asht çështje jete a vdekje. Ti duhet të ngjitësh rrëpinës së kanalit deri sipër dhe atje shtriu përtokë. A more vesh? Kur të mbarojë puna e ditës, të burgosunit do të vijnë të hedhin ndonjë lopatë mbi ty, duke të kujtue të vdekun. Të do të hapësh një vrimë sa me marrë frymë. A more vesh? Mos lëviz fare as qepallat dhe mbylle gojën. Asnjë fjalë. Unë do të vij ma vonë me policët dhe të do të shpëtosh. Kij kujdes, rri i qetë e ruej gjakftohësinë.
Mbasi ia shpjegoi mirë planin e tij, Toni u largue.
Ishte punë serioze. Lemi ndejti do kohë pa asnjë mendim tjetër në kokë, veç se si do të ngjitesh asaj rrëpine. Po i dukej si mundimi i Sisifit, jo për me rrotullue një alamet guri, por se si me u ngjit kamadoras deri atje nalt si një majmun. Ai arriti deri atje, bani do hapa dhe u hodh për tokë, dhe kur e ndjeu zhurmën e ramjës së trupit, i erdh në mendje vargu i famshëm i Dantes: “E caddi, come corpo morto cade” (E u rrzova si trup i vdekun rrzohet). Tashti ti ke vdekun! Nuk mund të luejsh as dorë, as kambë, as gojë. Kështu kishte thanë Toni, ai e dinte. Si i kishte ra ndërmend ky stratagjem? Lemi ndejti ashu i shtrimë në pritje, pa mendue për asgja. Pa ndjenja, si një grumbull gurësh. Qepalla të lodhuna, e zuni një dëshirë e madh për gjumë. Mos vallë po i vinte vërtet vdekja? Vetvetiu i erdhi në mendje një lutje latinisht që ai shushuriti ndër buzët e tij të përthame: “Pater Noster…” Ai ishte besimtar. Iu duk se dora mbrojtëse e Zotit po shtrihej mbi të. Humbi ndjenjat.
Dielli po ulej tej horizontit të përflakun. Drita e kuqërremtë e rrezeve të lodhuna mbulonin natyrën me një ngjyrë kuqërremtë. Të burgosunit e kishin mbarue punën ditore. Ato po i ngjiteshin faqeve të kanalit, të lodhun, duke mbajtë veglat e punës. Një hordhi e çuditshme. Të leckosun, krejt baltë e djersë, ma të zez se të zijtë. A thue njerëz të egër t’ardhun nga një botë tjetër. Rojet vinin vërdallë kërcënues, tue bërtitë e çjerrë si të çmendun, me armët drejtue mbi të burgosunit. Sa të pafajshëm kishin ra nën plumbat e tyne!
Befasisht Lemi ndjeu një peshën mbit trupin e tij. Ishin lopatat e dheut që hidhnin të burgosunit. Pushoftë në paqë! Requiescat in pace! I shkreti Lem! E mëshironin shokët e vuejtjeve në kalim e sipër duke kalue pranë tij. Ai e mbajti frymëmarrjën deri sa të burgosunit u larguen. Hapi dheun për me marrë frymë. Dufi i fortë i erës së dheut i erdhi në hundë. Ishte lufta për ekzistencë. Me jetue, duhej një forcë karakteri dhe një forcë inercie që të shtyn përpara. Lojë e fatit apo vullnet i Perëndisë? Pse mos me i dhanë fund qysh tashti gjithkaje?
Pse me jetue? Filli i këtyne mendimeve u ndërpre sepse ai dëgjoi disa hapa të shoqnuem me zana. Ishin rojet që vinin për me kontrollue se a ka vdekun kush. Nuk kalonte një ditë që të mos vdiste ndonjë i burgosun nga stërmundimet. Kur ai e ndiente veten se i erdhi fundi, ngjitej nalt ku shtrihej i vdekun. Në mbarim të punës, shokët ia mbulonin trupin me dhe. Kjo skenë makabre ishte ba e zakonshme. Pastaj vinte radhën e Toninin për me vërtetue vdekjen.
Lemi dëgjoi disa zana. Toni që ishte kërrus mbi të, foli:
-Po ky qenka akoma gjallë!
-Kush asht. Mos e njeh ti?
-Jo, aspak. Po shikoni, qënka krejt kockë e lekurë.
-Mbylle gojën! Atë e dijmë ne. Ti shko e thirr dikë e na thuej kush asht!
Toni, shkoi e mori dy të rij shkodranë, të cilëve u tregoi për Lemin. Ata shkuen menjëherë dhe e morën profesorin dhe e çuen te çadra e infermerisë. Të burgosunin e quenin çadra e vdekjes. Sa prej tyne kishin dhanë shpirt aty. Por për Lemin ishte shpëtimi. Toni me dy të rinjtë i sollën plaçkat e disa sende ushqimore dhe ujë të pijshëm. Aty me të ishin shtri dy të burgosun të tjerë. Lemi nuk pati kohë të merrte vesh asgja, pse ra në një gjumë të thellë që e mbajti 24 orë. Kishte shpëtue.
Toni kalonte here pas here, i shoqnuem nga oficerët e komandës së kampit. Gjatë qëndrimit në atë tendë, Lemi kishte përjetue vdekjen e një të burgosuni. Infermieri e kishte porositë Lemin që të mos lëvizte nga shtresa e tij dhe të rrinte sikur ishte duke dhanë shpirt. Aty sollën dhe dy të burgosun të tjerë në gjendje shumë të randë. Çdo ditë Toni i çonte Lemit racionin e bukës, supën dhe diçka nga shokët e tij shkodranë që e çmonin e respektonin shumë.
Një ditë, pas shqyrtimit të sëmurëve bashkë me infermierin erdhi njëni nga rreshterët i cili e kishte fiksue shikimin mbi Lem, të shtrirë në shtratin e tij, sytë dhe gojën të mbyllun, i palëvizshëm.
-Po ky qen, nuk ka ngordhur akoma? Ka do kohë që është këtu. Mos vallë ka vdekur?
Ndërkaq, ai i dha një shqelm çizmje Lemit. Ai i kishte dëgjue fjalët e rreshterit dhe duke i paraprì së keqes e ngriu trupin e tij për të mbrojtë veten. Kur ai mori goditje, ai nuk ka lëvizi fare, aq e kishte mbledh veten që trupin ta mbante të grimë si të ishte një copë dru.
-Bëj kontrollin! – urdhnoi reshteri, – dhe se vërtetohet se ka ngordhur, gropose menjëherë këtë kermë! Zbatoji mirë urdhërat tona, në qoftë se nuk do të përfundosh në kanal si ky këtu!
-Si urdhno! – u përgjigj Toni, që e kishte mbulue djersa, nga frika mos ai kapteri jepte urdhën me e varrosë aty për aty Lemin, siç kishte ndodhë me dy të burgosun të tjerë disa kohë ma përpara, të groposun për së gjalli. Egërsia e këtyne njerëzve nuk kishte kufi. Po afrohej një vjeshtë me kohë të keqe. Të burgosunit u rikthyen në burgjet respektive para afatit prej shinave që kishin bllokue vazhdimin e punimeve. Erdhën kamionat ku të burgosunit stivoseshim duer e kambë të lidhuna nën grykën e armëve të policëve. Ata lini mbrapa mjaft shokë fatzi që kishin humbë jetën në baltë e kënetës së Maliqit, dhe të tjerë që ua kishin pushkatue para syve.
Larg punës së stërmundimshme në kanalin faraonik të Vloçishtit dhe të krimeve të xhelatëve, dhe veçanërisht në sajë të vëllait Pashko, që e ndihmonte me ushqime, Lemi e mori veten dhe e trasformoi historinë e tij në satirë, si poet e njeri i humorit siç ishte. Në burgun e Shkodrës bashkë me shpëtimtarin e tij, Tonin e të tjerët, ishte një kënaqësi e madhe me e dëgjue se si e tregonte ngjarjen me një zhvillim tragjiko-komik.
Dhe ai ia niste:
-Kisha vendosë me vdekë aty në kanal, siç isha katandisë në një thes me kocka, kur ja vjen një engjëll shpëtimtar… Toni, dhe mrekullia ndodhi. Kështu Lemi ringjallet sipas urdhnit të infermierit Toni, që tue zëvendësue Krishtin e ringjalljes së Lazarit, urdhnoi –
Lem çohu! Dhe Lemi u çue.
.
Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Vitore Radi ne Kampin e Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

 * * *

Por ndodhitë e Lemit nuk kishin mbarue. Mbasi i kishte shpëtue mrekullisht një vdekje të sigurt, siç u tregue ma sipër, dhe mbasi kishte plotësue 5 vjetët e dënimit, ai lirohet. Jeton bashkë me të vëllanë, Pashkon ose Paçi. Shtëpinë ua kishte konfiskue regjimi komunist, dhe ata jetonin sëbashku në një dhomë me qera. Duhej punue me fitue bukën e përditshme. Parrulla e partisë ishte, kush nuk punon nuk han. Diploma e profesorit nuk pinte ma ujë. Zyra e punës e caktoi me punue ne një gurore, në malin e Taraboshit. Me thye blloqe gurësh të mëdhej me varré. Nuk kishte tjetër punë për të, i thoshin. Ai qeshte me vëllanë dhe shokët.
-Ja pra, unë jam duke u përgatitë me u diplomue në fakultetin e gurëthyesve.
Kjo punë ishte shumë e randë dhe shpërblimi mizerabël. Ai nuk mund të përfytyronte
tjetër zgjidhje. Edhe kolegë të tjerë të tij ishin të nënshtruem të njejtës punë me thye gurë me disa varré shumë të randa. I kujtohej Zhan Valzhani i Viktor Hygos, i burgosun në gurore.
Ngushullim i thatë.
Një ditë prej ditësh e thërrasin në Degën e Brendshme të Shkodrës. Ai u gjet ball për ball me shefin e Degës, të gjithëpushteshmi kolonel Hilmi Seitin, që bante ligjin n’atë qytet. E kishte prit Lemin në zyrën e tij. Ishte çue në kambë, i buzëqeshun e xhentil, tue e ftue të zinte vend e tue i ofrue e ndezë një cigare Partizani. Pas tij, në mur, varej fotografia e Stalinit, me një buzëqeshje ironike nën musteqe.
Koloneli e kishte pyetun si e ndiente vete dhe ç’bante. Lemi ishte përgjegjë, se ndihesh shumë mire dhe se ndiqte fakultetin e gurëthyesve. Shefi kishte qeshë me të madhe, tue u tregue shumë i përzemërt. Mbasi shkëmbyen disa fjalë të rastit, koloneli kishte marrë një shprehje serioze.
-Dëgjo Lem, ne të njohim mirë. Në i çmojmë aftësitë e cilësitë intelektuale të tua, si profesor i letërsisë e gjuhësisë. Gjithashtu ne e dijmë që ti ke nderuar vendin tonë e qytetin tënd të Shkodrës. Tue pasë fitue diplomën me vlerësimin ma të naltë “Summa cum Laude” në Universitetin e Padovës në Itali. Ne e vlerësojmë tepër këtë përgatitje të nivelit të naltë.
Lemi ndiqte me vëmendje fjalët e shefit plot lëvdata ndaj tij. Ku donte me dalë?
-Partia e qeveria na kanë porositë që të kemi parasysh aftësitë e tua intelektuale dhe profesionale, dhe me të ndihmue në këtë drejtim. Mund të ushtrojsh profesionion tand si profesor i letërsisë në gjimnazet e Shkodrës. Gjithashtu do të keshë mundësi të ushtrosh talentin tand krijues si shkrimtar dhe të publikosh veprat e tua. Pra, ti e shikon vetë, se partia dhe qeveria të shtrijnë dorën. Ti duhet të përfitosh nga ky fat e kjo bujari.
Guljelm Deda ne kampin e Kuçit te Kurveleshit
Guljelm Deda ne kampin e Kuçit te Kurveleshit
Lemi nuk po hapte gojë. I përqendruem në vetvete iu kujtue vargu e Vigjilit në Eneidën,
“Timeo Danaos et dona ferentes” (Kam frikë nga Danajtë dhe dhuratat që më bien). Tue mos pas shprehun asnjë mendim, koloneli vazhdoi të flasë.
-E kuptoj që e ndie veten në një pozitë jo të pëlqyeshme, duke pasë qenë i dënuar dhe vuajtur burgun e dhe kampet e punës. Revolucioni mund të bëjë gabime në fillim, dhe ti e ke provue mbi kurrizin tanë pa qenë i fajshëm për asgja. Populli thotë – Bari i njomë shkon me të thatin. -Por tashmë pushteti i partisë komuniste është vendosur dhe afirmuar. Ne jemi të fortë më shumë se kurrë. Intelektualë si ti, duhet të vlerësohen dhe të lejohen të kontribojnë në edukimin dhe formimin e brezave të rij. Tani që ti je një njeri i lirë, duhet të gëzosh të drejtat e të përfitosh nga mundësia që të jepet.
Lemi u detyrue me u përgjigj:
-Ju falënderoj. Sigurisht se unë do t’isha shumë i kënaqun për të mundun me ushtrue profesionin tim si profesor, me shkrue dhe me botue veprat e mia. E vlerësoj propozimin tuej dhe do t’isha dakord me u përfshi në jetën intelektuale e kulturore të vendit tim dhe me kontribue me aftësitë e mia.
-Shumë mirrë Lem. Isha i bindun se një njeri erudit si ti, do ta kishte kuptue e e pranue këtë propozim. Nuk mbetet veçse me firmos një dokument për angazhimin tënd për të kontribuar në ndërtimin e socializmit në vendin tonë, nën udhëheqjen e shokut Enver Hoxha, sekretari i parë i partisë sonë.
Lemi e kuptonte se ku donte me dalë shefi. Bani sikur po i ndiqte fjalët e shefit, duke tundun kokën në mënyrë aprovuese. Por dardha e kishte bishtin mbrapa.
Koloneli vazhdoi: -Pra, unë mendoj se të do të jeshë dakord me këtë mundësi që të jepet. Do të përfitosh shumë. Do të keshë privilegje dhe ne do të sigurojmë një apartament në qendër të qytetit. Por sikur të thashë, duhet të firmosur një dokument angazhimi nga ana jote, që të jeshë besnik ndaj partisë dhe regjimit tonë, dhe t’u shërbesh me devocion dhe sinqeritet. Nga ana tjetër të bashkëpunosh me ne të sigurimin të shtetit, që unë përfaqësoj këtu në Shkodër. Ndërkaq shefi i kishte vu përpara një fletë letre të shkrueme. Një lloj formulari për t’u mbushun.
– Ja Lem, mjafon vetëm një firmë e jote që të biem dakord dhe të përmbyllim angazhimin tënd përfundimtar.
-Çfarë dokumenti? Unë jam dakord me gjithë ato që ju thatë, por unë nuk jam dakord aspak me firmos kët lloj dokumenti angazhues për me u ba një bashkëpuntor e spiun i Sigurimit. Po qe se më keni thirrë për këtë punë, ju nuk do te keni asnjë lloj angazhimi nga ana ime, as me fjalë as me firmën time.
Fytyra e shefit u transformue në vend, nga shprehja e ambël e njeriu t’urtë, në atë të një tigri t’egërsuem.
-Kështu i kundështon ti bujarinë tonë? Ti dashke të vazhdosh të jeshë një armik i populli e i partisë? Mirë, do të presë toga e pushkatimit ose do të ngordhësh në fund të një biruce të errtë burgu. Firmos Lem, po deshe të jetosh edhe disa ditë i qetë! Bërtiste kioloneli me za të çjerrë krejt i xhindosun me fytyrën e skuqun nga mënia.
-Kurrë! Bani ç’të doni me mue. S’e kam frikë vdekjen. Më vrisni ose me hidhni në burg, qysh tash. Ja ku më keni!
-I mjeri ti! Nuk hedh firmë? Ti nuk pranon të bashkëpunosh me ne? Ti i hedh poshtë propozimet tona? Mirë, mund të dalësh gjallë nga kjo zyrë, por ke për ta paguar shtrejtë këtë demostrim armiqësor dhe përbuzje ndaj partisë dhe regjimi tonë!
Lemi u ngrit nga karrika dhe doli pa e përshëndetë. Nga fotografia, Stalini vazhdonte të hidhte vështrimn e tij sarkastik.
Pas disa muejsh, Lemi arrestohet dhe izolohet në një qeli të burgut të Shkodrës. Aty ndejti shumë kohë pa pà njeri, veç rojeve që i binin bukë e ujë, dhe, e zorshme me u besue, edhe cigare me gjthë shkrepse. Ai e kuptonte se ishte një lojë e kolonelit. Sigurisht se ai kërkonte t’i bante presion paraprisë. Një lloj paralajmërimi që të mendonte për atë që i kishte propozue nën vështrimn mefistofelik të Stalinit.
Dhe ja, një ditë dera e qelisë hapët dhe një kapter i policisë e urdhnon që ta ndiqte, pa i vu prangat. U gjet në një dhomë, ku pas një tavoline të zakonshme ishte ulun vetë shefi, Hilmi Seiti. Ai i bani me shej të ulej në karrikën përballë tij. Profesori nuk kishte lëvizë buzët as për ta pëshëndetë. Kësaj radhe nga muri e vështrione Lenini.
-Kështu Lem, arrestimi yt asht i lidhun me programin e partisë për me ba “piazza pulita” me kundështarët tonë ma të rrezikshëm, përveç teje po të jeshë dakord me firmosë dokumentin që të kemi propozuar.
Lemi rrinte i heshtun. Ai e kishte parandje këtë takim me përfundim të parashikueshme. Çfarë do të banin me të? Ai e priste me stoicizëm fundin e kësaj çështje.
-Je dakord me firmosë këtë dokument, o jo? Lem, veri gishtin kokës e mendohu për pasojat e randa që do keshë. Ne të japim mundësinë të gëzosh nga privilegji si profesor dhe shkrimtar. Nuk duhet të refuzosh këtë rast unik dhe bujar, që të jetosh i qetë e i lumtur. Vetëm një firmë e jote na vë dakord të gjithve. Unë kam folur me shkokët e partisë, që të njohin e të vlerësojnë shumë. Ata tregohen shumë të kënaqur të të shohin të përfshirë në shoqërinë dhe jetën socialiste.
Shefi i dha fund bisedës duke u tregue i mirësjellun dhe i prirun për mirë ndaj tij.
Lemi vendosi të ndërhyjë.
-E kam dhanë përgjigjen time për këtë propozim. Nuk mund ta pranoj, kurrë! Ju mund të bani ç’të doni me mue e sa ma keq të dëshironi mbi jetën dhe trupin tim, por jo mbi mendjen e shpirtin tim. Nuk do të pranoj kurrë të njollos veten me turp e përbuzje.
Koloneli u tërbue dhe u kthye në një egërsinë, duke bërtitë me sa za kishte.
Mirë të të bëhet. Do t’i marrish ato që po kërkon. Nuk do të dalësh kurrë prej burgjve e kampeve të internimit, në qoftë se i shpëton pushkatimit. Vetë e ke kërkuar! Përjashtë!
Kapter Sulo, mbylle atje ne birucë dhe mësoje që të sillet më mirë!
Sa e çuen ne birucë, kapteri dhe dy policë të tjerë u hodhën mbi të me grushta e shqelma deri sa ai humbi ndjenjat i shtrimë mbi dyshmenë prej betoni.
Pas disa ditëve, policët i vunë prangat dhe e hypën mbi një kamion me ato pak plaçka që kishte. Makina ishte plot me të arrestuem të tjerë të prangosun si ai, të ngjeshun bri njeni tjetrit. Shoqnue nga policë të armatosun deri në dhambë.
Lemi e shokët e ti, të gjithë intelektualë shkodranë, u mbyllën në kampin e Shtyllasit, ngjit me atë të burgosunve, dhe u nxorrën në punë të detyrueshme në hapjen e një kanali të madh, bashkë me të burgosunit. Kampi i Shtyllasit në fushin e Fierit, ishte vendosun pranë rrënimeve të qytetit të Apollonisë. Bashkë me Lemin ishin internue nja 100 vetë, shumica inteklektualë. Gjysma e tyne ishin mbi 60 vjeç, dhe i kishin ba nga 5 deri 10 vjet burg. Ish funksionarë të naltë, ministra, oficerë, shkrimtarë e profesorë.
Prej Shtyllasit, i trasferuen në Kuç të Kurveleshit, kamp izolimi, ku i mbajtën katër vjet, 1954-1958.
Savër 1964 - Baraka e Lazrit - Gulielm e Marie Deda, Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Savër 1964 – Baraka e Lazrit – Gulielm e Marie Deda,
Tefik Celo, Reshit Mulleti, Zef Mirakaj dhe Vitore e Luçian Radi
Ndёrkaq ata i çuen në Lushnje, qё ishte caktue si qendёr internimi. Ku pёrveç disa pleqve tё tjerёt i detyruen tё punonin nё bujqёsi. Mё 1962, Lemi martohet me zonjushёn Marie Muzhani, bijë e Prof. Luigj Muzhanit, e cila kishte pranue tё martohet me Lemin duke nda internimin me tё.
Mё 1964 u ba njё lirim, ku Lemi pёrfitoi e u vendos nё Tiranё pranё familjёs sё grues. U duk se morёn fund telashet e tij. Por jo, pati një pësim tjetër. S’kaluen dy muej dhe e arrestuen e ngarkuen mbi njё kamion me gjithё gruen dhe e degdisёn nё fshatin e humbun Ndёrnenas tё Fierit, ku qëndroi 25 vjet deri 1989. Kёtu ai e vazhdoi punёn e pёrkthimit, nё kondita tё tilla tё pamundshme. Arriti ta pёrfundojё mbas 17 vjetësh, njё kryevepёr nё kryevepёr. Testamentin e tij të pёrjetshёm.
Kështu heroi ynë, i përmbushi 45 vjet dënime të ndryshme, burgje e kampe pune e internimi. Pasojat i shkatuen një sëmundje të randë që i dridheshin duert e nuk mund të shkruente. Kaloi ne Itali, ku gjeti strehim, por nga sëmundja e duerve nuk mund te shkruente asgja. Vdiq në mars 1994, në Perugia. Ai la një vepër të madh poetike, kryevepra e tij: përkthimi shqip i poemit kalorsiak te Lodoviko Ariostos, “Orlando Furioso”, në versionin shqip “Orlandi i çmendun”, prej 40 mije vargjesh. Diçka qё njё mendje e shёndoshё s’mund ta konceptojё as pёrfytyrojё, pёr kushtet nё tё cilat u krye. Kurajo nuk i mungoi kurrë. Me atё vepёr ai iu kundёrvue me vendosmëni e vullnnet tё pathyeshёm diktaturёs qё deshti ta shuente fizikisht e mendërisht. Njё hero i vёrtetё i mendimit.

Guljelm Deda & Marie Muzhani
Guljelm Deda & Marie Muzhani
E bukur ishte, kur rrinte nё shoqni tonё, qeshte duke na tregue katёr vёllimet dorёshkrim prej 400 faqesh secili:
-Tani e kuptoj se paskam qenё ma i çmendun se Orlandi, se me mend nё kokё s’do ia kisha nisë kurrё kёsaj pune. Rri tuj mendue, a jam a s’jam unё qё i kam shkrue me dorёn time kёto libra? Aq sa çuditem me vetveten. Jo or Lem, asht njё Lem tjetёr qё i ka shkrue, jo ti!!
I martuem e pa fëmijë, ai u shkëput nga jeta toksore, i ndjekun nga e shoqja Maria, duke lanë mbrapa kujtimin e kalvarit të tij të mundimeve dhe dënimeve pafund. Por njëkohësisht, tue lanë një vepër me të cilën do të jetë i pranishëm në faqet e letёrsisё e shoqnisë shqiptare. Përmbyllja, sa e trishtë aq edhe heroike asht qёndresa e tij, për si ai e përballoi me vendosmëni e stoicizëm. a

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.