back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Refugjatët shqiptarë në botën e huaj, refugjatët e huaj në viset Shqiptare, mikëpritja e shqiptarëve dhe bujaria e Diasporës… – nga Nashi Brooker

Gazeta

Avni Delvina - Projekti Monumental kushtuar Emigracionit
Avni Delvina – Projekti Monumental kushtuar Emigracionit

Refugjatët shqiptarë në botën e huaj,

refugjatët e huaj në viset Shqiptare,

mikëpritja e shqiptarëve dhe bujaria e Diasporës…

nga Nashi Brooker

Nashi Brooker
Nashi Brooker

Fati i emigrantëve dhe refugjatëve shqiptare në Diasporë

Do sjell tre histori të vërteta të refugjatëve nisur nga Shqipëria.
Endri nga Berati niset për në Britanin e Madhe. Tenton të udhëtojë nga Greqia, ku bie në duart e trafikantëve shqiptaro-grekë. Pashaporta fallso i shitet për e vërtetë. Si rezultat përfundon në burgjet e vendeve të Shengenit për 6 muaj. Arriti në Britani me maune futur bashkë me disa filipinas. Zbret në Angli arrestohet dhe përfundon në kampe refugjatësh derisa lidhet me vëllanë atje. Endri tregon se çdo ditë e shpenzuar në burgjet e Europës ishin një tmerr pa fund.
Një djalë 14 vjeçar, me origjinë goran, përfundon në duart e trafikantëve, të cilët i premtojnë prindërve emigrimin e tij në Britani. Ky djalë minoren, punon në Kukës, për rreth dy vjet, pastaj niset ilegalisht për në Britani. Ai pohon se është mbajtur 3 javë në Belgjikë, në një bodrum për t’u nisur me maune në Britani. Në Belgjikë ata që e morën i blinin pak ushqime, nuk kishte ujë të ngrohtë, dhe s’kishte rroba të ndërrohej. Një here, e dërgojnë diku në një qytet tjetër, ku nuk e dinte ku ishte, me kë ishte dhe çfarë do bënte. Udhëtoi me makinë me dy burra të tjerë, dhe njëri fliste shqip e lë në makinë për orë të tëra. Ai ndjehej i frikësuar në çdo moment derisa arriti në Britani dhe, kërkoi ndihmë nga autoritetet angleze.
L. nga Elbasani merr rrugët e rrezikshme për në Britani. L. i premtojnë para dhe punë të paguar shumë mirë. Paguan 15.000 stërlinga angleze. Puna ishte të zgjidhte midis shitjes së drogës në rrugët e Londrës ose të kujdesej për bimë narkotike mbyllur në shtëpi. L. duket se i pëlqente të merrte rreziqe të tjera si dalja në rrugë. I pafat, u arrestua shumë shpejt. U fut në burg, dhe u deklarua fajtor. Mbaroj burgun dhe me “sukses” u kthye në shtëpinë e tij, me borxhe dhe turpin e “dështimit” të bëhej i pasur.
.
Emigranti - Dy skulptura përballë detit në Marsejë - Bruno Catalano
Emigranti – Dy skulptura përballë detit në Marsejë – Bruno Catalano

Refugjatët e huaj në viset Shqiptare

Tirana e vitit 2020. Në Rrugën “Sami Frashëri”, ose më mirë famëkeqi Bllok, sot ndesh djem të rinj në grupe ulur në shkallë. Disa i sheh duke kontrolluar telefonat. Disa duke pirë kafe. Aty këtu sheh edhe lypësa të cilët nuk flasin shqip. Përgjithësisht janë mbi 20 vjeç ose ashtu duken. Ndër ta sheh djem me sy të skuqur, fizikisht të lodhur, me flokë të pa krehura. Mua nuk më duhet shumë, të kuptoj, që ata janë refugjatë të ardhur në Tiranë. Ardhur nga rrugë të ndryshme, ndoshta nga Korça ose jugu i Shqipërisë, por askush nuk është i sigurt, as ata vetë po t’i pyesësh.
Këto ditë Nëndori u nisëm të eksploronim Saukun e Tiranës. Sapo kapërxyem digën e liqenit, dhe kaluam nga ana e Saukut, shkuam deri lart tek ullishtja. Aty pashë një grup burrash. Në fakt, mendova se edhe ata, ashtu si puna jonë shëtisin. Por, pamje tjetër pamë nga afër. Djem të rinj, të rraskapitur, me çanta në kurriz, ecnin ngadalë me drejtim drejt parkut Rinia. Vendi ku i takuam ishte vetëm ullishtë. As shtëpi afër nuk kishte, as rrugë makine, por një këmbësore e ngushtë. Si një person që njeh rrugët e emigrimit, veç më kapi ai ankth i pasigurisë për këta djem.
Vura se se njëri nga ata çalonte. Në krahun e djathtë kishte një qese plastmasi, ku, në të kishte dy kokrra hurma dhe një portokall. Nuk e hidhte çapin më shumë se 20 cm. Ndoshta kishte ndrydhur damaret, kyçin e këmbës, apo vrarë, ose rrëzuar gjatë rrugës. Zemra ime u përmbys. Një tjetër fliste në telefon, edhe ai ecte ngadalë. Lodhja në fytyrën e tyre ishte e dukshme. Ngrita supet, si shenjë dorëzimi. Çfarë mund të bëja unë për ta!?
Vazhduam eksplorimin tonë, dhe kaluam nga një kodër në tjetrën, veç kur përballemi me të njëjtin grup. Djali me këmbë të çalë ishte i fundit. Të tjerët pak më përpara, por, çdonjëri nga ata, mundet të kishin ecur më këmbë ndoshta qindra km. Vazhduam rrugën për të lënë këta të gjorë në tragjedin e shek. të 21 në rrethinat e Tiranës.
Ne vazhduam rrugën për të parë nga afër vilat e Saukut, ose më mirë, vilat e rrethuar me kangjella hekuri, të mbrojtura nga policë dhe kamera. Në kthim, ndeshim përsëri këta djem fatkeqë. Djali që çalonte tashmë, një burrë më i moshuar e mbante për krahu. Po ku do t’i çonte, ishte ankthi im dhe ndoshta makthi i tyre? Në cilën vilë, ndërtesë këta të gjorë do kalonin natën ose netët e Nëndorit?
Shqipëria e shek. të 21 nuk është më vendi, i cili dërgon vetëm emigrantë jashtë kufijve. Tashmë refugjatët e huaj në Shqipëri janë prezent. Shumë nga ata ikin nga vende me konflikte luftrash, vende diktaturash, dhe vende ku jeta e shumë qytetarëve nuk është e mbrojtur nga vetë shteti. Kosovarët, vëllezërit tanë, emigruan gjatë viteve ’90-të se vendi dhe jeta e tyre ishte në flakë nga spastrimi etnik serb. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, vëllai tjetër yni, nuk kanë pasur më pak probleme se kosovarët. Shumë prej nesh janë ndjerë refugjatë edhe në shtëpit tona.
.
Valixhe emigranti... pikture nga Agim Sulaj
Valixhe emigranti… pikture nga Agim Sulaj

Mikëpritja Shqiptare në pikëpyetje?

Në pranverën e vitit 1999 Shqipëria si një vend ende në kaos ekonomik dhe politik pati në viset e saj 445.000 refugjatë kosovarë. Ky gjysëm milioni vëllezërish nga Kosova u strehuan nëpër shtëpia private dhe shteti si ai qendror dhe ai lokal. Duhet theksuar se në numër të përafërt ishin emigrantët që kishin lënë Shqipërinë deri në ato vite. Tre vëllezërit e mi, dhe, një motër në emigracion u zëvendsuan, me një nënë kosovare nga Rahoveci me 2 vajza, dhe djalin e saj në shtëpinë time ku ndejtën për tre muaj.
Arben Malaj, një ditë në faqen e tij në Facebook poston: “Sot në mëngjes kam parë një skenë të dhimbshme. Një emigrant, ndoshta sirian, kishte tentuar të vidhte në një dyqan perimesh, diçka për të ngrënë dhe një grup qytetarësh po e rrihnin atë!”. Një artikull i një gazete shkruante: “Emigrantët sirianë po na grabisin!”. Me të drejtë Zoti Malaj, ngre pyetjen se ku ka shkuar ajo mikëpritja e shqiptarëve këto vitet e fundit. Nuk është i vetmi incident që mikpritjes shqiptare i vihet pikëpyetje.
Refugjatët e vendosur në Shqipëri vitet e fundit jetojnë në kushtet më të mjerueshme. Ndihmat dhe ushqimin që marrin nuk u sigurojnë as minimumin jetik. “Na ndihmoni, se jemi të uritur!” – thotë një palestinez deklaron The Balkan Insight. “Mosplotësimi i kërkesave për ushqim dhe strehë është shkelje e Konventës së Refugjatëve” deklaron drejtoresha për Komitetin e Helsinkit, Erida Skëndaj, për të njëjtën gazetë.
Një algjerian që jeton në kampin e refugjatëve i tregon BIRN se ka frikë gjatë natës dhe thotë: “Më kanë vjedhur kur hyj në kamp, dhe jam përpjekur të ankohem tek stafi, por është e kotë”. “Gjatë natës, kur fiken dritat” vazhdon ai, “dhunuesit, mafia, godasin familjet, dhe ne i dëgjojmë që qajnë. Është tmerr!”
Departamenti i shtetit Amerikan raporton: “Viktimat e huaja nga vendet europiane dhe ato Filipine shpesh shfrytëzohen për prostitucion dhe punë krahu në Shqipëri. Emigrantët ilegalë nga Azia, punësohen si shërbëtorë nga familje të pasura. Emigrantët nga Lindja e Mesme, Azia Qëndrore, dhe Afrika të cilët janë tranzit për të kaluar në Europën Perëndimore, bëhen shpesh pronë e trafikimeve njerëzore”.
.

Bujaria e Diasporës shqiptare

Shqipëria vazhdon të mbetet një nga vendet me defiçite të mëdha ekonomike. Një diferencë e madhe me botën perëndimore financiarisht “balancohet” pjesërisht nga emigrantët jashtë vendit. Investimet e huaja kanë kontribuar gjithashtu, por, remitancat e sjella nga emigrantët kanë kontribuar masivisht në ekonominë kombëtare, në përmbushjen e shërbimeve sociale ku shteti shqiptar edhe sot shpenzon zero.
Në vitin 2000, transfertat financiare private shkuan 58 %. Remitancat e emigrantëve u rritën prej 150 milion $ dollar më 1992, mbi 1 bilion me 2004. Kjo shifër është ekuivalente me 14 % të GDP sipas De Zwager et.al.2005. Kjo ka ndodhur si rezultat i emigrantëve prej 1991, ku shifra arrin më shumë se 1 milion. Një nga donacionet e fundit për përballimin e situatës së COVID, plus, u janë dhuruar forcave të policisë kufitare 25.500 Euro, për të ndihmuar stafin që merret me qendrat e refugjatëve në Shqipëri, për të siguruar që refugjatëve t’u shërbehet sa më mirë e mundur.
Qytete si Dibra dhe Kukësi raporton Java News, pa ndihma nga emigrantët, do ktheheshin në dy qytete ku varfëria do mbizotëronte më shumë se kudo tjetër. Po ashtu shihet qartë se 48 % e parave dërguar familjeve nga jashtë shpenzohen për nevoja për ushqim, kurse 11 % për ujë, qera dhe drita. Nga një anketim i Organizatës Botërore të Emigracionit, mbi 70 % e emigrantëve shqiptarë dërgojnë para familjeve dhe të afërmeve.
Përse Diaspora mbetet bujare, çfarë ndodh me përfituesit e kontributit të saj?
Refugjatët, emigrantët shqiptarë emigruan që ta largonin skamjen ekstreme në vend. Pa hezitim duhet thënë se skamja e asaj kohe mban edhe sot Diasporën të lidhur me vendin mëmë. Shqiptarët e Shqipërisë, gjatë komunizmit ju nënshtruan një jete ku çdo shërbim, nevojë ushqimore ishte me racion, vendosur kjo nga Partia e Punës, e cila mori rolin e prindit, që do “kujdesej” për “fëmijët” e saj!! Racioni sundonte kudo. Racionet ushqimore u kthyen në një tmerr pa fund. Bujaria e shqiptarit u përdhos. Skamja, ishte turp të shfaqej, ishte krim politik po ta shprehje. Skamja dhe varfëria tashmë mbrohej nën “krenarin” ideologjike komuniste, dhe shqiptarët e Shqipërisë i “bashkonte” nënshtrimi skamor.
Të afërmit që jetojnë në viset shqiptare, si edhe shteti, por edhe investues të huaj dhe partnerët ndërkombëtar, janë përfituesit e remitancave bujare të tyre. Diaspora nuk ka ndryshuar me bujarin e saj dhe e prezanton atë si tiparin më krenar gjithkush që mban emrin Shqiptar. Diaspora, pavarësisht lënies së tokës mëmë, nuk ka braktisur tiparin më kombëtar, atë të mikpritjes, bujarisë, mirësise, pra asaj të përgjegjësisë kombëtare. Diaspora ka një kontribut të madh ndërshekullor, historik, social dhe kulturor. Këtu po ndalemi vetëm për kontributin financiar të 3 dekadave të fundit.
Ndjeshmëria në vend ndaj mikpritjes, kur sheh, lexon se si trajtohen refugjatët në Shqipëri, qoftë nga institucionet shtetërore, qoftë nga individ të veçantë, duket se nuk janë në linja të ngjashme me Diasporën. Sa imagjinatë i duhet shtetit shqiptarë të mendojë dhe të veprojë si një vend mikpritës? Sa dritëshkurtër janë ata/ato që nuk shohin refugjatët në Shqipëri si vëllezërit, motrat dhe bashkëqytetari i tyre që endet sot në rrugët e botës për një jetë më të sigurt!? Si mundet një qytetarë i Shqipërisë sot, të rrahë, të dhunojë, të frikësojë, të trafikojë, të shfrytëzojë një sirian, egjiptian, apo irakian në Tiranë, dhe nuk mendon se e njëjta gjë i ndodh vajzës, djalit, vëllait apo fëmijës së tij minoren diku në një vend të errët të botës sot?
Është më se me vend të shtrosh pyetjen, nëse tradita e mikpritjes shqiptare është tronditur së fundmi. Nëse po, kjo ka një çmim i shtrenjtë për t’u paguar për këtë vend i cili ndër shekuj glorifikon që “Shtëpia e Shqiptarit është e Mikut dhe e Zotit!”
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.