Requiem per Gjosho Vasijan – Dy vjet pa Gjoshon – nga Osmon Kaceli

Gjosho Vasija 2010

Gjosho Vasija (1931-2013)

Requiem per Gjosho Vasijan

Dy vjet pa Gjoshon

nga Osmon Kaceli

Si sot, 2 vjet më parë ndrroi jetë Xhovalin Vasija, ose siç e njofin të gjithë Gjoshja!
Tronditja qe e madhe, jo vetëm se ai ishte nji nga njerzit ma të dashun, por edhe pse ajo humbje e hidhun ndodhi krejt e papritur.
Me kët rast ne ju gjindem pranë motrës tonë Berinë dhe u përpoqëm t’ia lehtësojmë asaj së parës, e cila pësoi humbjen e madhe.

Osmon Jonuz Kaceli

Osmon Jonuz Kaceli

Po si dhe kur hyni Gjosho Vasija ne jeten tonë, të familjes Kaceli?
Për të dhanë nji përgjigje të kësaj pyetje po shkëpus nji fragment nga nji shkrim i im në lidhje me vitin e parë të internimit tonë familjar në Skrapar, pra të Nonës tonë Mereme dhe 7 fëmijve të të ndjerit Jonuz Kaceli, të cilin përbindshat komunistë me në krye Enver Hoxhën e Mehmet Shehun, “pa asnji hak as hile” i kishin marrë jetën me 26 Shkurt të vitit 1951.
“E kështu kalonin ditët tona… Pikërisht mbas pak ma shumë se nji viti në internim, pati nji ndryshim, si të thuejsh të konsiderueshëm sasior përsa i përket numrit të internuemve. Aty rreth Datës 15 Mars të vitit 1952, erdhën disa të internuem të kampit famëkeq të Tepelenës, që u instaluen në Skrapar. Ishin 57 burra, që si rezultuen ma vonë, ishin në ma të shumtën, njani ma i mirë se tjetri.
Por ndër emnat që i kam të ngulitun në kujtesë, ma i shquemi për mu ishte prifti katolik, Dom Nikoll Mazrreku. Me siguri mund ta them se unë pa e kuptu jam mundu që në vija të përgjithshme me i ngjajtë atij. Kuptohet që nuk jam aq i aftë që t’ja përshkruej portretin dhe vlerat e tij, në atë mënyrë që dhe të tjerët ta perceptojnë ashtu si edhe unë, at natyrën e tij pozitive e mirëdashëse. Që në fillim, ai na u afru shumë, dhe e manifestoi qartë si simpatinë e tij drejt nesh, gjithashtu edhe keqardhjen e skajshme që ai ndjente për ngjarjen tragjike që i kishte ndodhë Babës tonë, e rrjedhimisht edhe krejt familjes së tij. Ai ishte prift nga nji anë, por ishte edhe njeri shumë i kulturuem, pozitiv e optimist nga ana tjetër, dhe ka ba ç’mos që të na e lehtësojë at dhimbje të madhe që na kishin shkaktu kriminelët komunistë, me sjelljet e tyne arrogante e barbare. E sidomos për Alaskën e Dhurin kishte dashni të veçantë që ai nuk i thirte në emën po njënën e thirrte Tulipan dhe tjetrën Manushaqe, e shpesh na kallxonte prralla e histori shumë të bukura. Përveç kësaj ai mundohej të sajonte lloj-lloj lojnash me ato mjete rrethanore që kishte në dispozicion aty në interrnim. Pra ishte edhe nji mjeshtër artizan i shkëlqyeshëm.
Përveç tij në atë kam aty në Çorovodë  erdhën edhe djem të tjerë si  Fatbardh Kupi, Lekë e Valentin Pervizi, etj., etj. Por ai që mbeti jo vetëm në kujtesën tonë, po edhe në jetën e familjes sonë ishte Gjovalin Vasija.

Të internuar, Valentin Pervizi e Gjosho Vasija, Corovodë, 1954

Të internuar, Valentin Pervizi e Gjosho Vasija, Corovodë – 1954

Gjoshoja asokohe ishte djalë i ri, rreth 20 vjeçar, e që demostronte nji gjallni e shkathtësi të veçantë. Kishte nji natyrë gazmore dhe që në pamje të parë të jepte përshtypjen e njeriut që e ka dhuntì dhe pjesë të jetës së vet humorin.
Rasti e dha që ai të hyjë nji herë e përgjithmonë në jetën tonë.
Nga afër, për herë të parë unë e pashë me 15 Qershor 1952.
Atë ditë kishte ardhë në Skrapar foto Xhimitiku nga Berati. Ndodhesha në sheshin ku ishin vendosë fotografët së bashku me Mirin. Ai së bashku me nji shokun e vet sapo kishte dalë në fotografi. Në këte çast si duket i u përgjigj fotografit dhe ndigjova që tha:
-Xhovalin Vasija më quejnë! – Nga e foluna e kuptova menjiherë që ky ishte ai shkodroni që po u përmendte vazhdimisht në familjen tonë. Kuptohet që përveç gëzimit që paraqiste nji gja e tillë ndjeva dhe nji lloj kënaqësie që iu shtu dhe nji tjetër dashamirës i familjes sonë.
Le që ma vonë ndërmjet tij e Berinës, motrës tonë lindi nji idil dashunie që mbeti i tillë edhe sot e kësaj dite… Kët gja e mora vesh rastësisht kur ndigjova nji bisedë ndërmjet Nonës dhe Berinës, në të cilën, kjo e fundit i shpjegonte Nonës, me fjalë shumë të përmallshme, për ç’ka po ngjiste në jetën e saj. E ndërsa ajo fliste, mundohej t’i mbushte mendjen asaj, që ta ndihmonte në ndonji farë mënyre, apo si me thanë t’i jepte nji farë pëlqimi. Ndërsa fliste ajo i kishte sytë të përlotuem edhe zanin të butë e lutës. Nuk e ndigjova se çfarë i tha Nona, por pashë vetëm se Nona e afroi dhe e përkdheli me ngrohtësi. Ndërkohë, me siguri ajo i ka dhanë këshillat e rastit, të domosdoshme për nji vajzë të re, n’atë kohë Berina ishte veç 16 vjeçare, dhe sigurisht duhej shpjegu edhe vështërsitë që ishin aty në kamp…
Nona ma vonë lujti dhe rolin zbutës në lidhje me Verën, e cila me ta vu ré, sjelljen e re të së motrës, e kishte vu në dijeni Nonën. Vera mbajti gjithmonë nji qëndrim kritik, por me nji dashamirësi që të lente me kuptu, që ky lloj qëndrimi ishte për të mirën e saj, e se ajo ishte e detyrueme si ma e madhja të ishte edhe si zëvendësuesja e Babës!
Unë nga ana ime, e pashë gjithnji pozitivisht kët ndryshim në rrjedhën e jetës sonë familjare. Natyrisht si i vogël në moshë, as nuk mund t’i mendojsha, e as t’i parashikojsha, vështirësitë e pengesat që do të na paraqiteshin gjatë viteve. Por unë me intuitën time, që në të vërtetë e kam të zhvillueme, formova bindjen që me vullnetin e mirë, dhe me ndihmën e Zotit, ky idil nji ditë do të kunorzohej.
Ashtu edhe siç ndodhi edhe në të vërtetë…

Skrapar - 7 jetimet e Jonuz Kacelit

Skrapar – 7 jetimet e Jonuz Kacelit

Gjoshoja e theksoj, ishte njeri i veçantë. Megjithse shpesh fliste për vetvehten dhe jetën e tij, në ma të shumtën e rasteve fliste edhe kujtonte aspekte të jetës së miqve dhe bashkvuejtësve të vet dhe u shprehte mirnjohje që kishin për lehtësimin e vuejtjeve po njiherësh edhe dhimbjen e tyre e përcillte me humorin dhe humanizmin e tij! Duhen netë dimri me tregu histori dhe ngjarje që nuk harrohen kurrë… Gjoshja hyni në jetën e familjes sonë dhe u bë për Nonën tonë si nji djalë, dhe vëlla i madh për ne. Do ta kujtojmë gjithmonë për dashamirsinë, humorin dhe bujarinë e tij. Po edhe si burrë i palodhun dhe si babë, edhe si gjysh shembullor. Ai e respektoi gjithë jetën Berinën dhe familjen Kaceli.
Pushoftë në paqe… sepse me thonë të drejtën, na duket sikur është gjallë e mes nesh edhe sot…
21 nandor 2015

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook