back to top
10.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Refleksione të vona për Teatrin Kombëtar… – nga Jozef Radi

Gazeta

Avni Delvina - Teatri Kombëtar dhe Gjergjat Kombëtar!
Avni Delvina – Teatri Kombëtar dhe Gjergjat Kombëtar!

Refleksione të vona për Teatrin Kombëtar…

nga Jozef Radi

Beteja për Mbrojtjen e Teatrit, mbetet beteja më jetëgjatë, më morale, më historike dhe më juridike në historinë e Shtetit shqiptar.
Prej verës së vitit 1999, kur ministri i atëhershëm i Kulturës, deri me 17 maj 2020, po i njëjti ministër, tashmë kryeministër, e bënë “target” Teatrin Kombëtar”, kanë kaluar thuajse 22 vite betejë e pandërprerë. Prej shkurtit të vitit 2018, për 27 muaj nuk rreshti qoftë edhe një ditë të vetme protesta qytetare!
Në këto 22 vite kanë kaluar mjaft qeveri, ku të gjitha kanë përgjegjsinë e tyre në mosnguljen e një gozhde të vetme, po edhe skuthërinë për të përfituar nga amortizimi i përditshëm i këtij institucioni të lartë kulture.
Teatri ra… ashtu si Konstandinopoja, si Waterloja, si Kruja, mbas një beteje të ashpër, të shproporcionuar dhe të pafundme.
Teatri Kombëtar s’ishin thjesht muret, siç mendonte Pushteti, po simbolika e një institucioni, që përfaqësonte kulturën shqiptare, me gjithë sakrificat e saj të mbijetesës në histori. Pikërisht për këtë, jashtë çdo patetike, u ndala të gjykoj se çfarë na tregoi dhe çfarë na dëshmoi të gjithëve Beteja për Teatrin Kombëtar!
.
Avni Delvina - Pieta e Teatrit Kombetar
Avni Delvina – Pieta e Teatrit Kombetar
Së Pari, – Teatri Kombëtar do të mbetet beteja më jetëgjatë e qytetarëve të lirë shqiptarë me Pushtetin e postdiktaturës.
Së Dyti, – 17 Maji i 2020 i Rrëzimit të Teatrit, është simetrikja negative e 20 shkurtit 1991, Rrëzimi i statujës së diktatorit. Si të thuash 17 Maji 2020 është njëherësh, revansh dhe hakmarrje!
Së Treti, – Asnjë nga pushtetet e këtyre 30 viteve postdiktaturë, nuk e ka përkrahur dhe mbeshtetur kulturën shqiptare, dhe as lirinë e artistit. Artisti që nuk mbështet Pushtetin, nuk qenka artist!
Së Katërti, – Beteja për Teatrin Kombëtar u shëndrrua në përçarjen më të madhe midis artistëve. Mjaft nga artistët që ngritën zërin dora dorës iu bashkuan pushtetit përmes shpërblimeve, ndërsa artistë idealistë kërkuan më shumë liri për artin jashtë pushteteve.
Së Pesti – Teatri Kombëtar dëshmoi katërcipërisht, përpara institucioneve kombëtare e ndërkombëtare se si mund të devijohen të gjitha institucionet, deri edhe ato Kushtetuese, në shërbim të pushtetit dhe mafies politike.
Teatri kombëtar edhe duke u rrëzuar në formën më të jashtëligjshme, dëshmoi se morali i humbësve të kauzës, është tejet më i lartë se morali i rrënuesve!
Së Gjashti, – Tribuna e Teatrit Kombëtar në 27 muaj qëndresë, dhe 22 vite betejë, mbeti tribuna më e vërtetë e fjalës së lirë, e betejës më historike të demokracisë shqiptare… Asnjë tribunë tjetër s’ka njohur vend të shprehjes së lirisë së mendimit, si aty!
.
Avni Delvina - Terror mbi Teater
Avni Delvina – Terror mbi Teater
-Së Shtati, – Beteja për Teatrin Kombëtar tregoi sa e pafuqishme është forca politike e Pozitës, kur abuzimi me pushtetin, i ka xhveshur çdo moral politik përfaqsuesve të saj.
-Së Teti, – Përdorimi i natës, i gjitha forcave të policisë, i një strategjie ushtarake për pushtimin e teatrin, futja e menjëhershme e mjeteve rrënuese, lejojnë të besosh se kërcënimi me një diktaturë të re, ndjehet gjithnjë e më pranë…
-Së Nënti, – Beteja për Teatrit, e thelloi frikshëm hendekun Pushtet-Opozitë-Qytetar. Mbas Mukjes, Teatri Kombëtar do të mbetet si e dyta humbje mundësie, për paqtim e shoqërisë shqiptare!
-Së dhjeti, – Edhe Qytetarët dhe Artistët u përpoq të largoheshin nga politika në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, por sulmet, rrënimin dhe demagogjinë e pësoi pikërisht prej saj!
-Së Njëmbëdhjeti, – Teatri Kombëtar, e shpalli qartë dhe në formë publike se Kultura Shqiptare është e kërcënuar në çdo qelizë të saj nga Politika, dhe se beteja më e madhe e popullit shqiptar, mbetet mbrojtja e identitetit të tij.
-Së Dymbëdhjeti, – Teatri Kombëtar e shpalosi qartas se as shoqëria civile, as sindikatat, as studentët, as institucionet fetare, as intelektualët me emër, as diaspora, nuk i dhanë përkrahjen e duhur kësaj beteje të lartë morale.
-Së Trembëdhjeti, – Përçarja e artistëve, në mënyrë të veçantë e atyre që e nisën si të flaktë mbrojtjen e Teatrit, për të qënë më të flaktët në rrënimin e tij, dëshmoi paaftësinë për solidaritet artistik dhe mungesë kohezioni të shoqërisë shqiptare…
-Së Katërmbëdhjeti, – Beteja për Teatrin Kombëtar, më të gjitha vështërsitë që ka një betejë e tillë, ishte model në miniaturë i qëndresës historike shqiptare.
-Së Pesëmbëdhjeti, – Teatri përcaktoi në terren dhe jo me fjalë: se kush janë barbarët dhe kush qytetarët; kush është pushteti që kërkon sundimin e pakufi dhe kush është qytetari që kërkon të mbrojë lirinë e fjalës dhe lirinë e artit…
-Së Gjashtëmbëdhjeti, – Rrëzimi i Teatrit kombëtar, nisi si obsesion i një ministri kulture, dhe përfundoi si qenërim i një kryetari Bashkie, pikërisht kur zgjedhja e dytë e tij, ishte krejtësisht imorale.
-Së Shtatëmbëdhjeti, – Mbrojtja e Teatrit Kombëtar ishte zëri ndryshe në shoqërinë shqiptare… Kurse rrënimin i tij ishte kori i hijeve që bashkërendojnë me pushtetin. Ajo qartësoi dukshëm se kur bashkohesh me pushtetin, nuk je zë ndryshe…!
-Së Tetëmbëdhjeti, – Beteja për Teatrin, sigurisht mund të kishte qenë më aktive e më gjithpërfshirësë. Fakti që ajo sensibilizoi mjaft opinionin ndërkombëtar, e i dha jetë skenës për pothuaj një vit, është dëshmi e mundësive që jep liria.
-Së Nëntëmbëdhjeti, – Teatri Kombëtar diskreditoi qëndrimin e hapur pro abuzimeve, të institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Shqipëri, të cilat u bënë haptazi palë me abuzimet e pushtetit.
-Së Njëzeti, – Paradoksi i një kryeministri që shfaqet duke shpërndarë nëpër botë artin e vet dhe e shndërron institucionin më të lartë ekzekutiv, në galeri të delireve të veta, ndërsa zërin e një kori artistësh e qytetarësh i quan mediokrit, mbetet një tjetër dëshmi e boshllëkut që përfaqëson ai si pushtetar dhe artist!
Së Njëzetenjëti, – Rrënimi i Teatrit Kombëtar, tregoi sa e pamundur është të ulesh në një tavolinë me Njëshin e Pushtetit!! Si mund të zgjidhen problemet akute të shoqërisë shqiptare, sa të vështira janë zgjedhjet e lira, në ò’përmasë është toleranca midis shtetit dhe qytetarit, dhe sa e pamundur jeta intelektuale në Shqipëri!!
-Së Njëzetedy, – Djemtë dhe vajzat, gratë dhe burrat, intelektualët dhe studentët, artistët dhe aktivistët,  tregtarët dhe emigrantët të gjithë ata që mbrojtën Teatrin Kombëtar, me dashurinë, me shkrimet, me qëndresën e tyre në një të përditshme të pabesueshme, do të mbeten kujtesë historike e tij. Një nderim e respekt të veçantë për ta, në atë betejë të madhe e të kurajshme ndaj një pushteti ilegjitim dhe kriminal.
 
Ky ishte një reflektim i shtrirë në kohë, por që në ditët e dhimbjes së Rrënimit të Teatrit mori pamjen e kësaj analize.
19 maj 2020
.
Avni Delvina - Muzgu i Mureve në Teatrin Kombetar
Avni Delvina – Muzgu i Mureve në Teatrin Kombetar
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.