back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Requiem simfonik për Havzi Nelën nga Jozef Radi

Gazeta

Havzi Nela i ri, me veshje tipike
Havzi Nela i ri, me veshje tipike

Requiem simfonik për Havzi Nelën…

nga Jozef Radi

Në të 25 vit të varjes në qytetin e Kukësit…

dhe të ngjitjes në qiell të këtij martiri të Fjalës dhe Mendimit të Lirë

Sot përkujtojmë me dhimbje të thellë Havzi Nelën, ma të lavdishmin e Fisit të Nelëve, prej Kollovozi, këtij fisi me emën, disa prej të cilëve kam pasur fat t’i kem jo vetëm bashkëvuejtës, po edhe komshij, edhe shokë, edhe të nji ane… dhe të kem nda me ta mjaft ditë dhe net të vështira, biseda dhe bukë, vuejtje dhe gëzime, dhe… prej kësaj mund të them se: Nelët ishin të paepun… kokshkretë… luftëtarë dhe antikomunistë të lindun… Dhe s’mundem kurrsesi që në kët Requiem Simfonik, për ma ta lavdishmin e këtij fisi: Havzi Nelën, të mos përmend edhe disa prej të dënuemve të shumtë të këtij fisi në kalvarin gjysëmshekullor të komunizmit: s’mundem të harroj Avdullanë, Sherifin, Kujtimin, Baftjarin, Baftijen, Gëzimin… të gjithë të dënuem të atij regjimi, edhe kur ishte në grahmat e fundit të dhunës…

Havzi Nela mësues 1962
Havzi Nela mësues 1962

I 25 vit i ngjitjes në qiell,

i ma të lavdishmit Poet që u përball me Diktaturën…

Havzi Nela… do të kujtohet si poeti që gjithë sakrificat i bani në emër të dijes dhe kulturës, të së vërtetës dhe drejtësisë, të shpirtit të lirë të malsorit shqiptar…

Havzi Nela… do të kujtohet si poeti që kur zgjodhi rrugën e arratisë, la lamtumirën e dhimbshme të ikjes, në telat me gjemba të kufinit shqiptar…

Havzi Nela… do të kujtohet si poeti që shpërndau dritën e dijes ngado ku jetoj… në fshatra e në shkolla, në burgje dhe rrugëve, në dasma dhe në morte… si vizionar dhe si liri shetitëse…

Havzi Nela… do të kujtohet si poeti që shkroi vargje për frymën e lirisë dhe Kartën e Helsinkit, kur terrori, dhuna dhe lufta e përbindshme klasore sundonte me grushtin e vdekjes çdo qelizë të jetës së këtij vendi…

Havzi Nela… do të kujtohet si poeti që n amanetin e nanës… kërkoi ruejtjen e atyne fletoreve me vargje të groposeshin në dhè, derisa të mbrrinte ajo ditë për të cilën ai kish këndue… Sot ato fletore janë pasuni e dhimbjes dhe humanizmit shqiptar…

Havzi Nela… do të kujtohet si poeti që jetoi i lirinë brenda vetes, edhe ndër Burgje e ndër interrnime… edhe ndër degdisjet e provokimet e pafundme që pësoi…

Havzi Nela… do të kujtohet si Fundmi Poet i botës komuniste që e priti vdekjen në kambë… diku midis sheshit të atij qyteti që e desh aq shumë, e që mbeti lavdi e zemrës së tij…

Havzi Nela… do të nderohet si sfidant i njeriut fisnik ndaj shtetit kriminel… si shpërfillës imadh e krejt atyne veglave të verbta që firmosnin me aq lehtësi vdekjet poetëve…

Havzi Nela… do të nderohet si poeti që edhe në botën e përtejme ndejti pip në kambë… pse ata që e ngulën trupin e tij të shenjtë në vend të një shtylle elektriku… padashje treguan që të jeshë poet, ndrin edhe i vdekun dhe mbetesh në kambë edhe pa qene statujë…

Havzi Nela… do të këndohet si poeti i Kollovozit të Kukësit, atij vendi mes malesh, ku fjala e tij ashtu si lodrat e Kollovozit “gjëmojnë dhe i çojnë edhe të vdekunit prej vorri!”

…edhe sot Havzi Nela gjëmon si lodrat e Kollovozit që vazhdojnë prej kur s’mbahet mend…
përkundër asaj shurdhësie që kahera e grryen pamëshirë qenien tonë…
Prandaj, besoj se s’mund të harrohet Havzi Nela,
as dje, as sot, as kurrë… sa të jetë Jeta…
10 gusht 2013

Havzi  Nela reciton...
Havzi Nela reciton…

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.