back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Requiem për vdekjen shpërfillëse… nga Jozef Radi

Gazeta

Shkrimtari Kasem Trebeshina
Shkrimtari Kasem Trebeshina (1926-2017)

Requiem për vdekjeshpërfillësit…

esse nga Jozef Radi

Me 6 nëntor 2017,
u largua nga jeta
shkrimtari Kasem Trebeshina
Profet i Letrave Shqipe
 
Vdekja nji ditë vjen për të gjithë.
Askush s’ka mundur të kapërcejë atë. Asnji kompromis, me të Mirën as me të Keqen, me Pushtetin as me Hyjin, s’ka ndihmuar askënd ta kapërcejë këtë akt përmbyllës të një rruge, gjatësia e së cilës na është e paracaktuar si fat i çdonjërit prej nesh.
Edhe Profeti i Letrave Shqipe, tashma përtej të Nëtëdhjetave, e priste ikjen e tij një ditë!
Bile kishte mbërritur deri aty sa ta pranonte paqshëm bashkëjetesën me hijen e vdekjes! Kishte shkruar gjithë jetën libra, dhe s’kishte pothuaj asnjë libër të botuar, pra kishte pranuar të jetuarit me vdekjen e veprave të veta; kishte pranuar burgjet e gjatë, si pjesë të vdekura të jetës së tij; i kishte mbijetuar çmendinës si pjesë më rrënuese e jetës së tij; kishte pranuar heshtjen e tinzare të shtetit, si një vdekje e sofistikuar; ashtu siç kishte pranuar gjithë dënimet dhe vetmimet e pafundme të tij.
Dhe kështu ditë mbas dite Ai e kish sfiduar veten dhe botën, duke vazhduar të shkruante e të shkruante pafund si një murg, deri sa mekja e dritës së syve pak nga pak iu bë e plotë dhe ai u bë pjesë e shkrimtarëve të verbër të botës… Dhe për mos ta dëgjuar edhe atë llavë llumi që u derdh e do të derdhej dhunshëm mbi figurën e tij, Ai shpërfilli si një shpërfillës i madh, duke u ngujuar në kullën e vetmisë së tij, zhytur ndër jehona legjendash dhe magjinë e muzikës klasike, duke u mumifikuar pak e nga pak e ca nga ca me heshtje e braktisje, deri te dita e 6 nëntorit të 2017, e cila ndoshta do të shenjtërohet si dita e lamtumirës së tij, për gjithë ne mosnjohësit mjerënë, mosmirënjohsit e vegjël dhe rrokanët e pathyeshëm të kësaj bote…
Dhe iku ashtu heroik i pazhurmët, fisnik i pafjalë, kalorës i pakalë, i mallkuar i pamallë, i gjallë i pakallur, i përfolur prej të paftyrësh, i përçmuar prej të paçmuarish, i vdekur gjer në pavdeksi…
Dhe iku nëpër vjeshtën e tretë i mbuluar me gjethe lisash dhe pllanga resh të përzishme; iku pa gjurma lavdie, pa hosanara hipokritesh, pa kurorë të thurura lavdish të rreme, iku si dinë të ikin shpirtërat e mëdhenj: shpërfillës e të patrazuar që e lexuan aq qartë kohën dhe bashkëkohësit e tyre, e derdhën jo veç frymë kritike ndaj papërgjegjsisë sonë kolektive po edhe shpirt qësendie, duke në dhënë edhe simbole qëndrese dhe modele përkushtimi në një shkretëtirë që bëhet edhe me e shkretë me ikje luftëtarësh…
Vërtet ai jetoi me letërsinë dhe për letërsinë që krijoi, por mbeti ashtu i thjeshtë e i përkorë, idhnak dhe i paepun, sfidues dhe njerëzor, si gjithë ata që të mirën dhe të keqen e tyre, vlerat apo difektet e tyre, i japin ashtu të plota, të palatuara, të pamaska, të pafriguara, si gjithë ata që dinë aq bukur të tallen me veten e tyre së pari e pastaj me gjithë botën… E këtu nuk mund ta rri pa e përmendur atë të famshmen shprehje të tij se: “Kur mbusha 25 vjet, u kujtova papritur, se kur isha 12 vjeç isha shumё mё i mençёm!”… pra ato 13 vite të rritjes së tij idealiste çlirimtare, kishin qenë ajo bashkëjetesë e tij e trazuar me komunizmin, e cila njëherësh po aq sa do ta rrënonte e do ta rroposte po aq edhe do ta kthejllte e ta lartonte!!
Profeti i Letrave shqipe, vdiq një të hënë nëntori në dhe të huaj… dhe ashtu skiftershëm fluturoi drejt atij vendi përçmues… dhe erdh e u varros aty pranë së shoqes, ikur një vit më parë, asaj gruaje të shenjtë që s’ia vrau kurrë në shpirt shkrimtarin, aty pranë mbesës së tij të shtrenjtë që ia shkurtoi tejet ditët e mbrame, dhe ndoshta ashtu bashkë tani do t’ia lexojnë e do t’ia shkruajnë poezitë e mbetura përgjysëm Gjyshit të saj Profetik…
Me këtë ikje të vetëtimtë, Ai nuk e vuri në vështërsi as miqtë, as shtetin, as njerëzit e hallakatur të letrave, as mediat e përfjetura as lexuesit dhe dashamirët e paktë… Iku si të mos kish qënë kurrë, si të mos kish shkruar kurrë, si të mos kish rrebeluar kurrë… iku si ndëshkimi më i madh i gjithë atyre që ende s’po dinë si ta lexojnë këtë shpërfillje…
Tashti të gjithë jemi të lirë ta shpërfillim, ta përbuzim, ta fyejmë, ta shajmë, ta poshtërojmë, ta mallkojmë… bile edhe t’i gëzohemivdekjes së tij… vetëm me nji kusht, që mbas të gjitha këtyre të ulemi e ta lexojmë ashtu qetë dhe paqshëm profecinë e tij, sepse vetëm kështu, të rikthyer në kujtesë, do ta kuptojmë krejt përmasën e mjerimit brenda nesh…
Sepse vdekja nji ditë vjen për të gjithë!
7 nëntor 2017
Vepra e botuar e Kasem Trebeshines
Pjese nga vepra e botuar e Kasem Trebeshines

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Largohet nga jeta shkrimtari Kasem Trebeshina, një nga figurat më të rëndësishme të letërsisë dhe disidencës shqiptare: Luftëtari i 1000 betejave të humbura dhe të fituara; Idealisti që u përjashtua si nga diktatura edhe nga postdiktatura; intelektuali që nuk bëri kompromise as me pushtetin as me hierarkinë e artit; Shkrimtari që nuk hyri kurrë dot në komunikim të drejtpërdrejtë me kohën dhe lexuesit; Njeriu që i vuajti ditët më të shumta të jetës së vet pa iu ankuar askujt…
    Nderim dhe respekt të thellë për Luftëtarin, Idealistin, Intelektualin, Shkrimtarin dhe Njeriun: Kasem Trebeshina.
    Kurrë nuk do të jesh më i gjallë, se prej ditës së sotme!
    I lehtë të qoftë dheu dhe e bekuar fjala jote e palexuar!
    Jozef Radi, 7 nëntor 2017

  2. E takofshim këtë shpirt, pas urës së vdekjes…
    Më bëri të mendoj thenia e tij, që më 12 vjeç isha më i mençur se me 25… Ne fëmijët e diktaturës, nuk jemi rritur vërtet, në jemi çformuar! Na mungon vazhdishmesia… Jemi si ata shalqinjte kubike… formën s’e ndryshojmë dot me.
    Ne do të mbetemi fëmijët e diktaturës…..

    .

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.